“…Shkrimet e Shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të urtë për shpëtim nëpërmjet besimit që është në Krishtin Jezus. Çdo Shkrim është dhënë i frymuar nga Perëndia dhe është i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për edukimin që është në drejtësi, me qëllim që njeriu i Perëndisë të jetë i aftësuar, duke qenë i pajisur si duhet për çdo vepër të mirë.” II TIMOTEUT 3:15-17
Autoriteti, mjaftueshmëria, pagabueshmëria dhe pagabimësia e Shkrimit janë doktrina absolutisht themelore për punën e vazhdueshme të Perëndisë dhe të kishës së Tij. Nuk mund të shkojmë dot me ungjillin te një botë e humbur dhe e lënduar, nëse nuk jemi të bindur për origjinën e tij hyjnore. Sikurse shkroi edhe J. C. Ryle-i, pa Biblën, si “librin hyjnor tek i cili mund të shkojnë si baza e doktrinës dhe e praktikës së tyre”, të krishterët “nuk kanë asnjë themel të qëndrueshëm për paqe ose shpresë në të tashmen, dhe asnjë të drejtë për të kërkuar vëmendjen e njerëzve”1.
Pali trajtoi pikërisht këtë çështje kur i kujtoi Timoteut që çdo “Shkrim është dhënë i frymuar nga Perëndia”. Me fjalë të tjera, Bibla nuk është produkt njerëzor të cilit i është shtuar një natyrë hyjnore; Shkrimi është një dhuratë hyjnore e prodhuar përmes mjeteve njerëzore. Çdo libër, kapitull, fjali dhe rrokje e tij u dha fillimisht i frymuar nga Perëndia.
Doktrina e Shkrimit, sikurse shumë doktrina të tjera të krishtera, mund të jetë e vështirë për t’u përkapur. Mirëpo fakti që diçka është e vështirë për t’u kuptuar, nuk e minon vërtetësinë e saj. Për më tepër, kur bëhet fjalë për doktrinën e Shkrimit, ka çështje të cilat mund t’i trajtojmë në mënyrë objektive. Edhe pse u shkrua nga më shumë se tridhjetë autorë gjatë një periudhe prej më shumë se një mijë e pesëqind vjetësh, të gjithë shkrimtarët tregojnë të njëjtën histori, na japin të njëjtën pamje për botën, për karakterin e Krijuesit të saj, për problemin e zemrës njerëzore dhe na drejtojnë në të njëjtën udhë të mrekullueshme shpëtimi përmes flijimit të Qengjit të Perëndisë — që nga Zanafilla e deri te Zbulesa!
Bibla, gjithashtu, tejkalon kohërat, kulturat, gjinitë dhe intelektin. Disa libra mund t’u shkojnë për shtat personave të caktuar, një epoke të caktuar, një vendi të caktuar, por nuk ka asnjë libër tjetër që mund të ballafaqohet në mënyrë të përsosur me sfidat e çdo dite dhe të çdo epoke, si dhe me pyetjet që kanë të bëjnë me vetë jetën. Edhe mendjet më të ndritura nuk mund ta shterin dot pasurinë e fjalës së Perëndisë, e megjithatë, në të njëjtën kohë, edhe djemtë dhe vajzat e reja mund t’i lexojnë Biblat e tyre dhe të zbulojnë se si e vërteta e saj do t’i transformojë jetët e tyre.
Autoriteti, mjaftueshmëria, pagabueshmëria dhe pagabimësia e Shkrimit janë themeli mbi të cilin duhet të qëndrojmë; ne, madje, kemi ndihmë hyjnore për ta bërë këtë gjë. Po Ai Frymë që e frymëzoi fjalën e Perëndisë, e ndriçon atë dhe na bind se ajo është fjala e Perëndisë, e cila na është dhënë që ne të mund të besojmë në Atë që është Fjala që u bë mish. Ndërsa Fryma e bën këtë punë në ju, besimi juaj në autorësinë hyjnore të Shkrimit përforcohet dhe kalon nga një pranim i thjeshtë intelektual i një doktrine në një uri edhe më të thellë për fjalën — dhe për më tepër prej Atij që është njëherazi autori dhe tema kryesore e Shkrimit.
- Bible Inspiration: Its Reality and Nature (William Hunt, 1877), f. 6. ↩︎