“Të dashur, mos u çuditni për provën e zjarrit që është duke ndodhur ndër ju për sprovimin tuaj, si të ishte duke ju ngjarë diçka e pazakonshme. Përkundrazi, në atë masë që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit, gëzohuni, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të gëzoheni me ngazëllim.” I E PJETRIT 4:12-13

Do të vijë dita kur çdo besimtar i vërtetë të përjetojë vuajtje të padrejta. Nëse po e ndjekim me sinqeritet Krishtin, do të ketë periudha kur do të na akuzojnë, do të shpifin kundër nesh dhe do të flasin keq për ne. Kjo mund të ndodhë në shtëpinë tonë, në vendin e punës ose në shkollë; madje mund të ndodhë edhe në një kishë.

Këto sprova janë një sfidë reale. Kur i vendosim faktet objektivisht përpara nesh, ne mendojmë: “E di çfarë? Ai nuk kishte të drejtë që ta thoshte atë gjë! Ajo nuk kishte të drejtë që të mendonte ashtu! Ata nuk kishin të drejtë që ta bënin atë gjë! E megjithatë, ja ku jam. Thjesht nuk është e drejtë!”.

Kur përballemi me vuajtjen, tundimi i madh për ne është që ta konsiderojmë atë si një fatkeqësi të çuditshme — si diçka që nuk përputhet fare me thelbin e ndjekjes së Jezu­sit. Thellë brenda nesh, është e lehtë që të mendojmë se gjithçka duhet të jetë e lehtë kur ndjekim Jezusin. Për njëfarë kohe, në disa zona të botës (përfshi këtu edhe pjesën më të madhe të Perëndimit), ne mund ta pranojmë me kënaqësi atë supozim. Mirëpo pastaj ballafaqohemi me një “provë zjarri” dhe krejt papritur përjetimi i jetës sonë vërteton se të jesh i krishterë, në fakt, nuk është gjë e lehtë.

Duke u kujdesur për kishën në kohën e tij, Pjetri i inkurajoi ata që të mos habiteshin nga sprovat e vështira. Si një prind që ulet dhe flet me vajzën e vet para se ajo të dalë në jetë, Pjetri i nxiti besimtarët që të prisnin vuajtje. Nuk ishte se në një çast të caktuar ata do të vepronin gabim dhe, për pasojë, do të merrnin drejtësinë që meritonin. Jo, kjo do të ndodhte thjesht për shkak të përkushtimit të tyre ndaj Jezu Krishtit. Pjetri u tha se kjo ishte pjesë e jetës së krishterë. Kjo nuk duhet të jetë diçka e çuditshme, por e pritshme.

Në fund të fundit, siç u tha edhe Vetë Jezusi dishepujve të Tij natën përpara se urrejtja e botës ta gozhdonte Atë në një kryq: “…Nuk është skllavi më i madh se zotëria i tij. Nëse mua më përndoqën, edhe ju do t’ju përndjekin…” (Gjoni 15:20). Mendoni për mënyrën se si u trajtua Jezusi në oborrin e Pilatit. Gjatë hetimit të tij, Pilati tha për Jezusin — herën e parë nga të tria! — “Unë nuk gjej asnjë shkak padie në të” (18:38; 19:4, 6). Ai ishte i bindur se kundërshtarët e Jezusit po përpiqeshin t’i manipulonin rrethanat dhe ishte i sigurt se Jezusi nuk ishte fajtor për akuzat e tyre. Mirëpo në vend që ta lironte Jezusin, Pilati e mori, dha urdhër që ta rrihnin me kamxhik dhe e dorëzoi që të kryqëzohej. Çdo dhimbje dhe pikëllim që përjetoi Jezusi ishte e padrejtë. Prandaj, kur zgjedhim të ndjekim Krishtin, ne jemi thirrur për të qenë të gatshëm të vuajmë ashtu siç vuajti Ai.

A po përballesh me një provë zjarri sot apo je duke u lëkundur pasi sapo ke dalë prej një të tille? Merr zemër! Kur ecja e krishterë bëhet e dhimbshme, ne po vuajmë në kauzën e Atij që vuajti jashtëzakonisht më shumë se ne. Po i dorëzohemi Atij që dha Veten e Tij për ne. Kështu mund të shohim drejt ditës kur sprovat do t’i kemi lënë pas, kur drejtësia do të jetë vënë në vend dhe kur do të jetojmë përjetë në lavdinë e Shpëtimtarit tonë.