08. Kthim sërish te bazat (Pjesa 2)

Përmes Fjalës së Tij, Perëndia na siguron ne besimtarëve të vërtetat thelbësore që na nevojiten për fillimin, vazhdimin dhe përmbushjen e shpëtimit tonë. Megjithatë, duke shpresuar që të zbulojmë ide të reja, ne shpesh i harrojmë bazat. Alistair Begg-u i paralajmëron pastorët që t’i kujtojnë vetes dhe atyre që janë nën kujdesin e tyre, se Vetë Perëndia është burimi i vetëm i së vërtetës. Populli i Perëndisë nuk duhet të lodhet kurrë së dëgjuari premtimet e çmuara që ka bërë Ai.

Temat: 

  • Fjala e Perëndisë
  • Shërbesa pastorale
  • Pastorët
  • Mjaftueshmëria e Biblës

Transkripti:

“Premtime shumë të çmuara”

Ai, pra, thotë: “Ju duhet ta kuptoni që ne kemi një besim të çmuar.” Pastaj, në vargun 3 dhe 4, ai thotë: “Dua që të vini re se ne kemi disa premtime shumë të mëdha dhe të çmueshme”: vargu 4 thotë: “me anë të të cilave na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme.”

Vini re sërish që, në vargun 3, Pjetri përdor fjalën “njohje”. Kjo është një fjalë shumë e rëndësishme, pasi shumë prej mësuesve të rremë po thoshin: “Ne mund t’ju japim njohuri për Perëndinë. Nëse vini dhe na dëgjoni ne, nëse merrni udhëzim nga ne, nëse i kushtoni vëmendje asaj që ne kemi për t’ju thënë, atëherë do ta njihni Perëndinë në një mënyrë që nuk e keni përfytyruar kurrë se mund ta njihnit.” Asgjë nuk ka ndryshuar këto dy mijë vjet! Bashkësitë tona përballen me të njëjtin lloj tiranie: ka njerëz që kapen pas gjërave periferike, disa prej tyre i tërheqin në studime lokale të Biblës, dhe papritur kuptoni se keni një problem me z. dhe znj. Filan, sepse ata janë në një lloj operacioni të fshehtë, dhe kanë vendosur që të tërheqin sa më shumë dishepuj pas vetes, duke u paraqitur atyre “njohjen e vërtetë të Perëndisë.”

Çfarë do t’i ruajë anëtarët e bashkësisë sonë që të mos bien në këtë grackë? Kjo gjë arrihet kur ne bëjmë gjërat bazë, duke ua kujtuar atyre vazhdimisht natyrën e asaj që do të thotë të kesh një njohje të Perëndisë në Krishtin. Kur bashkësitë tona të jenë themeluar mbi këto të vërteta, nuk do të jenë më të rrezikuara nga cytjet dhe tërheqjet e heretikëve, të cilët janë kudo përreth nesh. I gjithë sigurimi i Perëndisë për ne është mbështetur mbi marrëdhënien që ai ka me ne: “fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë.”

Këta lexues ishin të vetëdijshëm për dobësinë e tyre; ata ishin kundërshtuar nga ata që ishin të guximshëm, arrogantë dhe, me sa duket, të fuqishëm, siç do ta shihni në kapitullin 2. Prandaj, lexuesit e Pjetrit kishin nevojë për një rikujtim të fuqisë së Perëndisë. Ja pse ai thotë: “Le të mos harrojmë që ai na ka dhënë çfarë kemi nevojë për jetën dhe perëndishmërinë.” Ai nuk na ka dhënë gjithçka që duam; ai na ka dhënë gjithçka që na nevojitet për jetën dhe perëndishmërinë.

Ky është një rikujtim i mirë për njerëzit në bashkësitë tona, apo jo? Ata vijnë te ne të lodhur dhe të munduar; ata vijnë të mërzitur dhe të shpërfillur; ata vijnë të zhgënjyer ose në çfarëdo gjendjeje tjetër, dhe çfarë duhet t’u themi atyre? E po, ne duhet t’i kthejmë ata te bazat: “Miku im i dashur, a e kupton që fuqia hyjnore e Perëndisë të ka dhuruar gjithçka që të nevojitet për jetën dhe perëndishmërinë? Të ka dhënë gjithçka që të nevojitet për fillimin, vazhdimin dhe përmbushjen e jetës së krishterë.” “Nuk jam i sigurt nëse mund t’ia nis.” Fuqia e tij hyjnore. “Nuk jam i sigurt nëse mund të vazhdoj.” Fuqia e tij hyjnore. “Nuk jam i sigurt nëse do të arrij dot deri në fund.” Fuqia e tij hyjnore.

