Por në rast se ke frikë ta bësh, zbrit në kamp me Purahun, shërbëtorin tënd, dhe do të dëgjosh çfarë thonë; mbas kësaj, duart e tua do të forcohen dhe do të jesh në gjendje të sulmosh kampin…” GJYQTARËT 7:10-11
Gjithmonë është më e lehtë të hezitojmë nga frika sesa të ecim përpara me besim: është më e lehtë, por nuk është kurrë më e mira.
Gedeoni dinte shumë në lidhje me frikën dhe hezitimin që ajo sillte. Ai hezitoi kur engjë lli i Perëndisë e thirri të udhëhiqte Izraelin (Gjyqtarët 6:13, 15). Ai hezitoi kur armiqtë e Izraelit u mblodhën për ta kundërshtuar (v. 36-40). Dhe duket që ai hezitoi sërish natën përpara betejës në të cilën Perëndia i kishte premtuar fitoren (7:9-10). Perëndia i foli në mes të kësaj frike dhe hezitimi. Vini re hirin dhe durimin e Perëndisë ndaj Gedeonit kur i thotë: “Por në rast se ke frikë…” dhe e inkurajon që të shkojë në kampin e armikut bashkë me shërbëtorin e tij. Kjo është një mënyrë e ndjeshme për ta trajtuar frikën e Gedeonit. Në aspektin njerëzor pranohet që kishte një arsye të mirë për të pasur frikë! Gedeoni ishte gati për të shkuar në betejë kundër një armiku që kishte disa dhjetëra mijëra ushtarë në krahasim me treqind që kishte ai vetë. Perëndia nuk e qortoi për frikën e tij; përkundrazi, Ai i dha një arsye për të qenë besimplotë.
Sikurse Gedeoni, edhe ne kemi nevojë për fjalë kaq mirëdashëse nga Zoti ynë. Shpesh jemi të ngadaltë për të kujtuar që mund t’i hedhim të gjitha shqetësimet tona mbi Të (I e Pjetrit 5:7). Ne mund t’i lëmë të gjitha barrët dhe frikërat tona te këmbët e Tij. Ne mund të vijmë tek Ai dhe të themi se nuk dimë çfarë të bëjmë. Reagimi i Tij është gjithmonë i mbushur me hir dhe me ndjeshmëri ndaj nesh.
Ajo që e bën këtë histori edhe më të bukur është reagimi i Gedeonit ndaj sugjerimit të butë të Perëndisë. Gjatë vizitës së tij të fshehtë në kampin armik, Gedeoni dëgjon dy burra që po diskutojnë një ëndërr, të cilën njëri nga ushtarët e interpreton me kuptimin që ata do të bien nga “shpata e Gedeonit”, pasi “në duart e tij Perëndia e ka lënë Midianin dhe tërë kampin” (Gjyqtarët 7:14). Çfarë bën Gedeoni kur e dëgjon këtë dhe kupton se Perëndia ka shkuar me të vërtetë përpara tij, për të bërë atë që për Gedeonin është e pamundur? “…Gedeoni ra përmbys në shenjë adhurimi…” (Gjyqtarët 7:15). Ai lloj reagimi është shumë i çmuar. Duke u gjendur përballë gjasave të pamundura, por i sigurt në premtimin e Perëndisë, ky udhëheqës i frikësuar, i dobët dhe i pazakontë e derdhi zemrën e tij në lavdërim dhe pastaj e përdori guximin që i kishte dhënë Perëndia, për t’i nxitur trupat e tij. Guximi i tij erdhi nga një çast privat dhe i fshehtë mes tij dhe Zotit.
Ka një dallim mes strategjive të nxitura nga personaliteti për t’i manipuluar njerëzit dhe guximit të vërtetë, plot me Frymën e Shenjtë. E para prodhohet thjesht në nivelin njerëzor dhe ka prirjen për t’u shkërmoqur; e dyta mund të zbulohet vetëm ndërsa e përulim veten përpara Perëndisë, duke pranuar pamjaftueshmërinë tonë dhe duke kujtuar gjithëmjaftueshmërinë e Tij. Ky është një vend i patundur mbi të cilin të qëndrojmë. Zgjidhja për frikën nuk është të menduarit më lart për veten tonë, siç duket se thonë shumë njerëz. Zgjidhja është që të mendojmë më lart për Perëndinë. Zgjidhja është që t’i besojmë aftësimit që vjen nga Perëndia, i cili mund të na japë një guxim të shenjtë dhe të përulur që s’ka të krahasuar.
Nga çfarë ke frikë tani? Në çfarë mënyre je i tunduar që të tërhiqesh pas, edhe pse Perëndia po të thërret të ecësh përpara me bindje? Sillja frikërat e tua Perëndisë. Kërkoji Atij të të tregojë aftësinë e Tij për të bërë atë që ti nuk mundesh ta bësh dot. Pastaj besoji Atij, adhuroje Atë dhe bindju Atij.