04. Udhëheqësit në kishën lokale (Pjesa 2)

Përderisa kisha nuk do të përparojë përtej përparimit frymëror të udhëheqësve të saj, caktimi i udhëheqësve është një punë shumë jetike, e cila kërkon një kuptim të qartë të doktrinës së krishterë. Si barinj të tufës, pleqtë punojnë bashkë, për t’u siguruar që Fjala e Perëndisë po jepet mësim, që Biri i Perëndisë po nderohet dhe që populli i Perëndisë po ndërtohet. Alistair Begg-u shpjegon që pleqësia biblike është pastorale, e përbashkët, frymërore dhe llogaridhënëse. Duke qenë të larmishëm në dhunti dhe funksion, pleqtë i japin llogari Perëndisë teksa ndajnë privilegjet dhe përgjegjësitë e udhëheqjes.

Temat: 

  • Udhëheqja e kishës
  • Jeta e kishës
  • Kisha lokale
  • Shërbesa pastorale

Transkripti:

Udhëheqje llogaridhënëse

Të gjitha ato janë pyetje shumë të rëndësishme, sepse udhëheqja është pastorale, por, së dyti, ajo është edhe llogaridhënëse. Udhëheqja është llogaridhënëse. Plaku i kishës, i cili e merr seriozisht këtë thirrje, jeton nën trysninë e vazhdueshme, siç thotë edhe Pjetri, të të diturit që “Kryebariu”—në vargun 4—do të shfaqet; dhe do të ketë një “kurorë lavdie që nuk fishket”. Dakord, kjo është shumë inkurajuese; kjo është diçka që duhet pritur. Ama kur ai të shfaqet, ne do të “japim llogari”. Pleqtë e kishës rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari.

Tani, ne të gjithë i japim llogari njëri-tjetrit. Ka një llogaridhënie reciproke, e cila ekziston brenda trupit të Krishtit. Por këtu po flitet për diçka tjetër. Ajo që Dhiata e Re na mëson, nuk është ndonjë formë demokracie—sigurisht që nuk është as autokraci, si ajo në strukturat hierarkike—por Dhiata e Re na mëson teokracinë. Me fjalë të tjera, Perëndia ushtron sundimin e tij vetëm përmes Birit të tij, i cili është Kryebariu, me anë të Frymës së Shenjtë, nëpërmjet Biblës, në mënyrë që populli i Perëndisë të mësohet nga Fjala e Perëndisë, të udhëhiqet nga Fjala e Perëndisë, të përkushtohet ndaj Fjalës së Perëndisë dhe ta kuptojë rëndësinë e Fjalës së Perëndisë. Ja pse ne bëjmë atë që bëjmë. Pse vallë vazhdojmë ta studiojmë Biblën sërish nga fillimi në fund? “Për sa kohë do të vazhdosh ta bësh këtë?” Tani e përjetë! Për aq kohë sa të marrim frymë. Pse? Sepse nga kjo varet e ardhmja e kishës! Duket qartë kur ka mungesë të udhëheqjes dhe ushqyerjes së popullit të Perëndisë nga ata që janë veçuar për këtë detyrë, dhe kjo gjë është tragjike.

Ja pse te 1 e Korintasve 4, kur mendon për këto gjëra, Pali thotë disa fjalë shumë të dobishme, “Kështu njeriu, le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit dhe administratorë të mistereve të Perëndisë. Dhe tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendet besnik.” Jo domosdoshmërisht të suksesshëm. “Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej dite gjyqi njerëzor; madje as vetveten nuk e gjykoj. Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti.”

Prandaj, kur Shkrimet thonë që “ata rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari”, aty nuk po flitet që do t’ju japin llogari juve: nëse ju pëlqeu predikimi, nëse menduat se ishte shumë i gjatë ose shumë i shkurtër; nëse ju pëlqeu personaliteti i plakut të kishës; nëse ju pëlqeu mënyra se si ndodhën pagëzimet; apo ndonjë gjë tjetër si kjo. Kjo është në rregull; mund t’i bëjmë të gjitha këto biseda, dhe më shumë se kaq. Jo, këtu flitet për diçka shumë më të rëndësishme. Mendoni pak, do të jepni llogari për të gjitha fjalët që thatë nga foltorja. Për çdo këshillë private do të jepni llogari. Do të jepni llogari për çdo herë që bëtë shaka për Biblën, në vend që të tregoheshit seriozë. Do të jepni llogari për çdo herë që i paraqitët dikujt një mënyrë të jetuari të cilën nuk e ndoqët vetë. Kush do të japë llogari? Ata të cilëve u është besuar udhëheqja. Shumë të dashur, a e kuptoni se çfarë po bëjmë kur i veçojmë njerëzit për rolet e udhëheqjes në kishën tonë?