Te Letra Drejtuar Kolosianëve, folja që përdoret në greqisht, është dunamoumenoi. Do të më duhet që ta shoh se cilit vargu po i referohem tani, por kjo është në lutjen e Palit për kolosianët: “duke u rritur në njohjen e Perëndisë, duke u fuqizuar me çdo fuqi.” Fjala e përdorur këtu është në kohën e tashme të vazhdimësisë, që do të thotë se bëhet fjalë për atë lloj fuqie që e gjeni në ato turbinat e fuqishme aeronautike të cilat fluturojnë përtej Oqeanit Atlantik. Teksa jeni ulur mbi krahun e avionit, dhe i hidhni një vështrim turbinës, ju thoni: “A mund të vazhdojë të funksionojë kjo deri në fund? Në fakt, kjo është një mrekulli që funksionon deri në fund, apo jo? Kush do të donte të niste një fluturim nga aeroporti “Hopkins” duke ju hedhur për në Toronto, pak a shumë si të ishit një gjyle topi? Ju, pra, futeni brenda, ju vendosin një helmetë dhe pastaj ju lëshojnë. Pastaj përfundoni diku mbi Qendrën e Ekspozitës Ndërkombëtare apo në ndonjë fund tjetër të tmerrshëm. E megjithatë, ka njerëz, jeta e krishterë e të cilëve është pikërisht kështu. Ata vijnë të diel pas të diele, që pastori t’i vendosë sërish në top dhe t’i hedhë njëqind metra më tej. Si është puna me pastorin? Ai nuk po e lexon Biblën. Përndryshe, do të ishte në gjendje t’i thoshte këtij shpirti të mjerë se jeta nuk përbëhet nga periudha aktiviteti të furishëm dhe me energji, të cilat pasohen nga plogështia kronike. Përkundrazi, jeta e krishterë ka të bëjë me fuqinë e tij hyjnore që i jep drejtim fluturimit. Në të njëjtën mënyrë si ligji i aerodinamikës e mposht ligjin e rëndesës, po kështu edhe ligji i jetës së Frymës së Perëndisë brenda jetës së fëmijës së Perëndisë, është ai që e ngre lart që nga fillimi, dhe e forcon gjatë viteve të mesit të jetës dhe e përfundon punën e mirë që ai ka filluar në të. Filipianëve 1:6.

Në fakt, një nga përjetimet më zhgënjyese të fëmijërisë sime ishte kur merrja një dhuratë mëngjesin e Krishtlindjes dhe zbuloja që nuk luaja dot menjëherë me të, pasi i mungonin bateritë. Pra, kisha gjithë lodrën, por nuk kisha bateri. Kisha një tren të tërë që nuk shkonte asgjëkund—thjesht rrinte në vend. Vagonat mund të ktheheshin kollaj në vazo lulesh. Dukej gjë e bukur për t’u parë, por nuk shkonte askund. Sigurisht, ka nga ata që kanë dukjen e perëndishmërisë, por që e mohojnë fuqinë e saj. Pjetri thotë se përjetimi i vërtetë i krishterë e zbulon furnizimin e Perëndisë në bashkimin dhe përbashkësinë tonë me Krishtin. 

Tani do të më duhet të vazhdoj. Por, në vargun 4, ai thotë: “me anë të të cilave na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, pasi u arratisët nga prishja që është në botë për shkak të epshit.” Të bëhemi “pjesëtarë të natyrës hyjnore”, apo si e thotë edhe versioni NIV: “Të merrni pjesë në natyrën hyjnore.”

Kjo është një frazë tepër e rëndësishme në kohën tonë të Epokës së Re (New Age), apo jo? Një kohë kjo kur njerëzit ende i kujtojnë komentet e asaj zonjës, sido që e kishte emrin—në filmin Out on a Limb. Ajo zonja… Po, Shirley MacLaine. Diçka si ai film. E keni dëgjuar idenë e “lidhjes me Perëndinë”? Në vend që të protestoni dhe të thoni: “E po, unë, në fakt, nuk bie dakord me këtë”, ju thjesht thoni: “E di çfarë? Kjo është një ide interesante, sepse dje po mendoja për këtë, kur lexova 1 dhe 2 e Pjetrit. Atje ka një frazë interesante, e cila, në fakt, e ka të gjithë idenë e lidhjes me Perëndinë, si puna e një spine që futet në prizë. Nëse keni një minutë, më lejoni që t’jua lexoj. Në fakt, këtu thuhet se fuqia hyjnore na ka dhënë gjithçka që na nevojitet për jetën dhe perëndishmërinë, dhe se mund të marrim pjesë realisht në natyrën hyjnore.” Dikush thotë: “E po, a do të thuash që të bëhemi një me hyjninë?”. “JO!” “E po, çfarë do të thuash atëherë?” Pastaj mund të shpjegoni se çfarë do të thotë të mbushesh me Frymën e Perëndisë, të bashkohesh me Birin e Perëndisë dhe të bëhesh një fëmijë i Perëndisë.

Në fakt, unë mendoj se në këto ditë interesi të ripërtërirë frymëror… Nuk mund ta mohojmë që ka një interes frymëror! Nuk ka shumë kohë që isha me një koleg në Klinikën e Cleveland-it këto dy javët e fundit, dhe teksa prisnim për një takim, më bëri shumë përshtypje fakti që atje po reklamonin shërim frymëror, lutje frymërore dhe gjithçka frymërore. Ku vajtën gjithë ata racionalistë shkencorë? Kjo është udhë pa krye. Pra, tani ata janë në kërkim të fuqisë hyjnore. E po, nëse njerëzit e krishterë nuk mund t’u tregojnë atyre për fuqinë hyjnore, kush do t’u tregojë? Mirëpo, nëse bashkësitë tona nuk janë udhëzuar në gjërat themelore, atëherë, sigurisht që ata mund të jenë thjesht duke u shpjeguar njerëzve se si Jezusi i ka bërë bashkëshortë të shkëlqyer. Mund të jenë duke shpjeguar se si kanë qëllim në jetë. Mund të shpjegojnë se si, më në fund, gjetën përmbushje. Punë e madhe! A është kjo ajo që Pali po thotë përmes këtij rikujtimi? Ato janë përfitime. Ato nuk janë çështja thelbësore.

