06. Mbjellja e një vizioni (Pjesa 2)

Kur Perëndia themelon një vizion, udhëheqja e efektshme është e nevojshme për ta komunikuar qartë dhe në mënyrë praktike atë vizion tek ata që do ta bëjnë realitet me përpjekjet e tyre. Në këtë studim nga Nehemia 2:11-20, Alistair Begg-u shqyrton aspektet e udhëheqjes së Nehemias, të cilat e ndihmuan që ta mbillte vizionin e tij për rindërtimin e murit të Jerusalemit në zemrat e popullit të Perëndisë, madje edhe përballë plogështisë dhe kundërshtimit. Nëse një vizion është dhënë nga Perëndia dhe paraqitet me përulësi, atëherë Ai do ta mbjellë atë në zemrat e njerëzve dhe do t’i motivojë ata që të reagojnë.

Temat:

  • Personazhet biblike
  • Jeta e krishterë
  • Udhëheqja e kishës
  • Varësia në Perëndinë
  • Besimi
  • Shërbesa

Transkripti:

Mbjellja e një vizioni

Nehemia 2:11–20

A mund të kthehemi te Nehemia, më saktë te kapitulli dy? Nëse më lejoni, do të doja të lexoja gjysmën e dytë të kapitullit 2, para se ta shohim atë më nga afër.

“Kështu arrita në Jerusalem dhe qëndrova atje tri ditë. Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jerusalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër barre, veç asaj së cilës i kisha hipur.

Dola natën nga Porta e Luginës, në drejtim të Burimit të Dragoit dhe të Portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jerusalemit, që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri. Vazhdova pastaj për nga Porta e Burimit dhe Pishina e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur. Atëherë iu ngjita natën luginës, duke vëzhguar gjithnjë muret; më në fund u ktheva prapa, duke hyrë nga Porta e Luginës, dhe kështu u ktheva. Zyrtarët nuk e dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë. Deri në atë çast nuk u kisha thënë asgjë judenjve, priftërinjve, fisnikëve, zyrtarëve dhe as atyre që merreshin me punimet.

Atëherë u thashë atyre: «Ju e shikoni gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhemi: Jerusalemi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri! Ejani t’i rindërtojmë muret e Jerusalemit, dhe kështu nuk do të jemi më të turpëruar!». U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë.

Atëherë ata thanë: «Të ngrihemi dhe t’i vihemi ndërtimit!». Kështu morën zemër për t’i forcuar duart e tyre për këtë punë të rëndësishme.

Por kur Sanbalati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori amonit, dhe Geshemi, arabi, e mësuan këtë gjë, filluan të tallen dhe të na përbuzin, duke thënë: «Çfarë po bëni? Mos doni, vallë, të ngrini krye kundër mbretit?».

Atëherë unë u përgjigja dhe u thashë atyre: «Do të jetë vetë Perëndia i qiellit që do të na sigurojë suksesin. Ne, shërbëtorët e tij, do të fillojmë ndërtimin, po për ju nuk do të ketë as pjesë, as të drejtë, as kujtim në Jerusalem.»”

O Atë, ne sërish shohim drejt teje që je Zoti i Fjalës, teksa i afrohemi Fjalës së Zotit. Ne lutemi që me anë të Frymës sate të na mësosh, për hir të Jezusit. Amen.

E kam kapur veten paksa të papërgatitur, për shkak se nuk u kam kushtuar vëmendje udhëzimeve. Kjo ndoshta tregon se sa shumë po e prisja drekën—pak a shumë një gabim pa dashje, që të falënderoja për drekën—gjithsesi, është mirë që t’u paraprijmë paksa gjërave. Ja ku jemi, pra.

Ajo që dua të bëj, është të mendojmë për këtë gjë nën titullin “Mbjellja e një vizioni” apo “Zbritja në tokë e një vizioni”. Ky vizion u ngjiz në zemrën e Nehemias, si rezultat i ndërhyrjes së Perëndisë në jetën e tij, por siç aluduam edhe në sesionin e parë, nëse duam të jemi të efektshëm në udhëheqje, duhet të jemi në gjendje që ta paraqesim këtë vizion në terma sa më praktikë dhe në mënyra të kuptueshme, si për ata që do të na ndjekin, ashtu edhe për ata që do të përfshihen në detyrat praktike, dhe kjo, sigurisht, është ajo që shohim këtu.

Dua që ta ndjekim këtë proces duke përdorur disa fjalë; mendoj se janë tetë fjalë, nëse më kujtohet mirë. Po, janë tetë fjalë. Kam pak a shumë tetë kremastarë, në të cilët do të var rrobat e materialit tonë.

Çlodhja

Fjala e parë mund t’ju befasojë paksa; ajo vjen nga vargu 11: “Kështu arrita në Jerusalem dhe qëndrova atje tri ditë…” Fjala e parë është çlodhje—çlodhje. Kjo fjali është e atij lloji, të cilin shumica prej nesh kanë prirjen të mos i kushtojmë vëmendje; kjo thjesht na jep informacion. Jep një shënim kronologjik për atë që po ndodh.

Jam i tunduar të sugjeroj—sigurisht që gjithmonë duhet të ruhemi nga eisigesis ([aisixhizis] t’i veshësh tekstit kuptimin ose opinionin tënd)—por jam i tunduar të sugjeroj që këtu ka diçka të cilën mund ta shpërfillim shpejt dhe kështu të na shpëtojë diçka e rëndësishme. Duke qenë se Nehemia mezi e ka pritur këtë moment, pasi ka bërë një udhëtim kaq të gjatë prej disa qindra kilometrash, pasi ka arritur në afërsi të zonës së mundësisë, a nuk do të prisnim që ai do t’i futej punës menjëherë? Që ai do t’i mblidhte bashkë njerëzit që ishin aty, do t’u jepte disa skica për atë që duhej bërë, dhe kështu t’i futeshin punës?

E po, nëse do të kishim pritur këtë, sigurisht që nuk ishte kjo ajo që ndodhi. Ai çlodhet për tri ditë. Ndoshta një prej tyre ishte edhe dita e shabatit—nuk e dimë me siguri, por duket se, të paktën, kjo do të ishte pjesë e modelit. Duke kaluar tri ditë, duket se ai pranoi që çlodhja është pjesë e nevojshme e veprimit të dobishëm. Çlodhja nuk duhet të shpërfillet, të anashkalohet dhe të refuzohet. Por kjo ka prirjen të ndodhë në shumë prej modeleve bashkëkohore të jetës së biznesit, ku udhëheqësit e suksesshëm në tregti dhe industri duket që janë në gjendje ta bëjnë kalimin nga një kontinent në tjetrin, nga një avion në tjetrin dhe nga zyra në mundësi shërbese, me sa më pak vështirësi dhe sa më shumë rehati. Kjo mund të ndodhë lehtë edhe në sferën e aktiviteteve të kishës. Por, si fillim, unë do t’ju sugjeroja se ky nuk është një model i mirë për t’u ndjekur. Përkundrazi, ne kemi nevojë të mësojmë se sa e rëndësishme është që të kalojmë kohë për t’u çlodhur dhe për t’u ripërtërirë. Tek Ezdra 8:15 lexojmë: “Unë i mblodha pranë lumit që rrjedh në drejtim të Ahavës dhe fushuam aty tri ditë.” Po ashtu, tek Ezdra 8:31-32 thuhet: “Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jerusalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij. Arritëm kështu në Jerusalem dhe qëndruam tri ditë atje.”

Duket sikur këtu ka një lloj modeli, një mënyrë funksionimi, e cila ishte thelbësore për shpalosjen e veprimeve që do të ndërmerrte. Kjo ka shumë kuptim. Udhëtimi nga Babilonia në Jerusalem ishte shumë i gjatë. Kaloje mespërmes shkretëtirës për pothuajse nëntëqind kilometra. Nëse do të ndiqte rrugën e Gjysmëhënës Pjellore (Fertile Crescent), dhe ka të ngjarë që andej kaloi, atëherë, udhëtimi ishte 1 300-1 500 kilometra. Pas një udhëtimi kaq të gjatë dhe të lodhshëm, detyra të cilës do t’i kushtohej, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, prandaj ishte e domosdoshme që ai të ndalonte, të çlodhej dhe të rifitonte fuqitë para se të vazhdonte.

Tani më lejoni të bëj dy komente shumë praktike. Së pari, shumica prej nesh që janë në shërbesë pastorale, duhet të kenë kujdes që të mos shprehen për faktin se sa të lodhur janë. Teksa kam udhëtuar nga një vend në tjetrin, kam vënë re që jam takuar me disa tipa të caktuar, madje, ata i shoh në pasqyrë—e kam fjalën për veten—por shpesh mund të tingëllojmë sikur po punojmë jashtëzakonisht fort. Me sa kam parë, nuk di që shumë prej nesh të jenë duke punuar më fort, në krahasim me shumë prej udhëheqësve të pashuguruar në kishë, të cilët po rropaten në kulm, duke përmbushur përgjegjësitë e rutinës së tyre të përditshme, duke u përpjekur të ushtrojnë rolin e babait dhe të bashkëshortit, duke qenë besnikë në përgjegjësitë e shërbesës brenda kishës, si dhe duke mbikëqyrur atë që po ndodh. Them se kjo është një fjalë këshille së cilës duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe të heqim dorë nga të folurit për stërmundimin tonë. Këtë gjë e shihni edhe nëpër letrat e lutjes: “Oh, lutuni për pastor filanin; ai është jashtëzakonisht i lodhur!”.

Disa prej jush mund të kenë marrë një letër—nuk e di se kujt iu dërgua—nga programi ynë në radio, por unë isha në një udhëtim në San Francisco, për të bërë dy episode të programit tonë radiofonik “Mbrëmje me Truth for Life”. Mora me vete një nga kolegët e mi. Ai shkroi një raport, i cili mendoj se do t’u jetë dërguar anëtarëve të bordit tonë. Atë raport ai e dërgoi para se unë të kisha mundësi ta lexoja, dhe në një paragraf, ai shpjegonte se sa rropatës që ishte ky udhëtim. Prandaj e mora mënjanë dhe i thashë: “Hej, dëgjo! Ti as që e kupton fjalën rropatës, madje as unë nuk e kuptoj. Në fund të fundit, ç’bëmë ne? I hipëm avionit, shkuam në San Francisco, dolëm për drekë, regjistruam një emision ‘Mbrëmje me Truth for Life’, luajtëm golf, regjistruam një emision tjetër, pastaj i hipëm avionit dhe u kthyem në shtëpi. Këtë e quan rropatëse? Do të na pushosh të gjithëve nga puna nëse vazhdon të përdorësh mbiemra si ky!”.

Në ekipin tim pastoral kisha një burrë të cilin e pyesja: “Si je këtë mëngjes?”. Ai e kishte zakon të thoshte: “Jam i lodhur, i lodhur.” E keni parasysh, ai ishte nga “Teksasi” apo diçka e tillë. “Dëgjoni ju të gjithë; jam i lodhur.” Ju betohem që, nëse do më kishte thënë edhe një herë që ishte i lodhur, nuk mund t’ju tregoj dot se çfarë do t’i kisha bërë. Me kalimin e kohës, ai u largua vetë. Ndoshta sot është shtrirë diku, në ndonjë stol në park, dhe po merr një sy gjumë, sepse është “i lodhur”. Ai nuk ka qenë kurrë i lodhur në jetën e tij; ai është lodhur, ngaqë nuk bën asgjë! Të pakta janë ato profesione në jetë që të japin një mundësi të pabesueshme për të mos bërë asgjë, të cilat janë të barabarta me shërbesën pastorale.

Për këtë mund të flasim në një sesion me pyetje dhe përgjigje, por për momentin do të jetë monolog. Le të tregohemi të sinqertë, shumica prej nesh nuk rrezikojnë të arrijnë në pikën e drobitjes. Trashja është mundësi reale; kërrusja nën peshën e kekëve; ndërtimi i këtyre mbajtëseve të vogla të filxhanëve të kafesë, për të cilat fëmijët mendojnë se janë kusht për t’u përfshirë në shërbesë pastorale—më së shumti në Skoci, ku mund t’i dallosh profesionistët e vërtetë, sepse në konferencat e pastorëve, ata nuk i mbajnë në dorë filxhanët e kafesë, pasi kanë ndërtuar një mbajtëse mbi të cilën filxhani qëndron për bukuri—aty rri vetë. Më besoni kur ju them se problemi i tyre nuk është aktiviteti i tepërt.

Këtë e them për shkak se ajo që do të them tani, është krejt e kundërta e kësaj. Por nuk dua që ndokush të mendojë, sidomos nëse këtu kemi disa pleq kishe, të cilët kanë një punë si profesion jashtë kishës, nuk dua që ndokush të mendojë se ne themi: “Oh! Ua! E di çfarë? Ne vërtet po e bëjmë punën!”.

Tani që e kam thënë këtë, është e mundur që të lodhesh. Ka gjëra të cilat kërkojnë shumë energji nga ne, dhe këtë e dimë nga përjetimi se zakonisht ne jemi të fundit që e dallojmë se sa të lodhur jemi. Ajo që ndodh është që rendimenti ynë bie. Aftësia jonë për t’u përballur me rutinën e përditshme bie. Kemi prirjen që të shpërthejmë ndaj njerëzve dhe të reagojmë ndaj tyre në mënyra të cilat nuk tregojnë fare hir të krishterë. Prandaj, kemi nevojë t’i hedhim një vështrim serioz mënyrës se si po përpiqemi që ta përfshijmë çlodhjen në skemën tonë të themelimit të vizionit.

Më lejoni të them kalimthi, unë besoj se është e detyrueshme të merrni një ditë pushim. Dita ime e pushimit është e marta. Për aq kohë sa jam në qytet i qëndroj besnik kësaj në mënyrë absolute, me përjashtim të vdekjes—vdekjes sime ose të dikujt në bashkësi, apo nëse ka ndonjë problem të madh pastoral. Me përjashtim të këtyre rasteve, të martën e bëj pushim. Kam miq të cilët besojnë se janë pastorë shumë më të mirë se unë, dhe kjo sigurisht që është e mundur, por arsyeja nga e cila vendosin kështu është për shkak të faktit që nuk kanë pushim. Ata janë shumë të mbingarkuar, thjesht kanë shumë gjëra për të bërë, kanë shumë përgjegjësi.

E po, nuk kam qenë gjithmonë në një pozitë luksi, siç jam tani në Amerikë. Kur isha në Skoci punova për tetë vjet—dy prej tyre si asistent në Edinburgh, kur vizitoja dyzet-pesëdhjetë njerëz në javë, si pjesë e përgjegjësisë sime si asistent, duke zbritur dhe duke iu ngjitur shkallëve të apartamenteve. Pastaj, kur shërbeja vetë në një kishë në perëndim të Skocisë, kisha një telefon, por ai gjendej në korridorin e ndërtesës dhe ishte me pagesë. Unë pastroja sallën, hiqja të gjitha qeset e patatinave, hapja karriget, vendosja tavolinat, gjeja mbulesa të kadifenjta, i shtroja mbi tavolina, gjeja një kavanoz reçeli, vendosja lule në të, për t’u bërë gati për takimin e mesjavës. Pra, edhe këto lloj punësh i kam bërë. Në fakt, kam edhe një bluzë. Niveli i presionit që përjetojnë disa prej nesh, dhe çlodhja për të cilën kemi nevojë, janë të lidhura me mendjen tonë. Nën dritën e faktit se nga vinte ai burrë dhe se ku po shkonte, mund ta imagjinoj që ai u përpoq ta bënte këtë.

Kur e shohim që jemi të stërmunduar, ka disa gjëra të cilat nuk duhet t’i bëjmë. E para, nuk duhet të marrim vendime të rëndësishme. E dyta, nuk duhet të shkruajmë letra të rëndësishme. E treta, nuk duhet të nisim projekte të reja. E katërta, nuk duhet t’i ndërpresim projektet e vjetra. E pesta, nuk duhet të heqim dorë. E gjashta, nuk duhet të bëjmë vlerësimin e gjendjes frymërore të dikujt tjetër. Dhe e shtata, nuk duhet të bëjmë vlerësimin e gjendjes sonë frymërore. Nuk duhet ta bëjmë, sepse, në më të shumtën e kohës, do të jemi të ndikuar në mënyrën se si e perceptojmë atë që po ndodh. Sërish, kërkohet dikush i cili na njeh mirë, që të na vërë në dukje situatën kritike në të cilën gjendemi, sepse sa më të lodhur që të jeni, aq më tepër keni prirjen që ta rritni nivelin e aktivitetit tuaj të furishëm, sepse mund ta dalloni edhe vetë, në ekipet e futbollit, të duhet më shumë kohë për të kapur topin kur ju bëhet një pasim, prandaj, kjo ju tiranizon dhe ju përpiqeni gjithnjë e më fort, kur, në fakt, ajo që duhet të ndodhë, është që duhet të zëvendësoheni. Sepse tani e keni humbur aftësinë, e keni humbur hovin për ta arritur topin—por për ta bërë këtë kërkohet urtësi. Duket qartë që Nehemia ishte i urtë dhe ai nuk kuptoi rëndësinë e përtacisë, por atë të çlodhjes. Ka të ngjarë që thashë më shumë se duhet për këtë pikë.

Motivimi

Gjithsesi, fjala e dytë është motivimi—motivimi—në vargun 12: “Pastaj u ngrita natën… por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja.” Fjalët “në zemër” janë çelësi—“në zemër”. Çfarë kishte “në zemër”—në qendër të qenies së tij? Çfarë të motivon, Nehemia? Pse je përfshirë në këtë gjë? Pse erdhe vallë? Çfarë planifikon të bësh?

Ai nuk kishte folur ende për asnjërën nga këto me njerëzit që do të përfshiheshin. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos kur brenda nesh kemi një dëshirë dhe një pasion për t’i parë gjërat që të ndodhin—kur kemi njëfarë përgjegjësie që t’ua komunikojmë atë vizion të tjerëve, të cilët, në fakt, do ta vënë vizionin në zbatim. Kjo për shkak se në dimensionet fillestare të vizionit është e mundur që njerëzit të reagojnë në lloj-lloj mënyrash, të na shohin ne dhe të dalin në përfundime të çfarëdoshme. Për shembull, nga jashtë, vëzhguesit mund ta kishin parë Nehemian që erdhi në Jerusalem, dhe të thoshin: “Oh, ja, pra. Ja ku po vjen ai që po ndërton perandorinë. Ai ka ardhur këtu që të fitojë famë për emrin e tij. Në fund të fundit, pse të udhëtojë dikush për një mijë e pesëqind kilometra? A mendon ai se është vërtet kaq i rëndësishëm? A mendojmë se kemi vërtet nevojë për të?”.

E po, në fakt, pas Perëndisë, ata kishin nevojë për të, dhe ai nuk mendonte se ishte dhe aq i rëndësishëm. Për shkak se ai nuk mendonte se ishte dhe aq i rëndësishëm, do të bëhej me të vërtetë tepër i dobishëm. Ja ku kemi sërish një paradoks të mrekullueshëm që ne, të cilët mendojmë se jemi shumë të rëndësishëm, t’i jetojmë jetët tona në përulësi. Në fakt, vetëdija për parëndësinë tonë mund të jetë shtegu drejt rëndësisë—çka do të thotë se, në jetën dhe shërbesën e krishterë, shtegu drejt lartësimit shkon për poshtë.

Mendoj se ka të ngjarë që ai do të kishte qenë i vetëdijshëm për ato gjëra, sikurse janë të gjithë ata që janë në udhëheqje. Posta ime, kur u ktheva dje… Ah, po! U ktheva të martën në mbrëmje dhe dje shkova në zyrën time, ku pashë se kisha një tufë letrash. Teksa po i lexoja, një pjesë e konsiderueshme ishin mesazhe elektronike, të cilat i kishin printuar për mua, sepse unë nuk jam fare i aftë me kompjuterat. Po i kaloja njëra pas tjetrës dhe po lexoja një mesazh që më kishte dërguar dikush nga Seattle, pastaj nga shtete të ndryshme; ishin vërtet inkurajuese. Në mes të këtyre korrespondencave arrita te një letër me një fjali, e shkruar nga një burrë i cili ishte larguar nga kisha, sepse nuk i pëlqenin disa gjëra në të. E dini çfarë? Nëse mospëlqimi i disa gjërave në kishë do të ishte një arsye mjaft e mirë për t’u larguar, unë vetë do të isha larguar nga kisha para shumë kohësh.

Gjithsesi, ai burrë më dërgoi një letër ku shkruante: “I dashur Alistair: krenaria vjen para rrëzimit. Me dashuri, Joeli.” Prandaj, unë thashë: “E po, ky qenka mesazh shumë enigmatik! Si të reagoj ndaj këtij mesazhi? A ta mbroj veten time? A t’i shkruaj dhe t’i them: ‘Zotëri, gjithçka të bie erë të keqe, sepse të ka mbetur djathi në mustaqe’? Çfarë të bëj?”. Pastaj thashë: “Do ta marr sikur ma ka dërguar Perëndia.”

Ja ku isha unë me nja gjashtëdhjetë e pesë apo shtatëdhjetë letra, të cilat të bëjnë të të rritet mendja së tepërmi, dhe në provaninë e Perëndisë, vjen një letër si kjo, që të thotë: “Hej, meqë ra fjala, po të pëlqejnë letrat, mendjemadh? Provo ta lexosh këtë!”. Perëndia ka një mënyrë të mrekullueshme se si punon. E dini çfarë? Ai flet përmes gomarit të Balaamit dhe madje mund të flasë edhe përmes njerëzve që janë shkëputur nga kisha.

E shihni? Nehemia ishte i motivuar nga brendësia. Kurdoherë që një burrë apo një grua karakterizohen nga pasioni, ata nuk janë thjesht anëtarë të shoqatës “Ide të ndritura”, kur motivohen nga diçka që Perëndia ua ka vendosur në zemër për ta bërë, ajo gjë do të bëhet e dukshme për të tjerët. Kur mendoni për Palin që shpjegon shërbesën e tij te 2 e Korintasve 5, ai thotë: “Dashuria e Krishtit na shtrëngon.” “Ajo na shtrëngon, ajo më motivon nga brendësia”, thotë ai. “Është dëshira ime e madhe”—1 e Korintasve 9—“që të fitoj sa më shumë njerëz.” Në fakt, kështu thuhet në versionin NIV. Çfarë po bën, Pal? “Po përpiqem të fitoj sa më shumë njerëz që të jetë e mundur.” Çfarë po bën Nehemia? “Kam ardhur këtu që të nderoj Perëndinë dhe lavdinë e tij. Besoj se Perëndia më ka dërguar këtu.”

Çfarë digjet në zemrën tënde? Çfarë ka brenda nesh, nëse fëmijët tanë do të na përshkruanin ne? Nëse shkoni merrni djalin tim adoleshent dhe i thoni: “Për çfarë jeton babi yt? Ma thuaj me një fjali”, çfarë do të thoshte ai? Kjo është prova reale. Jo “Çfarë thuhet në rezymenë tënde?”. Jo “Çfarë thuhet në kapakun e pasmë?”. Shpresojmë që ato të mos jenë të pasakta, por ato nuk janë aq të rëndësishme sa të pyesësh: “Çfarë po ndodh brenda teje? Çfarë të motivon? Çfarë të shtyn? Çfarë të nxit?”.

Një nga shokët e mi më të afërt, i cili vdiq para disa vjetësh, ishte një irlandez i vogël i quajtur T. S. Mooney. Ai udhëhiqte një nga klasat e studimit biblik për djem ose vajza, dhe po ashtu, kishte një grup djemsh—në Londonderry të Irlandës së Veriut për pesëdhjetë vjet—pesëdhjetë vjet. Kur e pyetën se cili ishte motivi i tij për të dhënë mësim të diel pas të diele për pesëdhjetë vjet, me përjashtim të kohëve kur shkolla kishte pushime, ai tha: “Qëllimi im është që çdo djalë të ketë një Bibël në dorë, një Shpëtimtar në zemrën e tij dhe një qëllim në jetën e tij.”

Ky është lloji i qartësisë, i cili është i domosdoshëm për të bërë shërbesë. Njerëzit mund t’i bashkohen këtij lloj motivimi. Nuk ka shumë llafollogji; e keni parasysh besoj, pak a shumë fjalë të stërholluara teologjike. Ato janë thjesht fjalë! “Çfarë po bën, Nehemia? Cila është gjëja kryesore? Çfarë ke në zemër?” E po, ai nuk u kishte treguar ende.

Meqë ra fjala, shoku im, për të cilin ju fola më sipër, kur e pyeta se përse nuk ishte martuar kurrë—në atë kohë, ai ishte shtatëdhjetë e nëntë vjeç—ai më tha: “E po, arsyeja pse nuk u martova kurrë është shumë e thjeshtë: sepse më mirë ta kaloj jetën duke dashur atë që nuk e kam, sesa të kem atë që nuk e dua.” Ai ishte mjeshtër për t’i thënë gjërat në mënyrë koncize. Disa prej nesh kanë nevojë ta mësojnë këtë art; këtu përfshij edhe veten. Le të kalojmë te pika e tretë.

Vëzhgimi

Çlodhje, motivim, vëzhgim—vargu 13. Nëse duam që të mbjellim një vizion, atëherë kemi nevojë të çlodhemi, që kur të çohemi në këmbë, të kemi mundësi të ecim përpara. Nëse duam që të mbjellim një vizion, kemi nevojë të motivohemi nga një shqetësim, i cili na është dhënë nga Perëndia dhe nuk është krijuar nga njeriu. Sepse, siç tha edhe Robert Burns-i, “Planet më të mira të minjve dhe të njerëzve shpesh dalin huq.” “Dola natën nga Porta e Luginës, në drejtim të Burimit të Dragoit dhe të Portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jerusalemit, që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri.” Ai na përshkruan këtë mision të vogël zbulimi. Në mendjen e tij, ai e kishte të qartë se çfarë duhej bërë, në zemrën e tij ishte i sigurt në lidhje me motivimin e tij, dhe tani, ai sheh me sytë e vet se si mund të realizohet.

Mendoj se kjo është pika ku disa prej nesh rrëzohen: në gatishmërinë tonë për ta zbatuar vizionin, ne na shpëton pjesa e zbulimit. Prandaj kur ata që janë inxhinierë në mesin tonë, të cilët mendojnë në progresione lineare dhe janë shumë të zgjuar, përballen me këtë lloj fjalimi artistik, pseudofilozofik dhe teologjik, ata janë gati t’i bien shkurt dhe të thonë: “Alistair, nuk jam shumë i sigurt që ti e kupton atë që po thua.” Kjo është shumë e dhimbshme, por ama edhe shumë e dobishme. Arsyeja pse shpesh nuk e kuptojmë, nuk është sepse nuk jemi të motivuar, nuk është sepse nuk jemi çlodhur dhe nuk jemi gati për të vazhduar; arsyeja është sepse nuk e kemi bërë këtë pjesë. Nuk kemi kaluar kohë për të bërë vëzhgimin. Nuk kemi menduar për këtë gjë.

Vini re tiparet dalluese të këtij vëzhgimi. Së pari, ai e bëri këtë gjë me qetësi—me qetësi. Mendoj se ky është kuptimi i frazës së fundit në vargun 12: “Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër barre, veç asaj së cilës i kisha hipur.” Nuk mendoj se ai po tregon faktin që ai kishte një gomar dhe të tjerët nuk kishin. Ky nuk është shpirti i udhëheqjes—kjo nuk është udhëheqje shërbëtore. Nehemia nuk është i tillë. Mendoj se kjo është një shprehje e faktit që gjëja e fundit që do të doje në një mision të tillë, do të ishte që të dëgjoheshin shumë gërhitje dhe hingëllima kuajsh—nuk do të doje shumë zhurma të tilla. Dua të them që kuajt bëjnë lloj-lloj zhurmash. Nëse ke qenë në ndonjë paradë ushtarake, e di që nuk do të doje të ishe në radhën e parë. 

Prandaj, ai nuk do të ketë gjëra të tilla. Ka një kohë për të qenë në heshtje dhe një kohë për të folur. Ai nuk erdhi me shumë zhurmë, si ndonjë tip autoritar; nuk kishte lajmërime që thoshin: “Javën që vjen, mbërrin Nehemia.” “Nehemia po vjen në qytet”, diçka të tillë. Nuk kishte budallallëqe të tilla. Nuk kishte asgjë të tillë si salltanetet e ungjillorizmit klasik amerikan. (Ju kërkoj ndjesë!) Nëse kisha juaj është kaq e madhe, atëherë ajo reklamohet me një foto të kësaj madhësie. Nëse kisha është më e madhe se kaq, atëherë ju ofrohet një foto më e madhe. Nëse kisha juaj është shumë e madhe, atëherë ju ofrohet i gjithë kapaku i pasëm. Nëse kisha juaj është e vogël, as që duan t’ia dinë se kush jeni. Zoti pastë mëshirë për ne, për gjithë këto gjëra! Nehemia vjen me qetësi në qytet—me qetësi. Disa prej nesh e kanë të vështirë të jenë të qetë.

Në fakt, ai vjen në fshehtësi—në fshehtësi! Kjo thekson faktin pse ai vjen natën. Në vargjet 12, 13, 15 dhe në vargun 16, ai thotë: “Zyrtarët nuk e dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë.” E po, si përputhet kjo me të qenët plotësisht transparent? Mirë, pra, ka një kohë për të qenë plotësisht transparent, por ka një kohë për transparencë të plotë. Nëse e bën transparencën të plotë tepër herët, njerëzit mund të mos jenë në gjendje ta përballojnë, dhe për më tepër, sikurse ju sugjerova, mund të zbulojmë gjëra të cilat ende nuk i kemi menduar mirë. Kështu, në vend që të themelojmë një vizion, ne thjesht themelojmë rrëmujë. Dhe na duhet shumë kohë që t’i riparojmë dëmet; do të na duhet t’ia nisim nga e para.

Sot në mëngjes, një zotëri më mori me makinë nga aeroporti dhe më solli këtu. Gjatë rrugës, ai po më pyeste për tranzicionin nga Skocia në Amerikë—dhe unë i thashë se pasi kisha qenë në kishë për afërsisht tre vjet, papritur e kuptova që do të më duhej t’ia filloja sërish nga e para. Nuk u thashë të gjithëve që po filloja sërish nga e para, dhe vetëm ata që kishin një perceptim të fortë, e kuptuan. Mirëpo, në thelb, m’u desh t’ia nisja nga e para, duke qenë se tre vitet e para kisha lloj-lloj supozimesh. Tre vitet e para përcolla një material shumë të mrekullueshëm dhe askush nuk e kishte idenë se çfarë po bëja, pastaj kuptova që Mark Twain-i kishte të drejtë: “Ne jemi dy kombe të ndara nga një gjuhë e përbashkët.” Kuptova se litarët që po tërhiqja, nuk po i tundnin kambanat, sepse, në realitet, litarët nuk ishin të lidhur me ndonjë kambanë. Dhe njerëzit që në njëfarë kuptimi ishin kambanat, nuk po lëshonin ndonjë tingull. Ata s’mund ta kuptonin dot se pse vallë po e tërhiqja me kaq zell atë copë litari. Prandaj na u desh të ktheheshim dhe t’ia nisnim nga e para. Cili ishte problemi? Nuk kisha bërë pjesën e vëzhgimit! Nuk e kisha bërë misionin e zbulimit. Kisha hamendësuar shumë gjëra, shumë shpejt, dhe isha hedhur menjëherë në veprim.

Mendoj që ai i bëri gjërat në fshehtësi më së pari, që të sigurohej që kur më në fund ta bënte të ditur planin e tij, ta dinte që ishte i arritshëm, dhe gjithashtu për t’i parandaluar armiqtë e tij, të cilët mund ta pengonin strategjinë e tij përmes tradhtarëve.

Prandaj, për sa i përket vëzhgimit, ai ndodhi me qetësi, ai ndodhi në fshehtësi, dhe ai ndodhi në mënyrë metodike—në mënyrë metodike. Pa këtë dimension, heshtja dhe fshehtësia do të kishin fare pak rezultat. Na thuhet që ai shkoi përreth; ai arriti te Pishina e Mbretit, të cilën e dimë që në Dhiatën e Re është Pellgu i Siloamit—e mbani mend, ky ishte vendi ku Jezusi i tha burrit të verbër të shkonte dhe të lahej. është gjithmonë ngazëlluese kur lexon në Dhiatën e Vjetër dhe kupton se si ajo përputhet me të Renë. Vendi ku Ezekia kishte hapur një tunel nga brenda murit e deri te pellgu, i cili ishte jashtë, dhe kështu të siguronte furnizimin me ujë në rast rrethimi. Nëse keni shkuar në Jerusalem këto kohët e fundit, do të keni kaluar nëpër tunelin e Ezekias, madje do të jeni kërrusur mirë, ndërsa e keni eksploruar. Pishina e Mbretit është pikërisht atje.

Ndërsa Nehemia e bën këtë mision zbulimi në mënyrë metodike, ai kupton që gurët e murit janë rrokullisur tatëpjetë taracave të thepisura. Për shkak se janë rrokullisur tatëpjetë, ai nuk ka mundësi ta vazhdojë misionin hipur mbi kafshën e barrës, prandaj zbret dhe e tërheq gomarin. Ju mund ta imagjinoni Nehemian duke shkuar rreth Jerusalemit dhe duke krijuar një tablo të asaj që duhej të ndodhte. Ndoshta po mbante shënime se kush duhej të përfshihej, dhe po i lutej Perëndisë që ta bënte të qartë konceptin në mendjen e tij, para se ai t’ua paraqiste atë punëtorëve.

Kjo, pra, është sfida e asaj që bëjmë në udhëheqje, apo jo? Kjo është përgjegjësia jonë, që t’i ndërtojmë shenjtorët, në mënyrë që ata të mund të bëjnë veprat e shërbesës, dhe nëse do ta bëni punën e Perëndisë në mënyrën e Perëndisë, atëherë nuk do të thotë që “shërbesëtarët” jemi ne. (Nuk jam duke lënduar njeri në këtë pikë. Këtu nuk po flasim për emërtimet.)

 Mirëpo, zotëria me të cilin kalova kohë fundjavën e kaluar në Irlandë, po më shpjegonte se sa i mbingarkuar që ishte, se sa shumë energji që kërkonte puna e tij, se sa të larta ishin pritshmëritë dhe gjithë gjërat e tjera. Me shumë hir u përpoqa t’i thosha: “E di çfarë? Duhet të fillosh ta bësh këtë gjë në mënyrë biblike. Duhet të jesh gati që të jetosh me rezultatin e zbatimit të një strategjie biblike dhe ta bësh këtë në mënyrë metodike.”

Me fjalë të tjera, nëse e merr broshurën e kishës sate dhe shikon se çfarë thotë poshtë emrit tënd, atje e dallon që ka një mangësi. (Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për këtë kishë, dhe në atë rast Dr. Xhei do të më flasë ashpër. Por nuk ka problem, mund ta bëj një diskutim edhe me të.) Por atje thuhet: “Mirë se vini në kishë!”, dhe pastaj jep një listë të njerëzve kyç. Dakord, pra, cili është emri i parë? Apo jo? Pse na vendosin të parët? Sepse duam që të gjithë ta dinë se ne jemi personi më i rëndësishëm aty, apo jo? Nuk e di. Gjithsesi, aty e keni.

Ne, pra, e kemi emrin; në rregull, ndoshta është vendosur sipas rendit alfabetik. Por më poshtë thotë: “shërbesëtari”—“shërbesëtari.” Nuk është e nevojshme të jesh shkencëtar që ta kuptosh se çfarë po themi: “Ne e japim ofertën që shërbesëtari të mund të bëjë atë që shërbesëtari duhet të bëjë si shërbesëtar—domethënë, të shërbejë. Lëreni atë t’i futet punës. Nuk ka arsye që ne t’i ndërhyjmë.” Prandaj, kur shërbesëtari fillon të zbulojë një model të Dhiatës së Re për kryerjen e shërbesës dhe zbulon që ai nuk është shërbesëtari, por që ai është bari-mësues, që ai është një bari, që ai është një mësues, që ai është një udhëzues, që ai është një shërbëtor, dhe si rezultat i shpalosjes së Shkrimeve, njerëzit vetë bëhen shërbesëtarë, atëherë, kjo e hedh kishën në shërbesë.

Por sfida është kjo: Si ta bësh këtë? Si mund të bësh një mision zbulimi gjatë natës, për të gjetur se ku do të përfshihen Xho, Maria, Fredi, Billi dhe Anjeza, dhe pastaj t’u thuash atyre: “Ka një punë për Jezusin, të cilën nuk mund ta bëjë dot askush tjetër përveç jush”? Kjo është pikërisht ajo që po bënte Nehemia: ai po krijonte një tablo se ku do të përfshihej gjithsecili.

Materiale Burimore

Transkript: 06. Mbjellja e një vizioni (Pjesa 2)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}