Ata që predikojnë Ungjillin, tundohen në shumë mënyra. Disa mund të pushtohen nga fiksimi për vetëlavdërim, të tjerë mund t’i rrinë larg predikimit të të vërtetave të vështira, kurse të tjerë mund t’i lëshojë zemra dhe mund të përqafojnë metodologji të ndryshme nga ato të apostujve. Për t’i përballuar këto tundime, Alistair Begg-u na drejton te shpjegimi bindës i Palit për shërbesën e tij te 2 e Korintasve 4. Në fund të fundit, Shkrimi na kujton se i njëjti hir që e shpëton çdo pastor, duhet që gjithashtu ta nxitë atë që t’i tregojë hir me besnikëri tufës së tij.
Temat:
- Shërbesa
Transkripti:
“Ne nuk shpallim veten tonë”
Së katërti: “Sepse nuk shpallim veten tonë.” Ne nuk predikojmë veten tonë. Ne jetojmë në një botë plot me personalitete dhe pa heronj, apo jo? Nëse nuk kemi asgjë për të thënë, mendoj se mund të flasim për veten. Deri në një pikë të caktuar, ne si predikues nuk mund ta shmangim dot Palin apo Apolin. Ju vini dhe më kërkoni nëse mund t’ju jap një autograf në libër; e kuptoj si qëndron kjo punë. Por sinqerisht, kjo nuk më krekos! Së pari, nuk mendoj se libri është aq i mirë. Djali më tha dje: “Pse nuk shkruan një libër të cilin dikush do të ketë dëshirën ta lexojë një herë?”. Kjo është arsyeja pse Perëndia na jep adoleshentë dhe të rinj; për këtë jam mirënjohës.
Prandaj, deri në një pikë të caktuar, ju nuk mund t’i shpëtoni faktit që mund të jemi inkurajim për njëri-tjetrin, dhe që Perëndia na përdor në një pikë të caktuar në garë për t’i dhënë një nxitje njëri-tjetrit: “Eja, le të vrapojmë; më ndihmon; faleminderit që e bëre; mbaje mend këtë; kjo ishte e rëndësishme për mua.” Mund t’ju tregoj Biblat e mia; ato janë plot me emra njerëzish, të cilëve u kam kërkuar që të më japin autografe. Pse? Sepse ato janë gjëja më madhështore që nga koha kur u shpik buka e prerë në feta? Jo. Thjesht, sepse unë i vlerësoj ata dhe fakti që emrat e tyre janë në kapakun e Biblës time apo në librin tim, më shërben si kujtim për një pikë të rëndësishme gjatë udhëtimit tim. Prandaj këtë e pranojmë. Nuk mund ta shmangim dot punën e Palit/Apolit. Ama mund të shmangim kultivimin e saj. Mund të shmangim kultivimin e saj. Nëse kjo ndodh, duhet që ta trajtojmë atë. Nëse po përpiqemi ta bëjmë të ndodhë, kjo është diçka krejt tjetër, e kuptoni?
Shikojini të gjithë ata minifurgona në zonën e Cleveland-it të cilët në pjesën e tyre të pasme kanë ngjitësa për fëmijët e tyre, që thonë: “Këtu është një student i shkëlqyer”, “Këtu është një student i shkëlqyer.” Pse e bëjnë këtë gjë vallë? Asnjë prind nuk do ta vendoste një ngjitës të tillë në makinën e vet para njëzet vjetësh dhe ta ngiste makinën nëpër qytet. Pse? Sepse kjo gjë do të konsiderohej si një tregues krenarie dhe mburrjeje të madhe. Ju nuk mburreni për fëmijët tuaj dhe të vendosni një ngjitës për këtë në makinën tuaj e t’i jepni nëpër qytet, apo jo? E po, tani e bëni. Kjo ndodh sepse, këta fëmijë të dobët dhe të rrënuar në vetëvlerësimin dhe përhumbjen e tyre, kanë nevojë të dinë se sa të mrekullueshëm dhe gjenialë që janë, në mënyrë që të kenë vendin e nderit në restorant, prandaj e kemi të vështirë të dëgjojmë mendimet tona, sepse Penelopa e vogël duhet të bëjë atë që i pëlqen dhe ne duhet të merremi me të—në të vërtetë, duam ta marrim dhe ta hedhim nga dritarja! Pastaj të hedhim edhe prindërit pas saj! Dhe të themi: “Kur u bënë këto gjëra qendra e gjithësisë?”. A nuk e di se çfarë duhet të bësh? Isha në restorantin “Cooker”, në kryqëzimin e rrugëve 480 dhe Rockside, dhe atje ishte një vajzë e vogël, e cila e kishte bërë babanë të derdhte lot në tualet. Ajo e kishte bërë babanë e saj për të qarë! Ajo ende nuk i kishte mbushur tre vjet. Unë e dija përgjigjen—por ai nuk donte ta dëgjonte, dhe as asaj nuk do t’i pëlqente.
