01. Shenjat e një shërbese të dhënë nga Perëndia (Pjesa 2)

Letra e Palit drejtuar Kolosianëve na siguron një standard përmes të cilit kisha e sotme mund të përcaktojë shenjat e një shërbese të dhënë nga Perëndia. Duke e parë Palin si model, Alistair Begg-u na prezanton me modelin, qëllimin dhe kënaqësinë e punës së pastorit. Me anë të energjisë dhe aftësimit të Perëndisë, pastorët mund ta paraqesin të vërtetën e Fjalës së Perëndisë në tërë plotësinë e saj, duke nxitur kështu unitet dhe pjekuri frymërore në bashkësitë e tyre.

Temat:

  • Udhëheqja e kishës
  • Varësia në Perëndinë
  • Shërbesa
  • Predikimi
  • Vuajtja

Transkripti:

Përgjegjësia e një babai dhe një nëne është t’i përgatisin fëmijët e tyre për ditën kur, pasi t’ua kenë hequr mbështetjen emocionale, sigurinë financiare e kështu me radhë, fëmija të ketë mundësi të vazhdojë të ecë vetë në jetë. Pali thotë: “Ky është qëllimi im.” Ja pse, në vargun 28, ai thotë: “duke e paralajmëruar çdo njeri”; pra, që të korrigjonte përmes udhëzimit dhe paralajmërimit. “Prandaj jap mësim kështu siç bëj.” Në të gjitha këto vende, ai dha mësim derisa e treti veten—jo sepse i pëlqente të dëgjonte zërin e tij, por sepse ishte i bindur për mesazhin.

E keni idenë sa shumë lodhem duke e dëgjuar zërin tim? E keni menduar ndonjëherë këtë? Ju thoni: “E po, e dëgjojmë ne.” Po, por unë e dëgjoj gjithë kohën. Dhe tani, falë organizatës “Truth for Life”, e dëgjoj çdo ditë, kur jam në zyrë, teksa eci korridoreve, kur dal nga studioja e radios, ndërsa prodhohen emisionet. Nuk jam i magjepsur nga tingulli i zërit tim. Nuk rrëqethem nga cilësia e mesazheve. I ruaj, në mënyrë që të qaj për to kur mendoj se sa të dobëta kanë qenë shumë prej tyre. Sepse çështja është kjo që thotë ky varg, të cilin e kemi vendosur në një nga gurët e qoshes kur hyn brenda: “Perëndia ka planifikuar ta lartësojë Fjalën e tij dhe emrin e tij përmbi çdo gjë.” Prandaj, çështja më e rëndësishme është nëse njerëzit të cilët po ushqehen, po bëhen edhe më të pjekur; nëse ata po e bëjnë lidhjen mes doktrinës dhe dishepullimit; nëse besimi i tyre po nis të funksionojë; nëse po e kuptojnë pse udhëzimi i Fjalës së Perëndisë është aq jetik për rritjen e tyre si të krishterë.

Dua ta dini që kjo është një përleshje. Është përleshje të jesh njeri që lutet. Është përleshje të jesh pozitiv. Është përleshje të vazhdosh përpara, nën dritën e pengesave dhe nën dritën e shkurajimeve. Kur njerëzit për të cilët menduat se ishin bërthama e ekipit tuaj, nuk duken më vërdallë, madje nuk vijnë as në stërvitje. Kur njerëzit te të cilët menduat se mund të mbështeteshit gjithmonë, ju kthejnë shpinën dhe largohen nga jeta juaj. Është përleshje. Nuk e them këtë që të më ngushëlloni. E them vetëm për t’u treguar i sinqertë. Është përleshje të qëndrosh në shërbesë pastorale në një kishë, javë pas jave, në vazhdimësi.

Pse ta bëni? Si mund ta bëni? Përgjigjja gjendet në varg. Sepse në vargun 29, ai thotë që është duke “u munduar” jo me energjinë e tij, por me energjinë e Perëndisë! Sepse në fund të fundit, kjo nuk është beteja e njeriut—që të mundohet. Fuqizimi i Perëndisë na jep aftësinë për të vazhduar. Kjo është po aq e vërtetë për ju sa edhe për mua.

