spurgeon dev 29 maj pm
Maj 2023

“Qoftë i mallkuar para Zotit ai njeri që do të ngrihet të rindërtojë qytetin e Jerikos!”

Jozueu 6:26

Nëse njeriu që rindërtoi Jerikon, ishte i mallkuar, sa më tepër meriton të njëjtën gjë ai që përpiqet të rimëkëmbë fenë e rreme në mes nesh. Në ditët e etërve tanë, muret gjigante të fesë së rreme ranë falë fuqisë së besimit të tyre, ngulmimit të përpjekjeve të tyre dhe gjëmimit të trumbetave të ungjillit; ndërsa në ditët e sotme ka disa që duan t’i rindërtojnë ato sisteme të rreme mbi themelet e tyre të lashta.

O Zot, ki kënaqësinë që t’i pengosh këto përpjekje të padrejta dhe mos lër gur mbi gur në muret që ata kanë ngritur! Duhet të jetë një detyrë thelbësore e jona, që të pastrohemi tërësisht nga çdo gabim i cili priret të kultivojë frymën e gënjeshtrës, dhe pasi të kemi pastruar brenda mureve të shtëpisë, duhet të përpiqemi t’i kundërvihemi me çdo mjet të mundshëm përhapjes së saj tepër të shpejtë në kishë dhe në botë.

Këtë të fundit mund ta arrijmë vetëm në kthinën tonë të fshehtë përmes lutjeve të zjarrta, ndërsa në publik përmes dëshmisë besnike. Duhet t’i paralajmërojmë me guxim plot urtësi, ata që janë të prirur drejt gabimeve të fesë së rreme; duhet t’i udhëzojmë të rinjtë në të vërtetën e ungjillit dhe t’u tregojmë atyre për veprat e zeza të gënjeshtrës në të kaluarën. Duhet të përpiqemi ta përhapim dritën anekënd vendit, sepse mësuesit e rremë, porsi kukumjaçkat, e urrejnë dritën.

A po bëjmë gjithçka mundemi për Jezusin dhe Ungjillin? Nëse jo, pakujdesia jonë shpie ujë në mullirin e heretikëve. Çfarë po bëjmë për ta përhapur Biblën, e cila është kundërhelmi ndaj gënjeshtrës? A po përhapim shkrime të mira dhe të shëndosha mbi ungjillin? Luther-i dikur pati thënë: “Djalli i urren pendët e patave”, dhe, padyshim, ai kishte të drejtë; pena e shkrimtarit, falë bekimit të Frymës së Shenjtë, i ka shkaktuar dëme pa masë mbretërisë së tij të lig. Nëse ata mijëra besimtarë që do ta lexojnë këtë lexim të shkurtër devocional sonte, do të bëjnë gjithçka munden për ta penguar rindërtimin e kësaj Jerikoje të mallkuar, lavdia e Zotit do të përhapet me të shpejtë mes bijve të njerëzve.

Lexues, çfarë mund të bësh ti në këtë drejtim? Çfarë do të bësh?


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>