T’i shtoni besimit tuaj

Besim i çmuar. Premtime të çmuara. Dhe pastaj, në vargjet 5-7—dhe ky është vendi ku shkojnë shumica prej nesh kur përballen me 2 e Pjetrit 1—ne kemi një shkallë të mrekullueshme nga besimi te dashuria. Mund të kaloni kohë, mund të shkoni te teksti greqisht dhe të thoni: “Këtu përdoret e njëjta fjalë si edhe atje”, e kështu me radhë. Zakonisht është material mjaft i mërzitshëm, thjesht për shkak të mënyrës se si e trajtojmë. Ne që mendojmë se shtjellimi është që thjesht të shkojmë te një varg dhe të qëndrojmë aty gjithë pasditen, nuk e kemi kuptuar kurrë saktësisht se çfarë mund të jetë shtjellimi. Më vonë do të themi më tepër për këtë.

Ajo që Pjetri po thotë këtu, është kjo: “Përderisa ju është dhënë kjo njohje e Perëndisë, dua që të siguroheni që kësaj t’i shtoni njohuri, e cila është dhurata e hirit të tij, atë lloj njohurie që vjen si rezultat i ushtrimit të vetes suaj.” Kjo listë e vogël, bashkë me lista të tjera në Dhiatën e Re, sigurohet që ta godasë në kokë idenë ‘hiq dorë dhe lër Perëndinë’ të bëjë punën e tij të mrekullueshme. Edhe pse përpjekja njerëzore duket qartë që është e pamjaftueshme, ajo, megjithatë, është e pazëvendësueshme. Megjithatë, ne themi—shpresoj që të mos lëndoj askënd, edhe pse kjo do të ishte një punë shumë e vështirë gjatë këtyre ditëve që kemi përpara—por unë shkoj për të predikuar dhe dëgjoj të thuhet: “Hiq dorë dhe lër Perëndinë.” Nga çfarë të heq dorë? Të heq dorë nga rripi i pantallonave? Nga çfarë të heq dorë? Sipas Pjetrit, a është heqja dorë çelësi i pjekurisë së krishterë? Jo, çelësi është që të shtosh.

“Por ti, o njeri i Perëndisë, arratisu nga këto.” “Ju miq në Kolos, hiqini ato rroba të vjetra dhe vishni rrobat tuaja të reja.” Sigurohuni që kur të zgjoheni në mëngjes, të mos bini pre e idesë që pasiviteti është çelësi i pjekurisë frymërore—që mënyra për t’u bërë vërtet të dobishëm për Perëndinë është që të mos bëni asgjë. Pra, që të gjeni një kolltuk të madh e të rehatshëm diku, të uleni në të, dhe e vetmja gjë që mund të kontribuoni është të qenët bezdi. Nëse mëson këtë, i bie që po mëson me kokën bosh dhe me Biblën e mbyllur. Sigurisht që këtë nuk mund ta jepni mësim nga 2 e Pjetrit 1. Ai u thotë: “[Dua që ju] duke treguar çdo zell, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe në virtyt njohurinë” e kështu me radhë.

Charles Simeon-i që njihej për jetën e tij kushtuar leximit të Biblës dhe lutjes—i cili me sa duket zgjohej shumë herët në mëngjes për të lexuar Biblën dhe për t’u lutur—edhe në vitet e fundit të jetës së tij zgjohej shumë herët në mëngjes, dhe ende vazhdonte ta lexonte Biblën dhe të lutej. Dikush i tha: “E di çfarë? Simeon, në fakt, nuk ka nevojë që ta vazhdosh këtë zakon. Ti ke ngritur një trashëgimi të jashtëzakonshme. Ti ke krijuar një kapital të jashtëzakonshëm frymëror. Ti je ngritur shumë lart. Pse nuk tërhiqesh tani? Në fund të fundit, ti tani po plakesh shumë.” Përgjigjja e Simeon-it ishte kjo: “A nuk duhet të vrapoj me gjithë forcat e mia tani që e shoh vijën e përfundimit të garës?” Ka diçka shumë të rrezikshme për personin që thotë: “E di çfarë? Mendoj se tani e tutje do ta marr shtruar.” Pastorët që e marrin shtruar, krijojnë kisha që e marrin shtruar, dhe kishat që e marrin shtruar, shumë kollaj mund të përfundojnë në breg.

Tani do t’ju duhet të merreni vetë me këtë, sepse është koha që të lëvizim më tej. Mund ta trajtoni vetë listën. Kjo është një listë e mrekullueshme. Është një listë e dobishme. Në vargjet 5-7, Pjetri na jep gjithë këtë material për “shkallën e besimit”, nëse ju pëlqen, dhe disa kështu i janë referuar. Pastaj në vargjet 8-11, Pjetri jep disa nxitje dhe paralajmërime. Përdorimi i fjalës “nëse”, e cila sigurisht që paraqitet në tekst si përpjekje për ta kuptuar tekstin greqisht. Siç e dini, fjala “nëse” është një lidhëz, e cila paraqet një kusht, dhe çështja e realizimit apo mosrealizimit lihet e hapur. Nëse dikush ju thotë: “Përkufizojeni fjalën nëse”, kaq. Ajo është një lidhëz, e cila paraqet një kusht, ku çështja e realizimit ose mosrealizimit lihet e hapur. Prandaj, Pjetri u thotë: “Dëgjoni, nëse e bëni këtë, atëherë… Nëse nuk e bëni, atëherë…” Ky është një rikujtim për ne, që paralajmërimet, shtysat dhe nxitjet e Dhiatës së Re janë jetësore për përparimin tonë në besim. Sërish, nuk do të qëndroj këtu, sepse dua të arrij në fund të kapitullit në kohën që na ka mbetur.

Mirëpo, një komentues i lashtë, duke trajtuar çështjen e përforcimit të thirrjes dhe zgjedhjes suaj, për zellin që e shoqëron këtë gjë, si dhe për përpjekjen e pazëvendësueshme me anë të aftësimit nga fuqia e Perëndisë, thotë: “Margaritari i sigurisë nuk bie në prehrin e një shpirti përtac, dhe askush nuk mund të presë që ta arrijë atë… në zemrën e të cilit hiri nuk është ushtruar, dhe [mënyra e jetës] së të cilit është e pafrytshme.” Njerëzit vijnë te ne dhe na thonë: “E po, unë nuk kam aspak siguri të besimit.” E po, pse vallë të kenë siguri të besimit, kur nuk po i shtojnë besimit të tyre? Pyetja “nëse” është një pyetje e rëndësishme!

Është e njëjtë me paralajmërimet e librit të Hebrenjve. “Ne jemi nga ata që vazhdojnë deri në fund dhe shpëtohen.” Kush? Ata që e marrin Fjalën dhe e zbatojnë atë. “Nuk jemi nga ata që tërhiqen pas dhe shkatërrohen. Ne jemi nga ata që vazhdojnë dhe shpëtohen.” Nuk po themi se e shpëtojmë veten me qëndrueshmërinë tonë, por themi se qëndrueshmëria jonë është një provë e këmbënguljes së Perëndisë në jetët tona, dhe kështu na aftëson që të përparojmë.

Mendoj se këto të vërteta janë çliruese për njerëzit tanë. Ja pse ai e paraqet rrezikun e rrëzimit. Ai thotë: “Bëni mirë të keni kujdes që të mos rrëzoheni.” Ai e përdor këtë si një motiv për t’i nxitur besimtarët në zell dhe në ushtrimin e hirit. Shpresoj që asnjëri nga ne të mos e lexojë Biblën dhe të thotë: “E po, sigurisht, kjo nuk ka të bëjë fare me mua, sepse nuk ka mundësi që unë të bie.” Më fal, si the? Secili prej nesh është një hap larg rrëzimit të tmerrshëm dhe shkatërrimtar. Ne nuk i afrohemi Biblës në këtë mënyrë, duke thënë: “Ky është një varg i frikshëm për disa njerëz në bashkësinë tonë.” Ky është një varg i frikshëm për mua! 

“Përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë. Sepse kështu do t’ju jepet të hyni begatisht në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” Nëse nuk e bëni, mund të arrini në qiell si një marinar, të cilit i është mbytur anija. Sepse unë dhe ju mund të hamendësojmë se veprat tona janë ar, argjend dhe gurë të çmuar, ama kur Dita do ta tregojë, do të zbulojmë që ato janë thjesht dru, kashtë dhe sanë, dhe ne do të shpëtohemi si përmes zjarrit. Prandaj, ajo që Pjetri po na thotë, është: “Mos shkoni në qiell me veprat tuaja të konsumuara nga zjarri. Shkoni atje për një mikpritje të mrekullueshme”, si pritja që i bëhej sportistit i cili kishte fituar garën, apo gjeneralit që kishte dalë fitimtar në betejë. Ai thotë: “Shkoni në qiell dhe do të përjetoni një mikpritje të mrekullueshme.” Sipas vargut 10, qëndrueshmëria e tanishme është: “Nuk do të pengoheni kurrë.” Kënaqësia e ardhshme paraqitet në vargun 11. Sa ditë e mrekullueshme që do të jetë ajo ditë! Perëndia nuk do të kursejë asgjë për mbërritjen dhe mikpritjen tënde.

Ky është një mendim i mahnitshëm, apo jo? Mendimi se në përjetësi, Perëndia ka qenë duke përgatitur festën e mikpritjes për ty? Dje po mendoja për faktin që një nga fëmijët e mi do të kthehet në shtëpi dhe unë nuk do të jem atje. Po mendoja për të gjitha gjërat që mund të vendosja në dhomën e saj, për t’i thënë: “Të dua dhe ti je e mirëpritur! Jam shumë i gëzuar që je kthyer në shtëpi.” Asgjë të tepruar, thjesht disa gjëra të vogla. Disa kupona për në Starbucks, që ajo të shkojë e të pijë një kafe nga unë. Ndoshta një libër. Ndoshta një foto të herës së fundit kur ishim bashkë. Ndoshta diçka që e bën të mendojë: “E di çfarë? Babai im po përgatitej për ardhjen time para se të vija unë, dhe fakti që ai nuk është këtu për të më pritur, zbutet pjesërisht nga mrekullia e shprehjes së kujdesit të tij për mua.” E po, këtë po bën Perëndia. Ati ynë është duke bërë këtë. Ai po përgatit një vend për ju. Ai po përgatit mikpritjen tënde. Dhe në ato ditë, si në ato të hëna kur thua: “Dje ishte e diela më e keqe që kam pasur në jetën time”, kur thua me vete: “Nuk jam i sigurt nëse po e përforcoj thirrjen dhe zgjedhjen time; nuk jam i sigurt që përparoj sa mundem”, atëherë ngriji sytë lart, shiko dhe kupto që Ati është duke pritur dhe duke të përgatitur një vendbanim atje. Ai ka përgatitur një pritje të mahnitshme dhe bujare për ty.

