Foto Artikulli Java 1 Re Janar 2021

Janar 2021


Më lejo të të tregoj për një përjetim tepër të mrekullueshëm, që pata herët në mëngjesin e së hënës, më 19 Mars 2007, pak pas orës gjashtë. Në të vërtetë, Perëndia më foli! Nuk ka dyshim që ishte Perëndia. Fjalët i dëgjova në mendje me po atë qartësi, si në rastin kur një kujtim apo një bisedë që të kalon në vetëdije. Fjalët ishin në anglisht, por mbartnin mbi vete një tingull plotësisht vetëvërtetues të së vërtetës. E di pa pikë dyshimi se Perëndia ende flet edhe sot.

Për njëfarë arsyeje, nuk mund të flija. Isha në Shtëpinë Shalom, në Minesotën e veriut në një fundjavë çiftesh me stafin. Ishte pothuajse ora pesë e gjysmë e mëngjesit. I shtrirë në krevat, po vrisja mendjen, nëse duhej të çohesha apo të prisja, derisa të më merrte gjumi sërish. Në mëshirën e Tij, Perëndia më nxori nga shtrati. Ishte pothuajse errësirë, por pata mundësi të gjeja rrobat e mia, u vesha, mora çantën e dorës dhe dola nga dhoma pa e zgjuar gruan time, Noël. Poshtë, në dhomën e ndjenjes ishte qetësi totale. Dukej që askush tjetër nuk ishte zgjuar. Prandaj u ula në një divan në cep të dhomës për t’u lutur.

“Eja dhe shiko”

Pasi u luta, kisha rënë në mendime, kur papritur ndodhi. Perëndia tha: “Eja dhe shiko se çfarë kam bërë.” Nuk kisha pikë dyshimi në mendje se këto ishin vetë fjalët e Perëndisë. Saktësisht në këtë çast. Në këtë vend, në shekullin e njëzetë e njëtë, viti 2007, Perëndia po më fliste me një autoritet absolut dhe me një realitet vetëvërtetues. Ndalova për ta lënë këtë fjalë të zinte vend brenda meje. Kjo fjalë kishte një ëmbëlsi të veçantë. Dukej sikur koha kishte fare pak rëndësi. Perëndia ishte afër! Ai më kishte vënë në shënjestër. Ai kishte diçka për të më thënë. Kur Perëndia afrohet, nxitimi merr fund. Koha ngadalësohet.

Po vrisja mendjen se çfarë donte të thoshte Ai me fjalët “eja dhe shiko”. A do të më çonte diku, sikurse bëri me Palin, kur e mori në qiell për të parë atë që nuk mund të tregohet (2 e Korintasve 12:3-4)? A do të thoshte fjala ‘shiko’ që do të kisha një vizion të një vepre të madhe të Perëndisë, gjë të cilën nuk e kishte parë askush? Nuk jam i sigurt sa kohë kaloi nga fjalët fillestare të Perëndisë: “Eja dhe shiko se çfarë kam bërë” dhe fjalëve të Tij pasuese. Kjo nuk ka rëndësi. Dashuria e Tij po më mbështillte duke më folur personalisht. Perëndia i gjithësisë po më fliste.

Pastaj me të njëjtën qartësi që fjalët më vijnë në mendje, Ai më tha: “Unë jam i mahnitshëm në veprat e mia ndaj bijve të njerëzve.” Zemra më kërceu përpjetë: “Po, Zot! Ti je i mahnitshëm në veprat e tua. Po, ndaj të gjithë njerëzve, e shohin apo nuk e shohin ata. Po! Tani, çfarë do të më tregosh?”

Fjalët erdhën sërish. Me po atë qartësi si më parë, por edhe më specifike: “Unë e ktheva detin në tokë të thatë; të tjerët kaluan lumin në këmbë. Atje u ngazëlluan në mua–që sundoj me pushtetin tim përjetë.” Papritur kuptova që Perëndia po më kthente pas në kohë, disa mijëra vjet më parë, në kohën kur Ai thau Detin e Kuq dhe Lumin Jordan. Po transportohesha përmes fjalës së Tij pas në histori, në ato vepra madhështore. Këtë donte të thoshte Perëndia me fjalët “eja dhe shiko”. Ai po më transportonte pas në kohë, përmes fjalëve të Tij, tek ato dy vepra të lavdishme, të cilat i kreu para bijve të njerëzve. Këto ishin “veprat e mahnitshme”, të cilave Ai po u referohej. Perëndia vetë po rrëfente veprat e fuqishme të Perëndisë. Ai po e bënte këtë gjë për mua. Ai po e bënte me fjalë, të cilat po kumbonin në mendjen time.

