Mars 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
Mark Johnston
Mateu, Marku dhe Luka etiketohen tradicionalisht si “Ungjijtë sinoptikë”. Ata ofrojnë një sýnopsi (fjalë greke që do të thotë “përmbledhje”) të lindjes, jetës, shërbesës, vdekjes, ringjalljes dhe lartësimit të Jezusit si Mesia i premtuar nga Perëndia, si dhe të shpëtimit të njëherë e përgjithmonshëm të siguruar prej Tij. Ata nuk janë ungjij të ndryshëm, por dëshmia e tre dëshmitarëve pamorë apostolikë rreth Jezusit, personit të Tij të pashoq, si dhe rreth ngjarjeve që siguruan shpengimin.
Kur vijmë tek ungjilli sipas Gjonit, është menjëherë e dukshme se megjithëse trajton të njëjtën temë, ka një këndvështrim ndryshe prej të tjerëve. Në vend që të ofrojë një sýnopsi (përmbledhje) të jetës dhe veprës së Krishtit, ky ungjill paraqet një përmbledhje përzgjedhëse që vë në dukje tiparet dalluese të personit të Jezusit dhe se çfarë e bën Atë të veçantë si të Vetmin që mund të njihet si “Krishti”.
Në fund të ungjillit të vet, Gjoni e nxjerr në pah këtë fakt si çelësin për ta kuptuar ungjillin: “Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij” (Gjoni 20:31). Kjo na çon në tri karakteristika të ungjillit sipas Gjonit, që nxjerrin në pah rëndësinë e tij.
1. Gjoni përfshin pohimin e dëshmitarëve okularë se Jezusi është Biri i Perëndisë.
Gjoni ka për synim të mbrojë kauzën se Jezusi i Nazaretit është Krishti dhe paraqet atë lloj dëshmie që do të merrej si provë prej një gjykate. Në prologun e tij, Gjoni shpall atë që tingëllon si pretendimi më i çuditshëm. Fjalët hapëse të ungjillit të tij i bëjnë qartësisht jehonë fjalëve të para të Zanafillës dhe përshkrimit që ato i bëjnë krijimit. Ai flet në mënyrë disi enigmatike për agjentin e krijimit që është “Fjala”, por më pas e lidh qartësisht këtë figurë me Birin e mishëruar të Perëndisë (Gjoni 1:14–18). Megjithatë, ajo që bie në sy në prolog, është përfshirja nga ana e Gjonit të adashit të tij, Gjon Pagëzorit, thirrja e të cilit ishte që të shërbente si “dëshmitari” i këtij fakti (Gjoni 1:6–8). Gjon Ungjilltari menjëherë vazhdon të paraqesë dëshminë e Gjon Pagëzorit (Gjoni 1:19–34), duke shpallur me guxim se Jezusi është “Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29) dhe, sikur të ishte duke dhënë dëshmi në një sallë gjyqi, ai shpall: “Dhe unë pashë e dëshmova se ky është Biri i Perëndisë” (Gjoni 1:34).
Tema e fijeve të dëshmisë se Jezusi është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës është thurur nga fillimi deri në fund të ungjillit sipas Gjonit, duke përfshirë dëshminë e Pilatit (Gjoni 18:38–39), dëshmia e vetë Gjonit si dëshmitar pamor për vdekjen e Krishtit (Gjoni 19:35), madje edhe fakti befasues që Maria Magdalena është regjistruar si dëshmitarja e parë pamore e Krishtit të ringjallur (Gjoni 20:18). Pretendimet e jashtëzakonshme të ungjillit sipas Gjonit vërtetohen nga pohimet e dëshmitarëve të besueshëm.
2. Gjoni përfshin mrekulli që dëshmojnë se Jezusi është Biri i Perëndisë.
Një tipar kyç i Gjonit është se ai regjistron vetëm shtatë prej mrekullive të Jezusit dhe i quan ato “shenja”. Duke e bërë këtë, ai nxjerr në pah faktin se si funksionojnë ato për të siguruar prova të prekshme, por të mbinatyrshme për faktin se Ai është Biri i mishëruar i Perëndisë.
