spurgeon dev 16 nëntor pm
November 2023

Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd.

Isaia 33:17

Sa më thellë që ta njohësh Krishtin, aq më pak do të mbetesh i kënaqur me njohjen sipërfaqësore të Tij; sa më thellë që t’i shqyrtosh veprimet e Tij në besëlidhjen e amshuar, zotimet e Tij si Siguria e përjetshme për të mirën tënde, dhe mbushullinë e hirit që shkëlqen në të gjitha ofiqet e Tij, aq më qartë do ta soditësh bukurinë e Mbretit tënd. Mëso se si ta soditësh Atë në këtë mënyrë! Dëshirofsh gjithnjë e më shumë ta vështrosh Jezusin!

Përsiatja dhe soditja janë shpesh si dritaret prej ari dhe dyert prej argjendi përmes së cilave e vështrojmë Shpenguesin. Përsiatja afron një teleskop pranë syve dhe na aftëson që ta shohim Jezusin në një dritë më të mirë nga sa do të mund ta kishim parë po të kishim jetuar në ditët e qëndrimit të Tij në tokë. Bisedat tona duhet të mbanin më shumë erë qielli, dhe ne duhet të përpiheshim më tepër nga personi, vepra dhe bukuria e Zotit tonë të trupëzuar. Pak më shumë përsiatje, dhe bukuria e Mbretit do të shfaqej përpara nesh më vezulluese se kurrë.

I dashur, kur të vijë koha që të ndërrojmë jetë, ka shumë gjasa të na shfaqet një e tillë pamje e Mbretit tonë të lavdishëm, siç nuk e kemi soditur kurrë më parë. Shumë shenjtorë në çastet e fundit të jetës tokësore kanë depërtuar me shikimin e tyre përtej ujërave të stuhishëm, e kanë parë Jezusin duke ecur mbi dallgët e detit dhe e kanë dëgjuar Atë të thotë: “Jam unë, mos u frikësoni!”. Po, kur ngrehina të nisë të lëkundet dhe llaçi të zërë të shkërmoqet, do ta vështrojmë Krishtin mes të çarave dhe përmes qeprave të çatisë do të vërshojë drita e diellit qiellor. Mirëpo, në qoftë se dëshirojmë ta shohim Mbretin ballë për ballë në tërë bukurinë e Tij, duhet të ngjitemi në qiell për ta soditur, ose Mbreti duhet të zbresë mbi tokë dora vetë.

Oh, sikur të vinte tani mbi krahët e erës! Ai është Bashkëshorti ynë, dhe ne ndihemi si vejusha në mungesë të Tij; Ai është Vëllai ynë besnik dhe i bukur, dhe ne ndihemi të vetmuar pa Të. Perde dhe re të dendura qëndrojnë mes shpirtrave tanë dhe jetës së tyre të vërtetë: Kur do të zbardhë agimi dhe hijet të zhduken? Le të fillojë dita e shumëpritur!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin