Nëse Bibla është timoni që na drejton në detin e jetës, dora e kujt e drejton atë timon, sidomos kur bëhet fjalë për kishën lokale? Efesianëve 4:12-13 e trajton rolin e bariut-mësues si një rol të dhënë nga Krishti për pajisjen e shenjtorëve. Alistair Begg-u diskuton për shërbesën dhe veprat e shërbesës që rrjedhin prej saj, si dhe unitetin e ruajtur dhe të arritur mes besimtarëve. Kur jetët tona sillen nën mësimin e Fjalës, mund ta bëjmë me efektshmëri punën që Perëndia na ka vendosur përpara, si individë dhe si kishë.
Temat:
- Udhëheqja e kishës
- Jeta e kishës
- Shërbesa
Transkripti:
Jezusi u tha dishepujve të tij: “Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë bëni, sepse jam.” Duke qenë se ai është ai që është, ne nuk e kemi lirinë që të mos biem dakord me atë që thotë ai, madje as nuk kemi ndonjë liri për të mos iu bindur asaj që ai thotë. E kuptoni që, në fund të fundit, gjërat vijnë te kjo çështje themelore: A është Jezu Krishti ai person që pretendoi të ishte? Pastaj, nëse ai në lavdinë e tij të lartësuar ia ka dhënë këtë dhuratë kishës, ne duhet të sigurohemi që po i kushtojmë vëmendje asaj.
Ajo që dua ta kuptoj po aq mirë është kjo—kësaj mendoj se i jemi referuar më parë. Ju do ta vini re që lidhja e drejtpërdrejtë nuk është mes “ne japim mësim Biblën” dhe “kisha maturohet”. Jo. Bibla jepet mësim, shenjtorët maturohen, ata bëjnë veprat e shërbimit dhe kisha ndërtohet. Pra, e thënë ndryshe, ekziston një lidhje, apo jo? Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë mënyrën në të cilën, jo vetëm që e pranojmë Biblën kur na jepet mësim, por edhe në mënyrën sesi e marrim me vete, dhe themi: “Ka rrjedhoja për këtë, prandaj, nëse mund ta themi kështu, rritja frymërore dhe numerike e kishës nën bekimin e Perëndisë lidhet drejtpërdrejt me të gjithë ata që janë anëtarë të kishës, të cilët bëjnë atë që duhet të bëjnë—si për shembull, t’i fikin celularët. Kësaj do t’i kthehemi më vonë. E vini re frazën në fund të vargut 16: “sipas masës së veprueshmërisë së çdo pjese të veçantë.” “Sipas masës së veprueshmërisë së çdo pjese të veçantë.” E keni parasysh atë zhurmën e tmerrshme që bën skaneri në spital, e po, bën mirë që të funksionojë si duhet. (Në fakt, nuk është skaneri. Është rezonanca magnetike ajo që e bën atë zhurmë.)
Kjo ndryshon gjithçka. Kur isha në shkollë në Skoci, kishim zakon të këndonim këtë këngë:
Ka një punë për Jezusin, që ti duhet ta bësh,
Është një detyrë që Mjeshtri për ty e planifikoi.
Nxito të bësh atë që thotë ai, shërbeji me të vërtetë;
Ka një punë për Jezusin, që vetëm ti mund ta bësh.
A e besoni me të vërtetë këtë? A e besoni që Perëndia ju ka dhënë një vend, një qëllim dhe një funksion? Mos shihni përreth e të thoni: “Unë nuk jam i tillë, nuk jam ai, nuk jam ajo.” Këtë harrojeni! Mëso të thuash bashkë me peshkopin e vjetër anglikan: “Jam vetëm një njeri, ama jam një. Nuk mund të bëj dot gjithçka, ama mund të bëj diçka. Atë që mund ta bëj, duhet ta bëj. Atë që duhet ta bëj, do ta bëj me ndihmën e Perëndisë.” Kjo, shumë të dashur, është shërbesa. Shërbesa. Si rezultat i kësaj, kisha ndërtohet.
E thënë ndryshe, ky është një mekanizëm për ndërtimin e trupit. Në fakt, unë nuk duhet të flas fare për formimin e trupit—dhe për këtë dua të dëgjoj një amen të fortë diku. Jo, e kuptoj! Ama, kam parë ata që merren me zhvillimin e muskulaturës! Disa prej jush merren me këtë. Shpesh përplasem me ju dhe them: “Oh, kështu duhet të jetë!”. Mirëpo, burri normal që merret me zhvillimin e muskulaturës, të paktën ata që kam parë unë, nuk është dhe aq i zhdërvjellët. Dua të them që ata hungërijnë dhe i lënë të gjithë gojëhapur. Ama, e dini çfarë? Unë i sfidoj në një garë njëqind metërshi, kur të duan ata—shumicën prej tyre. Jo disa nga sportistët profesionistë, sepse nuk dua të hyj në telashe. Ama është fakt që, kur mendojmë për këtë gjë në terma biblikë, nuk po flasim thjesht për madhësinë. Jemi duke folur për zhdërvjelltësinë. Po flasim për shkathtësinë. Po flasim për aftësinë për t’u ulur dhe për t’i marrë gjërat.
Ne duhet të sigurohemi që metafora të cilën e kemi në mendje për trupin që funksionon në këtë mënyrë, nuk është ajo e një autobuzi, ku të gjithë ulen dhe kritikojnë shoferin, ku të gjithë jemi një grup konsumatorësh, por nuk jemi kontribues. Gjithsesi, nuk duhet të kemi në mendje as tablonë e një hinke në të cilën keni një bari-mësues i cili nuk i delegon asgjë asnjeriu, dhe gjithçka duhet të kalojë përmes tij. Ka shumë kisha të vogla ku, në fakt, problemi qëndron te bariu-mësues; por ai nuk ballafaqohet me problemin. Kjo ndodh ngaqë ai mendon se duhet të bëjë gjithçka, përndryshe, në njëfarë mënyre, besueshmëria e tij do të vihet në rrezik, prandaj, ai nuk tërheq kurrë rreth vetes njerëz që janë më të mirë se ai. Ka të ngjarë që ai të jetë i cenueshëm nga kjo; ai nuk do që ndokush ta dijë se nuk është i zoti në gjithçka. Mirëpo, me kalimin e kohës, të gjithë e dinë se nuk jeni të zotë në gjithçka. Me kalimin e kohës, ata nisin të vrasin mendjen nëse jeni të zotë në ndonjë gjë.
Autobuzi. Hinka. Orkestra. Luaj pjesën tënde. Dëshiron të jesh një muzikant që i bie bilbilit? Bjeri bilbilit për lavdinë e Perëndisë! “Por mua më pëlqen t’i bie një violonçeli të madh.” Oh, vërtet? Po më thua që kur orkestra të marshojë, ti dëshiron t’i biesh një violonçeli të madh? Mos po më thua se nuk je i lumtur që ta mbash bilbilin e vogël në xhepin e brendshëm të xhaketës? Perëndia e di se çfarë po bën!
E po, bëjmë mirë që të vazhdojmë.
Uniteti
Shërbim dhe unitet. Unitet. Pali e ka filluar kapitullin duke i inkurajuar ata, jo që ta krijojnë unitetin; sepse tashmë ata e kanë atë në Krishtin dhe përmes Tij. Në bashkimin e tyre me Krishtin, ata janë bashkuar me njëri-tjetrin, prandaj, ky është një unitet që duhet ruajtur—vargu 3—dhe pastaj kalojmë te vargu 13, ku bëhet fjalë për unitetin që e arrijmë. Prandaj, uniteti është diçka që duhet ruajtur dhe diçka që duhet arritur. Ai tashmë ju ka thënë që “ju jeni banesë për Perëndinë me anë të Frymës së Shenjtë”. Unikaliteti i kishës është themelor për ndikimin e saj.
Nëse lexoni historinë e kishës, do të mësoni që kisha është gjithmonë në pozitën e saj më të efektshme, kur ajo është më fort kundërkulturore. Çdo herë që kisha pushtohet nga kultura ose kur identifikohet nga ana politike ose shoqërore me një sistem të caktuar, bëhet më pak e dobishme. Për shembull, në 250-300 vitet e saj të para, kisha u përndoq. Ata u ndoqën këmba-këmbës. Pastaj, Kostandini u bë i krishterë. Papritur, kisha u institucionalizua. Tani perandori romak ishte pjesë e kësaj gjëje. Një nga pyetjet e mëdha me të cilat janë përballur historianët e kishës në atë kontekst dhe më gjerë është kjo: “A e bëri kjo kishën më të efektshme apo më pak të efektshme?” Historia mbështet argumentin që kjo ngjarje e bëri kishën më pak të efektshme. Arsyeja ishte se kishte pështjellim në lidhje me faktin nëse kjo ishte një çështje politike apo një realitet frymëror.
Shumë të dashur, edhe sot kemi të njëjtin pështjellim! Kisha është në pozitën e saj më të mirë kur njerëzit thonë: “Kjo nuk është ajo që prisja.” Mund të them më shumë në lidhje me këtë gjë, ose jo—por, në këto 25-40 vitet e fundit, lëvizja progresive brenda ungjillorizmit ka qenë përpjekja për t’ua bërë të ditur të gjithëve që nuk jemi njerëz të çuditshëm. “Ne jemi njëlloj si ju! Ne vishemi si ju, ne ecim si ju, ne flasim… në çfarëdo fushe tjetër, ne jemi si ju.” Dhe njerëzit thonë: “E po, nëse jeni njëlloj si ne, përse na duheni ju?”. “Po, jo, ne kemi të njëjtën muzikë. Po, ne kemi të njëjtin stil jete. Po, ne kemi gjithçka njëlloj. Prandaj e bëmë kështu: që ju të na pëlqeni ne.”
Çfarë ka ndodhur tani pas dyzet vjetësh? Brezi i mijëvjeçarit thotë: “Ju nuk na pëlqeni. Ne as që duam të kemi të bëjmë me ju. Vërtet mendoni se meqë e konsideroni veten tipa interesantë, kjo do të na bëjë të duam të vijmë dhe të dëgjojmë? Apo fakti që, edhe pse jeni në të gjashtëdhjetat, vazhdoni të vishni xhinse? Prisni që ne të themi: ‘Oh, ai vesh xhinse, atje duhet të shkojmë!’”. Jo, ata janë më të zgjuar se kaq. Më lejoni t’ju them se çfarë po kërkojnë ata: po kërkojnë diçka që është radikalisht e ndryshme. Ja pse shumë prej tyre magjepsen nga ortodoksia lindore. Ja pse kaq shumë prej tyre janë hedhur në kërkim të frymërores, në kërkim të një dimensioni thelbësor, i cili nuk sigurohet nga cikërrimat që paraqiten në kaq përpjekje të kishës, për të vërtetuar se ne mund t’ju bëjmë pjesë tonën, duke qenë njëlloj si ju. Jo! Kisha duhet të jetë shumë, shumë e ndryshme, sepse uniteti që ekziston është uniteti në besim dhe në njohjen e Zotit Jezu Krisht.
Kisha nuk është si çdo organizatë tjetër. Ka lloj-lloj klubesh, pjesë e të cilave bëheni përmes arritjeve ose statusit tuaj shoqëror. Por kisha nuk është si një nga këto. Hyrja në kishë është me anë të hirit të Perëndisë. Prandaj, lexuesit në kishat efesiane e kuptuan që “vetëm Perëndia mund t’i bëjë bashkë ata judenj dhe ata paganë. Ata e urrejnë me shpirt njëri-tjetrin! Një ditë, shkova në një nga bashkësitë e tyre dhe ata ishin ulur krah për krah. Diçka ka ndodhur atje. Një gjë të tillë nuk e kemi parë kurrë.” Anëtarët e bashkësive efesiane e kuptuan që i vetmi person i cili do të përjashtohej nga kisha, do të ishte ai apo ajo që mendon se nuk ka nevojë për hir.
Jo. Ju e dalloni që hyrja për në kishë—siç tha Rutherford-i, një teolog i lashtë skocez—hyrja në njohurinë e Jezusit është e ulët, e ulët. Në fakt, çfarë tha Rutherford-i? “Uleni velën!” “Uleni velën! Përkuluni, përkuluni!” Udha e Krishtit “është një hyrje e ulët.” “Nuk dua të gjunjëzohem ashtu. Dua të hyj kokëlartë.” Jo. Nuk mundesh. Nuk mund të hysh ashtu kur hiri i Perëndisë të tregon se kush je dhe çfarë je, kur të tregon mrekullinë se kush dhe çfarë është Jezusi. Atëherë të gjitha gjërat që na dallojnë si të rëndësishëm, në fakt, nuk kanë rëndësi; ato thjesht i nënshtrohen unitetit që vjen në njohjen e Zotit Jezu Krisht.
A e njeh Zotin Jezu Krisht? Ti thua: “E po, jo, ndoshta e njoh, ndoshta nuk e njoh. Jo, nuk mendoj se e njoh. Nuk e kam takuar kurrë.” E po, nuk ke për ta takuar kurrë. Dua të them që ai nuk ka dalë shëtitje nëpër qytetin e Cleveland-it. Ti thua: “E po, nëse do të jetoja në një epokë tjetër, ndoshta do të besoja, por jo tani. Ku mund ta njoh Jezusin?”. E po, tani jemi kthyer tek e njëjta pozitë. Vetëm përmes Fjalës së Perëndisë, me anë të fuqizimit të Frymës së Perëndisë, mund të arrijmë në njohjen e Birit të Perëndisë. Njerëzit thonë: “Kjo është një enigmë. Si mund ta bëj vallë këtë?”.
I mbani mend dishepujt në rrugën për në Emaus te Luka 24? Ata ishin duke ecur, dhe Jezusi i ringjallur u afrohet. Ata nuk e njohën. Ata “ishin të penguar për të mos e njohur atë”. Kjo është interesante: “të penguar për të mos e njohur atë”, derisa erdhi koha për ta njohur. Kur e njohën ata Jezusin? Luka na thotë: kur ai ua hapi Shkrimet. Kjo është e jashtëzakonshme, apo jo? Pra, fizikisht, ai është përkrah tyre dhe ata nuk e njohin, dhe ai u bën një studim Bible dhe atëherë ata e njohin!
John Stott-i thotë: “Bibla ‘do t’jua japë Krishtin… në një afrimitet aq të ngushtë, saqë ai do të ishte më pak i dukshëm, edhe po të qëndronte para syve tuaj’.” Bibla “do t’jua japë Krishtin… në një afrimitet aq të ngushtë, saqë ai do të ishte më pak i dukshëm, edhe po të qëndronte para syve tuaj.”
Maturia
Fjala e fundit—të cilën kam kohë vetëm sa për t’jua prezantuar, por do t’i kthehemi sërish—është fjala maturi. E dalloni zhvillimin. Bariu dhe mësuesi i pajisin shenjtorët, të cilët pastaj përfshihen në shërbesë dhe trupi ndërtohet. Ky është një realitet i vazhdueshëm dhe progresiv “derisa të arrijmë… tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë”, të cilin, tani e shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe. Nëse mund ta themi kështu, ka shkallë shenjtërie, dhe për pasojë, ka edhe shkallë uniteti; prandaj është e qartë që ka edhe shkallë maturie. Qëllimi i kësaj është që ne të mund të arrijmë “te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit”.
E mbani mend që, në fillim të letrës, Pali është lutur për ata, që të mund “të mbushen në gjithë plotësinë e Perëndisë”. Çfarë lutjeje e mahnitshme, që Perëndia të mund të jetë gjithçka dhe në të gjithë! Për këtë gjë këndojmë: “Për mua je gjithçka.” A e kemi me gjithë mend? Çfarë do të thotë kjo? Çfarë do të thotë? Mund të ketë një kuptim kur e këndojmë së bashku, por çfarë kuptimi ka kur je vetëm, kur je në makinë, kur përballesh me tundimin dhe kur dëshiron të ndjekësh shtegun tënd? “Jo, ti je gjithçka për mua. Dua që të bëhem i pjekur. Nuk dua që të endem andej-këndej, si një i krishterë foshnjë.”
