spurgeon dev 06 dhjetor pm
December 2023

…ngjeshur me një brez ari në gjoks.

Zbulesa 1:13

Në Patmos, Gjonit iu shfaq një i ngjashëm me një “Bir njeriu” dhe dishepulli i dashur vuri re se Ai ishte ngjeshur në gjoks me “një brez ari”. Një brez, sepse Jezusi nuk u gjend kurrë i papërgatitur për sa kohë që gjendej mbi tokë, por gjithmonë qe gati për të shërbyer. Madje edhe tani përpara fronit të amshuar, Ai e vazhdon shërbesën e Tij si Kryeprifti ynë i madh. Sa mirë është për ne që Ai nuk ka pushuar së përmbushuri ofiqet e Tij të dashurisë, sepse për ne fakti që gjithmonë rron për të ndërmjetësuar në favorin tonë, është një nga garancitë më të mëdha. Jezusi nuk rri për asnjë çast duarkryq; rrobat e Tij nuk janë kurrë të liruara, sikur t’i kishte mbaruar detyrat e Veta; Ai vazhdon të punojë me zell për kauzën e popullit të Tij. Një brez i artë, për të shfaqur epërsinë e shërbesës së Tij, natyrën mbretërore të personit të Tij, dinjitetin e statusit të Tij dhe lavdinë e shpërblimit të Tij. Ai nuk thërret më nga pluhuri, por e mbron çështjen tonë me autoritet, duke qenë Mbret, po ashtu edhe Prift. Çështja jonë është mjaft e sigurt në duart e Shpengimtarit tonë që ulet mbi fron. 

Zoti ynë u jep një shembull të gjithë njerëzve të Tij. Ne kurrë nuk duhet t’i lirojmë brezat tanë. Kjo nuk është koha për t’u shtrirë dhe për të pushuar; është koha për të shërbyer dhe për të luftuar. Duhet ta ngjeshim brezin e së vërtetës gjithnjë e më fort përreth ijëve tona. Është një brez i artë, dhe si i tillë, do të jetë zbukurimi ynë më i shtrenjtë, për të cilin kemi aq shumë nevojë, sepse një zemër që nuk forcohet mirë sipas së vërtetës që është në Jezusin dhe me besnikërinë që është vepër e Frymës, do të ngatërrohet lehtësisht me gjërat e kësaj jete dhe do të pengohet në kurthet e tundimit. Më kot i zotërojmë Shkrimet po qe se nuk i ngjeshim rreth ijëve si një brez, duke mbështjellë gjithë natyrën tonë, duke mbajtur në vendin e duhur çdo pjesë të karakterit tonë dhe duke e bërë kompakte tërë qenien tonë. Në qoftë se Jezusi lart në qiell nuk e heq brezin, as ne këtu mbi tokë nuk duhet ta bëjmë. Qëndroni, pra, duke i pasur ijët të ngjeshura me brezin e së vërtetës!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin