Letra e Palit drejtuar Kolosianëve na siguron një standard përmes të cilit kisha e sotme mund të përcaktojë shenjat e një shërbese të dhënë nga Perëndia. Duke e parë Palin si model, Alistair Begg-u na prezanton me modelin, qëllimin dhe kënaqësinë e punës së pastorit. Me anë të energjisë dhe aftësimit të Perëndisë, pastorët mund ta paraqesin të vërtetën e Fjalës së Perëndisë në tërë plotësinë e saj, duke nxitur kështu unitet dhe pjekuri frymërore në bashkësitë e tyre.
Temat:
- Udhëheqja e kishës
- Varësia në Perëndinë
- Shërbesa
- Predikimi
- Vuajtja
Transkripti:
Ju ftoj tani ta hapni Biblën bashkë me mua te Dhiata e Re, Letra drejtuar Kolosianëve kapitulli 1—Kolosianëve 1:24.
Apostulli Pal u shkruan besimtarëve që banojnë në luginën e Kolosit, dhe u thotë:
“Dhe tani gëzohem në vuajtjet e mia për ju dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha, shërbenjës i së cilës u bëra unë, sipas administrimit të Perëndisë që m’u dha për ju, që t’jua paraqes të plotë fjalën e Perëndisë, misterin që u mbajt i fshehtë gjatë shekujve dhe brezave, por që tani iu shfaq shenjtorëve të tij, të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur se cila është pasuria e lavdisë së këtij misteri ndër paganë, që është Krishti në ju, shpresa e lavdisë, që ne e kumtuam, duke e paralajmëruar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jezus.”
“Për këtë edhe mundohem duke u përpjekur, sipas veprueshmërisë së tij që vepron tek unë me fuqi. Sepse dua që të dini ç’luftë të madhe kam për ju dhe ata që janë në Laodice dhe të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time në mish, që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u lidhur në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të mençurisë, për të njohur misterin e Perëndisë, pra, edhe të Atit edhe të Krishtit, ku janë fshehur të gjitha thesaret e urtësisë dhe të njohjes. Dhe ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse, sepse, edhe pse në mish nuk jam aty, në frymë jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.”
Amen.
“Sepse dua që të dini ç’luftë të madhe kam. Sepse dua që të dini ç’luftë të madhe kam.” Këto nuk janë fjalët e mia. Këto janë fjalët e Palit. Prandaj i lexojmë në Letrën Drejtuar Kolosianëve. Në kapitullin e dytë, ai i thotë kishës në Kolos: “Nuk dua të dini thjesht që po luftoj për ju, por dua që të dini sa shumë po luftoj.” Këtu ai përdor një fjalë interesante. Kjo është një fjalë e cila përshkruan shërbesën e tij apostolike. Është një fjalë shumë e sinqertë. Është një fjalë e cila tregon thellësinë e ndjenjave të tij për këta besimtarë të dashur. Kjo është një fjalë e cila vë në dukje natyrën rigoroze të shërbesës në të cilën ai është thirrur. Kjo është gjithashtu një fjalë të cilën e njohin mirë të gjithë ata që janë të përfshirë në shërbesë pastorale.
Vargjet e fundit që lexova, sigurojnë jo vetëm për kishën në Kolos, por edhe për kishën në çdo brez, një standard me anë të të cilit mund të përcaktojmë se “Cilat janë shenjat e një shërbese të dhënë nga Perëndia?”. Çfarë duhet të bëjnë pastorët në përgjithësi? Dhe si do të jemi në gjendje të vlerësojmë se si duket një shërbesë e dhënë nga Perëndia? Si do të jemi në gjendje të vlerësojmë natyrën e udhëheqjes frymërore?
Në këto vargje para nesh nuk kemi një trajtim shterues të kësaj teme, ama sigurisht që kemi një trajtim të dobishëm të saj. Pali shkruan kështu, duke i ftuar besimtarët kolosianë që ta shqyrtojnë thirrjen e tij, formën e shërbesës së tij dhe synimet e tij. Realisht, edhe unë ju ftoj që të bëni të njëjtën gjë. Nuk po mendoj më së pari dhe ekskluzivisht për veten time, por po mendoj për natyrën e përgjithshme të asaj se çfarë do të thotë të thirresh në shërbesë pastorale. Dëshiroj të dallojmë një rrjedhë përmes vargjeve, duke vënë re tri gjëra: së pari, modelin e shërbesës të pastorit, pastaj qëllimin e e shërbesës së pastorit dhe si përfundim, kënaqësinë e shërbesës së pastorit.
Modeli i shërbesës së pastorit
Cili, pra, është modeli i shërbesës pastorale? Ai model na është siguruar qartë nga apostujt, si përmes udhëzimeve të tyre, ashtu edhe përmes shembullit të tyre—me fjalë të tjera, nga udhëzimi i tyre dhe nga vetë jeta që ata jetuan. Mbi këtë themel të fortë, Pali mbështetet për ta kaluar stafetën e besimit në duart e pasuesit të tij, Timoteut. Ai e nxit Timoteun sipas të njëjtave parime për shërbesën pastorale, që ai vetë, apostulli i madh, ka themeluar në mundësitë dhe përgjegjësitë e privilegjuara, për të cilat Perëndia e kishte thirrur atë. Prandaj, duke parë se cili ishte modeli apostolik, ne dallojmë që modeli i vetëm që kemi për shërbesën pastorale, është ai që na është dhënë si shembull nga vetë apostujt. Edhe pse ka një dallim të qartë dhe të dukshëm mes një apostulli (pasi një apostull ishte një nga anëtarët e një grupi të caktuar dhe të papërsëritshëm individësh) dhe një pastori (i cili është njëri prej disa individëve)—edhe pse ka një dallim i cili duhet pranuar, ka gjithashtu pika të qarta ndërlidhjeje, të cilat mendoj se do të bëhen të dukshme përgjatë studimit tonë.
Prandaj, në këtë model për shërbesën pastorale, dua që të dalloni më së pari misionin në të cilin është thirrur pastori. Pali e trajton këtë te Kolosianëve 1:25. Ai thotë kështu për marrëdhënien e tij me kishën—duke menduar më gjerë se kaq, për të gjitha marrëdhëniet në Kolos—ai thotë: “...shërbenjës i së cilës u bëra unë, sipas administrimit të Perëndisë që m’u dha.” Kjo trajton pyetjen themelore “Si bëhet dikush pastor?”. Ose e thënë akoma më mirë: “Si e përcakton Bibla ngjizjen e shërbesës pastorale?”. Përgjigjja është që ju nuk dilni vullnetar. Përgjigjja është: ju nuk bëni zgjedhjen për t’u përfshirë në këtë gjë mes shumë zgjedhjeve të tjera. Për shembull, dikush thotë me vete: “Mendoj se mund të bëj këtë, atë apo këtë tjetrën—ose ndoshta mund të jem një pastor.” Pastaj mendohet për disa çaste dhe thotë: “Mendoj gjithashtu... Po! Mendoj që do të jem një pastor!”. Nuk është kjo mënyra se si ndodh. Nuk e zgjedh pastori detyrën apo misionin e tij. Shërbesa pastorale jepet nga Perëndia, prej qiellit. Kjo gjë modelohet gjithandej në Shkrime, nga thirrja e Perëndisë dhe e shërbëtorëve të tij në Dhiatën e Vjetër, gjatë gjithë profetëve, dhe pastaj me dishepujt e deri te vetë apostujt. Bibla e bën shumë të qartë që Perëndia është ai i cili e merr iniciativën në gjithë këtë çështje.
Gjatë shtegut të zhvillimit të udhëheqjes sonë, gjatë këtyre viteve të fundit kemi qenë duke punuar me disa libra: një e kemi studiuar me pleqtë e kishës të dielave në mëngjes. Ne kemi studiuar librin Njihe të vërtetën (Know the Truth) dhe kjo ka qenë një nga kohët më të mira, të cilën e kam shijuar në këtë kishë. Me ekipin tonë pastoral, kemi qenë duke studiuar një libër të vogël të titulluar Pastorë dhe mësues (Pastors and Teachers). Mirëpo, gjatë studimit të këtij libri, Derek Prime-i thekson këtë gjë të cilën po jua sugjeroj juve. Më lejoni ta citoj:
Këshilla që jepet shpesh është: “Nëse ke mundësi ta anashkalosh hyrjen në shërbesë [pastorale], bëje! Nëse mund të bësh diçka tjetër, bëje!”. Kjo është këshillë e mençur. Nëse është me vend që një burrë t’ia kushtojë veten tërësisht shërbesës së ungjillit, do të ndiejë se kjo është gjëja e vetme që mund të bëjë. John Ryle-i, peshkopi i Liverpool-it nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, nuk kishte një ndjesi të hershme thirrjeje për në shërbesë, dhe kur tregoi për vendimin e tij që të hynte në shërbesë, të gjithë u befasuan. Shpjegimi i tij ishte: “U ndjeva i shtrënguar që ta bëj dhe nuk pashë asnjë shteg tjetër të hapur për mua.”
