“…Ruthi i tregoi së vjehrrës pranë kujt kishte punuar dhe shtoi: ‘Njeriu pranë të cilit punova sot quhet Boaz’. Naomi i tha nuses: ‘Qoftë i bekuar ai nga ZOTI, që nuk e ka hequr mirësinë e tij nga të gjallët dhe të vdekurit…’” RUTHI 2:19-20

Sot ke mundësinë për ta bërë të dukshëm Perëndinë e padukshëm. Kur Ruthi shkoi nëpër fushat e korrjes për të mbledhur kallinj, ajo nuk kishte nga ta dinte se sa i mrekullueshëm do të ishte furnizimi i Perëndisë. Ruthi tashmë kishte gjetur strehë në Perëndinë, mirëpo, përmes Boazit, ajo zbuloi se Zoti ishte në gjendje për të bërë jashtëzakonisht më shumë sesa ajo mund të kërkonte ose të mendonte.

Ndërsa Perëndia e themeloi besëlidhjen e Tij me Izraelin, Ai e zbuloi mirësinë e Tij si Ai “që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje” (Ligji i Përtërirë 10:18). Ai ia dha ligjin e Tij popullit të Vet jo për t’i bërë ata legalistë, por që ata të shfaqnin karakterin e Tij dhe t’i sillnin lavdi emrit të Tij përmes bindjes së tyre. Një pjesë e atij ligji krijonte hapësirën për të siguruar për ata që ishin në rrethana të vështira.

Ndërsa Boazi iu bind udhëzimit të ligjit duke e ftuar Ruthin që të vinte dhe të hante (Ruthi 2:14), ai e bëri këtë gjë me shumë hir. Boazi kishte marrë mirësinë e Perëndisë dhe kuptoi se mund ta ndante atë me të tjerët. Ai e zbatoi praktikisht urdhërimin e Perëndisë — dhe rezultati i kësaj ishte që Ruthi zbuloi zemrën e Perëndisë. Për më tepër, hiri i treguar nga Boazi u shoqërua edhe me bujari: ai jo vetëm që e ftoi Ruthin të hante, por i ofroi asaj një vend mes punëtoreve të tij. Ai e nxiti që të hante derisa të ngopej. Ai e lejoi që të merrte kallinj nga duajt më të mirë të grurit, jo thjesht mbetjet. Pavarësisht nga ndryshimet e tyre shoqërore dhe raciale, ai nuk e mbajti larg Ruthin. Në fakt, ndodhi krejt e kundërta: Boazi bëri shumë më tepër sesa kërkonte ligji i Perëndisë.

Ky është thjesht një tregues i vogël i mikpritjes që Perëndia na tregon neve përmes Krishtit kur na fton në tryezën e Tij qiellore. Kjo është oferta që duhet ta mishërojmë të gjithë ne si të krishterë. Nëse dikush — qoftë i ve, i varfër, i lënduar apo i hidhëruar — hyn në një mbledhje kishe ose në një familje të krishterë, duhet të përjetojë një ndjesi mikpritjeje besnike, për shkak të mënyrës se si njerëzit e Perëndisë e mishërojnë kujdesin e besëlidhjes së Tij.

Në fund të asaj dite, Ruthi ishte e mahnitur nga favori që Boazi po vazhdonte t’i tregonte. Kur ajo u kthye në shtëpi me një furnizim të bollshëm, Naomi u gëzua për bujarinë, duke e përshkruar atë me fjalën checed — dashamirësia e vazhdueshme dhe furnizimi i mëshirshëm i Perëndisë. Checed-i i Boazit bëri që zemra e Ruthit dhe ajo e Naomit të adhuronin Perëndinë, i cili është i pasur në checed [mirësi] (Eksodi 34:6-7).

Mirësia e Boazit u derdh nga mirësia e hirshme, bujare dhe e vazhdueshme që ai kishte marrë nga Perëndia. Si bashkëpërfitues të kujdesit të Zotit, kur ne u tregojmë të tjerëve një mirësi të tillë, edhe ata mund ta njohin Perëndinë. Perëndia i padukshëm bëhet i dukshëm për çdo brez përmes dhembshurisë së popullit të Tij. Kujt do t’i tregosh mirësi të hirshme, bujare dhe të papritur sot?