“Çmojeni gëzim të madh, vëllezërit e mi, kur të ndeshni në sprova të çfarëdollojshme, duke e ditur se të provuarit e besimit tuaj prodhon qëndresë; dhe qëndresa të kryejë një punë të përsosur, me qëllim që të jeni të përsosur dhe të tërësishëm, duke mos qenë mangët në asgjë.” JAKOBI 1:2-4
Për një kohë të gjatë kam imagjinuar sikur i shoh të gjithë njerëzit duke shtyrë një karrocë dore. Edhe unë e kam një të tillë. Ne i shtyjmë këto karroca të mbushura me sprovat, tundimet, frikërat, dështimet, zhgënjimet, dhimbjet e zemrës dhe ëndjet tona. Këto janë gjërat që na zgjojnë nga gjumi dhe na mbajnë zgjuar në orën tre të mëngjesit.
Jeta në këtë botë na ngarkon me kërkesa, na ballafaqon me sfida dhe na përplas në mënyra të dhimbshme dhe pikëlluese. Kur përballemi me vështirësi të tilla, shpesh na thuhet që t’i mohojmë, t’i maskojmë, t’i heqim mënjanë ose të ngrihemi mbi to. Ndërkohë, ne tundohemi që të zemërohemi për sprovat tona dhe të bëhemi gjithnjë e më të hidhur.
Pikëpamja biblike për vështirësitë ndryshon shumë nga të gjitha këto mundësi. Jakobi tha se është e mundur që të përjetojmë gëzim të pastër dhe të plotë në sprovat tona. Si mund të ndodhë kjo? Përjetimi i gëzimit në mes të sprovave duket si një kontradiktë absolute. Në shekullin e 21-të, pjesa më e madhe e njerëzve në Perëndim e jetojnë jetën në një mënyrë të atillë që synon t’i mbajë larg sprovat. Duket e qartë që shtegu drejt gëzimit është shmangia e sprovave.
Megjithatë, Jakobi na thotë se mënyra se si mund ta çmojmë “gëzim të madh”, nuk është duke u fshehur në një kullë larg sprovave, por duke e transformuar qëndrimin tonë ndaj sprovave. Kur thotë “duke e ditur”, ai po na kujton që ndjenjat tona duhet t’i sjellim nën sundimin e asaj që e dimë se është e vërtetë. Dhe çfarë dimë ne? Dimë se besimi në vetvete nuk prodhon qëndresë. Besimi i vërtetë tregohet dhe forcohet kur sprovohet. Gjërat që ne përpiqemi t’i shmangim, janë pikërisht ato që na formojnë.
Duhet të tregohemi të sinqertë në lidhje me sprovat që kalojmë. Nuk kemi arritur ende në qiell, prandaj besimi ynë vazhdon të sprovohet. Besimi nuk zbulohet në ndonjë përjetim të shkëlqyer që nuk është i kësaj bote, por në vështirësitë dhe rrëzimet e jetës së përditshme. Sprovimi i besimit të vërtetë gjithmonë do të prodhojë qëndresë. Kjo do të na bëjë më të ngjashëm me Jezusin. Do të na bëjë më të aftë për t’i ngushëlluar të tjerët. Prandaj, mund të besojmë se, përmes të gjitha vështirësive tona, Perëndia do të vazhdojë të kultivojë në ne një besim të përsosur dhe të plotë. Ndërsa mbahemi pas atij premtimi, jemi në gjendje ta çmojmë “gëzim të madh” teksa shohim se po na afrohet një sprovë, ose kur kuptojmë se tashmë jemi të zhytur thellë në një të tillë. Ne jemi në gjendje për të menduar: “Nuk do ta kisha zgjedhur këtë shteg, mirëpo Zoti e zgjodhi, dhe Ai do ta përdorë për të më treguar më shumë nga Vetja e Tij dhe për të më bërë më të ngjashëm me Veten e Tij.”
Çfarë ke sot në karrocën tënde? Ato janë gjëra të cilat nuk do t’i kishte zgjedhur. Mirëpo çfarë do të ndryshonte nëse do t’i shihje ato si mundësi që besimi yt të sprovohet, të forcohet dhe të përsoset? Ky është shtegu drejt gëzimit më të thellë dhe të pamposhtur.