“…për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave. Prandaj, me qëllim që të mos lartësohem, m’u dha një gjemb në mish, një engjëll i Satanit që të më grushtojë – me qëllim që të mos lartësohem.” II KORINTASVE 12:7
Nëse mblidhni shumë muzikantë të talentuar, të cilët janë të interesuar vetëm për pjesët e tyre individuale, nuk do të keni një orkestër. Ajo që do të përftohet, do të jetë thjesht një zhurmë pa pikë harmonie: një fyerje për veshin që e dëgjon. Megjithatë, kur talenti ushtrohet pa egoizëm dhe me përulësi, nën kryesimin e një dirigjenti dhe sipas partiturës, atëherë dëgjon një muzikë të bukur dhe plot harmoni.
Ashtu sikurse dëshira e një muzikanti për madhështi personale është kambana e vdekjes për dobishmërinë e orkestrës, po kështu është edhe me besimin tonë të krishterë. Një dhunti frymërore nuk duhet të jetë kurrë burim krenarie — sepse, në fund të fundit, ajo është një dhuratë! Megjithatë, shpesh tundohemi që t’i marrim dhuratat që na ka dhënë Perëndia dhe t’ia atribuojmë ato vetes sonë, a thua se i zhvilluam vetë apo se i meritojmë, ose t’i përdorim për veten tonë sikur ato të ishin tonat. Kjo na vendos në një rrezik të madh, pasi vlerësojmë idetë e ekzagjeruara në lidhje me rëndësinë tonë personale — dhe ata që kanë dhuntitë më domethënëse, zakonisht gjenden përballë një rreziku edhe më të madh.
Edhe Pali vetë u përball me këtë tundim. Ai ishte jashtëzakonisht i zgjuar, kishte një arsimim të shkëlqyer, vinte nga prejardhja më e mirë dhe kishte ndikim në shumë jetë (shih Filipianëve 3:4-6).
Kur po fliste për apostujt e rremë të kohës së tij, të cilët po bënin deklarata të mëdha në lidhje me njohurinë që kishin për Perëndinë, Pali tregoi me sinqeritet se kishte parë vegime të jashtëzakonshme (II Korintasve 12:2-4). Ai ishte shënjestër e lehtë për krekosjen. Çfarë e mbrojti Palin nga ky rrezik? Një gjemb në mish. Ai nuk na e thotë saktësisht se ç’ishte ky gjemb, prandaj do të tregoheshim të urtë që të mos spekulojmë. Ajo që ka rëndësi nuk është se çfarë ishte, por se çfarë arriti; pasi Pali e dalloi se ky gjemb në mish ishte një kujtesë përulëse që Perëndia i dha për dobësinë e tij të qenësishme, një gjemb i cili iu dha që ai të mos mburrej për rëndësinë e tij dhe kështu të vazhdonte dhe të mbështetej në Perëndinë.
Ashtu si mësuesit e rremë për të cilët foli Pali, edhe ne shpesh tundohemi të lejojmë që ndikimi dhe suksesi ynë në dukje, qofshin të mëdhenj apo të vegjël, të shërbejnë si mjete përmes të cilave ne gjykojmë vlerën tonë. Megjithatë, me kalimin e kohës, këto lloje çështjesh të përkohshme do të shfaqen qartë si të tilla dhe do të humbasin.
Në provaninë dhe mirësinë e Perëndisë, “gjembi” i Palit na ndihmon të kuptojmë vështirësitë tona si sëmundjen, mungesën financiare, sfidat në marrëdhënie, përpjekjet për të rritur fëmijët, madje edhe përleshjen e vazhdueshme me mëkatin. Perëndia e di se çfarë po bën kur i lejon këto elemente të nevojshme, të parehatshme dhe të pareshtura në jetën tonë. Më mirë të jesh një besimtar i përulur, i munduar nga gjembat, sesa një besimtar krenar që mbështetet te vetja dhe nuk beson më, duke mos qenë i prekur nga asnjë plagë. Kemi nevojë që ta njohim dobësinë tonë, në mënyrë që të vazhdojmë të mbështetemi në hirin e Perëndisë për shpëtimin tonë të përjetshëm dhe në fuqinë e Perëndisë për jetën tonë të përditshme. Prandaj, pyetja nuk është nëse gjembat do të vijnë në jetën tënde, por nëse do ta lejosh Perëndinë që t’i përdorë “gjembat” e tu, për të të kujtuar se vetëm Ai është burimi i dhuntive të tua dhe Ai që të bën të jesh i dobishëm nga ana frymërore.