“Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë, dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë. Atëherë prefektët dhe satrapët kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek aiasnjë gabim apo korruptim.” DANIELI 6:3-4
Pasi e zunë rob dhe e internuan në Babiloni, Danieli u bë pjesë e një grupi të zgjedhur të rinjsh fisnikë izraelitë, të cilët u zgjodhën për të qenë pjesë e oborrit të mbretit Nebukadnetsar. Edhe pse e çuan në mërgim, i vendosën një emër tjetër dhe e larguan disa mijëra kilometra nga familja dhe mjedisi i njohur, gjatë gjithë kohës Danieli vendosi në zemrën e tij që të mos ndotej me ushqimin dhe pijet e mbretit (Danieli 1:12-16). Ai u dallua nga të gjithë si një burrë me integritet në mes të kalbjes morale të kohës së tij.
Danieli spikati me cilësinë e jetës së tij në mes të strukturave të qeverive të cilave u shërbeu. Besnikëria e tij u vërtetua pa pikë dyshimi gjatë shumë viteve. Danieli mbeti po i njëjti gjatë disa mbretërive të ndryshme. Ai kishte një kapacitet të pabesueshëm për t’u përballur me vështirësitë dhe për të ngadhënjyer mbi to, si dhe një urtësi që ia kishte dhënë Perëndia, një urtësi që i dha mundësi për të dhënë këshilla të cilat do të ndryshonin rrjedhën e historisë njerëzore.
Edhe pse pozitat qeverisëse që mbajti Danieli ishin të prirura nga korrupsioni, ai spikati duke u thënë “jo” pandershmërive të ndryshme. Ai nuk ishte i pakujdesshëm dhe as nuk i mungonte etika e punës. Nuk kishte asnjë mospërputhje mes veprimtarive të tij publike dhe jetës së tij private. Ai ishte i paqortueshëm në sytë e njerëzve. Madje edhe kolegët që ishin xhelozë dhe e përçmonin për shkak të veçantisë së tij, nuk kishin asnjë arsye për t’u ankuar për të.
Duke qenë të mbushur me smirë, këta zyrtarë më në fund vendosën të komplotonin kundër Danielit. Atyre nuk u pëlqente përkushtimi i patundur i Danielit ndaj Perëndisë të tij dhe as fakti që ai kishte një pozitë pushteti. Ata nuk mund ta përballonin dot mënyrën se si, përmes jetës së tij, ai shfaqte një bindje të patundur në lidhje me pushtetin dhe pastërtinë e Perëndisë. Një jetë e shenjtë shpesh sjell atë lloj përçmimi. Danielin e piketuan jo sepse ishte burrë i lig, por për shkak se lartësonte të vërtetën. Ai donte atë që do Perëndia dhe e jetoi këtë gjë në praktikë.
A karakterizohet jeta jote nga një bindje e ngjashme? A e shpallin veprimet e tua të vërtetën në lidhje me Perëndinë tënd? A je gati që me zell të kultivosh një pasion për integritetin? A je më shumë i shqetësuar për t’iu bindur Perëndisë sesa për atë që të tjerët mendojnë për ty? Jezusi i paralajmëroi ndjekësit e Tij që ata do të përçmoheshin dhe do të përjetonin përndjekje për shkakun e Tij (Mateu 5:11), edhe ndërkohë që ata do të jetonin në një mënyrë që zbulonte dhe lartësonte Atin e tyre (v. 14-16). Jeto me të njëjtin përkushtim që kishte edhe Danieli; tregohu i patundur në përkushtimin tënd për të dashur atë që do Perëndia, dhe pastaj jetoje atë në praktikë.