Tregimi i një dëshmitari okular

Nga këto nxitje dhe paralajmërime, Pjetri vazhdon në vargjet 16, 17 dhe 18 t’u kujtojë atyre që ai po u jep tregimin e një dëshmitari okular. Thjesht dua që ta përmend këtë dhe pastaj të kalojmë te pjesa e fundit.

Mënyra se si fillon vargu 16, duket se nënkupton që Pjetri po e mbron veten e tij kundër disa prej akuzave që po ngriheshin nga mësuesit e rremë: “Sepse… nuk ndoqëm përralla të sajuara me mjeshtëri.” Disa njerëz po thoshin: “Nuk do të doje ta ndiqje atë tipin, Pjetrin. Ai thjesht i shpik gjërat. Ai i ka sajuar gjërat. Eja me ne, dhe ne do të të tregojmë shtegun e vërtetë.”

Peterson-i e parafrazoi kështu: “Ne, në fakt, nuk po shprehnim dëshirat kur ju paraqitëm faktet… në lidhje me kthimin e pushtetshëm të Zotërisë tonë, Jezu Krishtit. Ne ishim atje për parapremierën! Ne e pamë me sytë tanë.” Kjo është sërish një parapremierë madhështore. “Ne ishim atje për parapremierën.” Çfarë po thotë Pjetri? “Ne ishim atje mbi malin e shpërfytyrimit.” Kthehuni te Luka 9 dhe lexojeni! Në fakt, ata i prishën disi gjërat kur ishin atje—por ai nuk e përmend këtë—ama ata ishin atje! “Po sikur të ngremë tri tenda këtu? Kjo është një kohë e mrekullueshme. Ndoshta mund të qëndrojmë këtu.” Jezusi u tha: “Harrojini tendat! Më shikoni mua!”. Dhe zëri nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni! Mjaft folët për tenda!”. (Mendoj se mund të nxjerrim ndonjë zbatim në lidhje me planet për ndërtime nga kjo pjesë, apo për diçka të ngjashme—duke mos u bazuar fare mbi faktet, por kjo nuk do t’i ndalonte shumë prej nesh. Nuk na ka ndaluar në të shkuarën dhe ndoshta nuk do të na ndalojë as tani. “Ata donin të ngrinin një tendë, por nuk duhej ta bënin, prandaj, as ne nuk duhet të ndërtojmë, e kështu me radhë.” Kjo po që është ekzegjezë e mrekullueshme.)

Pjetri, pra, thotë: “Dua që të kuptoni se nuk jam fajtor për akuzën e spekulimit, dhe nuk jam fajtor as për akuzën e shpikjes.” Edhe Pali u përball me të njëjtën gjë, apo jo? Njerëzit po thoshin të njëjtat gjëra: “E dini çfarë? Nuk mund t’i besoni Palit.” Prandaj, kur Pali shkruan te 2 e Korintasve 4, i duhet të thotë: “Ne mohuam gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur në dinakëri.” Prandaj, Pjetri thotë: “Dua që të kuptoni se mesazhi që ju kemi shpallur, bazohet mbi atë që ne kemi parë dhe dëgjuar.” Të njëjtën gjë e shihni tek apostulli Gjon: “atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që kemi vështruar dhe që duart tona e kanë prekur.” Ai thotë: “Ne ishim dëshmitarë okularë të shpërfytyrimit dhe të ringjalljes së Zotit Jezus.” Në këtë kuptim, ata ishin dëshmitarë të “nderit dhe lavdisë” së tij, sepse, vini re, “qemë bashkë me të në malin e shenjtë”. Zëri që erdhi nga qielli atë ditë, ua drejtoi vëmendjen nga ngritja e tendave te vetë Zoti Jezus. Sepse fjala e profetëve tregonte drejt atij që ishte Mbreti mesianik dhe Shërbëtori i Përvuajtur, dhe pyetja e madhe e profetëve ishte: “Si do të bashkohen këto gjëra?”. Dhe kur Pjetri është në shtëpinë e Kornelit thotë: “Për të dëshmojnë të gjithë profetët”.

Siguria e Fjalës

Pastaj, në vargjet 19-21, Pjetri kalon nga tregimi i një dëshmitari okular në rikujtimin e sigurisë së fjalës profetike. Me këtë dëshiroj që ta mbyll. Ai u thotë: “Dua t’ju rikujtoj”—rikujtoni, le t’i kthehemi asaj që kemi thënë—“Dua që t’jua rikujtoj këto gjëra; nuk kam turp që t’jua rikujtoj këto gjëra. Dua që t’ju rikujtoj për besimin e çmuar, për premtimet e çmuara, për nevojën që të vazhdoni të piqeni nga besimi në dashuri; dua që t’ju rikujtoj që t’i kushtoni vëmendje të veçantë nxitjeve dhe paralajmërimeve; dhe dua t’ju rikujtoj se materiali që ju kemi dhënë, është materiali i dëshmitarëve okularë. Dhe tani, si përfundim, dua që t’ju rikujtoj për sigurinë absolute të fjalës profetike. Ne e kemi edhe më të përforcuar fjalën profetike, së cilës bëni mirë t’i kushtoni kujdes.” Askush nuk mund ta keqkuptojë dot këtë. Çfarë po bën Pjetri? Ai po i kthen lexuesit e tij te Bibla! Kjo është detyra jonë.

Ka disa teza diplomash për doktoratura që qarkullojnë mbi forcën e këtyre fjalëve: “Ne e kemi edhe më të përforcuar fjalën profetike.” Disa prej jush madje mund të kenë shkruar një të tillë. Unë sigurisht që nuk e kam, dhe nuk do ta shkruaj kurrë. A po thotë Pjetri se fjala e profetëve të Dhiatës së Vjetër është bërë më e sigurt si rezultat i vërtetimit të saj nga shpërfytyrimi i Krishtit? Apo do të thotë që Shkrimet e Dhiatës së Vjetër po konfirmojnë dëshminë apostolike? Apo që ka disa mundësi të tjera?

Çështja është që komentuesit janë të ndarë, madje edhe mënyra se si është përkthyer në versione të ndryshme të çon drejt përfundimeve të ndryshme. Çfarë bëni ju kur arrini në një dilemë të tillë? Unë u referohem disa njerëzve të ndryshëm dhe njëri prej tyre është Calvin-i. Sepse kur thoni: “Calvin-i tha”, ka një lloj tingulli të veçantë. Mund të thoni: “Ryrie tha”, por kjo nuk ka të njëjtën forcë—dhe kjo varet, të paktën, nga qarqet në të cilat bëni pjesë. Ju, pra, thoni: “E po, mund të jetë kjo, dhe mund të jetë kjo tjetra. Më lejoni t’ju them se çfarë tha Calvin-i.”

Calvin-i, pra, tha: “Autoriteti i Fjalës së Perëndisë është po ai që ka qenë në fillim, por pastaj u vërtetua më shumë sesa më parë nga ardhja e Krishtit.” Pra, i gjithë materiali profetik që tregon drejt së ardhmes, tani e ka gjetur vërtetimin e vet në Krishtin. “Ne ishim atje në shpërfytyrimin e tij. Ne jemi dëshmitarë të faktit të ringjalljes së tij. E dimë që ai tani është ngjitur në të djathtën e Atit në qiell. E gjitha kjo është vërtetim i faktit që ju mund të jeni absolutisht të sigurt për të vërtetën e asaj që po ju themi.”

Dick Lucas-i, duke komentuar për këtë varg, thotë: “Ekziston një dëshirë e natyrshme për një zë nga qielli. Ai zë është dhënë me të vërtetë… por nuk na është dhënë neve.” Ajo fjali e shkurtër është shumë e rëndësishme, sepse vargu 18 thotë: “Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.” Pra, zëri nga qielli ka ardhur, ai u ka ardhur apostujve, e vërteta e apostujve tani është e shkruar për ne, prandaj nuk ka pse të presim të dëgjojmë një zë nga qielli, sepse ai zë tashmë ka ardhur, u është dhënë atyre, dhe ata tani na e kanë përcjellë neve, prandaj ne nuk e çojmë kurrë bashkësinë tonë përtej Biblës. Nuk na duhet kurrë që ta çojmë bashkësinë tonë përtej udhëzimit dhe praktikës apostolike. Kur anëtarët e bashkësisë sonë vijnë vërdallë duke thënë: “E di çfarë? Mendoj se dëgjova një zë nga qielli”, ose “Do të doja shumë të dëgjoja një zë nga qielli”, ne mund t’u themi: “E po, më pëlqen zelli yt. Më pëlqen fakti që je i interesuar të dëgjosh nga Perëndia, edhe mua më pëlqen shumë të dëgjoj prej tij. Mirëpo, dua që ta dish se zëri i tij është dëgjuar, dhe më lejo të të tregoj…” Ne, pra, i drejtojmë vazhdimisht njerëzit tek autoriteti dhe mjaftueshmëria e Biblës.

Nëse vazhdon në kapitullin 2—dhe sigurisht që nuk ka ndarje në kapituj—Pjetri flet menjëherë për këta individë që po bënin deklarata të guximshme. Ata ishin plot me anekdota të sajuara dhe po mblidhnin rreth vetes njerëz të cilët ishin shumë të gatshëm që Fryma e Perëndisë t’u përcillte kërkuesve një mesazh të ri përmes këtyre tipave. Prandaj, ajo që Pjetri thotë, është kjo: përgjigjja për këtë është në sigurinë, në autoritetin dhe në mjaftueshmërinë e Shkrimit. Përgjigjja është në sigurinë, në autoritetin dhe në mjaftueshmërinë e Shkrimit.

