Mënyra se si reagojnë udhëheqësit ndaj rrethanave zbulon karakterin e tyre dhe jep modelin për reagimin e të tjerëve. Siç e demonstron edhe Alistair Begg-u, Nehemia është një shembull i shkëlqyer për udhëheqjen që ka Perëndinë në qendër. Me një varësi në lutje te Perëndia, Nehemia themelon një vizion dhe një plan praktik për rindërtimin e mureve të rrënuara përreth Jerusalemit. Përmes këtij shembulli, ne shohim se si i pajis Perëndia njerëzit e zakonshëm me dhunti të jashtëzakonshme, për t’u ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme për lavdinë e Tij.
Temat:
- Personazhet biblike
- Mendësia e krishterë
- Udhëheqja e kishës
- Varësia në Perëndinë
- Besnikëria e Perëndisë
- Shërbesa
- Lutja
Transkripti:
Themelimi i një vizioni
Nehemia 1:1–2:10
Nehemia, kapitulli 1:
“Fjalët e Nehemias, birit të Hakaliahut. Ndodhi që në muajin e kislevit, në vitin e njëzetë, ndërsa unë ndodhesha në kalanë e Suzas, arriti nga Juda Hanani, një nga vëllezërit e mi, bashkë me disa burra të tjerë. Unë i pyeta lidhur me judenjtë që kishin shpëtuar, që ishin kthyer gjallë nga robëria dhe lidhur me Jerusalemin.
Ata më thanë: «Ata që kanë shpëtuar nga robëria, janë atje poshtë në krahinë, në një mjerim të madh dhe të poshtëruar; përveç kësaj, muret e Jerusalemit janë plot me të çara dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri.»
Sa i dëgjova këto fjalë, u ula dhe qava; pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjërova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit. Dhe thashë:
«Të lutem shumë, o Zot, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes dhe ke mëshirë për ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua, qofshin veshët e tu të vëmendshëm dhe sytë e tu të hapur për të dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd, që tani ta drejton ty ditën dhe natën për bijtë e Izraelit, shërbëtorë të tu, duke rrëfyer mëkatet e bijve të Izraelit, që ne kemi kryer kundër teje. Po, unë dhe shtëpia e atit tim kemi mëkatuar. Jemi sjellë shumë keq me ty dhe nuk kemi respektuar urdhërimet, statutet dhe dekretet që ti i ke urdhëruar Moisiut, shërbëtorit tënd.
Mbaje mend fjalën që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd, duke i thënë: ‘Në qoftë se do të mëkatoni, unë do t’ju shpërndaj midis popujve; por në rast se do të ktheheni tek unë dhe do të respektoni urdhërimet e mia, dhe do t’i zbatoni, edhe sikur njerëzit tuaj të shpërndarë të jenë në kufijtë e qiellit, unë do t’i mbledh që andej dhe do t’i sjell përsëri në vendin që kam zgjedhur ku të banojë emri im.’
Tani këta janë shërbëtorët e tu dhe populli yt, që ti i ke çliruar me fuqinë tënde të madhe dhe me dorën tënde të fortë. O Zot, të lutem, qofshin veshët e tu të vëmendshëm ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së shërbëtorëve të tu, që ndiejnë kënaqësi kur kanë frikë prej emrit tënd; jepi, sot, të lutem, një sukses të mirë shërbëtorit tënd, duke bërë që ai të gjejë zemërbutësi në sytë e këtij njeriu.»
Unë atëherë isha kupëmbajtësi i mbretit.
Në muajin e nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks, sapo e sollën verën para tij, unë e mora verën dhe ia zgjata atij. Unë nuk kisha qenë i trishtuar kurrë në prani të tij. Prandaj mbreti më tha: «Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës.»
Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe dhe i thashë mbretit: «Rroftë mbreti përjetë! Si mund të mos jetë fytyra ime e trishtuar kur qyteti ku janë varrosur etërit e mi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri?».
Mbreti më tha: «Çfarë kërkon?».
Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit dhe pastaj iu përgjigja mbretit: «Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë.»
Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): «Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?». Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe.
Pastaj i thashë mbretit: «Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit, që të më japin lejen e kalimit derisa të arrij në Judë, dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj.» Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua. Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trupë përcjellëse me komandantë të ushtrisë dhe kalorës.
Por kur Sanbalati, Horoniti, dhe Tobiahu, shërbëtori amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit.”
Atë, ne lutemi që me Biblat tona të hapura në duar, ti të na flasësh sot, ndërkohë që ne vijmë nga një larmi rrethanash dhe vendesh. Të lutemi, që të na tregosh sërish se çfarë do të thotë të përfshihemi në punën në të cilën na ke thirrur, sipas mënyrës që dëshiron ti. Na jep qartësi në mendime dhe në të shprehur; na jep zemra të hapura për të vërtetën tënde dhe këmbë të gatshme për të ecur në shtegun e bindjes! Bëje këtë, sepse ne të lutemi në emrin e Jezusit! Amen.
Nuk ka pikë dyshimi që mund të thoni se Nehemia jetoi vazhdimisht ballë për ballë me rrezikun. Në fakt, puna e tij e kërkonte këtë. Të qenët kupëmbajtësi i mbretit, të jepte një qartësi të jashtëzakonshme. Ishe ti që e pije i pari verën: nëse ajo ishte e helmuar, kaq e kishe—lamtumirë, Nehemia, dhe rroftë mbreti! Prandaj, për këtë pozitë të duhej të ishe një lloj personi shumë i zgjuar, ai lloj personi, të cilit nuk i shpëtonte asnjë hollësi. Duhej të ishe në gjendje ta dalloje karakterin dhe t’u kushtoje vëmendje të madhe atyre që ishin pranë, sidomos për faktin që pozita jote kishte një rëndësi kaq strategjike. Nehemia kishte një punë shumë të rëndësishme, dhe me këtë punë të rëndësishme vinin edhe përfitime të mëdha. Ai jetonte në një vend mjaft të rehatshëm, ku jo vetëm që kishte kontakt me njerëz në pushtet, por edhe ai vetë zotëronte një masë të konsiderueshme ndikimi.
Ai na prezantohet vetëm me disa fjalë. Në fillim të librit, na thuhet se kush është ai: “Nehemia, biri i Hilkijahut”, dhe nuk na thuhet gjë tjetër. Ai nuk kishte ndonjë prejardhje madhështore për të cilën të na flitet. Me pak fjalë, ai ishte dikush pa ndonjë nam të madh—sikurse shumë prej nesh; si shumë prej nesh; në fund të fundit, si të gjithë ne.
Kur ndodhin këto ngjarje? Na thuhet që ishte dimër. Ishte muaji dhjetor i vitit të njëzetë të mbretërimit të mbretit. Bëhet fjalë për pjesën e dytë të shekullit të pestë para Krishtit. Ka kaluar shumë kohë. Dëshira dhe shqetësimi i madh i Nehemias ishte shumë larg vendit ku ai punonte. Nehemia ishte në Suza, kryeqyteti i Perandorisë Medo-Persiane, një vend i cili ishte qendra e aktivitetit të botës së asaj kohe. Nehemia gjendej në një pozitë strategjike, por ishte shumë larg asaj që ishte vërtet e rëndësishme për të.
Në këtë pasazh mësojmë se atij i erdhën për vizitë një nga vëllezërit dhe disa prej miqve të tij, dhe nëse keni jetuar në mërgim, e dini se sa gjë e veçantë që është kjo: është kënaqësi e madhe të të vijnë lajme të reja—ndoshta do të të sjellin gazetat, do të zbulosh se çfarë po ndodh me ekipet e tua të parapëlqyera, do të jesh në gjendje të pyesësh se si janë njerëzit kryesorë të komunitetit që ke lënë pas. Ky është një rast i mrekullueshëm. Për katërmbëdhjetë vjet i kam pritur me padurim njerëzit që zbrisnin nga avioni dhe sillnin me vete kopje të gazetave London Times dhe Daily Telegraph, pikërisht për të njëjtat arsye. Ka shumë rëndësi për mua kur dikush nga familja vjen për të më vizituar, sepse kjo më kthen në shpirt në një zonë, në të cilën jo vetëm që kam rrënjët e mia, por edhe për të cilën ndiej një interesim të vazhdueshëm dhe të thellë.
