Korrik 2022
Përfytyro sikur të jesh në gjendje të kënaqesh përgjithmonë me atë që është më tepër e kënaqshme, me një energji dhe pasion të pakufishëm, dhe gjithnjë e në rritje.
Ky nuk është përjetimi ynë. Ka tri gjëra që e pengojnë kënaqësinë tonë të plotë në këtë botë.
- Asgjë në këtë botë nuk ka një vlerë personale aq të madhe sa t’i përmbushë dëshirat më të thella të zemrave tona.
- Na mungon fuqia për ta shijuar në maksimum vlerën e thesareve më të mira.
- Kënaqësisë tonë ndaj gjërave këtu në tokë i vjen fundi. Asgjë nuk zgjat.
Megjithatë, nëse synimi i Jezusit te Gjoni 17:26 përmbushet, e gjithë kjo do të ndryshojë. Ai i lutet Atit të Tij për ne: “Dhe i bëra të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin, që dashuria, me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.” Perëndia nuk e do Birin ashtu siç i do mëkatarët. Ai e do Birin sepse Biri është pafundësisht i denjë për dashuri. Domethënë, Ai e do Birin për shkak se Biri është pafundësisht i bukur. Kjo do të thotë se kjo dashuri është kënaqësi totale. Jezusi lutet që kjo kënaqësi që Perëndia ka në Birin e Tij të jetë e njëjta kënaqësi që ne kemi në Birin.
Nëse kënaqësia e Perëndisë në Birin bëhet kënaqësia jonë, atëherë objekti i kënaqësisë tonë, Jezusi, do të jetë një burim i pashtershëm vlere personale. Ai nuk do të bëhet kurrë i mërzitshëm, zhgënjyes ose irritues. S’mund të konceptohet një thesar më i madh se Biri i Perëndisë.
Megjithatë, kësaj shtoji atë për të cilën Jezusi lutet: domethënë, faktin që aftësia jonë—energjia jonë dhe pasioni ynë—për ta shijuar këtë thesar të pashtershëm nuk do të kufizohen nga dobësia njerëzore. Ne do ta shijojmë Birin e Perëndisë me vetë kënaqësinë e e Atit të Tij të gjithëpushtetshëm.
Kënaqësia e Perëndisë në Birin e Tij do të jetë në ne dhe do të jetë kënaqësia jonë. Kjo nuk do të ketë kurrë fund, sepse as Ati dhe as Biri nuk kanë fund. Dashuria e tyre për njëri-tjetrin do të jetë dashuria jonë për ta dhe për pasojë, dashuria jonë për ta nuk do të ketë kurrë fund.
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022