Në një kontekst tjetër, dje po i thosha dikujt, që gjithë javën kisha menduar për një doktor indian, emrin e të cilit nuk e dija, por që e kisha takuar kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe ai më operoi gishtin e madh të këmbës. Këtë informacion nuk ka pse ta dini. Arsyeja e vetme pse po jua tregoj, është sepse pas operacionit, dikush ma përplasi këmbën me një karrocë supermarketi. Për shkak të kësaj, penjtë e qepjes u këputën, prandaj, m’u desh të shkoja përsëri në urgjencë, tek i njëjti doktor që ma kishte bërë operacionin herën e parë. Ndërsa ai u ul dhe nisi ta qepte sërish plagën, me sa duket unë nuk reagova me shumë nënshtrim. Nuk do ta harroj kurrë, ai erdhi pas meje dhe më tha: “Ti qenke një foshnjë e rritur!”. Unë ia ktheva: “Nuk mundem…” Mendoj se i thashë diçka të tillë: “Ta tregoj unë kush është foshnjë.” “Ma jep atë gjilpërën. Ta tregoj unë si bëhet kjo punë.” Gjithsesi, kam menduar për këtë gjë gjithë javën. Nuk dua që Zoti të vijë tek unë e të më thotë: “Begg, u rrite, por foshnjë mbete! Je fëmijë, kur do të piqesh?”. Si mund të piqem? Me anë të Fjalës së Perëndisë, përmes shërbëtorëve të Perëndisë, drejtuar popullit të Perëndisë, të përfshirë në shërbesën e Perëndisë.
Tani mendojeni këtë, jo vetëm në nivelin individual—kështu do ta mbyllim—le të mendojmë për këtë gjë në nivelin e përbashkët. Le të mos mendojmë si individë; le të mendojmë për këtë gjë si kishë. Çfarë mund të themi për maturinë e kishës “Parkside”?
Pyetja e parë: A është Fjala forca shtytëse që i jep formë jetës së kishës sonë? Kjo është një pyetje retorike. A është Fjala e Perëndisë forca shtytëse që i jep formë kishës sonë? Sepse mundësia për t’u maturuar varet nga kjo gjë; për aq kohë sa Fjala nuk është forca shtytëse, atëherë jemi duke e zvogëluar mundësinë.
Së dyti, a po banon Fjala e Perëndisë në ne me pasurinë e vet, dhe si rezultat, a po e mësojmë dhe inkurajojmë njëri-tjetrin me çdo urtësi? Kjo është nga Kolosianëve 3.
Së treti, a po jetojmë në atë unitet që krijohet në mënyrë të mbinatyrshme, duke na sjellë bashkë si grup, në dallimin e faktit që jemi të rrethuar nga njerëz që në njëfarë mënyre… me të cilët nuk do të donim të shkonim për pushime së bashku. Nuk ka pse të ndihemi keq për këtë. E megjithatë, ne e duam njëri-tjetrin. Me të vërtetë?
A po rritemi në çdo aspekt drejt tij, drejt Krishtit, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit?
Pyetje të rëndësishme.
Shkrimtari i Letrës së Hebrenjve foli shumë hapur në letrën e tij, apo jo? Ai u tha njerëzve: “E dini çfarë? Jam i shqetësuar për ju, sepse jeni bërë të ngathët në dëgjim.” “Të ngathët në dëgjim.” Pra, ata janë ende aty, janë ende duke dëgjuar disi, por, në fakt, nuk po nxënë gjë. Pastaj, ai u thotë: “Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojë dikush gjërat elementare të fillimit të thënieve të Perëndisë.” Çfarë akuze që është kjo për një kishë! Pastaj, më vonë, ai u thotë: “Por lidhur me ju, o të dashur, ndonëse flasim kështu, jemi të bindur për gjëra më të mira, të cilat i përkasin shpëtimit.”
E po, kësaj do t’i kthehemi. Le të lutemi:
Atë, faleminderit që Fjala jote është një llambë që ndriçon në shtegun tonë, si individë, ashtu edhe si bashkësi. Ne lutemi që të mund të jemi si ata për të cilët flet Jakobi, të cilët e pranojmë Fjalën e Perëndisë me butësi, duke e ditur se ajo është në gjendje ta shpëtojë shpirtin tonë. Për hir të Krishtit. Amen.
Comments are closed.