Kështu, pra, ai lexon dhe mëson se çfarë po ndodh mes popullit të Perëndisë në vendin e Perëndisë. As koha dhe as largësia nuk kanë qenë në gjendje t’i dobësojnë shqetësimet e thella të jetës së tij. Lajmet nuk ishin të mira; këtë lexojmë në pasazh. Informacioni u përshkrua me fjalë si: “të mbijetuarit”, “mjerim”, “poshtërim”, “konsumuar nga zjarri” dhe “me të çara”. Me siguri që ai do t’i kishte duruar më lehtë goditjet ndaj trupit të tij, sesa këto goditje ndaj zemrës dhe mendjes së tij, teksa mendonte për popullin që e kishte lënë pas në këtë situatë.
Do ta marr për të mirëqenë domethënien historike të këtyre ngjarjeve, sepse do t’i keni studiuar vetë. Sidoqoftë, juve që i keni harruar, do t’ju jap një përmbledhje të shpejtë për t’jua rifreskuar. Nuk dua të mendoni se, në njëfarë mënyre, unë jam historian i Dhiatës së Vjetër, dhe madje as që jam historian fare. Më pëlqen historia dhe lexova histori në shkollën fillore. Mësuesi im i historisë quhej Norman Salmon. Ai më nguliti disa gjëra, një prej të cilave ishte një ngjarje që nuk duhet ta harroj kurrë: qyteti i Braford-it fitoi kupën e futbollit në vitin 1911. Nga të gjitha ato që mësova gjatë pesë vjetëve që e kisha mësues, e vetmja gjë të cilën nuk e kam harruar, është ajo që sapo ju thashë. Prandaj nuk po përpiqem t’ju bëj përshtypje. Edhe ju mund ta gjeni vetë këtë informacion.
Kujtoni që ishte viti 722 para Krishtit, kur asirianët pushtuan Izraelin. Kjo ishte Mbretëria e Veriut. Si rezultat i pushtimit të tij, një pjesë e popullit në veri vendosi që t’ia mbathte në jug—domethënë në Judë. Prandaj pati një emigrim të madh, një lëvizje të madhe njerëzish. Ata u vendosën në Judë, por Juda nuk po ecte mirë në marrëdhënien e vet me Fjalën e Perëndisë. Ata u tallën me lajmëtarët e tij, ata i përbuzën fjalët e tij dhe i përqeshën profetët e tij. Prandaj, si reagim ndaj premtimit të Perëndisë, në vitin 586 para Krishtit, përballemi me gjykimin, pushtimin, zinxhirët, skllavërinë dhe një marshim prej një mijë e katërqind kilometrash drejt robërisë babilonase. Sërish, populli i Perëndisë është në mërgim; ata po jetojnë nën një pushtet të huaj, ashtu sikurse etërit e tyre kishin jetuar në Egjipt. Gjatë kësaj periudhe u shkruan disa prej psalmeve—për shembull, Psalmi 137: “Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim. Si mund të këndonim këngët e ZOTIT në një vend të huaj?”. Këto fjalë po i shkruanin në përvojën e tyre të mërgimit.
Pastaj, në vitin 539 para Krishtit, Babilonia u pushtua nga Kiri; ai miratoi politikën e riatdhesimit, duke lejuar që një numër i caktuar popujsh të ktheheshin në vendin e tyre të origjinës. Kjo përshkruhet për ne në gjashtë kapitujt e parë të librit të Ezdras. Atje lexoni se si një grup i vogël njerëzish u kthyen; ata nisën të rindërtonin rrënojat, derisa projekti i tyre ndaloi si rezultat i ndërhyrjes së Artakserksit. Për këtë mund të lexoni tek Ezdra 4:23.
