dhjetor 1

Dhjetor 2022


Adventi mund të bëjë për ne atë që Gjon Pagëzori bëri për Izraelin. Mos lejo që Krishtlindja të të gjejë të papërgatitur, pra, frymërisht të papërgatitur. Nëse je gati gëzimi dhe ndikimi i saj do të jetë shumë herë më i madh!

Që të jesh i përgatitur...

Së pari, medito për faktin që kemi nevojë për një Shpëtimtar. Krishtlindja na padit, para se të na bëhet kënaqësi. “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Luka 2:11). Nëse s’ke nevojë për një Shpëtimtar, atëherë s’ke nevojë për Krishtlindjen. Ajo nuk do të ketë efektin e saj të caktuar derisa ta ndiejmë thellësisht nevojën për një Shpëtimtar. Lejoji këto meditime të shkurtra për Adventin të të ndihmojnë që brenda teje të rizgjohet ndjesia e hidhur dhe njëkohësisht e ëmbël e nevojës për Shpëtimtarin.

Së dyti, përfshihu në një vetëshqyrtim të sinqertë. Periudha e pritjes së Adventit është pak a shumë si Kreshma për Pashkën. “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia; dhe shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme” (Psalmi 139:23-24). Çdo zemër le të bëjë vend për Krishtin... duke e pastruar shtëpinë.

Së treti, krijo një pritje dhe ngazëllim që ka Perëndinë në qendër të shtëpisë tënde–në mënyrë të veçantë te fëmijët. Nëse je i ngazëlluar për Krishtin, edhe ata do të jenë gjithashtu. Nëse mund ta bësh Krishtlindjen ngazëlluese vetëm me gjëra materiale, si do të fitojnë fëmijët një etje për Perëndinë? Vër në punë imagjinatën, në mënyrë që ta bësh të dukshme mrekullinë e ardhjes së Mbretit për fëmijët.

Së katërti, kalo shumë kohë me Shkrimet dhe mëso përmendsh pjesë të rëndësishme të saj! “A nuk është fjala ime si zjarri?, thotë Zoti” (Jeremia 23:29). Mblidhuni rreth këtij zjarri këtë stinë Adventi. Është ngrohtë, shkëlqen ngjyrat e hirit, është shërim për një mijë lëndime dhe dritë për netët e errëta.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia