priscilla du preez k8xygbw4ahg unsplash

Qershor 2022


Një mikut tim i pëlqen të thotë: “Prezantimi më i mirë i ungjillit është ai që jepet.” Kjo është e vërtetë dhe bindëse. Shumë libra të mirë, predikime dhe seminare mund të na ndihmojnë të përgatitemi për të ndarë besimin tonë, por asnjë nga këto burime nuk na ndihmojnë të bëjmë atë që shpesh e kemi më të vështirë të bëjmë: thjesht të nisim një bisedë.

Shpesh ndihemi të pashpresë kur bëhet fjalë për miqtë dhe përjetësinë e tyre. Ne justifikojmë egocentrizmin që injoron fqinjët tanë. Pa e kuptuar, ndoshta pavetëdije, vëmë në pikëpyetje të vërtetat që do ta zgjidhnin gjuhën tonë dhe do të thyenin zinxhirët e të tjerëve–e gjitha vetëm për të ruajtur heshtjen e rehatshme. Nëse tregohemi vërtet të sinqertë me veten, ne kënaqemi kur i anashkalojmë frikërat tona, kur i pranojmë pengesat tona dhe kur e ushqejmë egoizmin tonë. Pra, ne i themi vetes se dikush tjetër do ta ndajë ungjillin; apo se situata e sikletshme, refuzimi apo persekutimi nuk ia vlejnë; apo se Perëndia gjithsesi nuk ka gjasa t’i shpëtojë ata njerëz. Perëndia na ndihmoftë!

Kur ne përqendrohemi në atë që është e vërtetë, atëherë ungjillëzimi bëhet plotësisht interesant.

Fatmirësisht, ai na ndihmon! Ne kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë, që t’i ngremë sytë dhe të shohim se jemi të rrethuar nga njerëz të vdekur, të cilët kanë shumë nevojë që ne t’u predikojmë ungjillin dhe të jetojmë jetën e Krishtit midis tyre. Kur ne përqendrohemi në atë që është e vërtetë–faktet se Perëndia ekziston, se zemërimi i tij kundër mëkatit po vjen, se ungjilli është e e vetmja mënyrë për në gëzimin e përjetshëm, se shpirtrat janë të çmuar dhe po humbasin, dhe se delet e humbura do ta dëgjojnë zërin e Bariut të tyre–atëherë ungjillëzimi bëhet plotësisht interesant.

Fqinji yt i përjetshëm

Ungjillëzimi nuk do të ndodhë përgjithmonë. Është një mjet për një qëllim të madh. Qeniet njerëzore–secili prej nesh në gjithë historinë–janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë për qëllime të përjetshme dhe një qëllim të pamasë: për t’i sjellë lavdi Perëndisë. Kur lexojmë fjalët e C.S. Lewis për qëllimin dhe fatin e përjetshëm të fqinjëve tanë, kuptojmë deri diku peshën dhe gëzimin që vjen me ndarjen e ungjillit:

Është gjë serioze të jetosh në një shoqëri perëndish dhe perëndeshash të mundshëm, të kujtosh se personi më pak interesant dhe i rëndomtë me të cilin flisni, një ditë mund të jetë një krijesë, të cilën po ta shihnit tani do të tundoheshit shumë për ta adhuruar, apo ndryshe mund të ishte një tmerr dhe korruptim i atillë të cilin nëse iu ndodh ta takoni tani, e shihni vetëm në një makth. (The Weight of Glory, 45-46)

Historia dhe të gjithë personat e përfshirë në të, po shkojnë diku. Kjo do të thotë se nuk ka dy biseda të njëjta, nuk ka dy udhëtime të njëjta me tren, nuk ka dy pushime dreke të njëjta, nuk ka dy shëtitje të njëjta në park, pasi të gjitha janë të mbushura me një potencial të pafund. Ne kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, koha po mbaron.