Tani, unë besoj se lajmi që i erdhi Nehemias, kishte të bënte me këtë shkretim të dytë: mundësitë me të cilat ishin përballur ky grup i vogël, që ishte kthyer, tani kishin humbur plotësisht. Si reagim ndaj asaj që po ndodhte me punën e Perëndisë në Jerusalem, Nehemia u pushtua nga pikëllimi.
Njerëzit mund të reagojnë ndaj rrethanave ose duke i përsëritur ato në mendjen e tyre, ose duke vajtuar për to, dhe kështu ndodh më së shumti mes njerëzve që bëjnë punën e Perëndisë tonë në kohën që jetojmë. Nuk është e vështirë të gjesh një grup njerëzish që janë në gjendje t’i përshkruajnë situatat dhe të vajtojnë për to: “Oh, mik, a nuk është e tmerrshme?” dhe “Oh, a nuk jemi vërtet në një hall të madh?”, dhe “Oh, nuk e kisha përfytyruar kurrë që gjërat do të arrinin në këtë pikë!”. Ju kaloni katër apo pesë minuta në shoqërinë e njerëzve të tillë dhe ju kap plotësisht depresioni. Ata janë shpirtra të mjerë, dhe ne jemi shpirtra të mjerë në masën që përfshihemi në këtë lloj qëndrimi.
Jo se duhet të jemi triumfalistë, fanatikë ose jorealistë, por që ne gjithmonë duhet t’i shqyrtojmë situatat—në kishë, në kishat tona dhe në punën për të cilën na ka thirrur Perëndia—nën dritën e faktit se kush është Perëndia, dhe duke e parë Perëndinë në gjithë lavdinë e tij e njeriun në hallin e tij. Sa herë që në skenën e historisë njerëzore, kur drita duket se pothuajse është shuar dhe kur rrethanat duken se janë më të errëtat, ndodh që Perëndia pasi e ka kalitur dikë pa dijeninë e të tjerëve, e ngre atë person dhe e nxjerr në skenë në atë çast në kohë. Ajo që nevojitej në këtë rrethanë, ishte një burrë i cili mund të sillte një ndryshim. Dikush tha: “Bota do t’ia hapë gjithmonë udhën atij që e di se ku po shkon.” Është e qartë që sikurse do ta shohim, Nehemia ishte dikush që mund të ballafaqohej me rrënimin dhe dëshpërimin—i cili jo vetëm që mund të ballafaqohej, por edhe mund të çante përpara. Ai ishte dikush që mund të themelonte një vizion. Kur them “të themelonte një vizion”, nuk e kam fjalën për një person që mund të flasë në termat e mundësive dramatike, por e kam fjalën për dikë që mund ta sillte të vërtetën e Perëndisë për të pasur ndikim në rrethanat e së tanishmes në mënyrë të tillë, që ai ishte në gjendje t’i inkurajonte ata që ishin pranë tij, të bëheshin partnerë në vetë punën e Perëndisë.
Këtë mund ta ilustrojmë—nuk do të kalojmë kohë për ta bërë këtë gjë—por mund ta ilustrojmë, jo vetëm nga tregimi biblik, por mund ta ilustrojmë qartë edhe nga historia e kishës. Shumë prej kishave tona kanë një mangësi të thellë në vizion. Ne përsërisim lajka dhe klishe, por nëse vërtet përpiqesh të ulesh në nivelin e asaj që po bëjmë, nuk jemi të sigurt nëse e dimë se çfarë po bëjmë. Ne jemi pak si ajo kisha e cila vendosi që të ngrinte një ndërtesë të re. U mblodhën bashkë dhe i morën vendimet si bashkësi—ata morën katër vendime: “Një, do të ngremë një ndërtesë të re për kishën. Dy, ndërtesa e re do të ngrihet aty ku është ndërtesa e vjetër. Tre, materialet nga ndërtesa e vjetër do të përdoren për të ngritur ndërtesën e re. Dhe katër, do të vazhdojmë ta përdorim ndërtesën e vjetër, derisa të ndërtojmë të renë.” A ju duket habi pastaj që nuk po arrijmë asgjë?
