artikulli 2

Maj 2022


Pyetje: A është Bibla me të vërtetë Fjala e Zotit?

Përgjigje:
Përgjigjja që do t’i japim kësaj pyetje, jo vetëm që do të përcaktojë pikëpamjen tonë mbi Biblën, por edhe rëndësinë që ajo tani ka në jetën tonë dhe mbi të gjitha, efektin e saj të përjetshëm. Nëse Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit, atëherë ne duhet të kujdesemi për të, ta studiojmë, t’i bindemi dhe mbi të gjitha t’i besojmë. Nëse Bibla është Fjala e Zotit dhe ne e refuzojmë, atëherë kemi refuzuar vetë Zotin.

Fakti që Perëndia na ka dhënë Biblën është një provë, një ilustrim i dashurisë së Tij për ne. Perëndia i komunikoi njerëzimit se si është Ai dhe si mund të kemi një marrëdhënie të duhur me Të. Këto janë gjëra që ne nuk do t’i kishim ditur, nëse Zoti nuk do të na i kishte zbuluar nëpërmjet Biblës. Edhe pse Zoti e ka zbuluar veten e Tij në Bibël, përgjatë 1500 viteve, ka qenë gjithmonë gjithçka që njeriut i është dashur të dijë në lidhje me Zotin, në mënyrë që të ketë një marrëdhënie të drejtë me Të.


Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është se si mund ta dimë që Bibla është Fjala e Zotit dhe jo thjesht një libër i mirë? Çfarë është unike në Bibël që e bën atë të veçantë nga të gjithë librat e tjerë fetarë që janë shkruar ndonjëherë? Ka ndonjë provë që Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit? Këto janë disa nga pyetjet që ne duhet të shikojmë, nëse duam të shqyrtojmë seriozisht pretendimet se Bibla është vërtet Fjala e Zotit, e frymëzuar në mënyrë hyjnore dhe plotësisht e mjaftueshme për të gjitha çështjet e besimit dhe praktikës. Nuk ka asnjë dyshim në faktin se Bibla pretendon të jetë vetë Fjala e Zotit. Kjo është bërë e qartë në vargje të tilla si 2 e Timoteut 3:15-17 ku thuhet: “...dhe se, që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të urtë për shpëtimin me anë të besimit në Krishtin Jezus. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.”

Në mënyrë që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, duhet të shqyrtojmë si faktet e brendshme, ashtu edhe ato të jashtme, të cilat tregojnë se Bibla është vërtet Fjala e Zotit. Faktet e brendshme janë ato që gjenden ne Bibël dhe që vërtetojnë origjinën e saj hyjnore. Një nga provat e para të brendshme që tregon se Bibla është vërtet Fjala e Zotit është uniteti. Edhe pse përbëhet nga gjashtëdhjetë e gjashtë libra të veçantë, të shkruar në tre kontinente, në tre gjuhë të ndryshme, për një periudhë rreth 1500 vjeçare, nga më tepër se 40 autorë (me profesione të ndryshme), Bibla mbetet një libër i vetëm unik nga fillimi në fund, pa asnjë kontradiktë. Ky unitet është i veçantë për të gjithë librat e tjerë dhe është një provë për origjinën hyjnore të fjalëve, ndërsa Perëndia ka frymëzuar njerëz në atë mënyrë që i kanë shkruar të gjitha fjalët e Tij.

Një fakt tjetër i brendshëm që tregon se Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit, ka të bëjë me profecitë e detajuara që gjenden në fletët e saj. Bibla përmban me qindra profeci të detajuara në lidhje me të ardhmen e kombeve të ndryshme përfshirë Izraelin dhe me të ardhmen e njerëzimit. Profecitë e tjera kanë të bëjnë me ardhjen e Atij që do të ishte Mesia, Shpëtimtari i të gjithë atyre që do të besonin në Të. Në kundërshtim me profecitë e librave të tjerë fetarë ose ato të Nostrodamusit, profecitë e Biblës janë shumë të detajuara dhe të gjitha janë përmbushur. Ka rreth treqind profeci në lidhje me Jezu Krishtin vetëm në Besëlidhjen e Vjetër. Jo vetëm që është parathënë se Ai do të lindte dhe është përcaktuar familja nga do të vinte, por edhe se si do të vdiste e ringjallej ditën e tretë. Thjesht nuk ka asnjë mënyrë logjike për të shpjeguar përmbushjen e profecive në Bibël, përveç asaj se Bibla ka një origjinë hyjnore. Nuk ka asnjë libër tjetër fetar me shtrirje dhe lloje profecish si ato të Biblës.