Si mund të bëhemi vallë të dobishëm në foltore? E po, kjo, më së shumti, ka të bëjë me bindjen që Perëndia trazon në zemrat tona në lidhje me këto gjëra: me sigurinë, me autoritetin dhe me mjaftueshmërinë e Shkrimit. Ne nuk kemi autoritet! Dua të them që, nëse kemi ndonjë dyshim, le të pyesim bashkëshortet tona. Fakti se sa shumë autoritet kam unë, m’u zbulua mbrëmë kur pyeta gruan: “A mund të përdorim pjata letre?”. “Jo”, tha ajo, “nuk mundemi.” Nëse nuk do të kishte ndërhyrë dikush që kishte më shumë autoritet se unë, do të kishim ngrënë në pjata prej letre. Prandaj, unë them me vete: “A kam unë autoritet? Unë as që kam mundësi të përdor pjata letre në shtëpinë time.” Ju thoni: “E po, duket që paske një grua rebele.” Jo, ajo donte që të ishte një darkë e këndshme për ju. Ajo mendoi se ideja ime nuk vlente. Shumë prej ideve të mia janë kot.

Prandaj, nëse ajo që kemi për të ndarë para njerëzve tanë, janë vetja dhe idetë tona, dhe jo Bibla e mjaftueshme dhe me autoritet, atëherë, sinqerisht, më mirë të mbledhim plaçkat dhe të shkojmë në shtëpi. Kur e humbasim sigurinë në autoritetin, mjaftueshmërinë dhe sigurinë e këtij libri, atëherë do të sjellim në skenë valltarët, atëherë do të sjellim dritat, atëherë do të sjellim shfaqjet, pastaj do të sjellim atë tipin, burrin më të fortë në Amerikë, që i thyen me kokë shufrat e trasha të akullit. “Ejani të dielën në mbrëmje dhe shihni Pinxhon nga Minnesota, i cili do të ecë mbi litar sipër pagëzimores. Nuk do të donit që t’ju humbiste ky rast dhe të dëgjonit dëshminë e tij të mrekullueshme, se si erdhi te Jezusi!” Po, mirë, pra, shkoni në shtëpi të gjithë; paçi një pasdite të këndshme dhe mos u dukni! Një tragjedi e tillë është kudo rreth nesh.

Mungesa e Biblës në krishterimin ungjillor tani është një epidemi dhe fenomen i frikshëm, por jo për ata që nuk po e lexojnë dhe as po e predikojnë atë. Ka të ngjarë që jemi një brez larg nga shkatërrimi i Evropës Perëndimore, nëse Perëndia nuk vjen që të ndërhyjë me Frymën e tij. Dhe për këdo që shkon dhe sheh kishat e mia të vjetra në Skoci, dhe thotë: “Si ka mundësi që arritët në këtë pikë?”, përgjigjja ime është gjithmonë e njëjta: “Prit. Do ta zbulosh, sepse ju po na ndiqni nga pas.” Humbja e sigurisë në fjalën profetike, që është vërtetuar edhe më tepër, qëndron në zemër të shkatërrimit dhe të humbjes së atij lloji krishterimi të gjallë për të cilin Pjetri po i kujtonte miqtë e tij të dashur në këtë letër.

Ka grupe të rinjsh të cilëve u thuhet të mos i marrin Biblat me vete, sepse do të jetë një mbrëmje ungjillëzuese. Çfarë po planifikoni t’u thoni këtyre paganëve kur të vijnë? Mos vallë e keni mësuar përmendsh të gjithë Biblën? Dua të them, mos vallë e ditkeni Biblën fjalë për fjalë? “Jo.” E po, çfarë do t’u thoni atyre kur t’ju bëjnë një pyetje? Ku po shkoni? “Oh, ne nuk e bëjmë atë! Jo, nuk e bëjmë atë.” E po, bëjeni! Sepse zbulimi i Fjalës së Perëndisë jep dritë. Takimet rrallëherë i referohen Biblës. Në shumë qarqe, thirrja për t’i rikujtuar fjalët që janë thënë në të shkuarën—që është vargu 3:2, dua “që të mbani mend fjalët që u thanë më parë”—është zëvendësuar nga një thirrje për t’i kushtuar vëmendje fjalës profetike që po flitet në të tashmen. Rezultati i kësaj është që, shumë lehtë, humbasim sigurinë apo interesin për Biblën.

Pra, detyra e pastorit është që të sigurohet që bashkësia e tij të jetë e ankoruar te Fjala e Perëndisë dhe e themeluar në veprën e Krishtit. E shihni që profetët nuk kishin dalë thjesht të bënin më të mirën që kishin mundësi, duke qenë të rrezikuar nga njerëz më të zgjuar që do të vinin pas tyre. Nuk do të ketë më kurrë një dritë hyjnore përmes së cilës njerëzit do të udhëhiqen, përveçse me anë të Shkrimeve. Më në fund, do të agojë dita kur zbulesa e jashtme dhe ndriçimi i brendshëm do të kombinohen, dhe atëherë do të njohim plotësisht, ashtu sikurse edhe njihemi. Kjo është përpjekja ime më e mirë për t’ju shpjeguar fundin e vargut 19: “derisa të zbardhë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrat tuaja.” Bëni diçka me atë! Shumica e shpjegimeve nuk më pëlqejnë. Ndoshta për shkak se nuk jam shumë i mprehtë. Ama ato shpjegime duken si të sforcuara. Më duket sikur ajo që Pjetri po thotë, me njëfarë imazhi i cili ndoshta ishte më i kuptueshëm për shekullin e parë sesa për shekullin e njëzetë, tingëllon pak a shumë si 1 e Korintasve 13: “Sepse tani, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë, ashtu sikurse njihem.” Kështu, zbulesa e jashtme do të kombinohet me ndriçimin e brendshëm dhe krejt papritur do të shohim një panoramë të madhe zbulimi. Ai thotë: “Ajo ditë po vjen. Por ajo ditë nuk ka ardhur ende. Pandaj, ndërkohë, për t’ju mbajtur në shtegun e duhur, bëni mirë të qëndroni në Biblën tuaj. Profecia nuk erdhi nga vullneti i njerëzve.” Me fjalë të tjera, Shkrimet nuk janë produkt i mençurisë personale të vetë profetëve.