Udhëheqje e përbashkët

Udhëheqja nuk është vetëm pastorale dhe llogaridhënëse, por ajo është edhe e përbashkët. Udhëheqja është e përbashkët. Një pjesë të mirë të kësaj do t’ju lë ta studioni vetë. Mund ta hetoni vetë këtë; nuk është e vështirë ta gjeni. Por Kryebariu, domethënë Jezusi, cakton nënbarinj për ta udhëhequr tufën e tij me kërrabën e Fjalës së tij. Kjo, pra, është tufa e tij, dhe Fjala e tij është kërraba me anë të së cilës ne korrigjojmë, nxitim, inkurajojmë e kështu me radhë.

Duke qenë se kjo përgjegjësi nuk bie mbi një individ, por mbi një grup, është e rëndësishme të kuptojmë që kërkesat janë kërkesa të përbashkëta. Nuk ka një standard për njërin dhe një standard për tjetrin—jo! Kërkesat janë të përbashkëta, privilegjet janë të përbashkëta dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta. Mirëpo, nuk është e njëjta gjë sikur të thuash që, të gjithë ata që janë pjesë e pleqësisë së një kishe lokale, kanë të njëjtat dhunti. Sepse duket qartë që nuk është kështu! Këtë e dimë. Nëse do të merrje një grup të rastësishëm nga një bashkësi, do të zbuloje që mes tyre ka larmi. Prandaj, ndjesia e barazisë që e shijojmë para Perëndisë, ndjesia e barazisë dhe e reciprocitetit të cilat janë pjesë e përgjegjësisë së përbashkët, nuk e përjashtojnë larminë e dhuntive. Prandaj, kur ne themi se pleqtë e kishës janë të barabartë me njëri-tjetrin—që nuk do t’i konsiderojmë ata kurrë të shkëputur nga njëri-tjetri—nuk po themi që të gjithë ata mund të bëjnë gjithçka. E themi këtë, sepse ata nuk munden. Asnjëri prej nesh nuk mund të bëjë dot gjithçka. Ja pse ekipi është kaq i rëndësishëm.

Mirëpo, kur lexojmë Biblën dhe Ungjijtë, kuptojmë se gjithmonë ka udhëheqës mes udhëheqësve. Merrni njëmbëdhjetë djem dhe mblidhini bashkë në një ekip futbolli. Lërini të luajnë për njëfarë kohe dhe ata do të zgjedhin një kapiten. Ata do të zgjedhin një kapiten. Kjo do të bëhet e dukshme. Prandaj, Jezusi thirri dymbëdhjetë, dhe më pas njohim Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin. Këta të tre ishin me Jezusin mbi malin e shpërfytyrimit.

Kështu, kur mendojmë në lidhje me udhëheqjen e përbashkët, kemi nevojë të dallojmë gjithashtu se ka një dallim në funksion—një dallim, në fakt, të cilit Dhiata e Re i kushton vëmendje. Letra e Parë e Timoteut 5:17 thotë: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish”—ja ku është dallimi—“sidomos ata që mundohen në fjalë e mësim.” “Sidomos ata që mundohen në fjalë e mësim.”

Për shembull, nëse merrni udhëheqjen në kishën tonë, jo të gjithë mundohen në predikim dhe mësim. Disa prej nesh po, por mendoj që, po aq të tjerë nuk janë të përfshirë. Prandaj, dallimi nuk ia ngre statusin personit para Perëndisë, madje as para bashkësisë. Neve që përfshihemi në mësim dhe predikim, mund të na pëlqejë të mendojmë kështu, por jo, nuk mendoj se mund ta themi këtë bazuar te Dhiata e Re. Kjo është vërtet shumë e rëndësishme, duke qenë se ekziston një tundim shumë i veçantë, i cili ka të bëjë me faktin që të besohet privilegji i epërsisë së dhënies mësim të Biblës. Kjo është një gjë shumë shkatërrimtare, por edhe shumë oportuniste.