Për aq kohë sa qëllimi im në shërbesën time pastorale është që t’ju shoh të pjekur, unë ndaj të njëjtën bindje me Palin, që këto gjëra duhet të ndodhin—sipas Kolosianëve 2:2—qëllimi im është, i pari, që ju të mund të “ngushëlloheni” në zemrat tuaja; që ju të inkurajoheni; që në thelb të gjithçkaje, ju të forcoheni, të nxiteni dhe të ndërtoheni. Madje edhe kur t’ju jepet një qortim i fortë, ta kuptoni se qëllimi është që të inkurajoheni. Edhe kur të na duhet të qortojmë, të paralajmërojmë dhe të flasim prerazi, prapëseprapë, njerëzit e Perëndisë ta kuptojnë që Fjala e tij vjen për të na inkurajuar. Ja pse ajo kënga e dashur që kemi qenë duke mësuar nga Filipianëve 2:1, është aq me vend në bashkësitë tona: “Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë përdëllim e dhembshuri, atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim.” Cili është burimi i inkurajimit? Është të qenët të bashkuar me Zotin Jezu Krisht. Në mëshirën e tij, Perëndia ka caktuar që inkurajimi të vijë brenda trupit të Krishtit nga disa burime.

Më pëlqejnë shumë disa prej heronjve të vegjël të Dhiatës së Re. A nuk ju pëlqejnë edhe juve? Mezi pres që të takohem me djaloshin Tikik. Së pari, emri i tij më pëlqen. Nuk do t’ia vendosja emrin Tikik djalit tim, por sërish më pëlqen si emër, për shkak të tingullit që ka: Tikiku. Ndoshta emrin e shkurtër ia vendosën “Tiku”. Jam i sigurt që nuk e quajtën “Kusi”. Ai përmendet tek Efesianëve 6:21: “Por, që ta dini edhe ju se si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t’jua bëjë të ditur të gjitha; të cilin e dërgova pikërisht për këtë te ju, që të dini për gjendjen tonë dhe që ai të ngushëllojë zemrat tuaja.” Të njëjtën gjë e shihni te Kolosianëve 4:8: “Unë e dërgova [Tikikun] te ju pikërisht për këtë arsye, që të njohë gjendjen tuaj dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.”

Sigurisht që është e qartë se Pali nuk ishte në gjendje që t’u ofronte personalisht të njëjtin nivel inkurajimi të gjithë atyre të cilëve u shkroi, në kishat që ai themeloi. Nuk do të ishte pritje realiste nga ana e njerëzve të cilët ishin nën kujdesin dhe mësimdhënien e tij, që të ndiheshin sikur nuk duhej të ishin në këtë pozitë, nëse nuk inkurajoheshin personalisht si rezultat i ndërveprimit personal. Ju kam thënë më parë se treguesi më i madh i dashurisë time për ju si bashkësi do të jetë nëse unë e përmbush thirrjen time, pra, që ta studioj Biblën dhe ta sjell rregullisht ushqimin për ju në një mënyrë të prekshme. Në mënyrë të ngjashme, aftësia ime për t’ju inkurajuar duhet të vijë më së shumti përmes këtij instrumenti.

Shpresoj që në vështirësitë personale, në sprovat e jetës dhe vdekjes, në martesë dhe në gjithë këto gjëra, të jem për ju një pastor sipas mundësive të mia. Kjo është ëndja e zemrës sime, është dëshira dhe thirrja ime. Mirëpo, ka shumë kohë qëkurse kam arritur në përfundimin se është e pamundur që, në një bazë ndërpersonale, unë t’i përmbush pritshmëritë tuaja ndaj meje në lidhje me inkurajimin personal. Duke e pranuar që kjo është një nga arsyet që Perëndia i ka motivuar pleqtë e kësaj kishe, jo vetëm në përfshirjen e tyre personale në shërbesën pastorale, por gjithashtu që të më rrethojnë edhe mua me një ekip pastoral. Kështu, inkurajimi mund të vijë jo vetëm nga Pali, por edhe nga Tikiku, si dhe nga të tjerët.

Sigurisht që nuk është e pazakontë që njerëzit të më thonë se kanë nevojë të flasin me mua. Është gjithashtu po aq e zakonshme që unë t’u them: “A jeni të sigurt?”. Dhe kur ata më tregojnë se për çfarë duan të flasin, i drejtoj te dikush tjetër. Është shumë e vështirë që t’i bind se nuk jam thjesht duke u përpjekur ta lehtësoj veten nga barra të cilat nuk dua t’i mbaj, por, në fakt, kam një Tikik këtu, i cili mund ta trajtojë atë çështje shumë herë më mirë nga unë dhe do të jetë në gjendje ta inkurajojë zemrën e tyre. Duke qenë se e di që ju doni të inkurajoheni, në fakt, po ju ruaj duke mos ju dhënë mundësinë të flisni me mua. 

Ju me të cilët kam qenë në vajtimin tuaj, e dini se unë mund të luaj rolin e pastorit për njerëzit në atë situatë. Ju që kam pasur privilegjin t’ju martoj, e dini se mund të bëj atë që pritet nga unë, dhe sa më shumë vjet kalojnë, aq më tepër më bën për të qarë kjo gjë. Ju që jeni përballur me vështirësi në përjetimin tuaj personal—në martesë e kudo tjetër—e dini se unë do të jem pranë jush me aq sa kam mundësi. Mirëpo, realiteti është që shumë prej jush janë shumë herë më të zotë se unë në këto gjëra. Ja pse përgjegjësia ime është t’i ndërtoj shenjtorët, që pastaj ju të bëni veprat e shërbesës.

Prandaj, po të mos kem ardhur në shtëpinë tuaj, nuk është sepse nuk ju dua. Arsyeja është thjesht që nuk e di se ku jetoni! Dhe nëse nuk kam ngrënë një vakt me ju, nuk është për shkak se nuk ju pëlqej. Nëse kam ngrënë një vakt, nuk ka të ngjarë të ketë ndodhur, sepse ju pëlqej më tepër nga të tjerët. E kuptoni? Arsyeja është thjesht që, në njëfarë mënyre, ka pasur raste të tjera të cilat kanë bërë që gjërat të ishin kështu. Me aq sa di unë, nuk kam “miq të veçantë” në kishën “Parkside” (Parkside Church). Më vjen keq për ata nga ju që gjithmonë menduan se ishin tepër të veçantë për mua! Tani sapo zbuluat që nuk jeni. Në njëfarë mënyre të çuditshme, këtë po e them si inkurajim. Ju nuk jeni më pak të rëndësishëm për mua sesa herën e fundit kur ishim bashkë, por jeni më të rëndësishëm se aq. Jam përpjekur me të gjitha aftësitë e mia që të jetoj kështu. Gjithsesi, mjaft fola për veten.

“Dua që të ngushëlloheni në zemrat tuaja; dua që të jeni të bashkuar në dashuri.” Këtë thotë ai: “të bashkuar në dashuri”. Jo në një sentimentalizëm të dobët, por në një dashuri të formuar nga e vërteta, duke u siguruar që ne ta “themi të vërtetën në dashuri”—Efesianëve 4:15; duke u siguruar që ne të jemi të bashkuar mbi bazën e kuptimit tonë për të vërtetën e Perëndisë, si dhe mbi gatishmërinë tonë për të thënë të vërtetën. Kurdoherë që brezi i së vërtetës nuk vendoset në armaturë, rezultati është pështjellimi. Dashuria dhe e vërteta janë gjithmonë të ndërthurura. Është shumë e rëndësishme që ju t’i thoni të vërtetën njëri-tjetrit—që kur keni shqetësime për një person tjetër—për një vëlla apo motër—të flisni me atë person. Është e rëndësishme që kur t’ju thuhet e vërteta, të reagoni me ndershmëri dhe të mos shtireni në heshtjen tuaj. Dështimi për ta bërë këtë gjë do ti hapë udhën një infeksioni të keq viral, i cili, herët a vonë, do të vërë poshtë trupin.

Te Kolosianëve, Pali thotë: “Dua që të inkurajoheni në zemrat tuaja, dua që të jeni të bashkuar në dashuri dhe dua që të jeni të plotë në të kuptuarit tuaj.” Në fakt, dy të parat përgatisin udhën për një të kuptuar të plotë. Ai thotë: “Zemrat e ngushëlluara dhe të qenët të bashkuar në dashuri u hap udhën pasurive të të kuptuarit të plotë.” Sepse, nëse nuk jeni ngushëlluar në zemrat tuaja dhe nëse nuk jeni të bashkuar në dashuri, do të keni një qëndrim të keq. Dhe kur keni një qëndrim të keq, nuk mund ta pranoni Fjalën e Perëndisë. Kur nuk mund ta pranoni Fjalën e Perëndisë, nuk mund të keni një të kuptuar të plotë. E gjithë kjo përputhet në mënyrë të përsosur. Ja pse ne mundohemi fort që t’ju themi: “Doktrina—apo mësimi i Biblës—është jashtëzakonisht e rëndësishme.” Mund të bëjmë seri predikimesh të ndryshme nga këto që po bëjmë. Mund të bëjmë ashtu siç bëjnë shumë vende të tjera, që thjesht të themi: “Si të bësh këtë” e “Si të bësh atë”, dhe javës tjetër të themi: “Si të jesh babai i përsosur” dhe pas saj, “Si të jesh bashkëshorti i përsosur”, e kështu me radhë. Herë pas here e bëjmë, dhe do ta bëjmë në klasa e në mënyra të ndryshme. Mirëpo, këtë nuk do ta bëjmë dietën bazë.

