“…ecni në mënyrë të denjë për thirrjen me të cilën u thirrët, me çdo përulësi dhe butësi, me durim, duke duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur për të ruajtur njëshmërinë e Frymës në lidhjen e paqes.” EFESIANËVE 4:1-3

Një nga rezultatet e fërkimit është nxehtësia: kur dy ose më shumë objekte fërkohen me njëri-tjetrin, temperatura ngrihet. Po kështu, edhe kur njerëzit mëkatarë bëhen bashkë — madje edhe në një kishë ku mëkati nuk mbretëron më, por është ende i pranishëm — fërkimi do të jetë i pashmangshëm. Kjo gjë nuk duhet të na habitë. Ne nuk jemi si ato tullat e përsosura që përputhen për bukuri me njëra-tjetrën. Ne jemi njerëz të ashpër dhe të papërsosur. Mirëpo, gjithashtu, ne nuk duhet të lejojmë që fërkimi të na shpërqendrojë nga fokusi ynë përfundimtar.

Fërkimi nuk do të zhduket thjesht duke e shpërfillur; përkundrazi, ai mposhtet ndërkohë që ne përqendrohemi në Krishtin dhe vlerësojmë atë që vlerëson Ai për bashkësinë e besimtarëve: përparësi si mikpritja, mbajtja e barrëve të njëri-tjetrit, zemërdhënia e ndërsjellë, lutja, dhënia. Këto vlera nuk na shtyjnë të pyesim “Çfarë mund të bëjë trupi i Krishtit për mua?”, por “Çfarë mund të bëj unë për trupin e Krishtit?”. Vetëm kur punojmë nga ky këndvështrim, ne do të shohim se keqardhja për veten, irritimet dhe shqetësimet do të fillojnë të humbasin.

Edhe pse duhet të presim të përjetojmë fërkim, ne nuk duhet ta tolerojmë atë. Si besimtarë, ne duhet të tregojmë provat e një zemre të përulur dhe të penduar. Kur nuk veprojmë kështu, është e drejtë që anëtarët e tjerë në kishë të na ndihmojnë dhe, nëse është e nevojshme, të na sfidojnë dhe të na disiplinojnë me dashuri. Udhëheqësit e kishës gjatë Reformimit thanë se, për të qenë e vërtetë, kisha duhet të predikojë fjalën e Perëndisë, të kremtojë sakramentet dhe të ushtrojë disiplinën kishtare.

Tolerimi i përçarjes së papenduar në një kishë jo vetëm që nuk e kontrollon tensionin e shkaktuar nga fërkimet në marrëdhënie, por mund të na çojë edhe në shkatërrim. Ne nuk do ta lejonim dikë të ulej në tryezën e ngrënies dhe ta shkatërronte familjen tonë për shkak të qëndrimit të tij të keq; e megjithatë, sa e lehtë është që të tolerojmë fërkimin dhe ndarjet në kishë, thjesht që ajo të duket si një vend i këndshëm dhe i rehatshëm. Por ne duhet të ndjekim shtegun më të vështirë. E ardhmja e kishës varet prej kësaj.

Fërkimet do të vijnë. Ne do të gabojmë. Prandaj do të na duhet ta durojmë njëri-tjetrin në dashuri. Do të na duhet të tregohemi të duruar me njëri-tjetrin. Do të na duhet “të bëjmë çdo përpjekje” për të ruajtur unitetin në të cilin na sjell Fryma, kur na bën pjesë të familjes së Perëndisë me anë të besimit (Efesianëve 4:3, NIV). Me fjalë të tjera, do të na duhet të jemi të ngjashëm me Krishtin, pasi është dashuria e Tij agape dhe joegoiste që na tregon se si të duam njëri-tjetrin në mënyrë sakrifikuese dhe si të mposhtim konfliktin. Uniteti është një dhuratë e çmuar, prandaj fërkimi duhet të trajtohet — me butësi dhe durim, por duhet të trajtohet gjithsesi. Ndoshta është dikush me të cilin duhet të flisni sot. Ndoshta sot është dikush të cilit duhet t’i tregoni se jeni penduar ose t’i ofroni falje, ose të ecni përkrah tij për ta ndihmuar që të zgjidhë fërkimin që ka me një anëtar tjetër të kishës.