02. Thirrja për në shërbesë (Pjesa 1)

Ata që predikojnë Ungjillin, tundohen në shumë mënyra. Disa mund të pushtohen nga fiksimi për vetëlavdërim, të tjerë mund t’i rrinë larg predikimit të të vërtetave të vështira, kurse të tjerë mund t’i lëshojë zemra dhe mund të përqafojnë metodologji të ndryshme nga ato të apostujve. Për t’i përballuar këto tundime, Alistair Begg-u na drejton te shpjegimi bindës i Palit për shërbesën e tij te 2 e Korintasve 4. Në fund të fundit, Shkrimi na kujton se i njëjti hir që e shpëton çdo pastor, duhet që gjithashtu ta nxitë atë që t’i tregojë hir me besnikëri tufës së tij.

Temat: 

  • Shërbesa

Transkripti:

Thirrja për në shërbesë

2 e Korintasve 4:1–7

Letra e Dytë Drejtuar Korintasve, kapitulli 4. Ajo që dua të bëj tani, është që thjesht t’ju kujtoj disa prej të vërtetave thelbësore që Pali i pohon teksa shkruan këtë letër, të cilën ne e njohim si 2 e Korintasve. Kjo është letra me natyrën më të thellë biografike nga të gjitha letrat e Palit. Mendoj se ai na e zbulon më tepër zemrën e tij në Letrën e Dytë Drejtuar Korintasve, sesa në të gjitha letrat e tjera, duke përfshirë këtu edhe 1 e Thesalonikasve. Kjo letër është jashtëzakonisht e dobishme për ne si pastorë, për faktin se këtu zbulohen tensionet që krijohen në shërbesë, të cilat u shkaktuan nga kritikët e tij. Kur dallojmë se gjërat nuk na shkojnë vaj, jo vetëm që i kujtojmë vetes se Jezusi tha që nuk duhet të presim që të jetë kështu, por kur shohim jetët e apostujve, zbulojmë që edhe ata u përballën me sfida të caktuara.

Në fakt, Letra e Dytë e Palit Drejtuar Korintasve është e jashtëzakonshme për mënyrën se si i demonstron qoftë privilegjet, qoftë trysnitë e punës pastorale. Secili prej nesh është i vetëdijshëm në njëfarë mase se cilat janë këto trysni dhe këto privilegje. Meqë ra fjala, unë mendoj se kjo është një nga letrat më të shpërfillura të Palit, kur bëhet fjalë për mësimdhënien nëpër bashkësitë lokale. Ndoshta ju tashmë e keni dhënë mësim Letrën e Dytë të Korintasve; unë nuk e kam bërë kurrë—edhe pse kam qenë i përfshirë në shërbesë për njëzet e pesë vjet, dhe nuk jam i sigurt se jam shumë ndryshe nga të tjerët.

Tani që ju kam paraqitur këtë reflektim në lidhje me natyrën e gjërave, nuk dua të kaloj më shumë kohë në paraqitjen e kontekstit. Në fakt, dua që t’i shohim bashkë këto deklarata të mëdha që bën Pali në lidhje me shërbesën e ungjillit, në të cilën është thirrur ai dhe kolegët e tij.

“Këtë shërbesë e kemi përmes mëshirës së Perëndisë”

Pali thotë: “Perëndia na e dha këtë shërbesë nëpërmjet mëshirës…” (Bibla “Së Bashku”, 2020). Ne kemi marrë hirin e Perëndisë, i cili na i fal mëkatet tona. Ne kemi marrë mëshirën e tij, e cila na ngushëllon. Hiri i tij është dashuria që ka ai për fajtorët; mëshira e tij është një shprehje e dashurisë që ka ai për ata që janë të pikëlluar. Ndonjëherë ndodh që, kur bëhemi të vetëdijshëm për mëshirën e Perëndisë në pikëllimin tonë, ne tërhiqemi te hiri i Perëndisë, i cili pastaj na trajton në fajin tonë. Duhet t’i kujtojmë vetes sot—teksa arrijmë te kjo frazë, e cila është themeli i të qenët në gjendje të themi atë që thotë ai në deklaratën e parë. Dua të vini re se ka më tepër mëshirë në Zotin Jezus nga sa ka mëkat në ne. Ka më tepër mëshirë në Zotin Jezus, sesa ka mëkat në ne. 

Pali duhet të ketë pasur mundësi të reflektonte vazhdimisht për këtë gjë, ndërsa mendonte se si kishte qenë jeta e tij para se të ishte kapur nga Jezusi në rrugën për në Damask—gjithë ato kujtime, të cilat ai i mbante në zemër për skenën e vrasjes me gurë të Stefanit, si edhe shumë rrethana të tjera të trishtueshme dhe prekëse, të cilat lidheshin drejtpërdrejt me përndjekjen e tij ndaj kishës së Perëndisë. Ju mund ta përfytyroni ndjesinë e pasionit që vërshonte brenda tij ndërsa ai i shkroi apo i diktoi këto fjalë: “Perëndia na e dha këtë shërbesë nëpërmjet mëshirës…” (Bibla “Së Bashku”, 2020). Kush do ta kishte vallë këtë shërbesë nga të gjithë njerëzit e mundshëm? Pali do të kishte thënë—Sauli i Tarsit do të kishte thënë—“Sigurisht, jo unë.”

“Nuk ligështohemi”

Ka disa rrjedhoja që burojnë prej faktit që shërbesa na është dhënë nëpërmjet mëshirës së Perëndisë. E para: “Nuk ligështohemi.” Nuk na lëshon zemra. Kjo është gjëja e vetme të cilën ai e thotë dy herë në këtë kapitull. Do të vini re që ai e thotë sërish në vargun 16: “Prandaj nuk ligështohemi.” Është vërtet interesante të studiojmë se sa herë i thotë Pali gjëra të tilla në jetën e tij. Për shembull, ai shpall se “nuk ka turp”. Sigurisht që komentuesit thonë se ky është thjesht një shembull se si ai thotë diçka pozitive në formë negative, se nuk ekziston mundësia që Pali të ketë ndonjëherë turp—dhe se, në fakt, ajo që ai po thotë është: “Unë jam vërtet shumë agresiv dhe i guximshëm në marrëdhënie…” Këtë ai e shpreh në një formë negative.

 Nuk mendoj se kemi nevojë që ta themi këtë. Mendoj se Pali ishte një burrë normal. Sigurisht që ai ishte i vajosur nga Fryma e Perëndisë. Si apostull, ai ishte pjesë e një grupi të papërsëritshëm individësh në themelimin e kishës. Por jam i sigurt që ai e dinte se çfarë do të thoshte që ta shihte kontekstin e Korintasve, apo të ecte nëpër Athinë dhe të përjetonte një ndjesi turpi, një ndjesi dëshpërimi dhe një ndjesi shkurajimi. Në fund të fundit, çfarë do t’u thoshte ai gjithë atyre intelektualëve mendjendritur? Ai do t’u fliste për “Jezu Krishtin, dhe atë të kryqëzuar”.

Tani ai thotë: “Nuk ligështohemi.” Është vërtet tundim i madh që të ligështohesh. “Nuk ligështohemi.” Është prirje normale që të të lëshojë zemra. Sigurisht që kishte shumë gjëra në jetën e tij të cilat do ta shkurajonin. Nëse ktheheni te kapitulli i parë, në vargun 8 ai thotë: “Sepse nuk duam, o vëllezër, që të mos dini për shtrëngimin që na ndodhi në Azi, ku u rënduam tepër, përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruam edhe për jetën. Për më tepër ne e kishim në veten tonë vendimin e vdekjes.” Prandaj, kur ai thotë: “Nuk na lëshon zemra”, nuk është duke thënë—kjo është një lloj teologjie e ftohtë. Ai është duke shprehur bindjet e tij. Ai thotë se e gjithë ajo ndjesi e të qenët i mbingarkuar, për të cilën ai flet në vargun 9, ndodhi “që të mos besonim në veten tonë, por në Perëndinë që ringjall të vdekurit”.

Tani, më lejoni që nga situata e Palit të kalojmë në situatën tonë në shërbesë pastorale. Ne nuk jemi duke u përballur me të njëjtat situata që u përball ai në Ikon dhe në Listra. Nuk kemi ecur në të njëjtin shteg si Pali, por duam të jemi në gjendje që të themi si ai: “Nuk na lëshon zemra.” Sigurisht që e dimë se ka një tundim real për t’u ligështuar dhe se ka sfida të caktuara për ne në shërbesën pastorale. Për shembull, ka pritshmëri të cilat nuk mund t’i përmbushim dot. Pritshmëri të cilat nuk mund t’i përmbushim dot. Pritshmëri që të tjerët kanë ndaj nesh, ndoshta për shkak të atij burri që jemi duke ndjekur, ndoshta për shkak të rrethanave të veçanta të këtij vendi, dhe tani jemi thirrur aty, dhe kjo bashkësi ka një pritshmëri e cila lidhet drejtpërdrejt me kombinimin e dhuntive të dikujt tjetër. Kjo mund të bëjë që të ligështohemi së tepërmi.

 Nuk na lëshon zemra përballë akuzave të cilat s’mund t’i anashkalojmë dot. Ka akuza të cilat mund të shmangen; dhe këto janë akuza që ia sjellim vetes. Mirëpo, ka edhe akuza të tjera të cilat nuk mund të shmangen. Sigurisht që Pali e dinte se çfarë do të thoshte që të ishte pre e atyre akuzave. Më parë, ju kam përmendur 1 e Korintasve 4:4, ku ai thotë: “Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush… madje as vetveten nuk e gjykoj. Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti. Prandaj mos gjykoni asgjë para kohe derisa të vijë Zoti.” Në sesionin tonë të parë, përmenda disi me shaka Nehemia 6:8: “Punët nuk janë ashtu si thua ti, por ti i shpik në mendjen tënde.” Sinqerisht, kjo është një përgjigje dhe është një reagim të cilit mund të kemi nevojë t’i kthehemi me raste, përndryshe, do të zhgënjehemi tmerrësisht.

Pritshmëri të cilat s’mund t’i përmbush dot. Akuza të cilat s’mund t’i shmang dot. Shpërfillje të cilën s’mund ta mposht dot. Një shpërfillje të cilën s’mund ta mposht dot. Disa prej jush kanë folur me mua për mënyrën se si besojnë që po bëjnë më të mirën që munden në predikimin e Biblës, e megjithatë, duket sikur ka një lloj shpërfilljeje nga ana e njerëzve. Nuk ka një lloj pranimi si ai për të cilin keni lexuar në biografitë e predikuesve të tjerë. Prandaj po vrisni mendjen: Mos vallë problemi qëndron te ju apo mos duhet të hiqni dorë nga metodologjia, apo çfarë mund të bëni? E po, e vetmja gjë që nuk duhet ta bëni, është që të ligështoheni. Mos u ligështoni!

Nuk na lëshon zemra, pavarësisht pritshmërive që s’mund të përmbushen, akuzave që s’mund të anashkalohen, shpërfilljes që s’mund të mposhtet dot dhe një verbërie të cilën s’mund ta heqim dot. Sepse “perëndia i kësaj bote ua verboi mendimet atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata”.

Kësaj i shtojmë edhe personalitetet tona, sfidat tona personale, të gjitha mëkatet tona të cilat na qarkojnë aq lehtë, dhe këtë duhet ta marrim e të kapemi fort pas saj. Ndërsa kthehemi dhe mendojmë sërish për sfidat e së dielës që po vjen, le të lutemi: “Zoti Jezus, më bëj që të them sot bashkë me Palin: ‘Nuk na lëshon zemra.’”