Arsyeja është se, edhe pse ka shumë burra që ndihen se ajo për të cilën kanë nevojë është një kurs se si të jenë bashkëshorti i përsosur ose si të jenë lloji i duhur i babait, në fakt, ajo për të cilën ke nevojë është një kurs në doktrinën biblike. Ju keni nevojë që të kuptoni se kush është Perëndia dhe se çfarë është njeriu në marrëdhënie me Perëndinë. Sepse, sapo të filloni ta jetoni këtë—sapo të filloni të kuptoni tre kapitujt e parë të Letrës Drejtuar Romakëve dhe të kuptoni që të gjithë njerëzit janë përgjegjës para Perëndisë, dhe pastaj të kuptoni mrekullinë e drejtësimit, më tej të kuptoni se çfarë do të thotë të shenjtërohesh dhe të rritesh në hirin dhe në njohjen e Krishtit, pastaj të kuptoni se nuk ka “asnjë dënim për atë që janë në Krishtin Jezus”, dhe të kuptoni që “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë”—papritur, kur filloni ta krijoni gjithë këtë strukturë madhore, aftësia juaj për të qenë bashkëshort dhe baba, si dhe gjithë këto gjëra të tjera, do të marrin drejtim. Kjo nuk do të thotë që nuk do të përfitoni nga librat e tjerë apo që nuk keni nevojë për përgjigje për pyetjen tuaj. Por ajo nuk është realisht pyetja juaj!

 Në këtë moment, kisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është njëfarë përjetimi i dorës së tretë—një tufë strategjish pragmatike “si të”. Kisha është afër rrëzimit të saj. Kjo po ndodh sepse njerëzit nuk po kalojnë kohë për t’i hedhur si duhet themelet e doktrinës biblike. Menjëherë sa të shpërthejnë era dhe valët e të përplasen mbi këtë shtëpi, ajo do të rrëzohet me një shkatërrim të madh.

Nuk është gjë shumë spektakolare të kalosh një kohë të tillë me themelet. Nuk është aq spektakolare të përjetosh një rritje kaq të ngadaltë. Nuk është edhe aq spektakolare që t’i bësh gjërat në këtë mënyrë. Arsyeja e vetme është sepse qëllimi ynë kryesor është që ju të ngushëlloheni në zemrat tuaja, të bashkoheni në dashuri dhe të jeni të plotë në të kuptuarit tuaj. Ja pse në vargun 4, Pali thotë: “Dhe ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse.”

A nuk është interesante kur fëmijët tuaj kthehen në shtëpi nga një udhëtim—një nga rastet e para kur shkuan në pazar ose në një treg fshatar dhe kishin pak para në xhep? Ata kthehen dhe të thonë se si bënë një blerje shumë të mirë; personi u kërkoi 15 dollarë, pastaj tha që nuk do t’u merrte 15, por 12 dollarë. Më pas e uli çmimin nën 12 dollarë, derisa arriti në 5 dollarë. Dhe fëmijët jua tregojnë sendin për të ardhur keq, që kanë blerë dhe ju kuptoni që ai nuk vlen as një dollar e gjysmë. Ata janë mashtruar nga fjalët lajkatare. Pra, çfarë bëni ju? Ju përpiqeni të flisni me ta, të flisni për përjetimin dhe u tregoni, i udhëzoni dhe i maturoni, që të mos ua hedhin sërish.

Shumë të dashur, kështu është edhe kjo gjë për të cilën po flasim. Ndërsa mendoni për udhëzimet e Fjalës së Perëndisë nga katedra e predikimit javë pas jave—sidomos kur nuk jam me ju—dëgjoni: mësoni t’i shqyrtoni të gjitha mësimet mbi vërtetësinë e përmbajtjes së tyre dhe jo mbi bazën e paketimit tërheqës! Mësoni si ta vlerësoni mësimin në bazë të vërtetësisë së përmbajtjes së tij, jo mbi bazën e paketimit tërheqës! Asgjë nuk është më e rrezikshme sesa arsyetimi i dobët, i ndërthurur me të folurit shpejt. Nëse një bashkësi nuk është pjekur dhe udhëzuar në aspektet e doktrinës biblike, atëherë ata do të bien pre e arsyetimit të dobët, të ndërthurur me të folurit shpejt.

Kënaqësia e shërbesës së pastorit

Mendimi i fundit për të cilin do të flasim, është kënaqësia e shërbesës së pastorit. Cila është kënaqësia në shërbesë? Ka kaq shumë kënaqësi sa mund të mbetemi këtu tërë ditën. Mirëpo, kënaqësia që ai përmend në vargun 5, është shumë e qartë. Ai thotë: “Sepse, edhe pse në mish nuk jam aty, në frymë jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.”

Ai përdor dy metafora ushtarake në këto folje—apo ndajfolje. Rregulli të cilit i referohet Pali, është rregulli i njerëzve të radhitur në ushtri. Ky rregull është e kundërta e shpërndarjes kaotike. Unë nuk kam shërbyer kurrë në ushtri; e kam dëgjuar babanë tim derisa jam mërzitur tek më ka treguar për kohën kur ka shërbyer në ushtri, prandaj ndihem sikur të kem qenë vetë atje. Ama këtë e di: në kohën e karantinës, në periudhën e trajnimit—nëse e di saktë—rreshteri nuk i merr rekrutët dhe t’u thotë shokëve të tij: “E dini çfarë? Ky është Xhorxhi. Ai ka një qese me petulla. Ky tjetri është Fredi. Ai do të na sjellë kafen dhe limonadën, çfarëdo që t’ju pëlqejë. Ajo që dua të bëni është kjo, dua që të gjithë të mblidheni bashkë dhe të njiheni me njëri-tjetrin dhe t’i tregoni gjëra njëri-tjetrit. Dua që të filloni ta pëlqeni njëri-tjetrin dhe të jeni si një grup i lumtur kampistësh. Pastaj, në fund, unë do të vij pas disa ditësh dhe kur të jeni të gjithë të bashkuar në mënyrë të përsosur, të inkurajuar dhe të përkushtuar, atëherë do të shohim nëse mund të shkojmë dhe të luftojmë—të luftojmë realisht në luftë.”

Kjo është një ide qesharake, apo jo? Çfarë bën rreshteri? Ai thotë: “Dakord, djema! Mua më quajnë Fredi. Unë jam rreshteri juaj i parë. Ulu, Xhouns (Jones)! Dhe mbylle gojën! Tani je në ushtri.” Pastaj, ai u kërkon një përkushtim absolut ndaj urdhrave të tij. Ai nuk e vret hiç mendjen nëse Fredi e pëlqen Billin, apo nëse Billi do që ta kalojë gjithë jetën me Rodnin. Ai as që e mendon këtë gjë. Kjo ndodh sepse ai ka një betejë për të luftuar, ka një ushtri për të disiplinuar, dhe ata duhet të jenë të rregullt.

Sapo të organizohen në rregullsi nën urdhrat e oficerit, në bindje ndaj urdhrave që u jepen, ata dalin në luftë dhe e kuptojnë se kush është armiku real. Në këtë çast ndodhin disa gjëra. Së pari, ata nuk luftojnë njëri-tjetrin. Ata nuk luftojnë njëri-tjetrin. Gjatë kohëve të armëpushimit, kur u jepet mundësia të luajnë ping-pong etj., ushtritë mund ta luftojnë njëra-tjetrën, por nuk mund ta bëjnë këtë kur janë në grykë të mitralozit. Sa herë që një kishë lufton me veten, ju garantoj për një gjë me një siguri absolute: kisha nuk po e dallon më armikun real.