Vëllezër, ne duhet t’ia kujtojmë vetes këtë gjë. Nëse lexoni studime kritike, studiuesit kritikë thonë: “E po, pse t’i kushtoni vëmendje Isaias? Çfarë dinte vallë Isaia për shekullin e 21-të? Ai jetoi shumë kohë më parë. E pranojmë që ishte burrë i mirë, por ju e dini që atij ia kanë kaluar të tjerët. Ka shumë kohë qëkurse ndodhi kjo.” Nëse ajo që kemi në profetët e Dhiatës së Vjetër, do të ishin thjesht idetë e tyre personale, atëherë mund t’i shihnim fjalët e tyre si të kufizuara nga gabueshmëria njerëzore dhe nga pikëpamja e tyre për botën, dhe në këtë rast mund të ishim në gjendje ta hidhnim poshtë atë që ishte shkruar, duke u mbështetur te idetë e reja të së sotmes. Sërish, më lejoni që t’ju citoj nga miku im, Dick Lucas: “Profeti i Dhiatës së Vjetër nuk doli vullnetar për të kontribuar me idetë dhe udhëzimet e tij, dhe pastaj të korrigjohej nga një pasardhës më i shkolluar!... Fjala profetike mbetet përgjithmonë Fjala e Perëndisë.” Kur lexojmë Isaian, “nuk po na flet thjesht një burrë [i lashtë], por… vetë Perëndia.” Perëndia flet. Prandaj, kur Fjala e tij shpallet me besnikëri, zëri i tij dëgjohet me të vërtetë.

Ata u morën—njerëz realë në një situatë reale—velat i kishin të ngritura, nëse mund ta themi kështu, dhe u shtynë nga Fryma e Shenjtë në drejtimin e zgjedhur nga Perëndia, për të përmbushur qëllimin e Perëndisë. Burra realë nga sfonde të ndryshme—jo robotë, jo daktilografë, jo sekretarë—të fuqizuar nga veprimtaria e Frymës së Shenjtë, ndërsa Perëndia e zbulon veten e tij përmes tyre.

Sërish, Calvin-i thotë: këta burra “nuk guxuan të bënin asgjë nga vetja, por vepruan vetëm në bindje ndaj udhëzimit së Frymës, i cili kishte kontroll mbi buzët e tyre si në tempullin e Tij.” Isaac Watts-i thotë:

Qiejt tregojnë lavdinë tënde, Zot,

Shkëlqen urtësia jote në çdo yll;

Por kur Fjalën tënde ne shikojmë,

Më qartë emrin tënd e lexojmë.

Këtu shohim të tuat të ndritura mrekulli,

Kur fal mëkatet dhe shpirtrat përtërin.

Zot, më pastro, më përtëri,

Me Fjalën tënde në qiell më pri!

Vëllezërit e mi të dashur, nëse kjo bëhet bindja e sinqertë e zemrave tona, atëherë, kjo do të na fuqizojë për detyrën që na pret. Duke qenë se tani kemi një siguri të jashtëzakonshme—jo në veten tonë, por në fuqinë e Frymës, përmes së cilit ai na ka dhënë gjithçka që na nevojitet për jetën dhe perëndishmërinë.

Le të lutemi bashkë:

Ç’themel i fortë për ju, shenjtorë të Zotit,

Është hedhur për besimin tuaj në Fjalën e tij të përsosur!

Çfarë tjetër mund t’ju thotë, përveç asaj që ju ka thënë,

Juve që në Jezusin keni shkuar të strehoheni?

Atë, të lutem që njohja që kemi për këto gjëra, të mos na pengojë për të bërë një vetëshqyrtim të sinqertë, që, duke kaluar, më së pari, vetë nën hetimin e Fjalës sate, të jemi më pas në gjendje të flasim si njerëz të fuqizuar nga fuqia e Frymës sate dhe nga autoriteti i Fjalës sate.

Të falënderojmë për këtë kohë; të falënderojmë për njëri-tjetrin dhe të lutemi që ti ta bekosh kohën tonë së bashku, në mënyra të cilat as që i kemi pritur ndonjëherë, sepse ti bën shumë më tepër nga sa ne mund të kërkojmë apo të mendojmë. Kjo gjë na jep siguri. T’i dorëzojmë ty familjet e kishës sonë, shqetësimet tona, të afërmit tanë, nën kujdesin dhe ruajtjen tënde, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht. Amen.

Materiale Burimore

Transkript: 08. Kthim sërish te bazat (Pjesa 2)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}