Kështu, Perëndia e vendosi dorën e tij mbi një burrë të zakonshëm me një dhunti të jashtëzakonshme për një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Kjo është mënyra se si ai zgjedh ta bëjë: përmes njerëzve të zakonshëm, të cilëve u jep dhunti të jashtëzakonshme, për t’u përballur me sfida të jashtëzakonshme. Ka të ngjarë që, në situata të tilla, e jeton jetën edhe shumica prej nesh. Prandaj, bëjmë mirë të marrim parasysh modelin që na jepet nga Nehemia.
Reagimi i Nehemias: Vajtimi
Dëshiroj t’ju vë në dukje disa gjëra, duke ju inkurajuar që, së pari, të vini re reagimin e tij—reagimin e tij. “Si i dëgjova këto gjëra…”, thotë ai në vargun 4. Mënyra se si reagojmë ju dhe unë ndaj rrethanave, tregon shumë për ne. Kjo vlen sidomos për ne që na janë besuar pozita përgjegjësie; ne kemi sfida të veçanta në këtë fushë, për shkak të mënyrës se si reagimet tona do të ndikojnë reagimet e njerëzve të tjerë. Askush nuk jeton për veten dhe askush nuk vdes për veten, dhe sigurisht që në udhëheqje përballemi me një sfidë reale.
Ndoshta mes nesh kemi disa pilotë të kompanive ajrore, por gjithmonë jam mahnitur kur jemi përballur me disa prej turbulencave më të forta që mendoni se një avion mund t’u bëjë ballë, kur, më në fund, dëgjoni zërin e kapitenit. Ai vjen gjithmonë me një përmbajtje të tillë: “Zonja dhe zotërinj, ju kërkoj ndjesë për atë tronditjen e vogël!”. Tavani është spërkatur me kafe, njerëzit kanë shpërthyer në ulërima dhe, në të njëjtën kohë, janë bërë takime lutjeje me njerëz të cilët as që besojnë në Perëndinë. Dhe në fund, ai del dhe thotë: “Ju kërkoj ndjesë për atë tronditjen e vogël!”
Apo në një rast tjetër, kur na u desh të ngriheshim sërish në ajër me një Boeing 747 nga Londra për në Pittsburgh. Ishim vetëm pesë kilometra larg pistës kur piloti e ngriti sërish avionin. Fëmija që ishte ulur para meje, filloi të ulëriste: “Nuk dua të vdes, mami! Nuk dua të vdes!”. Kjo ishte një situatë shumë e keqe, pasi edhe unë doja të ulërisja të njëjtën gjë. Më në fund, kur u ngritëm sërish në lartësitë e errëta, zëri i kapitenit u dëgjua sërish, duke thënë: “Më vjen keq që më duhet t’ju jap një tur të horizontit të Pittsburgh-ut sonte!” Kjo gjë më qetësoi vërtet. Nëse ai do të kishte thënë: “Au, ah, uf!”. Do të kisha bërë edhe unë si ai fëmijë.
Tani, kur mendoni për ata burrat që shkuan për të hetuar vendin, ata që u dërguan nga udhëheqja e Izraelit në librin e Numrave—dymbëdhjetë burrat që u dërguan për të zbuluar Kanaanin, siç thotë edhe kënga e fëmijëve: “Dhjetë ishin të ligj, dy ishin të mirë.” Të gjithë ata panë të njëjtat gjëra, të gjithë përjetuan të njëjtin vend, të gjithë u përballën me të njëjtat sfida, të gjithë ishin të vetëdijshëm për të njëjtat mundësi dhe dhjetë prej tyre thanë: “Ndryshim plani. Nuk duhet ta bëjmë këtë; nuk mund të bëhet; në atë vend ka gjigantë.” Mirëpo, dy prej tyre thanë: “Me Perëndinë mund ta pushtojmë vendin.” Këta ishin Kalebi dhe Jozueu. Raporti më duket që është i njëjti, si në mbledhjet tuaja, ashtu dhe kudo tjetër: nëse mbledh dymbëdhjetë burra, dhjetë prej tyre e dinë pse nuk mund të bëhet, dhe udhëheqjes i duhet të jetë gati të çohet dhe të reagojë në një mënyrë tjetër.
