Siç është qiellori, ashtu do të jenë edhe qiellorët.
1 e Korintasve 15:48
Kryet dhe gjymtyrët kanë të njëjtën natyrë, pra, nuk ngjasojnë aspak me atë figurën e përbindshme që pa Nebukadnetsari në ëndrrën e tij. Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, por barku dhe kofshët prej bronzi, kërcinjtë prej hekuri, ndërsa këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile. Trupi mistik i Krishtit nuk është një përzierje absurde të kundërtash. Gjymtyrët e tij janë njerëz vdekatarë, ja pse edhe Jezusi vdiq në kryq; Kreu i përlëvduar është i pavdekshëm, prandaj edhe trupi është i pavdekshëm gjithashtu, siç thotë Fjala: “...sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni” (Gjoni 14:19).
Siç është Kreu ynë i dashur, i tillë është edhe trupi dhe çdo gjymtyrë e Tij në veçanti. Një Krye që është i zgjedhur, përkon me gjymtyrë të zgjedhura; një Krye i pëlqyer me gjymtyrë të pëlqyera; një Krye i gjallë me gjymtyrë të gjalla. Në qoftë se Kreu është prej ari të kulluar, të tilla janë edhe të gjitha pjesët e trupit. Kështu, në themel të përbashkësisë së ngushtë qëndron bashkimi i dyfishtë i natyrave.
Ndalu këtu, lexues i përkushtuar, dhe shiko nëse mund ta sodisësh, pa mbetur i mahnitur nga mrekullia vetë, përuljen e pafundme të Birit të Perëndisë që e lartoi mjerimin tënd në bashkim të bekuar me lavdinë e Tij. Je kaq i dobët dhe i varfër, saqë, tek kujton natyrën tënde vdekatare, mund t’i thuash prishjes: “Ti je im atë”, ndërsa krimbit: “Ti je im vëlla”; por megjithatë, në Krishtin je nderuar kaq shumë, saqë mund t’i thuash Shumë të Lartit: “Aba, o Atë” dhe Perëndisë të Mishëruar: “Ti je Vëllai dhe Bashkëshorti im.”
Me siguri, nëse lidhjet e gjakut me familje të fisme e të lashta i bëjnë njerëzit të lëvdohen, ne kemi arsye edhe më të forta sesa të gjithë ata që të lëvdohemi. Edhe besimtari më i vobektë e më i përbuzur e bëftë të vetin këtë privilegj; le të mos lejojë që një përtaci e pamend ta pengojë atë që të gjurmojë prejardhjen e tij, dhe le të mos përqendrohet aq shumë në gjërat e këtushme dhe të tanishme, sa të mos arrijë të meditojë me dobi për këtë nder të lavdishëm dhe qiellor të bashkimit me Krishtin!
Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe
© dritez.al 2023