Atëherë, çfarë do ta mbrojë personin që mban Biblën në duar dhe e shpall atë me buzët e tij, që të mos bëhet një kopuk arrogant, tiran, zotërues dhe autokrat? “E po”, ju thoni, “e po, znj. Jenkins, ajo mund ta trajtojë këtë problem. Ajo e bëri me pastorin e kaluar.” Jo. Ajo nuk do të mjaftojë për ta zgjidhur këtë problem. Masat korrigjuese janë të përfshira në vetë udhëheqjen, prandaj është përgjegjësia dhe privilegji i pleqve që së bashku të sigurohen që asnjëri nga ne të mos përfundojë në atë pozitë. Për këtë arsye, edhe pse dikush mund të jetë në gjendje të udhëheqë me një lloj zelli bindës, në të njëjtën kohë, individë të tillë kanë nevojë që t’u nënshtrohen dukshëm bashkëpleqve të tyre, sepse ata janë po aq përgjegjës para Perëndisë, të cilit do t’i japin llogari. Pjesë e llogarisë që ata do të japin, është të sigurohen që asnjëri prej tyre, kushdo qoftë ai, të mos përfundojë në një pozitë të tillë mbizotëruese.

Udhëheqje frymërore

Udhëheqja, pra, është pastorale, llogaridhënëse, e përbashkët dhe, së fundi, është e qartë që ajo është frymërore. Udhëheqja është frymërore. Pleqësia e kishës është frymërore. Pse luten kaq pak njerëz? E po, kjo është një çështje frymërore. Pse vallë të kënduarit është kaq për të ardhur keq? Pasi kjo është një çështje frymërore. Pse numri i besimtarëve është në rënie? Pasi kjo është një çështje frymërore. Pse duket se ka një mungesë interesi për këtë apo atë gjë? Kjo është gjithmonë një çështje frymërore.

Ju e kuptoni që kisha nuk është një organizatë. Nuk po përpiqemi të krijojmë një klub. Kjo është kisha për të cilën Jezusi derdhi gjakun e tij. Kjo është kisha e Jezu Krishtit në një vendndodhje të caktuar. Prandaj, cila është përgjegjësia dhe roli i bashkësisë? Sërish, Letra e Hebrenjve na ndihmon në këtë pikë. Çfarë duhet të bëjmë? E po, ne duhet t’i duam udhëheqësit që na thanë Fjalën e Perëndisë, dhe “duke vështruar rezultatin e jetës së tyre”, ne duhet të “imitojmë besimin e tyre”. Jashtëzakonisht e dobishme, apo jo? E thënë me fjalë të tjera: Si po funksion për ata vetë, kjo për të cilën po na flasin neve? A po sjell një ndryshim në jetën e tyre? Nëse nuk po sjell një ndryshim në jetën e tyre, atëherë nuk mund të jemi të sigurt që, me të vërtetë, po na thonë Fjalën e Perëndisë. Çfarë duhet të imitojmë ne? Personalitetin apo ndonjë gjë tjetër tek ata? Jo, jo, jo. Ne duhet të “imitojmë besimin e tyre”. Fakti është që, kur vijnë vështirësitë dhe errësira, kur rreziku na mbështjell, kur humbasim të afërmit, kur vetë sëmuremi nga kjo apo ajo sëmundje, ku janë këta njerëz? A po na thonë sërish që “Jezu Krishti është i njëjtë dje, sot dhe në përjetësi”? “E po, po, ata po na thonë.” Prandaj, unë dua që t’i “kujtoj” ata, dua që t’i “vështroj”. Sipas asaj që thuhet më poshtë, në të njëjtin kapitull, unë dua t’i “dëgjoj” dhe t’u “bindem atyre”. Pse? Sepse më pëlqejnë shumë? Jo. Por sepse thuhet që ata “rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari”.

Në fakt, kjo na çon në fillim fare, te studimet tona nga Efesianëve 5 dhe 6. E mbani mend kur i studiuam këta kapituj dhe thamë: “Gratë duhet t’u nënshtrohen burrave të tyre.”? Kultura në të cilën jetojmë, nuk është se zmbrapset nga kjo gjë; përkundrazi, ajo e sulmon. Prandaj, kur keni njerëz që bëhen anëtarë të kishës suaj, të cilët nuk janë gati të jetojnë brenda sistemit të caktuar nga Perëndia për jetën familjare, dhe pastaj i vendosni ata njerëz në kontekstin e jetës së kishës, ata nuk e kuptojnë parimin e nënshtrimit në familjet e tyre. Çfarë mundësie mendoni se keni, që ata ta kuptojnë parimin e nënshtrimit në kishë? Kjo është arsyeja pse ndonjëherë njerëzit—sidomos zonjat—janë shumë të zhgënjyer kur vijnë këtu, dhe që në fillim pyesin: “Do të doja të isha plak në këtë kishë”, dhe ne u themi: “Na vjen keq, nuk mund të jeni plak kishe.” “Pse?” “Sepse vetëm burrat duhet të jenë në udhëheqjen e kishës.” Pastaj bëjmë një diskutim të madh dhe të gjatë, i cili arrin në diskutimin e vetë Biblës. Ata thonë: “E po, Jezusi nuk e tha kurrë këtë. Këtë e tha Pali.” Unë u them: “Po. Pali shkroi Dhiatën e Re, nën drejtimin e Frymës së Shenjtë.” Dhe kështu vazhdon debati.