Prandaj, reagimi i Nehemias është shembull për ne. Vini re thellësinë e përkushtimit të tij dhe gjerësinë e dhembshurisë së tij. Ky nuk është një vajtim formal nga ana e tij. Siç do ta shohim, ky nuk është një shqetësim nga ana e Nehemias për ndërtesat, muret dhe portat. Ai nuk po vajtonte për arsye se muret ishin rrëzuar. Ai po vajtonte për shkak të asaj që përfaqësonin muret e rrëzuara. Duke qenë se lavdia e Perëndisë po shkelej me këmbë mbi kodrat e Judesë, të gjithë popujt po e shihnin këtë skenë dhe po thoshin: “Hë, pra, ku është Perëndia juaj?”. Kjo ishte pikërisht ajo që po bënin burrat dhe gratë.
Javën e kaluar isha sërish në qytetin tim, në Glasgow, dhe vazhdimisht po shihja ndërtesa kishash që janë kthyer në xhami—në qytetin ku u rrita me moton: “Le të lulëzojë Glasgow nga predikimi i Fjalës dhe nga lavdërimi i emrit të tij.” Po kishat? Më kuptoni, nuk shqetësohem për ndërtesat, nuk e vras mendjen për to, por shqetësohem për atë që ato përfaqësojnë.
Nëse e keni lexuar komentarin e John Stott-it për librin e Veprave të Apostujve, kur ai përshkruan se si Pali shkoi në Athinë, ju kujtohet—po e marr për të mirëqenë që e keni lexuar, dhe nëse nuk e keni lexuar, duhet të lexoni këtë pasazh te Veprat 17; është i mrekullueshëm—aty Pali flet se si shkoi në një qytet madhështor dhe se si nuk ishte bukuria e qytetit dhe as dimensioni arkitekturor i tij, që ia tejshpoi zemrën; ishte fakti i idhujtarisë në atë vend, si edhe paperëndishmëria e tij bashkë me varfërinë e skajshme të realitetit frymëror, të cilat e trazuan deri në thelb të qenies së tij. Në librin e tij, Stott-i thotë: “Kur ishte hera e fundit që ndonjë nga ne shkoi në një qytet bashkëkohor perëndimor dhe u trishtua deri në thelb të qenies së vet për shkak të zbrazëtisë tragjike të kishës së Perëndisë në kohën dhe brezin tonë?”.
Ju e kuptoni që duhet Fryma e Perëndisë për të krijuar atë lloj reagimi në jetën e një burri apo një gruaje. Ky nuk është një reagim i natyrshëm; ky është një reagim i mbinatyrshëm. Kjo, pra, e dallonte Nehemian, si një burrë me vizion mes popullit që ishte përballur me të njëjtat rrethana, por që nuk reagoi njëlloj: ai u ul, ai vajtoi. Kush do të vajtojë për takimin njëzet e dy minutësh? Do të ishte për të qeshur nëse gjendja nuk do të ishte vërtet kaq tragjike, apo jo? Nuk dua të vij te ju si profeti Amos, ama e besoj se pa një lëvizje vërtet të madhe të Frymës së Perëndisë në këtë vend, ka të ngjarë që jemi më pak se një çerek shekulli larg përsëritjes së rënies së Evropës Perëndimore. Nëse do të jemi gjallë në atë kohë, ndoshta zbrazëtia dhe vdekja e ungjillorizmit të humbur do të na bëjnë të vajtojmë.
Duhet ta kuptoni se, gjëja kryesore është që kemi nevojë për atë dimension të të kuptuarit, si burrat e Isakarit, që t’i kuptojmë kohët në të cilat jetojmë, dhe po ashtu, të kuptojmë Perëndinë që sundon mbi kohërat.
Comments are closed.