Mrekullia e parë e Jezusit në dasmën e Kanës përshkruhet si “fillimi i shenjave” dhe thuhet se “shfaqi lavdinë e tij”, duke i bërë dishepujt që të besonin në të (Gjoni 2:11). Kjo mrekulli i referohet premtimit të Perëndisë nëpërmjet Isaias për “një gosti me gjellë të shijshme” dhe “verëra të vjetra” (Isaia 25:6) që do të shënonte ardhjen e Mesisë.
Sa i përket gjashtë shenjave shtesë në rrëfimin e Gjonit, duhet thënë se secila nxjerr në pah një aspekt të veçantë të Jezusit si Biri i mishëruar. Tri syresh në veçanti shërbyen si ndihma pamore efikase të predikimeve të Jezusit, të cilat ose ishin të lidhura drejtpërdrejt me to ose Gjoni i përdor në mënyrë tematike në rrëfimin e tij të ungjillit. Njëra është lidhja mes të ushqyerit të pesë mijë vetave dhe ligjëratës mbi Bukën e Jetës (Gjoni 6:1–59), dhe tjetra mes predikimit të Jezusit “Unë jam ringjallja dhe jeta” dhe ringjalljes së Llazarit (Gjoni 11: 17–27, 38–44).
3. Gjoni e përfshin Ligjëratën e Dhomës së Sipërme për të dhënë njohuri rreth misionit të Jezusit.
Tipari i fundit që të bie në sy te rrëfimi i Gjonit dhe që ofron një tipar dallues të mesazhit të tij është Ligjërata e Dhomës së Sipërme (Gjoni 13:1–17:26). Është njëlloj sikur të na jepej mundësia të përgjonim fjalët që po thoshte Jezusi në atë rast solemn.
Ligjërata fillon me Jezusin që teksa u lan këmbët dishepujve, ua thotë shkoqur atyre se është Shërbëtori i premtuar i Zotit (Gjoni 13:1–20). Ligjërata vijon me Jezusin që zbulon se një prej të Vetëve po gatitet ta tradhtojë, por të rrëfyerit e këtij fakti ishte pjesë përbërëse e planit të Perëndisë për shpëtimin.
Ai thotë pastaj se po shkon të përgatisë një vend për dishepujt e Tij, dhe se si njerëzit që këtej e tutje mund të jenë të sigurt se do të arrijnë atje (Gjoni 14:1–7); më pas flet për premtimin e Perëndisë për dërgimin e Frymë së Tij të Shenjtë, Frymës të Krishtit, përmes të cilit Jezusi vazhdon të jetë i pranishëm mes popullit të Tij ndër shekuj. Më pas, Ai shpreh qartë të vërtetën se çfarë do të thotë të jesh ndjekës i Tij në këtë botë të rënë, në të cilën “do të keni shtrëngim”, por edhe ngushëllimin e të diturit se Krishti e ka mundur botën dhe do të na ruajë deri në fund (Gjoni 16:33).
Skena e dhomës së sipërme mbyllet me mundësinë që na jepet për të dëgjuar ndoshta lutjen më të rëndësishme të bërë ndonjëherë. Në atë që shpesh emërtohet si Lutja Kryepriftërore e Jezusit, Ai lutet për suksesin dhe efikasitetin e misionit të Tij shpëtues. Teksa fillojmë të kuptojmë domethënien e saj, ajo na ndihmon që të zbërthejmë rezultatin e arritur në kapitujt vijues, duke kaluar përmes oborrit të Pilatit, kryqit të Kalvarit dhe varrit të zbrazët. Ky është me të vërtetë një lajm i mirë që ia vlen të besohet!
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-john
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025