“Së fundi, vëllezër, gjithë sa janë të vërteta, gjithë sa janë të nderueshme, gjithë sa janë të drejta, gjithë sa janë të dëlira, gjithë sa janë të dashura, gjithë sa janë zëmira, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni.” FILIPIANËVE 4:8

Ne dëshirojmë fort që ta njohim paqen e Perëndisë dhe ta ndiejmë praninë e Tij. Mirëpo paqja e Perëndisë, e cila i ruan mendjet dhe zemrat tona (Filipianëve 4:7), nuk vjen në boshllëk. Ajo nuk do të ndodhë në mënyrë spontane. Paqja e qëndrueshme e Perëndisë do të përjetohet vetëm kur ta stërvisim mendjen tonë me atë që është e pëlqyeshme për Të. Prandaj, për të përjetuar paqe, së pari pyesni: “Cili duhet të jetë modeli im i të menduarit?”.

Ky varg nga jep përgjigjen e Palit. Ai na inkurajon të ndërtojmë një strukturë të menduari mbi bazën e asaj që është e virtytshme dhe e lavdërueshme. Për këtë qëllim, ai na siguron një listë me gjashtë virtyte thelbësore të jetës së mendimit të krishterë.

E para është e vërteta. Brezi i së vërtetës duhet të shtrëngohet përpara se të përfitojmë nga ndonjë aspekt tjetër i armatimit të Perëndisë (Efesianëve 6:14). Prandaj, e vërteta — e cila gjendet objektivisht në Krishtin dhe përjetohet subjektivisht ndërkohë që ia predikojmë ungjillin vetes dhe të tjerëve — vjen e para. Së dyti, Pali na drejton te “gjithë sa janë të nderueshme” — ose “fisnike”, siç e kanë disa përkthime të tjera. Përqendrimi i mendjes sonë në atë që është madhështore ose mahnitëse, është e kundërta e përsiatjes mbi atë që është imorale ose tokësore. Si besimtarë, nuk duhet ta ushqejmë mendjen tonë me argë­time të ulëta apo me çikërrima të ngjashme, me të cilat merret pjesa më e madhe e shoqërisë sonë laike. Përkundrazi, ne duhet të mendojmë për atë që e ngre shpirtin tonë drejt Perëndisë dhe veprave të Tij të mëdha. Së treti dhe së katërti, Pali na bën thirrje për të marrë vendime bazuar mbi ato që janë të drejta dhe të dëlira, në vend të atyre që janë të volitshme ose të kënaqshme. Kjo ishte mënyra e të menduarit që e dalloi Jozefin nga Davidi në situata jo fort të ngjashme, pasi kur gruaja e Potifarit iu vu pas Jozefit, ai mori vendimin për t’u larguar prej saj mbi bazën e asaj që ishte e drejtë dhe jo mbi atë që ishte e lehtë ose që do t’i falte kënaqësi të menjëhershme (Zanafilla 39:6-12). Davidi, nga ana tjetër, ndoqi ndjenjat e tij dhe kreu një padrejtësi të madhe duke rënë në shtrat me Bathshebën dhe duke e vrarë burrin e saj (II i Samuelit 11). Të jesh i shpëtuar, nuk do të thotë të kesh imunitet nga paudhësia, e cila fillon në mendje dhe përfundon në veprime të mëkatshme. Por kur mendon si një i shpëtuar, atëherë po që ke imunitet. Së pesti dhe së gjashti, ne duhet të mendojmë për “gjithë sa janë të dashura” dhe “gjithë sa janë zëmira” — ose, siç është përkthyer në versionin KJV, ato që janë “me famë të mirë”. Kur mendojmë kështu, do të dëgjojmë zëra që i ndërtojnë njerëzit, në vend të atyre që i rrëzojnë, i zhgënjejnë dhe i shkatërrojnë. Kjo është një mendësi që nxit dashuri vëllazërore dhe shoqëron hirin e Perëndisë ndërkohë që ai punon në jetët tona.

Përshtate të menduarit tënd me modelin që na jep Pali dhe sigurohu që ta shoqërosh atë me lutje (Filipianëve 4:6-8), dhe kështu nuk do të mbetet vend për shqetësimin — atë gjendje mendore që e prish paqen dhe e shkatërron gëzimin, e cila shpesh përvidhet në jetën tonë. Përkundrazi, stërvite mendjen tënde që të mendojë mendimet e Perëndisë, dhe kështu mund të përjetosh një masë edhe më të madhe të paqes dhe të pranisë së Tij.