Ja një gjë interesante që ndodh: Nga ajo rregullsi dhe nga ai përkushtim i bashkuar ndaj oficerit komandues dhe ndaj urdhrave, çfarë shihni kur shkoni në McDonalds dhe aty janë një grup pleqsh me kapelet e tyre plot medalione? Do të shihni që kur ata hapin portofolat, shpesh nxjerrin fotografi të vjetra nga koha kur ishin në ushtri, fotografi me cepat e grisur—të burrave të cilët nuk i kanë takuar për dyzet e pesë vjet, të cilët i donin fort, jo sepse të dy shkuan në të njëjtën shkollë, jo sepse të dy kishin të njëjtat interesa në jetë, jo sepse kishin një qasje të njëjtë ndaj gjërave, por sepse ishin thirrur të shërbenin nën të njëjtat urdhra.

Doni të kuptoni se çfarë do të thotë të jeni përsosmërisht të bashkuar në një mendje? Nënshtrojuni oficerit komandues dhe kushtojuni vëmendje urdhrave që janë lëshuar. Do të bësh miq si kurrë më parë. Do të zini miqtë më të mirë që keni pasur ndonjëherë në jetën tuaj. Do të bëni miq për përjetësinë. Qëndroni të palëkundur! Ai thotë: “Jam shumë i kënaqur. Jam shumë i kënaqur teksa shoh sa të rregullt jeni dhe jam i ngazëlluar të shoh sa i qëndrueshëm që është besimi juaj.”

Na mbaroi koha. Gjithmonë lutem për një gjë për fëmijët e mi. Gruaja ime e di, sepse kjo tashmë është kthyer në një klishe në lutjet e mia; jam i sigurt që edhe ju keni klishe në lutjet tuaja. Mirëpo, kur unë lutem për fëmijët e mi, gjithmonë lutem për të njëjtën gjë; Lutem edhe për gjëra të tjera, por gjithmonë lutem kështu: “Zot, të lutem që fëmijët e mi të mund të rriten duke të të dashur ty dhe duke të të shërbyer ty. Çfarëdo tjetër që të ndodhë, kudo që të shkojnë, çfarëdo ndikimi që të kenë, çfarëdo gabimesh që mund të bëj unë, çfarëdo dështimesh që mund të kem si baba, lutem që në mëshirën tënde të madhe, ata të rriten thjesht duke të të dashur dhe duke të të shërbyer ty.” Kjo është pikërisht ajo për të cilën lutem për fëmijët e mi këtu në kishën “Parkside”. Çfarëdo tjetër të ndodhë, lutem që ju të rriteni duke e dashur Zotin Jezus, ashtu siç po bëni tani. Kënaqësitë më të mëdha në shërbesën pastorale, në vetëdijen për pamjaftueshmërinë tonë për këtë detyrë, është që të sigurohem që fëmijët tanë po ecin në të vërtetën.

Në provaninë dhe mirësinë e tij, Perëndia më dha një inkurajim të vogël në lidhje me këtë çështje, madje që pas takimit tonë të parë. Dikush erdhi pas meje sipër shkallëve në zyrën time. Gjithashtu, arsyeja pse nuk vij t’ju takoj te dera ndërmjet takimeve, është sepse kam frikë ta bëj. Kam frikë se ndonjëri prej jush do të më bëjë një pyetje e cila do të më shpërqendrojë krejtësisht nga përgjegjësia që do të më duhet të përmbush. Kjo është. Përndryshe, do të kaloja kohë me ju, sidomos po të më qerasni me petulla. Mirëpo, kjo është arsyeja pse shkoj dhe fshihem. E po, kësaj here njerëzit më ndoqën nga pas dhe trokitën në derën e zyrës sime. Hodha vështrimin nga muri dhe thashë me vete: “Edhe kjo më duhej.” U përgjigja: “Po?”. Ata hynë brenda—hynë për të më thënë se afërsisht dy vjet e gjysmë më parë, kishin kërkuar për një kishë, kishin kërkuar një vend ku Perëndia do t’u fliste në zemër. Ata ishin gati të transferoheshin për të jetuar në Indiana. Ata erdhën thjesht për të thënë: “Faleminderit, sepse këtu dëgjuam mesazhin, këtu u rritëm në pjekuri dhe këtu e kuptuam që këto gjëra janë absolutisht të rëndësishme.”

Ja edhe një mendim i fundit. Do të habiteshit nëse do të largoheshit pa këtë—sidomos kur t’ju them se çfarë është. Cila do të jetë sfida më e madhe për këtë bashkësi gjatë dymbëdhjetë apo trembëdhjetë javëve të ardhshme?  Jo mungesa ime. Sfida më e madhe do të jetë takimi i së dielës në mbrëmje, sepse e kam vënë re, kam parë shifrat kur nuk kam qenë këtu. Ju që keni frikë nga unë dhe vini në takimin e mbrëmjes sepse keni frikë që do t’ju vij në shtëpi për një vizitë ditën e hënë, duket qartë që nuk jeni aq të frikësuar nga personi i cili zë vendin tim, prandaj nuk vini në takim. Kam një fjalë nxitjeje për ju: A do të vendosni me lutje që të përkushtoheni për të ardhur në takimet e adhurimit në mbrëmje gjatë muajve të verës? Pasi ta keni marrë këtë zotim për të ardhur në takimet e mbrëmjes, a mund ta përshtatni orarin tuaj për ta bërë të mundur këtë gjë, në vend që ta shihni takimin e mbrëmjes si një nga zgjedhjet të cilën do ta lëvizni pasi të keni vendosur gjërat e tjera? A do ta bëni?

Djali më thotë që duhet të jem këtu, duke filluar nga njëzet e tetë korriku, sepse ai ka dy stërvitje në ditë. Me aq sa e kuptoj unë këtë praktikë çnjerëzore, ata mblidhen të gjithë bashkë, u bërtasin fort dhe djersiten derisa rropaten nga ora shtatë e gjysmë në mëngjes e deri në orarin e drekës. Pastaj shtrihen në dysheme për afërsisht dyzet e pesë minuta dhe pastaj çohen; pasdite, ata djersiten sërish për katër orë të tjera. Kjo është stërvitja dy herë në ditë. Duket qartë që ai mezi e pret këtë. “Më lini ta kuptoj këtë: e bëni këtë gjë për t’u harbuar pas një topi të premten në mbrëmje. Apo jo? Do të merrni një muaj nga jeta juaj, do të merrni çdo ditë nga jeta juaj me përjashtim të së shtunës dhe të dielës, do t’i kaloni shumicën e orëve të ditës me qëllim që të jeni në formë, gati, të bashkuar, të keni kuptuar skemën e lojës dhe të keni besim te trajneri? Provojeni!”. “Këtë do të bëj, babi.” Unë ia ktheva: “Do të doja ta bëja atë lloj përkushtimi dhe ta zbatoja në jetën time, në leximin e Biblës, në lutje dhe në bashkësi me popullin e Perëndisë.” A do të përkushtoheni ndaj dy takimeve në një ditë?

Le të lutemi:

Perëndia dhe Ati ynë, ne të falënderojmë për Fjalën tënde, që ajo është një llambë që ndriçon shtegun tonë. Ajo është ushqim për shpirtin tonë. Të falënderojmë për shembullin e mrekullueshëm të apostullit Pal, për modelin e tij—për misionin që ti i dhe atij, për mesazhin tënd, për metodologjinë që nuk të linte shumë mbresa në kohën e tij, dhe po ashtu edhe në kohën tonë. Faleminderit për qëllimin e tij të qartë—që njerëzit e tij të ngushëlloheshin në zemrat e tyre, të bashkoheshin në dashuri, të kishin një të kuptuar të plotë. Kështu qoftë! Faleminderit, Zot, për mënyrën se si ai pati mundësi t’i nxiste ata. Duke shpallur kënaqësinë e tij, ai tha: “Gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.”

Zot, teksa hedh vështrimin mbi njerëzit e mi sot, edhe unë them të njëjtën gjë. Sa gëzim i mrekullueshëm që është të shoh jetë të përputhura me të vërtetën tënde, të radhitura nën kryesinë tënde, të nënshtruara ndaj urdhrave të tua të prera dhe të palëkundura për kauzën e ungjillit! Për këtë qëllim, ne lutemi që të derdhësh Frymën tënde mbi ne. Na shpëto nga krenaria, na shpëto nga shkurajimi, na mbaj në shtegun e duhur, që në çdo rast të jemi ndihmë dhe jo pengesë për njëri-tjetrin!

Zoti na bekoftë dhe na ruajttë! Zoti bëftë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi ne dhe u tregoftë i hirshëm me ne! Zoti ktheftë fytyrën e tij mbi ne dhe na dhëntë paqe, sot e përjetë! Amen!

Materiale Burimore

Transkript: 01. Shenjat e një shërbese të dhënë nga Perëndia

Transkript: 01. Shenjat e një shërbese të dhënë nga Perëndia (Pjesa 2)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}