“Ne nuk përdorim mashtrim”

 Së dyti, “duke mos ecur me dinakëri”. Ne nuk përdorim mashtrim. Ne kemi hequr dorë nga qasja kruptos, nga qasja e fshehtë. Ne nuk do të jemi ata që janë aischunas, të turpshëm. Siç thotë edhe vargu: “Ne mohuam gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi.” E mbani mend që fjala për “mashtrim” është panourgia; kjo është karakteristikë e politikanëve të paskrupull apo e një shitësi dinak të makinave të përdorura. Përkthimi Philips e parafrazon kështu: “Ne nuk përdorëm magji, as hile dinake, nuk përdorëm manipulim të pandershëm të Fjalës së Perëndisë.” Vëllezër, këtë duhet të themi edhe ne. Nëse themi se nuk përdorim mashtrim, kjo gjë na sfidon menjëherë, sepse do të ketë shumë gjëra të cilat do të na ligështojnë, për shkak se jetojmë në një kontekst të padëmshëm, tolerant dhe të mjegullt nga ana teologjike, në të cilin teologjia është produkt i të mashtruarve dhe mashtruesve. Mbajmë mend që ishte [Charles Gore] ai që tha se një nga sëmundjet më të mëdha të predikimit bashkëkohor në kohën e tij ishte dëshira për të qenë popullor.

Nuk ka pse ta stërzgjasim këtë gjë. Ama duam të tregohemi të kujdesshëm, që të mos jemi paksa mashtrues në mënyrën se si i themi ose i bëjmë gjërat. Ne nuk përdorim mashtrim, sepse kemi vendosur të heqim dorë nga mënyra se si veprojnë këta mësues të rremë me praktikat e tyre të fshehta dhe me udhët e tyre të turpshme.

“Nuk shtrembërojmë”

Ne nuk përdorim shtrembërim. Nuk e shtrembërojmë aspak Fjalën e Perëndisë: dolountes. Hollimi i Fjalës së Perëndisë. Ne nuk e hollojmë Fjalën e Perëndisë për ta bërë atë më të pëlqyeshme. Ne kemi vendosur që nuk do të bëjmë atë lloj predikimi që gudulis veshët e njerëzve sipas 2 e Timoteut 2. Nuk do t’i përkëdhelim njerëzit dhe t’i bëjmë të ndihen sikur ne jemi personi më i mrekullueshëm mbi faqen e dheut, sepse na është dhënë privilegji të jemi lajmëtarë. Ne duhet të dëshmojmë për Perëndinë para burrave dhe grave. Prandaj, ne nuk guxojmë të përdorim asnjë formë hollimi apo shtrembërimi të Fjalës së Perëndisë.

E pamë Gjon Pagëzorin në fillim të shërbesës së tij, apo jo? Sigurisht që ai nuk ishte i përfshirë në shtrembërim, apo jo? Ai nuk të linte përshtypjen që po e hollonte mesazhin. Sërish po ju them, provojeni këtë si hyrjen e një mesazhi ungjillëzues: “Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj, dhe faleminderit që keni ardhur, ju pjellë nepërkash! Kush ju paralajmëroi që t’i arratiseni gjykimit që po vjen?”. Kjo nuk është një hyrje të cilën do ta quanit “të ndjeshme ndaj kërkuesve”, apo jo?

Çfarë mund të themi për rastin kur Pali doli para Feliksit dhe Druzilës te Veprat kapitulli 24? A e keni parë atë skenë? Përfytyrojeni pak situatën. Jeni në Shtëpinë e Bardhë për një ditë. Keni një problem, ju lënë të prisni, dhe presidenti bashkë me zonjën e parë ju ftojnë të takoheni me ta. Ata ishin duke luajtur damë në mbrëmje, kanë qenë duke bërë disa gjëra, dhe tani nuk kanë ç’të bëjnë tjetër, prandaj ulen për të ngrënë darkë dhe njëri i thotë tjetrit: “Pse të mos thërrasim apostullin Pal dhe të dëgjojmë se ç’do të na thotë? Me sa duket, ai është një predikues i mrekullueshëm?”. Dhe kështu e thirrën. E mbani mend se ai ka qenë në pritje që të vijnë juristët e tjerë për ta trajtuar çështjen e tij.

Prandaj shohim Palin te Veprat 24:24. Mund ta përfytyroni Palin që hyn brenda, duke mos qenë ndonjë person tepër tërheqës. Sigurisht që me aq sa dimë ne, ai nuk do të ishte një lojtar shtatlartë në një ekip gjimnazi që luan futboll amerikan. Duket qartë që ai nuk do të kishte qenë një tip i tillë. Ai mund t’i ngjante më tepër aktorit Dustin Hoffman, jo në ditën e tij më të mirë, që çalonte, dhe me më pak flokë se ai. Ja ku hyn Pali. Të ulur në pozitën e pushtetit dhe autoritetit janë Feliksi dhe bashkëshortja e tij, Druzila.

Prandaj, Pali thotë: “Ju faleminderit që më ftuat! Jam i gëzuar që më dhatë mundësinë të flas me ju. Kam një predikim me tri pika, të cilin dua t’jua përcjell, dhe pika e parë është: drejtësia. Dua që t’ju flas për drejtësinë.” Foli për këtë gjë për njëfarë kohe, derisa dalloi pikat e djersës mbi ballin e Feliksit dhe vuri re që Druzila nuk po gjente rehati e ulur në fron. Pastaj tha: “Tani do t’ju flas për pikën time të dytë: vetëkontrolli.” Sigurisht që ata po jetonin në një marrëdhënie kurorëshkeljeje. Feliksi e kishte rrëmbyer këtë grua nga bashkëshorti i saj si rezultat i punës së një magjistari qipriot. Për këtë arsye, Pali thotë: “Faleminderit që më ftuat! Dua që t’ju flas për ligjin moral të Perëndisë dhe për faktin që ju gjendeni në një situatë krejt të tmerrshme para tij, pasi Perëndia na bën thirrje të jemi të drejtë në sytë e tij. Tani më lejoni t’ju flas për vetëkontrollin. Pika ime e tretë, për të cilën dëshiroj t’ju flas, ka të bëjë me gjykimin me të cilin do të përballeni kur të dilni para Perëndisë.”

Sërish, ju sugjeroj se kjo nuk është pikërisht mënyra se si fillon duke thënë: “Vras mendjen se me çfarë përballen Feliksi dhe Druzila. Ndoshta duhet t’u flas atyre për stresin. E di çfarë? Në fund të fundit, ata duhet të jenë tepër të stresuar. Ndoshta duhet t’u flas atyre për financat; duket se kanë shumë para, dhe nuk jam i sigurt se si po ecën bursa tani. Do t’u flas për perspektivën biblike mbi financat apo diçka të tillë.” Jo, Pali u ngjitet shkallëve dhe thotë: “Ju faleminderit për mundësinë! E para, drejtësia. E dyta, vetëkontrolli. Dhe e treta, gjykimi që po vjen.” Dhe njerëzit thonë: “Nuk më pëlqen t’i dëgjoj ato predikime që flasin për dënimin dhe zjarrin e ferrit.” Kur ishte hera e fundit që dëgjuat një predikim mbi dënimin dhe zjarrin e ferrit? Kur ishte hera e fundit që ju e predikuat një mesazh të tillë? Kur ishte hera e fundit që u treguat mjaft të guximshëm kur dolët para anëtarëve të bashkësisë suaj—të shëndoshë, të dobët, të pasur, me siguri në veten e tyre—dhe t’u thoshit: “Keni një takim me Krishtin e ringjallur, dhe nuk po jetoni në përputhje me ligjin e tij të drejtë; mungesa e vetëkontrollit nga ana juaj është një tregues i faktit që keni nevojë për Krishtin!”. Mbani mend këtë, ata janë ulur aty dhe po mendojnë: “Më thuaj gënjeshtra, më thuaj gënjeshtra, më thuaj gënjeshtra të bukura! Më thuaj gënjeshtra!”. 

Pali thotë: “Jo, ne nuk ligështohemi. Ne nuk përdorim mashtrim. Ne nuk shtrembërojmë.” Ai qëndron në kontrast të hapur me kishën e sotme—një kishë e frikësuar. A do ta sfidojmë errësirën kulturore të kohës sonë? Apo do të përpiqemi të gjejmë një ungjill që reflekton errësirën? A do t’u flasim njerëzve më tepër se si të jenë të përmbushur apo se si të jenë të shenjtë? A do ta trajtojmë atë që Bibla ka për të thënë për mëkatin, apo mos vallë do të përpiqemi vazhdimisht ta zbutim atë me fjalë të tilla si mangësi? A do t’u ofrojmë njerëzve rimëkëmbje, që të vazhdojnë të çalojnë gjithë jetën e tyre, si rezultat i teorisë psikologjike që e shpjegon hallin e tyre dhe i ndihmon të ecin përpara, apo do t’u flasim për shpëtimin? Kjo është çështja.

Ne nuk na lëshon zemra. Ne nuk përdorim mashtrim. Ne nuk do të përdorim shtrembërim. Gjuha e terapisë ka zëvendësuar moralin në kulturën tonë—dhe fatkeqësisht, kjo ka ndodhur edhe në shumë nga kishat tona. Një mesazh i holluar i shërben idesë sonë të vetëmjaftueshmërisë, në vend që të jetë një mesazh tepër i fuqishëm, i cili përcjell mjaftueshmërinë unike të Krishtit. Bibla bëhet një manual udhëzimesh hap pas hapi për një jetë të lumtur dhe predikimet bien në nivelin e gjërave të rëndomta, ose ngrihen në nivelin e moralizmit bombastik. Është e mahnitshme se sa shumë predikim moralist që ka në kishat ungjillore, ku njerëzit vijnë dhe, me pak fjalë, u thuhet: “Tani, përpiqu të jesh një person më i mirë këtë javë, dhe më lejo të të jap shtatë mënyra se si mund të jesh një person i tillë.” Kështu, njerëzit përcillen dhe kjo është krejtësisht e padobishme. Ata i kanë provuar të shtata mënyrat, edhe pesë ditë të tjera dhe katër mënyra shtesë—dhe kanë zbuluar që moralizmi nuk funksionon! Legalizmi nuk funksionon. Fariseizmi është i kotë.

Çfarë ke nevojë të dish? Nuk jam i sigurt, por ndoshta ishte Calvin-i ai që tha: “E dini çfarë? Unë kam nevojë të di vetëm dy gjëra: që unë jam një mëkatar i madh dhe që Krishti është një Shpëtimtar i madh.” Ne, pra, kemi nevojë ta predikojmë ligjin e Perëndisë, që njerëzit të ballafaqohen me faktin që janë të thyer dhe të shqetësuar, dhe se kanë nevojë të shpëtohen. Ne kemi nevojë t’u themi: “Ju po jetoni në një ndërtesë që ka marrë zjarr.” Kjo gjë është e vështirë këtu ku jetojmë. Njerëzit ngasin makina luksoze dhe vijnë të veshur me rroba dhe kostume të bukura. Këta janë njerëzit më të vështirë për t’u predikuar. Do ta shkëmbeja vendin me shumë prej jush. Mendoni se kjo është fantastike? Ejani dhe provojeni! “Dhe po jua përsëris: Është më lehtë të kalojë deveja përmes vrimës së gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.” Pse? Sepse ata janë mësuar të bëhen pjesë e çdo klubi që dëshirojnë duke paguar: “Unë luaj këtu, unë luaj atje, unë stërvitem këtu, unë shkoj atje; ne i bëjmë pushimet atje. Më trego për punën e asaj mbretërisë. Për çfarë ke nevojë? Për çfarë ke nevojë? Do ta bëj, do ta bëj.” Thuajuni: “Kam një lajm për ju: hyni këtu duke u zvarritur me bark.” Ata ju thonë: “Jo, unë nuk zvarritem me bark për askënd.” “Kjo është pikërisht arsyeja pse nuk do të hysh në mbretëri.”

Tani, unë u them njerëzve kështu. Kolegët e mi do të më durojnë. Unë u them kështu. Ose jam unë i çmendur, ose është Fjala e Perëndisë. Nuk mund të qëndrojmë në këmbë e të këndojmë,

Nuk kam nevojë për asnjë argument tjetër, 

Dhe për asnjë përgjërim.

Mjafton që Jezu Krishti vdiq,

Ai vdiq në vendin tim,

dhe pastaj t’u japim njerëzve broçkulla moraliste se si mund të përmirësohen dhe të jenë në gjendje të takohen me Perëndinë.

Materiale Burimore

Transkript: 02. Thirrja e shërbesës (Pjesa 1)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}