Ashtu si era, edhe ne nuk e dimë se ku Fryma do t’i çojë ditët tona të zakonshme (Gjoni 3:8)–dhe kjo është emocionuese. I sfiduar vertikalisht, Zakeu ngjiti një pemë, sepse ndjeu se kishte nevojë të shihte Jezusin për disa arsye (Luka 19:1-8); eunuku etiopas po meditonte “rastësisht” mbi Isaian 53 gjatë transportimit të tij (Veprat 8:26-40); Sergj Pali, një prokonsull shumë i edukuar i kërkoi Palit t’i sillte fjalën e Perëndisë (Veprat 13: 7-8); dhe një roje burgu romak u lirua pasi iu përgjërua Palit t’i tregonte se ç’duhet të bënte për të shpëtuar (Veprat 16:25-34). Si do të mundeshin këta njerëz ta thërrisnin atë në të cilin nuk kishin besuar, nëse dikush nuk do t’u kishte treguar (Romakëve 10:14)? A mos ndoshta Fryma është tashmë në lëvizje në jetët e njerëzve përreth nesh, në mënyra që nuk e kemi vënë re akoma?

Nuk ka dy biseda të njëjta, por të gjitha janë të mbushura me një potencial të pafund.

Të pranojmë situatat e sikletshme

Nëse duam të përfitojmë nga mundësia për të ndarë besimin tonë, duhet të mësojmë të pranojmë të ashtuquajturat situata të sikleshtme. Në disa kultura, është tmerrësisht e sikletshme të ngresh diskutimin e çështjeve shpirtërore në një bisedë. Sidoqoftë, merr zemër: në çfarëdolloj kulture që jeton, Perëndia e ka ngritur tashmë çështjen. Nëse ai e ka ngritur shpirtin tënd nga vdekja, biseda ka nisur.

Ti ulesh pranë kolegëve të tu si aroma e Krishtit për Perëndinë mes atyre që po shpëtohen dhe atyre që po humbasin.

Ti qëndron midis udhëtarëve nëpër rradhë si një i huaj, qytetaria e të cilit është në qiell.

Ti ndërvepron me njerëzit në këtë kohë intolerance dhe sinjalizon virtytin si dikush që është i përulur dhe i penduar në shpirt, dhe që dridhet vetëm para fjalës së Perëndisë.

Ti kujdesesh për fëmijët në park si dikush që ka rilindur sërish për një shpresë të gjallë.

Ti e shuan etjen bashkë me klubin tënd të alpinizmit, si dikush nga zemra e të cilit burojnë lumenj uji të gjallë.

Ti shtrihesh në shtratin e një spitali si pacienti i një transplanti zemre shpirtërore–ke këmbyer zemrën tënde të ngurtë dhe të vdekur me një zemër të gjallë prej mishi.

Anëtarët e familjes tënde të shohin të jetosh mijëra vdekje ndaj vetes (dhe në fund vetë vdekjen), si një krijesë e re në Krishtin.

Nëse shqetësimet tona kryesore kanë të bëjnë me shmangien e situatave të sikletshme, do të ishte edhe më e sikletshme të mos flisnim për gjërat e përjetshme. Ti dhe unë nuk e dimë kush ka qenë, kush është dhe kush do të jetë shumë shpejt duke u përballur me këto çështje të rënda shpirtërore, dhe presin që dikush t’u sjellë fjalën e Perëndisë. Beso se Perëndia është edhe i gatshëm, edhe i aftë të të japë atë për të cilin ke nevojë që të mund të ndash me gëzim fjalën për Birin e tij në çdo skenar kulturor–sado mund të duket e sikletshme në fillim.

Shembuj të përditshëm

Perëndia qeveris kozmosin, në mënyrë të tillë që jeta e përditshme të shkëlqejë dritën e ungjillit në të gjitha vendet dhe marrëdhëniet strategjike në të cilat ai të vendos. “Toka është e Zotit” (Psalmi 24:1) dhe Jezusi është me ty ndërsa shkon të bësh dishepuj në botën e tij (Mateu 28:18-20).