Një çast i shenjtë

Më pushtoi një nderim i mrekullueshëm. Një paqe e prekshme zbriti mbi mua. Ky ishte një çast i shenjtë dhe një cep i shenjtë i botës në Minesotën e Veriut. Perëndia i Gjithëfuqishëm kishte zbritur dhe po më jepte qetësinë, ndjeshmërinë dhe gatishmërinë për të dëgjuar vetë zërin e Tij. Ndërsa po mahnitesha me fuqinë e Tij për të tharë detin dhe lumin, Ai foli sërish: “Unë ruaj kombet–mos lejoni që rebelët të ngrenë krye.”

Kjo ishte marramendëse, ishte shumë serioze, ishte pothuaj qortim. Të paktën ishte paralajmërim. Dukej sikur më kishte kapur nga jaka e këmishës, të më ngrinte nga toka me një dorë dhe me një ndërthurje të pakrahasueshme të dashurisë dhe ashpërsisë të më thoshte: “Kurrë, kurrë mos e lartëso veten. Kurrë mos u rebelo kundër Meje.”

Isha ulur i shastisur. Mendja ime ishte plot me lavdinë globale të Perëndisë. “Unë ruaj kombet.” Ai ma kishte thënë këtë gjë mua. Nuk ishte vetëm se Ai e kishte thënë. Po, ishte e lavdishme, por Ai ma kishte thënë këtë gjë mua. Vetë fjalët e Perëndisë ishin në mendjen time. Ato fjalë ishin në mendjen time, po aq sa edhe fjalët që jam duke shkruar në këtë çast janë në mendjen time. I dëgjova me po atë qartësi, sa në këtë çast më kujtohet që gruaja ime tha: “Zbrit poshtë për darkë, kur të jesh gati.” E di që ato janë fjalët e gruas time. E di gjithashtu që këto janë fjalët e Perëndisë!

Ai ende flet

Mendo për këtë! Mrekullohu me këtë! Mahnitu me këtë! Perëndia që ruan kombet–ashtu si disa njerëz vëzhgojnë bagëtinë, tregun e bursës apo kantieret e ndërtimit–ky Perëndi ende flet në shekullin e njëzetë e njëtë. I dëgjova vetë fjalët e Tij. Ai më foli personalisht.

Çfarë efekti pati kjo gjë tek unë? Më mbushi me një ndjesi të re për realitetin e Perëndisë. Më dha siguri më të fortë se Ai vepron në histori dhe në kohën tonë. Më forcoi besimin tim se Ai është për mua, kujdeset për mua dhe do ta përdorë fuqinë e Tij globale për t’u kujdesur për mua. Për çfarë arsyeje tjetër do të vinte dhe do të m’i thoshte mua ato gjëra?

Kjo gjë e ka shtuar dashurinë time për Biblën si vetë fjala e Perëndisë, sepse këto fjalë hyjnore i dëgjova përmes Biblës dhe përmes Biblës kam përjetime të tilla pothuaj çdo ditë. Vetë Perëndia i gjithësisë më flet në mendjen time në çdo faqe; Ai i flet edhe mendjes tënde. Ne dëgjojmë vetë fjalët e tij. Vetë Perëndia i ka shumëfishuar veprat dhe mendimet e Tij të mrekullueshme ndaj nesh; asnjë nuk mund të krahasohet me Të! Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur (Psalmi 40:5).

Gjëja më e mirë është që këto fjalë janë të disponueshme për të gjithë. Nëse dëshiron të dëgjosh të njëjtat fjalë që dëgjova në atë divan në Minesotën e Veriut, lexo Psalmin 66:5-7. Atje i dëgjova. Oh, sa e çmuar që është Bibla! Ajo është vetë fjala e Perëndisë. Në të, Perëndia flet në shekullin e njëzetë e njëtë. Ky është vetë zëri i Perëndisë. Me anë të këtij zëri, Ai zbulon të fshehtat më të thella të zemrave tona. Asnjë zë tjetër, kudo dhe kurdoherë tjetër nuk mund të arrijë aq thellë, të na ngrejë aq lart apo të na çojë aq larg sa zëri i Perëndisë, të cilin e dëgjojmë në Bibël.

Është një mrekulli që Perëndia ende flet sot përmes Biblës me një forcë më të madhe, me një lavdi më të madhe, me një siguri më të madhe, me një ëmbëlsi më të madhe, me një shpresë më të madhe, me një udhëzim më të madh, me një fuqi më të madhe transformuese dhe me një të vërtetë më të madhe, që lartëson Krishtin nga ç’mund të dëgjohet nga ndonjë zë tjetër përveç Biblës në ndonjë shpirt njeriu mbi këtë planet.

Mahnitje me gjënë e gabuar

Kjo është arsyeja pse artikulli “Biseda ime me Perëndinë” nga revista Christianity Today m’u duk aq i trishtueshëm. Artikulli ishte shkruar nga një profesor anonim në një “Universitet të mirënjohur të krishterë,” në të cilin autori tregon përjetimin e tij se si dëgjoi Perëndinë. Ajo që Perëndia i tha ishte se ai duhej të jepte të gjitha fitimet nga libri i tij i ri për pagesën e shkollimit të një studenti në nevojë.

Gjëja që më trishton rreth artikullit nuk është se kjo gjë nuk është e vërtetë apo që nuk ndodhi. Çfarë është e trishtueshme është që ky artikull vërtet të jep përshtypjen që komunikimi jashtëbiblik me Perëndinë është tepër i mrekullueshëm dhe që thellon besimin. Ndërkohë, komunikimi suprem i lavdishëm, i Perëndisë së gjallë, i cili shpërthen në mënyrë personale, të fuqishme dhe transformuese në zemrat që e pranojnë Atë çdo ditë përmes Biblës, anashkalohet në heshtje.

Jam i sigurt që ky profesor i teologjisë nuk e kishte me këtë qëllim, por ajo që ai tha në fakt ishte: “Për vite me radhë kam dhënë mësim që Perëndia ende flet, por nuk mund të dëshmoja dot personalisht për këtë gjë. Këtë gjë mund ta bëj tani në mënyrë anonime, për arsye të cilat shpresoj se do të bëhen të qarta” (kam shtuar theksin). Sigurisht që ai nuk do të thotë atë që duket se po nënkupton: se vetëm kur dëgjojmë një zë jashtëbiblik si “Paratë nuk janë të tuat” mund të dëshmosh personalisht që Perëndia ende flet. Sigurisht që ai nuk ka për qëllim ta nënçmojë zërin e Perëndisë në Bibël, i cili flet edhe sot me fuqi të vërtetë, urtësi, lavdi, gëzim, shpresë, mahnitje dhe dobi, dhjetë mijë herë më vendosmërisht se çdo gjë që mund të dëgjojmë jashtë Biblës.

Vajtoj për mesazhin që po komunikohet. Nevoja e madhe e kohës tonë është që njerëzit të përjetojnë realitetin e gjallë të Perëndisë duke dëgjuar fjalën e Tij personalisht dhe në mënyrë transformuese në Shkrim. Diçka është pabesueshmërisht gabim, kur fjalët që dëgjojmë jashtë Shkrimit janë më të fuqishme dhe na prekin më tepër se vetë fjala e frymëzuar e Perëndisë.

Le të thërrasim bashkë me psalmistin: “Përkule zemrën time parimeve të tua” (Psalmi 119:36); “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd” (Psalmi 119:18). Bëj që sytë e zemrave tona të ndriçohen për të njohur shpresën dhe trashëgiminë tonë, dhe dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri dhe të mbushemi me gjithë plotësinë e Perëndisë (Efesianëve 1:18, 3:19).

O Perëndi, mos lejo të jemi aq të shurdhër ndaj fjalës Tënde dhe aq të pandikuar nga shkëlqyeshmëria e saj e patregueshme dhe dëshmuese, sa të kremtojmë gjëra të tjera si më ngazëlluese dhe madje ta konsiderojmë këtë mahnitje me gjërat e gabuara, si të denjë për t’u publikuar në një revistë kombëtare.

 

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, dhe Virusi Korona dhe Krishti.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-morning-i-heard-the-voice-of-god
Përktheu: Asim Hamza | Redaktuan: Linea Simeon, Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme