Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit.
Zanafilla 25:11
Dikur Hagari kishte gjetur shpëtim në atë vend, dhe Ismaeli kishte pirë nga uji që i ishte ofruar me aq hir nga Perëndia, që jeton dhe shikon bijtë e njerëzve. Mirëpo, kjo ishte vetëm një vizitë rastësore, ashtu siç bëjnë edhe jobesimtarët, të cilët e kërkojnë Zotin në kohë ngushtice ose kur një gjë e tillë u shërben atyre. Ata i klithin Zotit kur ndodhen në vështirësi, por e harrojnë atë në mbrothësi. Isaku qëndroi aty dhe e ktheu pusin e Perëndisë së gjallë dhe gjithëshikues në burimin e tij të vazhdueshëm të furnizimit.
Nuk ka një test më të mirë të gjendjes së një njeriu, sesa rrjedha e zakonshme e jetës së tij dhe sesa banesa e shpirtit të tij. Mbase Isakut i kishte lënë mbresa të pashlyeshme ndërhyrja hyjnore, që kishte përjetuar Hagari, dhe kjo gjë i ngjalli një nderim të veçantë për atë vend. Po ashtu, emri mistik i vendit e bëri që ta donte, ndërsa përsiatjet e tij mbrëmje për mbrëmje në buzë të pusit bënë që ai të mësohej me atë vend. Gjithashtu, takimi i tij me Rebekën atje e kishte bërë shpirtin e tij që të ndihej si në shtëpinë e vet në atë vend. Mirëpo, më e mira nga të gjitha, fakti që aty ai shijoi përbashkësi me Perëndinë e gjallë, e kishte bërë Isakun që ta zgjidhte atë tokë të shenjtë si banesën e tij.
Le të mësojmë edhe ne të jetojmë në praninë e Perëndisë së gjallë; le t’i lutemi Frymës së Shenjtë që, sot dhe çdo ditë tjetër pas saj, të mund të kemi këtë ndjesi: “Perëndi, Ti më shikon.” Qoftë Zoti si një pus për ne, i kënaqshëm, ngushëllues, i bollshëm dhe një burim që gufon në jetë të përjetshme! Shishja e krijesës kriset dhe boshatiset, por pusi i Krijuesit nuk shteron kurrë. I lumi ai që banon pranë pusit dhe si rezultat i kësaj ka në dispozicion furnizime të bollshme dhe të vazhdueshme.
Zoti është një ndihmë e sigurt edhe për të tjerët: Emri i Tij është Shaddai, Perëndia i Gjithëmjaftueshëm. Marrëdhënia që i fal më së tepërmi kënaqësi zemrave tona, është ajo që kemi me Të; përmes Tij, shpirti ynë ka gjetur Bashkëshortin e vet të lavdishëm, Zotin Jezus, në të cilin ne jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë sot. Le të banojmë, pra, në përbashkësi të ngushtë me Të! Zot i lavdishëm, lidhna pas Vetes, që mos të largohemi kurrë prej Teje, por të banojmë pranë pusit të Perëndisë së gjallë!
© dritez.al 2024