“Zemra është gënjeshtare mbi çdo gjë dhe e ligur keq; kush mund ta njohë atë? Unë, ZOTI, hetoj zemrën, vë në provë veshkat, për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të veta, sipas frytit të veprimeve të tij.” JEREMIA 17:9-10

Bibla tregohet shumë e qartë në lidhje me realitetin e ligësisë — dhe ajo është po aq e qartë edhe në lidhje me personalitetin e atij që qëndron pas ligësisë në botë. Satani, i Ligu, është krejtësisht kundër mirëqenies frymërore të viktimave të tij. Ai është një luan i egër dhe (edhe pse nuk është jashtë kontrollit sovran të Perëndisë) ai është sundimtari i kësaj bote. Satani qëndron pas gjithë mëkatit; dhe para se ndokush të lindë sërish nga Fryma e Perëndisë, ai njeri, në fakt, i përket mbretërisë së tij. Si pasojë, veprimet e liga të atij njeriu janë prova e faktit që ai është në pronësi të Satanit.

Sigurisht që ideja e një të Ligu real pritet me të qeshura nga shumë prej bashkëkohësve tanë. Ata thonë: “Oh, nuk mendoj se beson në ekzistencën e një force të ligë frymërore të quajtur djall, apo jo?”. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ndërkohë që ata e nënvlerësojnë idenë e një djalli personal, njerëz të tillë nuk mund ta shjegojnë dot se si jemi në gjendje për të bërë përparime kaq të mëdha teknologjike, e megjithatë, nuk jemi në gjendje për t’i kontrolluar impulset mëkatare të jetës sonë më mirë se brezat e shkuar. Si shpjegohet kjo?

Bibla na mëson se kur Adami ndoqi gruan e tij dhe e vendosi veten nën ndikimin e mashtruesit dhe mëkatoi, ai e mori të gjithë njerëzimin me vete. Me fjalë të tjera, kur Adami mëkatoi, të gjithë ne mëkatuam. Secili prej nesh ka lindur mëkatar. Prandaj, zemra jonë — thelbi i qenies sonë, burimi i ndjenjave tona, i dëshirave dhe i vendimeve tona — është “gënjeshtare mbi çdo gjë dhe e ligur keq”. Jeremia parashikon atë që Jezusi do t’u thotë farisenjve: “Nuk ka asgjë nga përjashta njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndyjë; përkundrazi, ato që dalin prej njeriut, janë ato që e bëjnë të ndytë njeriun… Sepse nga brenda, prej zemrës së njerëzve dalin arsyetimet e këqija, kurvërime…” dhe lloj-lloj ligësish të tjera, nga ato që duken hapur dhe nga ato që janë të maskuara (Marku 7:15, 21).

Edhe pse këto të vërteta na sigurojnë një shpjegim bindës për atë që shohim në botë, ato, gjithashtu, na ballafaqojnë me një pikëpamje shumë sfiduese për veten. E vërteta është se ne nuk jemi njerëz të mirë që bëjnë gabime; ne jemi njerëz mëkatarë që kanë nevojë për mëshirë. Për shkak se kërkohet përulësi për ta pranuar se si janë në të vërtetë zemrat tona, të njëjtat zemra kanë prirjen për të parapëlqyer të mashtrohen nga predikuesit e vetëvlerësimit dhe të vetëbesimit, në vend që t’ua vënë veshin profetëve si Jeremia.

E vërteta është se kushdo ka lindur me nevojën për një transplant zemre — jo një transplant fizik, por frymëror. Vetëm Perëndia mund ta bëjë një transformim të tillë. Perëndia, ashtu si na ngarkoi fajin e Adamit, me anë të hirit të Tij u llogarit besimtarëve drejtësinë e Zotit Jezu Krisht. Si besimtarë në Jezusin, ne jemi ndryshuar nga brenda jashtë. Sot, ashtu si në çdo ditë tjetër, kundërhelmi i vetëm për zemrën tënde mashtruese është që të vish me përulësi dhe sinqeritet para Zotit dhe të lutesh: “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (Psalmi 51:10)