Ju pyesni: “A po flasim ende për të njëjtën gjë?”. Nuk e di! Kur na u kthye kjo në një pyetje? E di se çfarë po mendoni; ju po mendoni: “E po, fëmijët e tij janë gdhë vare, dhe ai nuk mori kurrë një nga këta ngjitësat.” E po, ata mund të jenë gdhë, ama unë i mora ngjitësat, dhe i kemi vendosur te dera e frigoriferit… për nja shtatë minuta. Mirëpo, gruan time nuk e ka parë asnjeri nëpër Cleveland bashkë me frigoriferin e saj, që shoqet dhe fqinjët e saj të mund ta kuptojnë se sa të zgjuar që janë fëmijët tanë.
“Ne nuk shpallim veten tonë.” Keni dëgjuar për atë skocezin që po tregonte foto të Malësisë, në Angli; ai tani banon në Angli. Dikush i bëri një pyetje, pasi kishte treguar gjithë ato fotografi të bukura nga Skocia; i tha: “Ju keni jetuar për një kohë të gjatë në Angli. A nuk ndiheni që tani jeni më shumë anglez sesa skocez?” “Oh, jo”, ia ktheu ai, “unë linda skocez, unë jetoj si skocez dhe do të vdes si skocez!” Dikush komentoi: “Ka edhe njerëz që nuk kanë kurrëfarë ambicieje.”
Oscar Wilde-i, kur po vinte nga Franca në Amerikë, e pyetën nëse kishte ndonjë gjë për të deklaruar në doganë, dhe ai u përgjigj: “Asgjë, me përjashtim të gjenisë sime.” Ky është citat. “Çfarë keni për të deklaruar?” “Asgjë, me përjashtim të gjenisë sime.” Le të kthehemi aty ku filluam. Nuk mund të them: “Ai është, ai është, ai është”, nëse gjithmonë po them: “Unë jam, unë jam, unë jam.”
E dini historinë e Alexander Whyte-it në kishën “Free St. George”, kur një djalë i ri, në kontekstin e shërbesës së pashoqe të Alexander Whyte-it, mezi priste mundësinë që të predikonte në atë kishë. Ai e di që Alexander Whyte-i është i famshëm dhe i efektshëm si predikues, ama ka një dyshim që nuk e lë rehat, që ai, si djalosh i ri, sapo të dalë të predikojë, do të ketë mundësi t’ia kalojë në shkëlqim shërbesës së Alexander Whyte-it. Dhe se të gjithë do ta kuptojnë që personi për të cilin kanë pritur në të vërtetë, është ky djalosh i ri, të cilin nuk e mban vendi për ta shfrytëzuar mundësinë e tij të parë për të predikuar.
Kështu vazhdon historia. Erdhi momenti kur ai, me Biblën dhe shënimet e tij, iu ngjit shkallares së foltores. Vendosi aty Biblën dhe shënimet, u tregoi tekstin që kishte zgjedhur, dhe filloi ta përcillte mesazhin. Tha një apo dy fjali, foli edhe pak, gjuha iu ngjit në qiellzë, dhe e kapi paniku. “Ahhh…!”, dhe më në fund ia doli ta mbyllte. Shpalli bekimin, mori gjërat e tij dhe zbriti nga ana tjetër. Një zotëri plak i cili ishte ulur në fund, u kthye nga shoku i tij dhe i tha: “Nëse ai djalosh do të ishte ngjitur ashtu si zbriti, nuk do të kishte zbritur ashtu si u ngjit.”
“Thesar në enë prej balte”
“Ne nuk shpallim veten tonë.” Ne jemi një zë që thërret. Ne jemi një gisht që tregon. Ne jemi një dritë që shkëlqen. “Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh.” Kur të shkoj në qiell, një nga pyetjet që kam për Palin është kjo: “A po mendoje për Gedeonin kur e shkrove atë varg?”. Kam një dyshim që s’më lë rehat, që për atë po mendonte. Mendoni për atë grupin e shkartisur të Gedeonit: “Jo, janë ende shumë.” “Çfarë?” “Jo!” “Rralloje sërish grupin!” Ata që ulen në gjunjë, ata që e çojnë ujin me duar në gojë dhe gjithë hollësitë e tjera, pas së cilave fiksohen njerëzit kur përpiqen të ritregojnë historinë e Gedeonit—këto realisht janë informacione të parëndësishme. Gjithë sa Perëndia po bën, është që po e zvogëlon grupin në një numër, i cili do të shfaqë në mënyrë të pakundërshtueshme faktin që fitorja është e Perëndisë. Perëndia do ta bëjë këtë në jetët tona, në çfarëdo mënyre që të zgjedhë. Mund t’ju tregoj mënyra se si ai e ka bërë këtë gjë në jetën time. Mund të jeni ulur dhe të thoni: “Atij mund t’i duhet ta bëjë edhe disa herë.” Me këtë bie dakord. Megjithatë, fakti është që ai ka lloj-lloj mënyrash për të na treguar se nëse Perëndia nuk e bën këtë, asgjë nuk do të ndodhë.
Ngeca sërish—mendoj se jua thashë këtë; më në fund do të kthehem edhe një herë në fillim, dhe atëherë e dini që është momenti që ta mbyll. Por më bëri përshtypje sërish, kur isha në zyrën e Billy Graham-it, në The Cove, kur kuptova që ai kishte atje vetëm një diplomë, atë që ishte lëshuar nga kolegji “Wheaton” (Wheaton College). Ai kishte vetëm një diplomë. Pastaj më dhanë një libër të jetës dhe shërbesës së Billy Graham-it. E pashë, dhe mendoj se i kanë dhënë njëzet e pesë doktoratura nga e gjithë bota. Në të gjitha ato raste, atij i është dashur të vishet si për diplomim dhe të kalojë ritualin, duke e ditur gjithë kohën që ai nuk e kishte fituar as edhe njërën prej atyre doktoraturave. Perëndia kishte zgjedhur që të derdhte mbi të, gjithë këtë bekim dhe gjithë këtë vajosje.
Prandaj, le ta kujtojmë këtë gjë. Kur personaliteti ynë ka prirjen të ndërhyjë, atëherë, le të vendosim që të lartësojmë fort Krishtin! Nuk mund të tregoni dot njëkohësisht që ju jeni të shkëlqyer dhe që Jezusi është i mrekullueshëm.
“Ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu”
Si përfundim duhet të them: “Ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu.” A po më ndiqni se si po e bëj këtë? Ju thoni: “Nuk po bën një punë shumë të mirë.” Kjo është në rregull. Dua të jem inkurajim për ju. Dakord? Ne nuk ligështohemi. Nuk përdorim mashtrim. Nuk e shtrembërojmë Fjalën e Perëndisë. Nuk shpallim veten. “Ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu.” Pali ishte ai të cilin e kishin akuzuar pa baza. Prandaj, ai thotë: “Tani, tregohuni të sinqertë; zbulojeni!”. Mbi çfarë baze e bën ai thirrjen e tij? “Duke e shpallur qartë të vërtetën.” “Duke shfaqur të vërtetën, ne ia rekomandojmë veten tonë ndërgjegjes së çdo njeriu.” Perëndia na ndihmoftë që, ndërsa kthehemi këtë fundjavë, ta shfaqim qartë të vërtetën!
Ne shpallim “Krishtin Jezus, Zotin”
Pastaj, vini re që ne shpallim Krishtin Jezus si Zot: “Ne nuk shpallim veten tonë, por” ne shpallim “Krishtin Jezus si Zot.” Bota jonë është e gatshme ta pranojë vargun Gjoni 14:6, me kusht që të mos e citojmë pjesën e fundit. Bashkësitë tona, miqtë dhe fqinjët tanë, ndërsa ne jetojmë një jetë ungjillëzuese, janë mjaft të gatshëm që ne të çohemi dhe të themi: “Jezusi tha: ‘Unë jam udha… e vërteta dhe jeta.’” Ajo të cilën kultura jonë bashkëkohore s’mund ta durojë dot, është përfundimi i vargut: “Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” Një krishterim i papërcaktuar është i pranueshëm. Por krishterimi i përcaktuar nuk është popullor.
Çfarë po predikojmë? Ne po predikojmë Jezu Krishtin si Zot, “ndërsa veten tonë shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit.” Në kontekstin e pluralizmit në të cilin jetojmë tani, kjo do t’i japë mprehtësi asaj që po ndodh. Në librin e tij The Heralds of God, James Stewart-i thotë se, kur apostujt predikuan, ndodhi një pushtim hyjnor.
Ata nuk po thoshin thjesht: “E dini çfarë? Ja një tregim historik”, por kishte një ndjesi në të cilën, kur ata predikonin, Perëndia ishte i pranishëm. Nëse citojmë sërish nga Stewart-i, ishte “një fllad i mbinatyrshëm, një fuqi e mistershme si ushtima e një ere të fuqishme.” A nuk e dëshironi edhe ju këtë? A nuk e dëshironi këtë? Unë për vete e di që e dëshiroj. Ju e keni parasysh ndjesinë: “O Perëndi, duhet t’i shqyesh qiejt dhe të zbresësh!”.
Njerëzit më kanë pyetur për vajosjen e Perëndisë dhe për gjëra të tjera si kjo. Çfarëdo që të jetë, ne kemi nevojë për të! Çfarëdo që të jetë, ne e duam atë! Madje e duam me bollëk! Dua të lexoj gjithçka që kam mundësi në lidhje me të, pastaj dua të lexoj edhe më shumë, dhe dua t’i përgjërohem Perëndisë për të. E kuptoj që Fryma e Perëndisë i është dhënë njeriut të Perëndisë, në mënyrë që Fjala e Perëndisë të shpallet për dobinë e popullit të Tij. Nëse kemi vetëm Fjalën pa Frymën, njerëzit do të thahen. Nëse kemi vetëm Frymën pa Fjalën, njerëzit do të krekosen. Por nëse kemi edhe Frymën edhe Fjalën, njerëzit do të ndërtohen. Ne nuk mund ta predikojmë dot Jezusin si Zot dhe ta bëjmë këtë gjë të mërzitshme dhe pa gjallëri. Predikimi i Jezusit ishte i gjallë, ishte me autoritet, ishte i organizuar mirë, ishte praktik, ishte interesant dhe ishte i vërtetë.
Shembuj përmbyllës
Kjo ishte gjithçka që doja të ndaja me ju nga kjo pjesë. Dua që ta përmbyll dhe t’ju jap disa shembuj që kam dashur t’jua siguroj. Hidhini sërish një sy vargut 16: “Prandaj nuk ligështohemi; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm prishet, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.” Dua ta mbyll duke ju ofruar disa këshilla nga tre prej heronjve të mi.
Kjo është shkëputur nga faqja 747—juve që ju pëlqejnë avionët, duhet ta mbani mend këtë—në vëllimin e dytë të Martyn Lloyd-Jones-it, fotoja e tij e këndshme zbukuron edhe kapakun e këtij libri. Nëse nuk i keni lexuar kurrë dy vëllimet e jetës së Lloyd-Jones-it, atëherë nuk e keni mbaruar shkollimin tuaj. Këto dy vëllime mund t’i blini në librarinë tonë me 20 përqind ulje. Tani jemi në fund të jetës së Lloyd-Jones-it, gjë e cila është inkurajim për ju që parapëlqeni të lexoni fundin e historisë para se ta nisni atë, le të jetë kjo një ndihmë për ju.
Fjalët e tij të fundit me zë ishin ato që ai i tha doktorit të tij, Grant Williams-it, i cili e vizitoi më 24 shkurt. Z. Williams donte t’i jepte disa antibiotikë. Lloyd-Jones-i tundi kokën për të thënë se nuk ishte dakord. “E po”, i tha doktori, “kur të vijë koha e Zotit, edhe pse të mbush plot me antibiotikë, nuk ka për të pasur rëndësi.” Pacienti sërish mohoi me kokë. “Dua të të bëj të ndihesh rehat, më rehat”, i tha Williams-i, “më pikon në zemër të të shoh… kështu ‘të lodhur… të tretur dhe të trishtuar.’”
Ai po i citonte himnin e Bonar-it, të cilin e dinte që Lloyd-Jones-i do ta njihte. Prandaj, ai i tha: “Më pikon në zemër të të shoh… kështu [të ulur] ‘të lodhur… të tretur dhe të trishtuar.’”
Kjo ishte e tepërt për [Martyn Lloyd-Jones-in]. “Jo të trishtuar!”, i tha ai. “Jo të trishtuar!” E vërteta ishte që ai besonte se puna e vdekjes ishte kryer dhe se ishte gati të shkonte. “Mbrëmë”, i shkroi Grant Williams-i doktorit lokal [të Martyn Lloyd-Jones-it] më 25 shkurt, “ai nuk pranoi t’i pinte antibiotikët, mezi fliste dhe mendoj se do të vdesë shumë shpejt. Mendoj se është shumë i kthjellët dhe e di shumë qartë se çfarë do të bëjë.”
[Dhe] kur nuk mund të fliste më, [vajza e tij] Elizabeta [ulur] pranë tij, ai e drejtoi qartazi te fjalët e 2 e Korintasve 4:16-18 që thonë: “Prandaj nuk ligështohemi; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm prishet, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon për ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë…”
Elizabeta thotë: “Kur e pyeta nëse ky ishte përjetimi i tij tani, ai pohoi me forcë, duke tundur kokën.”
Ky ishte Lloyd-Jones-i.
Pastaj kemi Calvin-in:
Sa më të vendosur që të jenë njerëzit në përbuzjen e mësimit të Krishtit, aq më të zellshëm duhet të jenë shërbyesit e krishterë për ta theksuar atë dhe aq më të palodhura duhet të jenë përpjekjet e tyre për ta ruajtur të plotë, madje më tepër se kaq, t’i shpartallojnë sulmet e Satanit përmes zellit të tyre.
Me fjalë të tjera, shumë të dashur, sa më të vështira të jenë kohërat, sa më shurdhër të jenë njerëzit, aq më e qartë dhe aq më tepër bindëse duhet të jetë shpallja jonë. Në vend që të kthehemi pas dhe t’i dorëzohemi frymës së epokës, duke thënë: “E di çfarë? Njerëzit duket se janë të shurdhër, ata duken se janë shumë të topitur. Monologu nuk funksionon. Prandaj, le të bëjmë gjithë këto gjërat e tjera.” “Jo, jo, jo”, themi ne: “nuk do ta bëjmë aspak atë gjë.” Ne do të kapemi edhe më fort pas qasjes antike të shpalljes së Biblës në fuqinë e Frymës, duke besuar se ky është mjeti përmes të cilit Perëndia u jep jetë të vdekurve.
Pra, keni shembullin e Lloyd-Jones-it, keni shembullin e Calvin-it, dhe kush do të jetë heroi im i fundit? Dwight L. Moody. Dwight L. Moody. Për ju që jeni kalvinistë në palcë, kjo është e vështirë! Ai është ende një nga heronjtë e mi të mëdhenj. Kur Moody shkoi në Skoci më 21 nëntor 1873, shkoi me frikë dhe me dridhje, pasi nëse citojmë nga një prej biografëve të tij, ai thotë: “Skocezët shquhen për njohjen e teologjisë së tyre.” Sigurisht që të tillë ishin në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Ai që dëshiron ta ndërtojë në besim një bashkësi [skocezësh], duhet të vijë tek ata me vajin e kulluar të shenjtërores; ta derdhë atë… me enët e duhura të një forme tradicionale. Ai duhet të jetë burrë që ka arritur gjëra të mëdha në arsimim; ai duhet të jetë i vulosur nga ndonjë universitet; dhe mbi të gjitha, ai duhet të vijë me rekomandimin e ndonjë grupi të shquar pastorësh.
Tani dëgjoni:
Të gjitha këto gjëra i mungonin z. Moody. Nëse do të kishte një predikues në gjithë botën, i cili do të refuzohej në Skoci, pa llogaritur fuqinë e Perëndisë, që e shoqëronte, ky burrë do të ishte [Dwight] L. Moody.
Me fjalë të tjera, ai nuk kishte asnjë shans që të kishte ndikim në Skoci!
Kur vazhdoni ta lexoni biografinë, thuhet: “Takimi i lamtumirës së… Moody-t dhe Sankey-t… u mbajt në kodrat e Fronit të Arturit (Arthur’s Seat).” Froni i Arturit është kodra pas pallatit “Holyrood” (Holyrood Palace) në fund të Miljes Mbretërore (Royal Mile), të cilën, nëse nuk keni qenë atje, e keni parë në filmin Karrocat e Zjarrta, ku Eric Liddell-i ecën me motrën e tij Jenny-n, dhe ajo e qorton për faktin që ai nuk po i kushtohet me gjithë zemër misionit. Kjo është një fushë e bukur me bar në atë zonë të Edinburgut. “Takimi i lamtumirës së Moody-t dhe Sankey-t u mbajt në kodrat e Fronit të Arturit”—pse?—”nuk kishte asnjë ndërtesë që mund t’a nxinte gjithë atë bashkësi njerëzish. Nga froni historik i krishterimit, në të cilin kishin hyrë me frikë dhe dridhje, ata u larguan me gëzim në zemrat e tyre.”
Pse? Sepse Moody ishte një burrë shumë i veçantë? Jo. Por për arsye se ungjilli është një histori kaq e lavdishme. Na bëftë Perëndia burra të ungjillit!
Le të lutemi së bashku:
Përpara fronit të Zotit lart,
Kam një Kryeprift që më do fort,
Një Avokat të përsosur kam
Që sot jeton, më ndërmjetëson
Kur djalli do t’më dëshpërojë
Dhe më tregon çdo gabim
Lart shoh, Atë lart e shikoj
Që i dha fund mëkatit tim.
Se Shpëtimtari pa mëkat vdiq
Shpirti im [fajtor] i drejtë u bë
Se Perëndia i drejtë u kënaq
Të shoh Atë dhe mua të më falë.
Jemi të mahnitur para teje, o Perëndi i hirshëm, që nga të gjitha vendet ku mund të ishim tani, ti i ke drejtuar hapat tanë në mënyrë që të na japësh privilegjin e të qenët në miqësinë e njëri-tjetrit. Madje shumë më tepër se kaq, na ke dhënë praninë e përhershme të Frymës së Perëndisë, në faktin që kemi ardhur bashkë për të lartësuar Krishtin dhe Fjalën e tij, si dhe në dëshirën tonë për ta nxitur dhe për ta inkurajuar njëri-tjetrin, aq më tepër që e shohim se dita e kthimit të Krishtit po afrohet.
Ne lutemi për njëri-tjetrin, dhe duam ta dorëzojmë veten tonë në kujdesin dhe ruajtjen tënde. Lutemi që, mes shumë fjalëve, të mos na humbasin nga sytë gjërat thelbësore. Ne lutemi që të tërhiqemi sërish te Krishti dhe te Fjala e tij; që ti të na mbushësh sërish me Frymën tënde dhe të na dërgosh në vendet ku na ke caktuar me një zell të ripërtërirë, me një përulësi të vërtetë, me një dëshirë që ti të vish dhe të bësh gjëra të cilat mund të shpjegohen vetëm sepse ti je shfaqur me fuqinë dhe pushtetin tënd. Na shpëto nga bërja e planeve të vogla, sepse ato nuk janë në gjendje që t’i ndezin ambiciet e njerëzve. Na jep një soditje të asaj bashkësie të cilën askush nuk mund ta numërojë dot. Na ndihmo që t’i jetojmë ditët tona duke bërë pjesën tonë, cilado qoftë ajo, duke u përpjekur që të shohim burra dhe gra që nuk besojnë, të bëhen ndjekës të përkushtuar të Jezu Krishtit.
Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim para lavdisë së tij, të vetmit Perëndi të urtë, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi dhe madhështi, sundim dhe pushtet, edhe tani, edhe në përjetësi. Amen.
Comments are closed.