vargjet kyc frika

Qershor 2022                               Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Isaia 41:10

Mos ki frikë,
sepse unë jam me ty, 
mos e humb 
sepse unë jam Perëndia yt. 
Unë të forcoj 
dhe njëkohësisht të ndihmoj
dhe të mbaj
në dorën e djathtë të drejtësisë sime. 

Perëndia i kujton popullit të Tij zotimet aktive që ka me ta. Te vargjet 8-9, përmendja e zgjedhjes së Jakobit dhe statusit të Izraelit si pasardhje e Abrahamit, flet qartë për premtimet e Perëndisë (Zanafilla 17:7; 22:17) duke u kujtuar kështu atyre se janë pjesë e një historie të mbushur me premtimet e Perëndisë.

“Ty” këtu i referohet tërë popullit (quajtur “Jakob” te Isaia 41:8). Ndryshe nga kombet e tmerruara te Isaia 41:5, populli i Perëndisë kishte arsye për të qenë i patrembur në Të (krahaso me Isaia 41:13-14). Ndryshe nga zotët e kombeve, të cilët duhen forcuar dhe duhen siguruar (Isaia 41:7), Perëndia i Izraelit e siguronte popullin e Tij.

Ligji i Përtërirë 31:6

Tregohuni të fortë dhe trima, mos kini frikë, mos u trembni prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është ai vetë që ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur”.

Ky urdhërim për të gjithë Izraelin i jepet drejtpërdrejt Jozueut (Ligji i Përtërirë 31:7, 23; Jozueu 1:6, 7, 9). Nxitja “mos kini frikë” bazohet në përvojat e mëparshme të plagëve dhe daljes nga Egjipti (shih Eksodi 7-14) dhe sigurimit në shkretëtirë (shih gjithashtu Ligji i Përtërirë 1:33). para syve tuaj...keni parë. Edhe pse ky është brezi tjetër, Moisiu e sheh kombin në unitet dhe u drejtohet atyre që e dëgjojnë si të kishin qenë me brezin e kaluar. të ka shpënë ashtu si një njeri çon fëmijën e tij. Ky është një imazh dashurie dhe përkujdesjeje, dhe hedh poshtë deklaratën e rremë te Ligji i Përtërirë 1:27. Te 1 e Kronikave 28:20, Davidi e aplikon fjalinë “ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur” me Solomonin; krahaso me Hebrenjve 13:5.

Jozueu 1:9

A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh”.

Zoti i kërkon tri herë Jozueut të bëhet i fortë dhe trim, fjalë të ngjashme me caktimin e mëparshëm të Jozueut nën drejtimin e Moisiut (shih Ligji i Përtërirë 31:6-8, 23). Jozueu do të ketë nevojë për forcë dhe për kurajë që të pranojë detyrën e tij (ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin; Jozueu 1:6); për t’iu bindur Librit të Ligjit (v.8), Torah, (me shumë mundësi, kjo duhet të ketë përfshirë librin e Ligjit të Përtërirë ose pjesë të tij [shih Ligji i Përtërirë 31:26, “ky ligj”]); dhe për të mos u tmerruar (mos ki frikë dhe mos e humb; Jozueu 1:9). Më e vështira nga të gjitha do të jetë përgjegjësia e dytë, pra, të bëjë urdhërimet e Perëndisë (hebraisht, Torah) pjesë thelbësore të asaj që ai është dhe bën (Jozueu 1:8a), të meditojë mbi to vazhdimisht dhe t’i vërë gjithashtu në praktikë (Jozueu 1:8b). Megjithatë, nxitja e dytë bëhet më e theksuar me shtimin e dy fjalëve të thjeshta: “vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim”. Duke marrë parasysh përgjegjësitë udhëheqëse të Jozueut, kjo detyrë për të qenë i fortë dhe trim do të ishte dekurajuese nëse nuk do të kishte premtimet shoqëruese: Unë do të jem me ty. Nuk do të të lë dhe nuk do të braktis (Jozueu 1”5); dhe ZOTI, Perëndia është me ty kudo që të shkosh (Jozueu 1:9). Duke marrë forcë nga këto fraza siguruese, Jozueu fuqizohet për ta marrë detyrën e tij me guxim. Terminologjia hebraike e përdorur në këto fraza siguruese nuk ka të bëjë aspak me pasurinë apo suksesin e kësaj bote, por lidhet plotësisht me përmbushjen e misionit dhe veprimit, me vetëdije të plotë në çdo rrethanë që paraqitet. Vetëm kur dikush nuk arrin të “kërkojë këshillim nga ZOTI” (9:14) mungon një vetëdije e tillë.