Prandaj, ideja e nënshtrimit është e vështirë, ama është e qartë. Kjo nuk e hedh poshtë idenë e nënshtrimit reciprok, i cili duhet të jetë pjesë e qenësishme e marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin, dhe shkrimtari i Hebrenjve nuk po na nxit që të tregojmë ndonjë lloj bindjeje pa tru. Kështu portretizohet shpesh kjo gjë: “E po, nuk do ta lë trurin tim mënjanë dhe të dëgjoj këtë.” Jo, jo, jo. Në vargun 9, ai tashmë ka thënë: “Mos e lëshoni veten aty-këtu prej doktrinash të ndryshme dhe të huaja.” E thënë me fjalë të tjera: Vazhdoni ta përdorni trurin. Vazhdoni të mendoni. Vazhdoni ta sillni Biblën me vete në kishë. Vazhdoni ta lexoni Biblën në grupin tuaj të vogël. Vazhdoni të siguroheni që udhëheqja e kishës po e ushtron qeverisjen, e cila është qeverisja e vetme, sundimi i vetëm i Krishtit, mbretërimi i vetëm i Krishtit, me anë të Frymës së Shenjtë dhe nëpërmjet Biblës. Kjo nuk është një çështje personaliteti. Jo! Nënshtrimi që kërkohet, është ndaj qeverisjes që ushtrohet në emrin e Jezusit, nën drejtimin e Jezusit dhe me standardin e Fjalës së tij. Nëse ndodh, dhe atëherë kur ndodh, që udhëheqja në kishë të largohet nga këto udhëzime biblike, ajo nuk meriton as bindje dhe as nënshtrim. Për këtë arsye, udhëheqësit identifikohen si “ata që u thanë fjalën e Perëndisë”.

Në shekullin e tetëmbëdhjetë, John Newton-i i tha bashkësisë së tij një mëngjes:

E [konsideroj] nderin dhe lumturinë time që i predikoj një populli të lirë, i cili e ka Biblën në duart e veta. Unë u drejtohem Biblave tuaja. Ju përgjërohem! Ju përbetohem që të mos pranoni asnjë nga fjalët e mia, për aq kohë sa unë nuk mund ta vërtetoj nga fjala e Perëndisë; dhe që ta matni me të njëjtin standard çdo predikues dhe çdo predikim që dëgjoni.

Struktura e vetme është si një trup pa frymë. Ja pse zbatimi frymëror i këtyre parimeve biblike është një gjë kaq e rëndësishme.

Meqenëse sapo jam kthyer nga ana tjetër e oqeanit dhe kam parë se sa lehtë dhe shpejt traditat mund të bëhen baza e një forme fosilizimi, madje edhe brenda atyre që ishin kisha të mira lokale, dua t’ju them sërish që nëse interesoheni për mirëqenien e kishës “Parkside”—jo vetëm sot—por edhe nëse Zoti nuk kthehet pas dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjetësh, të kuptoni diçka: emërimet në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk krahasohen me zgjedhjen e udhëheqjes së kishës lokale, në mënyrë që brezat të cilët nuk kanë lindur ende, të rriten, të udhëhiqen, të ushqehen, të mbikëqyren dhe të paralajmërohen, si rezultat i vendimeve të marra tani, në një moment të caktuar në kohë, që do të ketë ndikim jetëgjatë në histori dhe që, në fakt, kanë një rëndësi të përjetshme.

Ne themi bashkë me shkrimtarin e himnit,

O Frymë e Jetës, eja fryj mes nesh,

Rizgjoje kishën tënde me jetë dhe fuqi;

O Frymë e Jetës, eja, na pastro e ripërtëri,

Dhe pajise kishën tënde të dëshmojë në këtë moment.

Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim para lavdisë së tij, të vetmit Perëndi të urtë, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, sundim dhe pushtet, edhe tani, edhe në përjetësi. Amen.

Materiale Burimore

Transktipt: 04. Udhëheqësit në kishën lokale (Pjesa 2)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}