Si mund ta dish që je i thirrur në shërbesë pastorale, kur në mënyrë absolute s’mund të bësh asgjë tjetër? Nëse mund të bësh ndonjë gjë tjetër, bëje! Kjo sepse misioni—caktimi—vjen nga Perëndia, prej qiellit, në kohën e duhur, mbi tokë, tek individë të pazakontë.
Ti mund të thuash: “A mendon se çdo pastor është në rolin e vet si pasojë e një caktimi hyjnor?”. E po, nuk më takon mua të gjykoj. Gjithsesi, mendoj se ka tregues të qartë kur Perëndia e ka caktuar dikë në një detyrë, dhe po ashtu ka mospërputhje të dukshme, kur duket që personi thjesht e ka zgjedhur vetë këtë detyrë. Prandaj, djemve të rinj, në jetët e të cilëve Perëndia ka filluar të lëvizë, u them: Vazhdoni ta kërkoni atë, vazhdoni ta ndiqni atë, por kini kujdes që të mos bëheni si disa prej këtyre mësuesve kolosianë, të cilët ishin bërë vetë mësues! Ata të linin mbresa, por ishin edhe të rrezikshëm. Ata ishin si profetët për të cilët foli Jeremia te Jeremia 23, ku vetë Perëndia flet përmes profetit të tij dhe u thotë këtyre individëve: “Unë nuk i kam dërguar ata profetë... por ata kanë profetizuar.” Në fakt, do të jetë e dukshme për të gjithë, kur një burrë është në vendin që i është caktuar në mënyrë hyjnore.
Pra, modeli është që misioni jepet nga Perëndia; ai nuk është thjesht një zgjedhje e njeriut. Së dyti, mesazhi është një mesazh i dhënë nga Perëndia. Nëse u hidhni një sy vargjeve që lexuam, do të vini re që, te Kolosianëve 1:25, Pali thotë se është përgjegjësia dhe privilegji i tij i qartë—“që t’jua paraqes të plotë fjalën e Perëndisë”—“të plotë”. Me fjalë të tjera, jo thjesht të japë disa predikime të vogla për të krishterë të vegjël—që të mos jetë si pastori për të cilin ishte thënë: “Ai ka dhjetë mijë tekste, por të gjitha predikimet e tij janë njëlloj”. Prandaj nuk kishte rëndësi se ku ishte në tekst, ju gjithmonë dëgjonit të njëjtin predikim, çfarëdo që të ishte. Thirrja e Palit ishte që ta paraqiste të plotë Fjalën e Perëndisë. Kjo nuk vjen si rezultat i pesë minutave studim të shtunën në mbrëmje. Kjo nuk vjen si rezultat i pesë orëve studim. Kjo vjen si rezultat i orëve të tëra të studimit dhe kjo është pjesë e arsyes që, duke qenë se jam thirrur për t’i ekspozuar vazhdimisht Shkrimet, javë pas jave, pleqtë e kishës, në hirin dhe mirësinë e tyre, jo vetëm që më kanë rrethuar vetë, por edhe me burra të tjerë, duke e dalluar përgjegjësinë e veçantë që bie mbi mua dhe duke më mbajtur përgjegjës që ta përmbush atë, pra, faktin që ata presin që unë ta paraqes Fjalën e Perëndisë në tërë plotësinë e saj.
Nuk kam gëzim më të madh. Nuk kam ndonjë dëshirë tjetër. Ky është privilegji i pamasë i jetës sime. Zoti më dhëntë jetë, që të arrij të kuptoj në njëfarë mase mrekullinë e asaj se çfarë do të thotë të bëj atë për të cilën jam thirrur! Falë mëshirës së tij shpresoj që predikimi i javës së ardhshme do të jetë më i mirë se ky dhe që muajt në vazhdim do të jenë edhe më të mirë se ata që kanë kaluar. Një nga përfitimet më të mëdha për mua në javët që do të vijnë, do të ishte që thjesht të mos kisha përgjegjësinë e së dielës të ardhshme, të diel pas të diele, pas të diele. S’mund t’jua shpjegoj dot se si është—e di që ka paralele—por është dhuratë e mrekullueshme nga ju për mua, që të më lironi nga ajo përgjegjësi për dymbëdhjetë apo trembëdhjetë javët në vazhdim. Dua që të gjithë ta dini se sa shumë e vlerësoj këtë gjë. Kjo për arsye se dua t’i kushtohem leximit, mendimit, lutjes dhe dëgjimit, që të mund të jem edhe më i aftë për ta përmbushur modelin e shërbesës, pasi më është dhënë një mision dhe më është dhënë një mesazh.
Te Romakëve, Bibla na thotë që mënyra se si ngjizet besimi është që ai, “pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë”. Prandaj, Perëndia përdor Fjalën e tij për t’i sjellë burrat dhe gratë në besim. Dhe Bibla gjithashtu thotë që njerëzit ndërtohen me anë të udhëzimit të Fjalës—që ata bëhen të krishterë të fortë dhe të qëndrueshëm. Prandaj, çdo shërbesë e cila e anashkalon ose e nënçmon vendin dhe përparësinë e mesazhit të plotësisë së shpalljes së Perëndisë, është një shërbesë që, në fund, nuk do të sjellë dobi. Ja pse, për shembull, kur Pjetri u ripërtëri nga Jezusi herët atë mëngjes, kur u takuan bashkë, dhe Jezusi e pyeti tri herë: “A më do ti mua? A më do mua, Pjetër?”. “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Ai i tha: “Kulloti qengjat e mi! Pjetër, a më do ti mua?”. “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Ai i tha: “Ruaji delet e mia! Pjetër, a më do me të vërtetë?”. “Po, Zot, të dua!” “Kulloti delet e mia!”
Është interesante, apo jo, që përgjegjësia e bariut, në fakt, nuk është që t’i ushqejë delet, në kuptimin që ta marrë barin dhe t’ua ngjeshë në gojë. Ka përgjegjësi të caktuara për qengjat, dhe sidomos për qengjat që nuk janë mirë—që t’i mbajë afër, t’i ushqejë dhe t’u japë qumësht me biberon. Mirëpo, ju nuk i ushqeni delet. Në fakt, gjyshi im ishte bari. Nuk shikoni barinj me desh të mëdhenj në prehër. E keni parasysh? Duke i lëvizur brirët e tyre në një anë, që të mund të lexojnë gazetën dhe t’u thonë: “Hajt, pra! Hajeni barin, hajeni barin!”. Përgjegjësia e bariut është t’i udhëheqë delet në kullotë, dhe ato hanë. Ato hanë. Prandaj, pyetja në të vërtetë është nëse barinjtë në këtë kishë po ju udhëheqin në kullota. Pastaj, pyetja tjetër është: A po kullotni ju? Nuk presim që delet e pjekura t’i ushqejmë me lugë apo me biberon.
Pyetja reale është kjo: Në mesazhin që po shpallet, a janë idetë e njeriut apo vetë e vërteta e Fjalës së Perëndisë? Sepse, në Kolos kishte njerëz të cilët shkonin pas lloj-lloj gjërash. Prandaj, në vargun 8 të kapitullit të dytë, Pali thotë: “Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën pre të tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit.” Mos lejoni askënd që të vijë dinakërisht te ju dhe t’ju japë një thes me broçkulla! Sigurohuni që ai burrë është një burrë me një mision, dhe sigurohuni gjithashtu që mesazhi që ai sjell, të ketë qëllimin që t’jua paraqesë Fjalën e Perëndisë në tërë plotësinë e saj, varg pas vargu, rresht pas rreshti, kapitull pas kapitulli—ndryshe nga profetët e rremë te Jeremia 23, për të cilët thuhet: “Unë nuk i kam dërguar ata profetë... por ata kanë profetizuar.”
Metodologjia është gjithashtu e qartë. Pali është një predikues. Ai po u paraqet atyre, siç thotë në vargun 1:25, “fjalën e Perëndisë”, dhe në vargun 28, ai po u shpall atyre gjithë sa kanë nevojë. Ai po i qëndron besnik thirrjes së tij. Kjo është pikërisht ajo që na nevojitet; kjo është mënyra se si duhet ta vlerësojmë se sa mirë po ecin gjërat. Te kapitulli 20 i Veprave, ai thotë këtë për shërbesën e tij mes efesianëve: “...sepse nuk u tërhoqa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë.” “Nuk ju fsheha asgjë. Nuk u përpoqa t’i zbukuroja gjërat. Nuk u përpoqa të isha ai tipi i pëlqyeshëm. Nuk jam përpjekur t’ju bëj që të më pëlqeni. Ka gjëra të cilat janë të dhimbshme. Ka gjëra të vështira për t’u pranuar”, thotë ai. “Por unë jam përpjekur—me aq sa ju ma njihni zemrën—që t’ju shpall gjithë këshillën e Perëndisë që”, ashtu siç thotë Pjetri, “edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.” Kjo është prova reale.
Derek Prime-i shkruan sërish për këtë gjë dhe thotë:
Nuk është e lehtë të jemi të ekuilibruar në prezantimin tonë të së vërtetës së Perëndisë. William Burns-i, një misionar i hershëm skocez në Kinë, shkroi në ditarin e tij: “Sa e vështirë është që t’i bashkosh në raportin e duhur doktrinën përulëse të paaftësisë së njeriut për të ardhur te Krishti pa rilindjen dhe ofertën falas të ungjillit, e cila është instrumenti moral që përdoret nga Perëndia në konvertim! Oh! Frymë e Jezusit, Shpëtimtarit tim, më udhëhiq mua, një mëkatar të mjerë, të paditur dhe krenar, në përjetimin e këtij misteri madhështor të hirit, që ta di se si duhet t’ua shpall ungjillin tënd të lavdishëm mëkatarëve të tjerë të humbur si unë!”
Dëshiroj që ajo lutje të jetë edhe lutja ime: “Oh! Frymë e Jezusit, Shpëtimtarit tim, më udhëhiq mua, një mëkatar të mjerë, të paditur dhe krenar, në përjetimin e këtij misteri madhështor të hirit, që të jem në gjendje, në forcën e misionit, me qartësinë e mesazhit, të mos kem turp për metodologjinë!”.
Është interesante, apo jo, që Bibla ka kaq shumë për të thënë në lidhje me predikimin e Fjalës së Perëndisë. E megjithatë, ne jetojmë në një kohë kur, nga të gjitha gjërat që ndodhin në kishë, asgjë tjetër nuk është nënçmuar më shumë sesa predikimi i Fjalës së Perëndisë. Njerëzit thonë: “Njerëzit nuk dëgjojnë dot predikime të gjata. Njerëzit nuk mendojnë më në mënyrë logjike. Mendimet e tyre janë të shpërndara. Ata lexojnë USA Today. Ata nuk lexojnë New York Times. Do të ishte sfidë e madhe për ta që të lexonin London Times; ajo ka shumë fjalë dhe do t’u nevojitet fjalori për ta lexuar. Prandaj, si do të jeni në gjendje vallë të ndërtoni një kishë me një metodologji të tillë? A nuk mendoni se duhet të tërhiqeni pak, t’i zbusni gjërat, të futni ndonjë dramë të shkurtër, t’u kërkoni vajzave të bëjnë ndonjë kërcim, të luani pak me dritat dhe ta bëni argëtuese? Në fund të fundit, jeta është e mërzitshme dhe pa gjallëri. Sigurisht që ne nuk do të mbështetemi në këtë metodologji së cilës i ka kaluar koha. Pse ta bëjmë vallë?”.
Përgjigjja është: Sepse na është thënë ta bëjmë. Është kaq e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Çfarë bëri Pali kur shkoi në qytetin e Korintit, i cili mbizotërohej nga tempulli i Afërditës, me një mijë kurtizane fetare nëpër rrugët e tij mbrëmjeve, duke e mbushur këtë qytet me prostitucion; kur ai hodhi vështrimin në horizont dhe pa tempullin e Afërditës, në të cilin mbizotëronte dhe ushtrohej homoseksualiteti; kur ai shërbente në krahinën e qeveritarëve romakë, të cilët ishin vetë homoseksualë të deklaruar; kur ai rrethohej nga një grup konsumatorësh të cilët ishin të interesuar që të ndodhnin gjëra dramatike dhe spektakolare, si dhe fjalime të fuqishme? Ai tha: “Kur erdha te ju, nuk erdha me fjalë mbresëlënëse, me urtësinë e njeriut dhe as me oratori të shquar. E pranoj që judenjtë kërkojnë një shenjë dhe grekët kërkojnë urtësi. I vlerësova pritjet e konsumatorëve, e kuptova qartë se çfarë donin ata, dhe vendosa të mos u jepja asgjë nga ato që donin. Përkundrazi, kur erdha te ju, erdha me dobësi, me frikë dhe me dridhje të madhe. Nuk erdha me fjalë të mençura dhe mbresëlënëse, pasi vendosa të mos di gjë tjetër mes jush, përveç Jezu Krishtit, edhe atë të kryqëzuar.”
Pse? Sepse kjo është përgjigjja e vetme për atë adoleshentin e mërzitur. Në fund të fundit, kjo është përgjigjja e vetme për biznesmenin krenar dhe egoist. Kjo është përgjigjja e vetme për familjen e copëtuar dhe për kulturën që po shkatërrohet. Bota thotë: “Bëj diçka dramatike!”. Kisha në shumë vende thotë: “Bëj diçka politike!”. Dua të dini që për tridhjetë vjet, kam bërë atë që po bëj, mbi bazën e këtij modeli për shërbesë, dhe nëse Perëndia do të më japë edhe tridhjetë vjet të tjerë, dua ta dini që ka për të qenë po aq e mërzitshme. Është i njëjti mision. Do të jetë i njëjti mesazh dhe e njëjta metodologji. Nëse do të jetë ndryshe nga çfarë dëshiroj, ashtu qoftë! Mirëpo, unë nuk kam asnjë synim tjetër, nuk kam mision tjetër nga ai që kam marrë, nuk kam mesazh tjetër nga ai që duhet të shpall, dhe nuk kam asnjë model tjetër metodologjie apostolike, përveç atij që më është dhënë.
Miq të dashur, dua që të kuptoni se të njëjtën perspektivë e kanë edhe kolegët e mi.
Qëllimi i shërbesës së pastorit
Sapo kemi thënë pak gjëra në lidhje me modelin e shërbesës së pastorit. Le të kalojmë pak kohë me qëllimin e shërbesës së pastorit. Cili është qëllimi i shërbesës së tij? Nëse sipas asaj që kemi vënë re, qëndrimi i tij është që ta bëjë plotësisht të njohur Fjalën e Perëndisë, ai është po aq i interesuar—dhe kështu thotë—që t’i shohë njerëzit e Perëndisë të bëhen plotësisht të pjekur. A nuk po e thotë Pali këtë në vargun 28? “Që ne e kumtuam, duke e paralajmëruar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që”—kjo është një pjesë fjalie hina në Greqisht—“që ta paraqesim çdo njeri të përsosur—ose të pjekur—në Krishtin Jezus.”
Frazeologjia që përdor Pali këtu, është në kohën e tashme të vazhduar. Me fjalë tjera, ai po flet për një veprim të vazhdueshëm dhe që është bërë zakon. Ai nuk po flet për një qasje “bjeri t’i biem”, sipas së cilës gjithçka transformohet si rezultat i një të foluri të hollë dhe rezultateve të menjëhershme dramatike. Ai po flet për atë që ndodh gjatë një periudhe kohore. Nëse ka ndonjë gjë të cilën e kam mësuar gjatë njëzet e një viteve të fundit në shërbesën pastorale, është kjo: bën mirë të shërbesh duke qenë i vetëdijshëm për historinë. Ajo që dua të them me këtë, është thjesht kjo (këtë ua them vazhdimisht kolegëve të mi): pavarësisht se dëshirojmë të kemi një mundësi të madhe në këtë moment në histori, gjithë sa mund të na ketë thirrur Perëndia që të bëjmë në këtë moment, është që të rrimë me një këmbë jashtë derës, në gatishmëri për dikë që do të vijë pas nesh, i cili do të bekohet dukshëm dhe që do të përjetojë një mbledhje të madhe shpirtrash—që, qofshim apo jo të suksesshëm në dukje në bazë të numrave, apo sipas çfarëdo kriteri që mund të përdorin njerëzit, të mos e përdorim këtë si mënyrën tonë personale të vlerësimit. Metoda që përdorim, është të shohim nëse njerëzit që na janë besuar nën kujdesin tonë, po rriten në pjekuri—apo nëse kemi një bashkësi njerëzish që gjithmonë kanë nevojë t’i mbash për dore, që nuk largohen shumë nga dera dhe që nuk po përgatiten të dalin dhe të ndajnë besimin e tyre.
Comments are closed.