Shkurt 2023

Lutuni për njëri-tjetrin…

Jakobi 5:16

Merrni zemër që të bëni lutje ndërmjetësuese, duke pasur parasysh që lutja e tillë është më e ëmbla që Perëndia dëgjon ndonjëherë. Lutja e Krishtit është e kësaj natyre. Nga i gjithë temjani që Ai vendos në temjanicën e artë, nuk ka as edhe një kokërr të vetme për Veten e Tij. Ndërmjetësimi i Tij duhet të jetë më i pranuari nga të gjitha përgjërimet—dhe sa më shumë që lutjet tona t’i ngjasojnë atyre të Krishtit, aq më të ëmbla do të jenë. 

Prandaj, ndërsa kërkesat për veten tonë do të pranohen, përgjërimet tona për të tjerë, duke pasur brenda tyre më shumë nga frytet e Frymës—më shumë dashuri, më shumë besim, më shumë ndjenja vëllazërore—përmes meritave të vyera të Jezusit do të kthehen në flijimin më të ëmbël, që mund t’i dhurojmë Perëndisë. Sërish, kini parasysh që lutja ndërmjetësuese është jashtëzakonisht e fuqishme [ngadhënjimtare]. Çfarë mrekullish ka bërë ajo! Fjala e Perëndisë gëlon me veprat e saj të mrekullueshme. 

Besimtar, ke në dorë një instrument të fuqishëm; përdore siç duhet, përdore vazhdimisht, përdore me besim dhe me siguri do të jesh një bekim për të tjerët!

Atëherë kur Mbreti të dëgjon, foli Atij për pjesëtarët e trupit të Tij, të cilët janë duke vuajtur. Kur të bëhet favori që t’i qasesh fare pranë fronit të Tij dhe Mbreti të thotë: “Lyp dhe të të jepet”, le të jenë përgjërimet e tua jo vetëm për veten tënde, por për të shumtët që kanë nevojë për ndihmën e Tij. Nëse ke marrë hir dhe nuk je një ndërmjetësues, atëherë, ai hir duhet të jetë aq i vogël sa një kokërr sinapi. Hiri yt mjafton vetëm që shpirti yt të pluskojë larg prej rërës thithëse. Por ty të mungojnë thellësitë e hirit, sepse, në të kundërt, me anijen tënde do të kishe mbartur një ngarkesë të rëndë të nevojave të të tjerëve, dhe nga takimi me Zotin tënd do të sillje plot bekime të pasura për ta, të cilat përndryshe nuk do të mund të siguroheshin.  

Oh, të miat duar u thafshin,
E imja gjuhë ngriftë, heshttë dhe u bëftë e ftohtë,
Kjo zemër e rrëmbyer mos rrahtë më,
Në rast se fronin e hirit unë harroj!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>