Një kolegia ime ka zakon të ndajë atë që lexon çdo mëngjes në Bibël me njerëzit që takon gjatë ditës. Kjo është e qëllimshme nga ana e saj, por gjithashtu mendoj se ajo nuk vepron dot ndryshe–ajo thjesht derdhet.

Një kolege tjetër paguan kafen dhe kroasantin e saj te kafeneja që ajo frekuenton, ulet në tavolinë dhe pastaj, kur kamerieri sjell porosinë, shpjegon që do të lutet për vaktin dhe pyet: “Si mund të lutem për ty?”

“Si e kalove fundjavën?” është një pyetje që një mikeshë tjetër e bën çdo javë në punë. Dhe kur personi e kthen pyetjen, ato flasin për predikimin që dëgjuan në kishë. Një tjetër mikeshë u kërkon njerëzve të dëgjojnë recitimin e saj të vargjeve që ka mësuar përmendësh nga Shkrimi, për ta ndihmuar në memorizimin e tyre (dhe ndan fjalën!). Të flasësh për fjalën, që është vetë jeta jonë (Ligji i Përtërirë 32:47), është natyrshëm diçka që Fryma i drejton njerëzit e varur e të mbushur nga fjala që të bëjnë.

Vendi më efektiv për të nisur

Ndoshta je duke u lutur që Perëndia të hapë për ty një derë për fjalën, që të mund të “shpallësh misterin e Krishtit” (Kolosianëve 4:3). Dhe ti nuk ke turp të besosh se ungjilli është vërtet fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson (Romakëve 1:16). Megjithatë, kur Perëndia vendos dikë në rrugën tënde, ti nuk je ende i sigurt nga t’ia fillosh.

“Përshëndetje” është një fjalë, por i thotë dikujt: “Unë të shoh.”

Mikesha ime ka drejtuar një sesion trajnues për mënyrën si mund ta ndajmë besimin e krishterë. Në një mësim veçanërisht të vlefshëm, grupi ka disa vullnetarë që veshin kostume tradicionale nga sfonde të ndryshme kulturore. Ata e pranojnë që mund të jetë pak e frikshme të flasësh me njerëz që duken ndryshe, që hanë ushqime të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme dhe që besojnë gjëra të ndryshme. Gjithsesi, përtej gjithë këtyre pengesave të mundshme, ka diçka që mund ta thuash, e cila të ndihmon ta nisësh bisedën (dhe miqësinë) me këdo, kudo. Në gjithë globin, kjo është gjëja më efektive që mund të thuash për të nisur një bisedë.

Përshëndetje!

Në çfarëdolloj gjuhe që flet, përshëndetja jote mund të nisë bisedën e parë nga shumë biseda të tilla që Perëndia përdor për ta afruar dikë te vetja. Ndoshta biseda e parë bëhet e rëndësishmja. “Përshëndetje” është një fjalë e vetme, por që i thotë dikujt: “Unë të shoh.” Dhe kjo është e kuptueshme për këdo, pavarësisht nga vijnë.

përshëndetja të dalë mbi kordat e tua vokale, duhet vetëm besimi sa një kokërr sinapi në Perëndinë tonë të madh. Përveç lutjeve të tua besnike, që Perëndia të hapë një derë për fjalën e tij, ungjillin, kërkoi gjithashtu atij të të japë gjithçka që ke nevojë për t’i përshëndetur njerëzit në emrin e tij dhe për të qenë një bekim për këdo që ai sjell në rrugën tënde.

Gloria Furman është autore e disa librave, përfshirë Alive in Him: How Being Embraced by the Love of Christ Changes Everything dhe Missional Motherhood. Ajo është gjithashtu redaktore dhe kontribuon për “Joyfully Spreading the Word”. Gloria jeton në Dubai me katër fëmijët dhe bashkëshortin e saj, Dave.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/how-to-start-a-conversation-about-jesus  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim