05. Themelimi i një vizioni (Pjesa 2)

Mënyra se si reagojnë udhëheqësit ndaj rrethanave zbulon karakterin e tyre dhe jep modelin për reagimin e të tjerëve. Siç e demonstron edhe Alistair Begg-u, Nehemia është një shembull i shkëlqyer për udhëheqjen që ka Perëndinë në qendër. Me një varësi në lutje te Perëndia, Nehemia themelon një vizion dhe një plan praktik për rindërtimin e mureve të rrënuara përreth Jerusalemit. Përmes këtij shembulli, ne shohim se si i pajis Perëndia njerëzit e zakonshëm me dhunti të jashtëzakonshme, për t’u ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme për lavdinë e Tij.

Temat:

  • Personazhet biblike
  • Mendësia e krishterë
  • Udhëheqja e kishës
  • Varësia në Perëndinë
  • Besnikëria e Perëndisë
  • Shërbesa
  • Lutja

Transkripti:

Kundërveprimi i Nehemias: Lutja

Pra, e pamë që reagimi i tij ishte një reagim me devotshmëri dhe me dhembshuri. Ai qau dhe vajtoi; ai mbajti zi. Por vini re që edhe kundërveprimi i tij është po aq jetik dhe i rëndësishëm. Ai nuk lëshohet thjesht në të qara, por ai agjëron. Ai e lë mënjanë ushqimin dhe rutinën që e shoqëron atë, me qëllimin e vetëm që të kërkojë Perëndinë. Në përjetimin e kësaj gjëje, ai shkon para Perëndisë në lutje. Ai e dinte që askush tjetër, veç Perëndisë, nuk mund ta arrinte atë që ishte e nevojshme. Nëse qyteti do të rindërtohej sërish, nëse portat do të rivendoseshin, nëse lavdia e Perëndisë do të mbretëronte sërish, atëherë, kjo do të ishte vetëm si rezultat i ndërhyrjes së Perëndisë. “Në qoftë se ZOTI nuk e ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.”

Këtu kemi arritur në pikën e tretë të mesazhit të fundit: elementi themelor i lutjes. Cila ju duket se është pjesa më e vështirë e shërbesës së ungjillit? A nuk është lutja ajo që i afrohet më tepër? Kështu është për mua: sfida e lutjes publike, për t’u lutur me të vërtetë; sfida e lutjes private, për t’u lutur me të vërtetë; sfida e të besuarit që nëse do të kaloja një kohë të konsiderueshme duke e kërkuar Perëndinë në gjunjë, në vend që të mbaja shënime për Perëndinë, atëherë, në fakt, Perëndia mund të madhërohet akoma edhe më shumë nga sa është madhëruar ndonjëherë.

Dikush ka thënë: “Nëse lutja [jonë] është e dobët, kjo ndodh sepse ne e [konsiderojmë] atë si diçka shtesë dhe jothemelore”—që mund të bëjmë më tepër sesa të lutemi, pasi të jemi lutur, por nuk mund të bëjmë asgjë më tepër sesa të lutemi, gjersa të jemi lutur. Një nga komentuesit—mendoj se quhej Barber, edhe pse e kërkova në shënimet e mia, nuk e di me siguri—ai e thotë këtë me një trilogji të vogël: “Ata që e mbajnë veten për të vetëmjaftueshëm nuk luten, ata thjesht flasin me vete. Të vetëkënaqurit nuk luten; ata nuk janë [të vetëdijshëm] për nevojën e tyre. Të vetëdrejtët nuk mund të luten; ata nuk kanë asnjë bazë mbi të cilën t’i afrohen Perëndisë.” Prandaj, çdo përpjekje për ta shpjeguar ndikimin vizionar të Nehemias, e cila nuk e dallon këtë element thelbësor që realisht është—një element thelbësor—ka për të qenë e mangët në vetvete.

Në fakt, fraza e shkurtër në vargun 4, “disa ditë me radhë”, është një frazë domethënëse: “...pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjërova dhe u luta.” Nëse kontrolloni hapësirën kohore nga vargu i parë i kapitullit 1 e deri te vargu i parë i kapitullit 2, do të mësoni se kanë kaluar tre apo katër muaj. Kjo nuk duket qartë menjëherë, derisa ta kontrolloni. Nëse e kontrolloni, do të zbuloni se ajo që po ju them është e saktë. Është interesante që kur arrini te Nehemia 6:15, atje zbuloni që koha e nevojshme për rindërtimin e mureve ishte 52 ditë. Pra, nëse themi katër muaj, i bien afërsisht 120 ditë—plus 52 ditë—pra, i bie që më shumë se dyfishi i kohës u kalua në lutje, dhe në përputhjen e zemrës, mendjes dhe vullnetit të tij me atë të Perëndisë të Gjithëpushtetshëm, për të pasur perspektivën dhe mënyrën e duhur të të menduarit. Nuk duhet të mendojmë për Nehemian sikur kishte rënë në ndonjë ekstazë. Unë e përfytyroj atë duke u lutur, ndonjëherë duke ecur, ndonjëherë duke përfshirë edhe të tjerë, ndonjëherë vetëm dhe ndonjëherë me një bllok shënimesh, duke shkruar gjërat që i vinin në mendje. Nuk mendoj se mund ta kuptoni kapitullin 2, me përjashtim të faktit që, në përjetimin e lutjes, ai po formonte dhe po kaliste disa bindje të caktuara dhe disa faktorë praktikë, të cilët do të ishin të nevojshëm, nëse kjo ndjesi e varësisë me lutje te Perëndia do të kthehej në një realitet mes atyre me të cilët do të shërbente.

Nuk dua të kaloj kohë duke ju folur për lutjen; thjesht dua që të vini re se, nëse doni të predikoni për lutjen, mendoj se kjo mund të bëhet shumë bukur me shkurtesën ARrFP. Këtë e përdorim shpesh me të rinjtë tanë. Ne u themi atyre: “Lutja juaj duhet të përfshijë adhurim; ajo duhet të fillojë me Perëndinë.” Këtë shohim në vargun 5: “Të lutem shumë, o ZOT, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes”, e kështu me radhë. Lutja duhet të përfshijë rrëfim. Kjo është pikërisht ajo që thuhet në vargun 7: “Jemi sjellë shumë keq me ty.” “Izraelitët kanë kryer mëkat, madje edhe unë kam kryer mëkat.” Në vargjet 8-10, ndërsa ai rikujton premtimet e Perëndisë, lutja përfshin falënderim. Pastaj, lutja përfshin edhe përgjërim—specifik, me përnderim dhe të qartë: “Jepi, sot, të lutem, një sukses të mirë shërbëtorit tënd, duke bërë që ai të gjejë zemërbutësi në sytë e këtij njeriu.”

Nëse do të kishim qenë pranë Nehemias, nuk do të kishim pikë dyshimi për atë që po ndodhte. Nëse do ta kishim vëzhguar kur e mori lajmin, nëse do të kishim parë zemrën e tij të thyer, nëse do të kishim qenë pranë tij gjatë ditëve që pasuan, do të kishim parë një burrë, i cili kishte një dimension pothuajse të mbinatyrshëm në përjetimin e tij. Nëse do të kishim privilegjin të uleshim dhe të mësonim bashkë me të se si të luteshim, do të kishim qenë shumë të vetëdijshëm për faktin që ai nuk kishte ngecur në ndonjë dilemë teologjike, në të qenët absolutisht specifik kur iu afrua Perëndisë: “Jepi, sot, sukses shërbëtorit tënd.”

Ju mund të thoni: “E po, e di çfarë? Ne nuk besojmë në sukses. Suksesi është një fjalë e ndyrë.” Jo, suksesi nuk është një fjalë e ndyrë! Suksesi i dhënë pas vetes, që lidhet vetëm me këtë botë, që ka njeriun në qendër, ai sukses është kotësi. Por lloji i suksesit që i interesonte Nehemias, ishte ai sukses që do t’i jepte lavdi Perëndisë. Nuk ishte një lloj suksesi që do t’i jepte rëndësi personit të Nehemias. Ky është rasti kur nuk duhet të lutemi për sukses. Është e rëndësishme që puna e Perëndisë të dalë me sukses—sikurse do të ndodhë.

Meqë ra fjala, ju gjithmonë mund të luteni me besim për atë që Perëndia ka premtuar. “Do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk [do ta] mundin atë.” Kjo mua më duket e suksesshme. A ju tingëllon e suksesshme edhe juve? A ju tingëllon si një fitore absolute në fund fare? Pra, që “dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë së [ZOTIT], ashtu si ujërat mbushin detet”? Disa prej nesh janë shumë të kufizuar—jo nga ajo që na tregon Shkrimi si mundësi, por nga tirania e mendjengushtësisë sonë teologjike. 

Nehemia hidhet në veprim

Reagim, kundërveprim. E treta është: hedhje në veprim—hedhje në veprim. Nehemia kishte një perspektivë me Perëndinë në qendër, e cila do ta manifestonte veten në një mënyrë vërtet mbresëlënëse: duke u treguar i guximshëm në mënyrën se si ndërmori iniciativën. Kapitulli 2 fillon me këto fjalë: “Një ditë prilli, katër muaj më vonë…” Këto janë fjalët e mia për: “Në muajin e nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks.” Ama bëhet fjalë për një ditë pas katër muajsh. Nëse ishte dhjetor kur e mori lajmin, atëherë, tani i bie që të jetë prill.

Ai kishte qenë duke pritur me durim për çastin e duhur kur do t’i hapej dera e mundësisë, dhe atëherë do të ishte gati të hynte. Dera iu hap me të vërtetë në vargun 1. Sipas rutinës së tij normale, ai po shërbente verën—“Ja vera juaj, Mbreti im”—por Nehemia nuk kishte qenë i trishtuar më parë në praninë e tij, prandaj, mbreti i tha: “Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë?”. Perceptim shumë i saktë. Sigurisht që mbreti duhej të ishte perceptues, sepse çdo tregues i tillë nga ana e kupëmbajtësit mund t’i jepte idenë që të dy ishin në rrezik. Prandaj mëson që t’i lexosh njerëzit në fytyrë, dhe dëshiron që kupëmbajtësi yt të jetë shumë i lumtur, sa herë që të jep kupën. Çdo rast kur ai dukej i dobët, mund të ishte tregues i faktit që armiqtë e tu e kishin vënë poshtë, dhe ndoshta po mundohej të fshihte diçka të thellë. “Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës.”

Më pëlqen shumë fraza e fundit e vargut 2. Më pëlqen fakti se sa realist dhe i sinqertë është Nehemia: “Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe.” “Më zuri një frikë shumë e madhe.” Për mua kjo ndoshta është një nga fjalitë më inkurajuese deri tani në historinë e Nehemias. Është kështu sepse, zakonisht, ndërsa e lexoj historinë e Nehemias, menjëherë i jap atij tipare pothuajse hyjnore, diçka të tillë: “Ky është një tip i mahnitshëm. Dua të them që ai u lut për 120 ditë; këtë nuk e kam bërë kurrë në jetën time. Ai ishte shumë i thyer nga situata, kurse unë po mendoja për muzetë. Ai ishte i shqetësuar për gjithë këto gjëra; kurse unë as që i afrohem. Nuk e di, jam shumë larg të qenët si Nehemia.” Mirëpo, kur ai thotë: “Më zuri një frikë shumë e madhe”, me këtë mund të identifikohem menjëherë. Atëherë thashë: “Oh, tani po nis të më pëlqejë ky djalë! Me këtë mund të identifikohem!”. “Më zuri një frikë shumë e madhe.”

Më kujtohet që po mendoja për këtë gjë, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë; po mendoja për njerëzit që janë heronjtë dhe shembujt tanë—Eric Alexander, i cili ka përjetuar gjëra të ngjashme. Ka qenë mentori dhe miku im për shumë vjet në Glasgow. Më kujtohet që foli në një konferencë të ngjashme me këtë në kufijtë e Skocisë. Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje, i thashë: “Z. Alexander, a mund të më tregosh se si i kalon orët e mëngjesit? Më trego për kohën kur zgjohesh në mëngjes dhe se çfarë bën.”

E dini çfarë? Për shkak të librave që kisha qenë duke lexuar nga O. Hallesby dhe E. M. Bounds—mendova se ai do të thoshte që u zgjua në orën katër të mëngjesit dhe që u lut për dy orë. Pastaj mori një hartë të botës dhe u lut edhe për një orë tjetër, e kështu me radhë. Ah, sa u inkurajova kur ai më tha: “E po, e di çfarë? E kisha vendosur alarmin”—nuk më kujtohet ora, ama m’u duk shumë e përshtatshme për të fjetur. Ai tha: “E di çfarë? Unë vendos alarmin, çohem, bëj një dush, çoj fëmijët në shkollë, kthehem në shtëpi dhe Greta më bën një filxhan kafe. Marr postën dhe e lexoj; i hedh një vështrim të shpejtë gazetës Glasgow Herald, dhe pastaj shkoj në dhomën e studimit.”

“Oh”, thashë unë, “ky burrë më pëlqen. Kjo është gjë e mirë.” Sepse shpesh ne kemi këtë përfytyrim—këtë nuk po e them për ta ulur në njëfarë mënyre Eric-un—po e them për të pranuar që është me vend dhe që të vë në dukje përditshmërinë frymërore. Sepse ky është vendi ku i jetojmë jetët tona. Dua të them që i jetojmë jetët tona në ditët monotone. Ne e jetojmë jetën në përjetimet rutinë. Duhet që për hir të atyre për të cilët kujdesemi, ta hedhim tej mitologjinë e dramatikes rreth nesh, sepse nuk ka asgjë dramatike!

Përditshmëria e zakonshme e Nehemias del në pah, sikurse duhet të ndodhë edhe me çdo udhëheqës të mirë: “Më zuri një frikë shumë e madhe.” Fariseu brenda nesh po thotë: “Oh, mendoj se unë nuk do të kisha pasur frikë, sigurisht që nuk do të kisha pasur frikë, po të isha lutur për 120 ditë. Unë do të kisha qenë i guximshëm; nuk do të kisha pasur frikë.” E po, mirë atëherë, vazhdo të jesh vetvetja; kurse ju të tjerët mund të qëndroni me mua në grupin e të frikësuarve.

“Çfarë kërkon?”, i tha ai. “Çfarë kërkon?” A mund ta përfytyroni dot? Ai ka qenë duke pritur për tre apo katër muaj, ka qenë duke pritur për ditën kur mbreti do t’ia bënte këtë pyetje? “Çfarë kërkon?” O sot, o kurrë! Juve mund t’ju jepet vetëm një mundësi e tillë në jetën tuaj, dhe ja ku erdhi. Reagimi: vajtim. Kundërveprimi: lutje. Hedhja në veprim: “E po, faleminderit që më pyete.”

Duke dalluar dorën e Perëndisë në gjithçka dhe duke iu lutur Perëndisë së qiellit, në vargun 5, ai i përgjigjet mbretit. Vini re përgjigjen e tij mrekullisht praktike në vargun 7, nëse mund t’i jepen disa letra rekomandimi. Ka të ngjarë që mund ta shihni mbretin tek i thotë: “Eh, ky nuk është problem.” Prandaj, ai vazhdon pak më tej. “Meqë ra fjala, a mund të më jepet një letër për Asafin, rojtarin e pyllit të mbretit, sepse, siç e di, do të bëjmë ca punë ndërtimi dhe do ishte mirë të kishim ca lëndë druri.” Ai po i tregon mbretit se i di mirë gjërat. Pastaj i thotë: “Do të ishte mirë gjithashtu nëse do të ishim të sigurt gjatë udhëtimit.” Prandaj shtojnë edhe këmbësorët me oficerët e ushtrisë. Kështu Nehemia po zbulon që Perëndia është në gjendje të bëjë shumë më tepër nga sa mund të kërkojmë apo mendojmë ne. Ishte një ëndërr shumë e parealizueshme që ai të kthehej në vendin e tij. Ishte vërtet mister që atij t’i jepej mundësia të kishte një ndikim. Ai do të kishte qenë vërtet me fat—por në provaninë e tij, Perëndia vendosi ndryshe—edhe pse Nehemia do të kishte qenë në gjendje që ta bënte i vetëm udhëtimin. Mirëpo, këtu e shohim atë që paraqet kërkesën dhe bën të gjitha përgatitjet e nevojshme.

Tani le të ndalojmë dhe të bëjmë një pyetje: në themelimin e një vizioni për të bërë punën e Perëndisë në mënyrën e Perëndisë, më duket se ka një rrezik të madh, i cili paraqitet në rrathët mes të cilëve lëvizin shumë prej nesh, dhe ky është rreziku klasik i lavjerrësit. Shumica e gjërave që kemi vëzhguar, të cilat kanë të bëjnë me metodologjinë, strategjinë, me caktimin dhe planifikimin e vizionit, kanë dalë nga një sfond teologjik, me të cilin shumica prej nesh nuk shohin se janë menjëherë në harmoni. Por në vend që të dallojmë se ka një vend thelbësor për të menduarit jo vetëm nga ana biblike por edhe strategjike, ne lejojmë që lavjerrësi të shkojë krejtësisht në anën tjetër, dhe kështu i lëmë vend pragmatistëve, duke përqafuar një lloj qëndrimi teologjik pa rrënjë.

Nuk mendoj se kjo është udha që na mëson Shkrimi. Sigurisht që nuk besoj se kjo ishte mënyra e Nehemias. Ai nuk ka pikë dyshimi se kush i bën gjërat. Ai do ta kishte kuptuar mirë 1 e Korintasve 3: Perëndia është ai që e jep detyrën, Perëndia është ai që jep rritjen, dhe vetëm Perëndia e merr lavdinë. Por kjo nuk i pengoi apostujt që të mendonin në mënyrë strategjike, se si ta arrinin një qytet për Krishtin. Kjo nuk duhet të na pengojë as ne.

Në të vërtetë, ne që duam të nisemi nga një themel shumë biblik, kemi nevojë ta marrim seriozisht përgjegjësinë e themelimit të modeleve në kohën tonë, të cilat djemtë dhe vajzat e reja mund t’i vëzhgojnë dhe pastaj t’i vënë në praktikë, duke ndjekur shembullin tonë. Kësaj ndoshta do t’i kthehemi sërish më vonë, në sesionin e pyetjeve dhe përgjigjeve. Duke gjykuar nga mënyra se si u shkëlqejnë sytë disave nga ju, ndoshta nuk do ta prekim fare. Prandaj le të vazhdojmë.

Nëse duam të themelojmë një vizion, atëherë, së pari, ky vizion duhet të mbillet në zemrat tona nga Fryma e Perëndisë dhe përmes Fjalës së tij. Vizioni përfundimtar për ne është Zbulesa 7: “Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja një turmë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me petka të bardha dhe me palma në duart e tyre.” Ky është vizioni përfundimtar, kjo është përmbushja e premtimit që iu bë Abrahamit: “Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhja jote.” Këtë jemi duke pritur, dhe gjithçka tjetër, në fund të fundit, është në shërbim të asaj dite të mahnitshme kur Perëndia do t’i mbledhë pranë vetes të gjithë ata që janë të tijtë. Ne do të jetojmë në përjetësinë e shpalosjes së planit të Perëndisë.

Perëndia e vendosi këtë vizion në zemrën e Nehemias. Kjo nuk ishte një ëndërr e tij; ky vizion zbriti me anë të lutjes. Ai nuk ishte anëtar i shoqatës “Idetë e ndritura”. Ai nuk shkoi në dhomën e tij dhe thjesht të mendohej për njëfarë kohe. Në fakt, ai ishte në kontakt me Perëndinë. Ai ishte në kontakt me komunitetin e tij, dhe pastaj ishte gati që siç do ta shohim, të themelonte parametra të caktuar për njerëzit rreth tij, brenda të cilëve të bënte punën e Perëndisë.

Vargjet 11 dhe 12 thonë: “Kështu arrita në Jerusalem dhe qëndrova atje tri ditë. Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jerusalemin.”

Nuk ka pse të kemi pikë dyshimi në lidhje me atë që Perëndia vendos në zemrat e shërbëtorëve të tij, që ta bëjnë në kohën tonë. Nuk ka pse të shkojmë dhe të kërkojmë ndonjë libër të veçantë për t’u përpjekur që t’i përgjigjemi pyetjes për veten tonë; përgjigjja na është dhënë në udhëzimin dhe modelin apostolik. E dimë se çfarë duhet të bëjmë: ne duhet t’i ndërtojmë shenjtorët, që ata të bëjnë veprat e shërbesës. Me fjalët e 2 e Timoteut 4:5, ne duhet “të ruajmë veten në çdo situatë”. Ne duhet “të heqim keq”, ne duhet të “bëjmë punën e ungjilltarit” dhe duhet ta “përmbushim plotësisht shërbesën [tonë]”. Prandaj nuk është se duhet të shkojmë lart e poshtë për të zbuluar se çfarë duhet të ketë në zemrën e pastorit. Brenda zemrës së pastorit duhet të jetë dëshira e zjarrtë për Perëndinë dhe për lavdinë e tij, për delet nën kujdesin e tij dhe për ata që nuk i janë shtuar ende tufës, siç ishte edhe për Jezusin te Gjoni 17: “Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre.”

Çfarë ka në zemrën tënde këto ditë? Çfarë je duke bërë? Thjesht po i mban dyert hapur? “Po luan kishash”? Po përmbush rutinat e caktuara? A ka ndonjë vizion të cilin udhëheqësit tanë e marrin nga ne? A ka ndonjë ndjesi që po çajmë një shteg?

Mendoj se atje ku mungon vizioni në jetën time, mungon sepse, së pari, nuk reagoj si duhet. Kush do të vajtojë—cili nga ne do të vajtojë—për gjendjen e kishës bashkëkohore? Është e lehtë të çohemi, të tregojmë me gisht nga të tjerët dhe të themi: “Ky person, dhe ky, dhe ai.” Por çfarë mund të themi kur jemi vetëm? Kur i japim makinës të dielave në mbrëmje për të ardhur në takim, dhe kalojmë ndërtesa pa fund në errësirë totale, nuk shohim asnjë dritë, s’ka këmbë njeriu, nuk duket asnjë makinë në parkim? Kjo duhet të na thyejë zemrat. 

Pastaj kemi kundërveprimin: “Ah, sikur t’i shqyeje qiejt dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet. O Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve! Bëje të njohur gjatë viteve! A do të kthehesh sërish duke kalëruar, përmes qyteteve dhe fshatrave, siç bëre në ditët e Rizgjimit të Madh? A do të ngresh djem të rinj në kishat tona, të mësuar me udhëzimin e shenjtë, dhe t’i prekësh zemrat e tyre në mënyra të cilat ende nuk mund t’i kuptojnë plotësisht, që ata të çohen në ditën e tyre me një zjarr në shpirt për Perëndinë dhe për lavdinë e tij, si dhe me një dëshirë për ta predikuar Biblën në tërë plotësinë e saj? A do të na befasosh sërish? O Perëndi, nëse gjithçka që bëjmë në bashkësinë tonë, është thjesht të krijojmë mundësinë që të vijë një brez tjetër, a mund të na përgatisësh që të jetojmë pikërisht për këtë, saqë vetë të mos shohim ndonjë përmbushje dramatike të vizionit? Nëse nuk shohim asgjë, nëse nuk bëjmë gjë tjetër veçse të tregohemi besnikë ndaj asaj që ti na ke zbuluar, që ne të rrimë të qetë kur të tjerët nuk janë, që të durojmë vështirësi kur njerëzit tërhiqen dhe zgjedhin shtegun e lehtë, që të jemi seriozë ndaj përgjegjësisë së ungjillëzimit dhe që ta përmbushim plotësisht shërbesën tonë?”. Të gjithën këtë, le ta bëjmë në bindjen që unë nuk mundem, por Perëndia mundet.

Kuptoni që, shumë prej nesh vuajnë nga iluzioni që ne mundemi, dhe vetëm kur përballemi me faktin që nuk mundemi, atëherë realisht mundemi.  Ky është paradoks i bukur, apo jo? Burri që e kishte dorën të tharë, nuk mund ta shtrinte dot atë. Jezusi i kërkoi të bënte atë që ai nuk mundej, dhe ai e bëri, sepse fjala e tij nuk është vetëm një fjalë që jep jetë; ajo është një fjalë që ndryshon jetë.

Së fundi, ja dhe një ilustrim paksa i çuditshëm. Herën e parë që ndoqa një lojë futbolli amerikan, ishte në një bazë të forcave ajrore në Hertfordshire të Anglisë, në një vend të quajtur Bushey. Shkova atje me një vajzë që më pëlqente shumë, e cila tani është në shtëpi dhe po kujdeset për fëmijët e mi. Në mendjen time, nuk e kisha idenë se çfarë po ndodhte para meje në këtë përjetim shumë dramatik të futbollit amerikan. Nuk është se isha kundër kësaj loje; thjesht nuk mund ta kuptoja dot. Ajo vajza nuk më ndihmoi fare, as sa të kuptoja se çfarë po ndodhte. Mirëpo, kujtimi i vetëm që më është ngulitur, është ai i nxitëseve të tifozëve.

Zotërinj, kjo nuk ka të bëjë me pamjen e tyre, dhe Zoti të më falë që ky ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje, që e vura në dyshim pastërtinë e zemrës sime! (Thjesht shaka.) Nuk më kujtohet asgjë nga këto. Nuk kisha parë kurrë nxitëse tifozësh në jetën time; këtë duhet ta kuptoni, kisha jetuar një jetë shumë të mbrojtur. Nuk na kishin prezantuar me disa prej këtyre “ekstravagancat amerikane”. Këto i gjeje vetëm në bazat ushtarake ajrore.

Por, ndërsa vazhdoi loja, ekipi për të cilin po bënim tifozllëk—dhe mendoj se ishte Shkolla Amerikane e Londrës (American School of London) apo diçka e tillë—po shkatërrohej keq. Tabela e pikëve nuk kishte mjaft vend për t’i paraqitur të gjitha pikët që po shënoheshin kundër tyre. Ky ishte momenti kur nxitëset e tifozëve shpërthyen në një refren dramatik. Ato kishin ca gjëra nëpër duar dhe thërritnin: “Mund t’ia dilni, mund t’ia dilni! Ju mundeni, ju mundeni! Mund t’ia dilni, mund t’ia dilni! Ju mundeni, ju mundeni!”. Mirëpo, problemi ishte që ata nuk mundeshin! Nuk kishte rëndësi se si ishin veshur ato. Nuk kishte rëndësi sa fort i binte ai djali trumbetës. Nuk kishte rëndësi sa fort i binte daulles ai djaloshi i shëndoshë, ata nuk mundeshin, qoftë edhe për asnjë çast, që ta ndryshonin rrjedhën e trishtueshme të asaj që po ndodhte në fushën e lojës.

Ja ku jemi ne, dhe kur bëhet fjalë për punën e Perëndisë, duket se po përjetojmë një humbje të madhe. Pra, çfarë të bëjmë? Ne marrim metodat e botës, ne marrim urtësinë e botës, ne sjellim nxitëset e tifozëve aty në anë të fushës, që të na bëjnë të ndihemi mirë, për të na e turbulluar paksa realitetin e asaj që po ndodh: “Ju mundeni, ju mundeni!”. Jo, ju nuk mundeni!

Prandaj, në atë çast vetëdijeje për ne si udhëheqës, si pastorë dhe si kisha—në atë çast hapet kanat dera e mundësisë. Sepse, çfarë tha Jezusi? “Pa mua nuk mund të bëni asgjë.” Ai nuk tha që nevoja jonë ishte e pjesshme; ai tha që ajo ishte e plotë. Nëse besoj që nevoja ime është e pjesshme, nuk do të reagoj ashtu si reagoi Nehemia, nuk do të kundërveproj ashtu si ai dhe nuk do të kem mundësi të hidhem në veprim siç bëri ai.

E po, le të lutemi dhe pastaj do të vazhdojmë:

O Perëndi, Ati ynë, ne të falënderojmë që nuk na ke lënë në zgjuarsinë tonë kur mendojmë se si ta bëjmë punën tënde në mënyrën tënde! Ne të falënderojmë që faqet e Shkrimit janë plot me shembuj të mrekullueshëm të atyre mbi të cilët ti vendose dorën tënde. Faleminderit për atë frazën e bukur që shfaqet herë pas here: “U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua”, tha Nehemia. Ne lutemi që ta shijojmë sërish atë përjetim edhe në kohën tonë, që dora jote bamirëse të jetë mbi ne.

Na beko, o Zot! Ndihmoji ata prej nesh që janë të shkurajuar, që të marrin zemër përmes interesimit të vërtetë të të tjerëve—ne që kemi nevojë për inkurajim dhe për përgjigje për pyetjet tona—na befaso këto ditë me provat e hirit tënd! Ne lutemi që të na japësh zemra mirënjohëse, ndërsa hamë bashkë dhe në mes të rrethanave të ndryshme. Bëje këtë, sepse të lutemi në emrin tënd madhështor, përmes Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht! Amen.

Materiale Burimore

Transkript: 05. Themelimi i një vizioni (Pjesa 2)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}