Mars 2023

…ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat.

Ruthi 2:14

Sa herë që kemi privilegjin të hamë nga buka që na jep Jezusi, ashtu si Ruthi, edhe ne ndihemi të ngopur e të kënaqur nga ushqimi i bollshëm e i shijshëm. Kur Jezusi është i zoti i shtëpisë, asnjë i ftuar nuk ngrihet me barkun bosh nga tryeza e Tij. Mendja jonë është e kënaqur nga e vërteta e paçmuar që zbulon Krishti; zemra jonë është e mbushur me Jezusin, si objekti tërësisht i bukur i dashurisë sonë; shpresa jonë është e plotë, sepse kë mund të kemi në qiell veç Jezusit? Kurse dëshira jonë përmbushet, sepse çfarë mund të dëshirojmë më shumë sesa “të fitojmë Krishtin, dhe, që të gjendemi në të” (Filipianëve 3:8-9)? Jezusi e mbush ndërgjegjen tonë derisa ajo të gjejë paqen e përsosur, gjykimin tonë me bindjen e sigurisë së mësimeve të Tij, kujtesën tonë me kujtimet e bëmave të Tij dhe përfytyrimin tonë me planet e veprave të tij të ardhshme. 

Sikurse “u ngop” Ruthi, ashtu ndodh edhe me ne. Kemi pirë me gllënjka të mëdha; kemi menduar se mund ta shijonim të gjithë Krishtin, por edhe pse kemi pirë sa mundeshim, prapëseprapë na është dashur të lëmë një tepricë të madhe. Ne jemi ulur në tryezën e dashurisë së Zotit dhe kemi thënë: “Asgjë tjetër veç së pafundmes nuk mund të më ngopë ndonjëherë. Duke qenë se jam mëkatar i kategorisë së parë, vetëm një vepër me vlerë të pafundme mund të ma lajë mëkatin.” Mirëpo, jo vetëm që na është hequr mëkati, por po ashtu kemi zbuluar se teproi një vlerë e pafundme; jo vetëm që e kemi shuar urinë në gostinë e dashurisë së shenjtë, por kemi zbuluar se teproi një sasi e pamasë ushqimi frymëror. Ka disa gjëra të bukura në Fjalën e Perëndisë, të cilat nuk i kemi shijuar ende dhe të cilat duhet t’i vëmë mënjanë për ca kohë; sepse jemi si ata dishepujt të cilëve Jezusi u tha: “Kam edhe shumë për t’ju thënë, por tani ju ende nuk mund t’i mbani” (Gjoni 16:12). 

Megjithatë, ka disa hire të cilat nuk i kemi arritur ende, disa vende të shoqërimit më të afërt me Krishtin nga të cilat na ndan një rrugë e gjatë dhe disa maja të përbashkësisë, të cilave ende nuk u jemi ngjitur. Në çdo gosti dashurie mbeten shumë shporta me teprica ushqimi.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>