“…Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë; te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.” ZANAFILLA 12:1-3

Fëmijët kanë mënyrën e tyre të veçantë për t’u bërë pengesë ndërsa përgatitet darka. Ndonjëherë prindërit janë gati të thërrasin: “Dëgjoni këtu, pse nuk dilni të gjithë nga kuzhina? Thjesht dilni!”.

Në Kullën e Babelit, njerëzit u bënë shumë më tepër sesa thjesht pengesë; ata ia kthyen shpinën Perëndisë. Duke qenë të vendosur për të pasur mbretërinë e tyre, ata ndërtuan kullën e tyre dhe u përpoqën të arrinin deri në qiell, për të parë se çfarë mund të bënin me forcat e tyre. Si rezultat i këtij rebelimi, Perëndia solli gjykim duke ua ngatërruar gjuhët dhe duke i shpërndarë në mbarë faqen e dheut (Zanafilla 11:1-9).

Duke pasur shumë më tepër të drejtë se një prind i pezmatuar, Perëndia mund t’i kishte dëbuar njerëzit dhe të kishte hequr dorë prej tyre. Mirëpo Ai nuk e bëri këtë.

Për të demonstruar hirin e Tij, që në brezin tjetër, Ai nisi ta riparonte atë që ishte prishur. Ai i foli një burri pagan, plak dhe pa fëmijë, të quajtur Abram, emri i të cilit për ironi do të thotë “atë i lartësuar”, dhe i premtoi se do ta zhbënte efektin e gjykimit të Tij në Babel. Atje njerëzit kishin pasur si synim që ta bënin të madh emrin e tyre. Perëndia do ta bënte të madh emrin e Abramit. Ata ishin përpjekur të ndërtonin mbretërinë e tyre. Perëndia do ta bënte popullin e Abramit një komb të madh. Ata kishin planifikuar që të gjenin bekim në një botë pa Perëndi. Ai do të sillte bekim në botë përmes familjes së Abramit. Mëkati do të zhbëhej dhe efektet e tij do të zhbëheshin gjithashtu nga ndërhyrja e hirit të Perëndisë.

Pikërisht në këtë besëlidhje, Perëndia e mori Abramin dhe e bëri Abraham, “babanë e një shumice”, ndërkohë që i premtoi se do t’i jepte hir shërbëtorit të Tij të zgjedhur dhe brezave të ardhshëm të përhapur kudo nëpër botë.

Premtimi i Perëndisë për Abrahamin është një shprehje e hershme e premtimit të ungjillit. Perëndia i bëri një premtim Abrahamit dhe më vonë pasardhësit e Abrahamit e morën bekimin. Megjithatë, me kalimin e kohës, ata do të kuptonin se premtimi dhe bekimi përfshijnë të gjithë ata që besojnë në Jezusin: “Se të gjithë ju jeni bij të Perëndisë nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus… Dhe nëse ju jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhje e Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit” (Galatasve 3:26, 29). Prandaj, edhe pse premtimet që Perëndia i bëri Abrahamit u përmbushën pjesërisht në kombin e Izraelit në Besëlidhjen e Vjetër, ato u përmbushën përfundimisht në ungjillin e Jezu Krishtit dhe në popullin e Tij.

Nëse sheh qoftë edhe një copëz të madhështisë së kësaj përmbushjeje, jeta jote do të ndryshojë përgjithmonë. Nëse sot je në Krishtin, premtimi që Perëndia i bëri Abrahamit, mban edhe emrin tënd. Ti je qytetar i qiellit dhe i shërben një Mbreti të quajtur Jezus, i cili është pasardhës i Abrahamit. Ajo që Perëndia filloi teksa i foli Abramit, tani të ka për­fshirë edhe ty, ndërkohë që Perëndia i thërret njerëzit sërish në mbretërinë e Tij, që të gëzohen përjetë në praninë e Tij. Pavarësisht se çfarë gjëje tjetër mund të jetë e vërtetë për ty sot, me anë të besimit ti je një fëmijë i Perëndisë, një anëtar i popullit të Abrahamit dhe një trashëgimtar i këtyre premtimeve të lavdishme.