Fakti i tretë i brendshëm për origjinën hyjnore të Biblës vihet re në autoritetin dhe fuqinë e saj unike. Edhe pse ky fakt është më subjektiv se sa dy të parët, nuk është aspak një dëshmi më pak e fuqishme për origjinën hyjnore të Biblës. Autoriteti i Biblës është ndryshe nga çdo libër tjetër i shkruar ndonjëherë. Autoriteti dhe fuqia duken në faktin se me mijëra jetë janë ndryshuar nëpërmjet leximit të Biblës. Të droguarit janë shëruar nëpërmjet saj, homoseksualët janë çliruar, të braktisurit dhe të dërrmuarit janë transformuar, kriminelët janë reformuar prej saj, mëkatarët janë qortuar dhe urrejtja është kthyer në dashuri duke lexuar këtë libër. Bibla ngërthen një fuqi dinamike dhe transformuese dhe kjo është e mundur vetëm për shkak se është me të vërtetë Fjala e Zotit.

Përveç fakteve të brendshme që tregojnë se Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit, ekzistojnë edhe fakte të jashtme. Një nga këto fakte është vërtetësia historike e Biblës. Për shkak se Bibla jep ngjarje historike të detajuara, vërtetësia dhe saktësia i është nënshtruar verifikimeve ashtu si çdo dokument historik. Nëpërmjet fakteve arkeologjike dhe shkrimeve të tjera historike, të dhënat historike të Biblës janë provuar herë pas here që janë të vërteta dhe të sakta. Faktikisht, të gjitha dorëshkrimet dhe faktet arkeologjike, që mbështesin Biblën, e bëjnë atë librin më të dokumentuar të botës antike. Fakti që Bibla përmban ngjarje historike të sakta dhe të vërteta është treguesi më i madh i vërtetësisë në përballje me subjektet fetare dhe doktrinat, dhe ndihmon në vërtetimin e pretendimit të saj si vetë Fjala e Zotit.

Një fakt tjetër i jashtëm që tregon se Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit është integriteti i njerëzve që ka përdorur Zoti për shkrimin e Biblës. Siç është përmendur më lart, Zoti ka përdorur njerëz nga fusha të ndryshme të jetës, për të shkruar Fjalën e Tij për ne. Ndërsa studiojmë jetën e tyre, nuk ka asnjë arsye të fortë për të besuar se këta njerëz nuk ishin të ndershëm dhe të sinqertë. Ndërsa shqyrtojmë jetët e tyre dhe faktin se ata ishin të gatshëm për të vdekur (shpesh në mënyra të tmerrshme) për atë që ata besonin, bëhet menjëherë e qartë se këta njerëz të thjeshtë, por të ndershëm, me të vërtetë besonin se Zoti u kishte folur. Njerëzit që e shkruan Besëlidhjen e Re dhe me qindra besimtarë të tjerë (1 e Korintasve 15:6) e dinin të vërtetën e mesazhit të tyre, sepse ata e kishin parë dhe kishin kaluar kohë me Jezu Krishtin pasi Ai ishte ringjallur. Fakti që ata e kishin parë Krishtin të ringjallur, pati një efekt marramendës mbi ta. Ata dolën nga vendi ku ishin fshehur, duke qenë të gatshëm për të vdekur për mesazhin që Zoti u kishte zbuluar. Jetët e tyre dhe vdekjet dëshmojnë për faktin se Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit.

Fakti i fundit i jashtëm që tregon se Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit është pamposhtshmëria e saj. Për shkak të rëndësisë dhe të pretendimeve se është vetë Fjala e Zotit, Bibla ka pasur sulmet dhe përpjekjet më agresive se çdo libër tjetër në histori. Që nga perandorët e hershëm romakë, si Diokletiani, deri te diktatorët komunistë, ateistët dhe gnostikët e kohëve moderne, Bibla u ka bërë ballë të gjitha këtyre sulmeve dhe është ende libri më i publikuar sot në botë.

Gjatë gjithë kohës, skeptikët e kanë konsideruar Biblën si libër mitologjik, por arkeologjia e ka përcaktuar si libër historik. Kundërshtarët i kanë sulmuar mësimet e saj si primitive dhe të prapambetura, por këto mësime, konceptet morale dhe ligjore, kanë një ndikim pozitiv në shoqëritë dhe kulturat e të gjithë botës. Shkenca, psikologjia dhe lëvizjet politike vazhdojnë ta sulmojnë, megjithatë Bibla mbetet sot një libër po aq i vërtetë sa edhe në kohën kur është shkruar. Është një libër që ka transformuar jetë dhe kultura të panumurta gjatë 2000 viteve të fundit. Nuk ka rëndësi se në çfarë mënyre sulmojnë kundërshtarët për ta hedhur poshtë atë, Bibla mbetet po aq e vërtetë dhe e qëndrueshme sa dhe më parë. Saktësia e ruajtur, pavarësisht nga sulmet dhe orvajtjet për ta korruptuar, për ta sulmuar dhe për ta hedhur poshtë, është një dëshmi e qartë se Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit. Nuk duhet të na habisë fakti se sido që Bibla të sulmohet, ajo përsëri do të mbetet e pandryshuar. Mbi të gjitha Jezusi ka thënë: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Marku 13:31). Pasi i kemi shqyrtuar faktet, dikush mund të thotë pa dyshim: “Po, Bibla është me të vërtetë Fjala e Zotit!”



Botuar me leje:  https://www.gotquestions.org/Bible-God-Word.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?