Isaia 43:1-2

Por tani kështu thotë Zoti,
që të ka krijuar, o Jakob,
dhe që të ka formuar, o Izrael:
“Mos ki frikë, sepse unë të kam shpenguar,
të kam thirrur me emër, ti më përket mua.
Kur të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty,
ose të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin;
kur të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh
dhe flaka nuk do të të përpijë.

Perëndia e siguron popullin e Tij duke i thënë se, për lavdinë e Tij, Ai do të sigurojë restaurimin e mrekullueshëm.

Duke ditur çfarë meritojnë, njerëzit duhet të kenë frikë; por ndërsa dëgjojnë për zgjedhjen dhe premtimin e çliruesit të tyre, ata nuk duhet të kenë frikë. Ajo që i përcakton nuk është verbëria e tyre fajtore (Isaia 42:18-25), por hiri i Atij që thotë: “Je i imi” (krahaso me Eksodin 6:7).

“Ti” përfaqëson gjithë popullin (Isaia 43:1). Edhe kur janë nën vështirësitë e robërisë dhe mërgimit, Perëndia vazhdon të jetë me popullin e Tij (krahaso me Isaia 41:10).

1 e Gjonit 4:18

Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.

Në dashuri nuk ka frikë, nuk përjashton praninë dhe efektin ndërtues të “frikës së Zotit” që është “fillimi i njohjes” (Fjalët e Urta 1:7). Këtu Gjoni flet për frikën e gjykimit të fundit (krahaso me 1 e Gjonit 4:17). Dashuria e përsosur e Perëndisë për besimtarët nxjerr jashtë frikën e zemërimit dhe ndëshkimit të përjetshëm.

Psalmi 23:4

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes,
nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe,
sepse ti je me mua;
shkopi yt dhe kërraba jote
janë ato që më japin zemër.

Hija e vdekjes mund të jetë hija që lë vdekja, ose mund të jetë, siç e thotë edhe shënimi i ESV, “errësirë e thellë”. Ndoshta ideja është se në luginën e shkretëtirës (ose wadi) në Jude mund të kalosh nëpër hije të thella dhe nuk mund të dihet me siguri kush (banditë) ose çfarë (kafshë, përmbytje të papritura) të kanoset; edhe në periudha të tilla frike dhe rreziku, njeriu besnik gjen sigurinë se Perëndia është me të, prandaj nuk ka pse të ketë frikë.

2 e Timoteut 1:7

Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe mendjekthjelltësie.

Nga greqishtja (deilia) në letërsinë jobiblike i referohet atij që ia mbath nga beteja dhe ka një kuptim poshtërues kundrejt të qenët frikacak. Guximi, e jo frika, është shenjë e Frymës (shih Fjalët e Urta 28:1; Veprat 4:31).

Fjalët e Urta 29:25

Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është në siguri.

Ai që vepron nga frika ndaj njeriut tregon se nuk ka besim te Zoti që do ta ruajë dhe do ta mbrojë atë (Fjalët e Urta 29:25). Në mënyrë të ngjashme, ai që kërkon vetëm fytyrën e mbretit për drejtësi (Fjalët e Urta 29:26), manifeston mungesë besimi, se në fund të fundit është Zoti ai që punon për ta realizuar atë (krahaso me Fjalët e Urta 24:21a, ku urdhri reflekton prioritetin).

Luka 8:35-37

Atëherë njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë. Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i demonizuari. Atëherë gjithë popullsia e krahinës së gadarenasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe.

Edhe pse përulja dhe mahnitja janë të përshtatshme në praninë e Jezusit, frika e këtyre njerëzve është negative, duket e gabuar dhe paragjykuese ndaj fuqisë së mistershme të Jezusit, dhe ndoshta duket një frikë për humbje të mëtejshme të pronësive të tyre, sepse frika nuk po i afron te Jezusi.

Marku 4:40-41

Atëherë u tha atyre: “Pse jeni kaq frikacakë? Si nuk keni besim?”. Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era, edhe deti?”.

Jezusi i qorton dishepujt, për shkak se kishin frikë (krahaso me Marku 7:18; 8:17-18, 21). Kundërhelmi për frikën është besimi, pra, besimi në Jezusin. Bëjnë mirë që kthehen te Jezusi, por gabojnë në frikën se Perëndia i ka harruar. Dishepujt bëjnë pyetjen e duhur, sepse qetësimi i stuhisë jep prova që ky njeri është vërtet Perëndi.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-fear/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaCrossway, Frika

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin
>