03. Barinj dhe mësues (Pjesa 1)

Nëse Bibla është timoni që na drejton në detin e jetës, dora e kujt e drejton atë timon, sidomos kur bëhet fjalë për kishën lokale? Efesianëve 4:12-13 e trajton rolin e bariut-mësues si një rol të dhënë nga Krishti për pajisjen e shenjtorëve. Alistair Begg-u diskuton për shërbesën dhe veprat e shërbesës që rrjedhin prej saj, si dhe unitetin e ruajtur dhe të arritur mes besimtarëve. Kur jetët tona sillen nën mësimin e Fjalës, mund ta bëjmë me efektshmëri punën që Perëndia na ka vendosur përpara, si individë dhe si kishë.

Temat:

  • Udhëheqja e kishës
  • Jeta e kishës
  • Shërbesa

Transkripti:

Barinj dhe mësues

Efesianëve 4:12–13

Ju ftoj ta hapim Biblën së bashku te kapitulli 4 i Efesianëve. Jemi duke studiuar Letrën e Efesianëve. Tani kemi arritur në vargun 11, prandaj do të lexojmë nga vargu 11 deri në fund të kapitullit—jo, deri në fund të vargut 16. Efesianëve 4:11-16:

Dhe ai dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë, të tjerë si barinj e mësues, për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit, që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këndej dhe të çuar aty-këtu nga çdo erë e doktrinës, nëpërmjet mashtrimit të njerëzve dhe dinakërisë së tyre që me dredhi çojnë në gabim, por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi i bashkuar dhe i lidhur mirë, me anë të bashkimit të ndihmesës sipas masës së veprueshmërisë së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.

Lavdi Perëndisë për Fjalën e tij!

Ndërsa kthehemi te Bibla, shkojmë para Perëndisë në lutje:

At qiellor, ne përkulemi në praninë tënde. Qoftë Fjala jote standardi ynë, qoftë Fryma jote mësuesi ynë dhe lavdia jote qoftë interesi ynë më i lartë! Përmes Jezu Krishtit Zotit tonë. Amen.

Herën e fundit folëm për elementet themelore që Pali na jep në këtë pjesë, duke përshkruar dhuratat e Krishtit të lartësuar: “Dhe ai dha disa si apostuj, të tjerë si profetë” dhe “të tjerë si barinj e mësues”, ose siç përkthehet më zakonshëm, pastorë dhe mësues, dhe siç kuptohet në mënyrën më të zakonshme, një ofiq i dyfishtë—si përkujdesje, ashtu edhe mësimdhënie. Të paktën unë kështu e kuptoj. Megjithatë, çfarë duhet të bëjmë ne me rolin e bariut-mësues? Është jashtëzakonisht e rëndësishme që, si ata që e luajnë këtë rol, ashtu dhe ata që përfitojnë nga ushtrimi i kësaj dhuntie në bashkësi, ta kuptojnë këtë.

Më lejoni t’ju jap një citim, i cili që me fjalinë e parë, mund të na kapë disi të papërgatitur: Bariu-mësues “mban ofiqin më të lartë të përgjegjësisë njerëzore në të gjithë krijimin.” Tani, dua t’ju jap një listë rolesh të mundshme që mund t’i përmbushni në shoqëri. Ne kemi rolin e kryeministrit, atë të kongresmenit, kemi profesionistë golfi, kemi kirurgë kardiologë, kemi shumë role të ndryshme, kemi dhe një rol bari-mësues. Do t’i vendosim ato sipas radhës nga një deri në gjashtë. Ku mendoni se do të vendosen secili prej tyre?” Nuk mendoj se do të jetë e mundur; nuk mendoj që roli i bariut-mësues do të përfshihej në gjashtë rolet më të rëndësishme. Mendoj se personi i zakonshëm do të thoshte: “Për çfarë shërben kjo? Pse ta përfshijmë këtë?”. Personi që tha kështu, vazhdoi të thoshte: “Ai është thirrur të predikojë Fjalën, t’i mësojë të vërtetën popullit të Perëndisë, ta udhëheqë popullin e Perëndisë në adhurim, të kujdeset për tufën si një bari i dhembshur, dhe ta mobilizojë kishën për dëshmi dhe shërbim të krishterë.”

Kjo është një thirrje mjaft e lartë, apo jo? Kur dikush e lexon këtë, menjëherë thotë: “Askush nuk është i zoti nga vetja për një përgjegjësi të tillë”, duke i bërë kështu të vetëdijshëm si personin që është thirrur në këtë rol, ashtu dhe ata që përpiqen ta mbështesin atë, në lidhje me varësinë absolute në hirin e Perëndisë për ta përmbushur detyrën e caktuar. Konferenca jonë e fundit për pastorët, e cila mendoj se ishte konferenca e tetëmbëdhjetë radhazi, është ndërtuar mbi idenë themelore që ne besojmë në shërbesën pastorale—ne besojmë që, në fakt, roli i bariut-mësues është roli më jetik.

Lloyd-Jones-i thoshte: “Nuk e konsideroj ulje në detyrë braktisjen e fronit si mbret për të qenë predikues. Roli i predikuesit është edhe më i lartë.” Ju sigurisht që e mbani mend se vetë Lloyd-Jones-i ishte doktor; ai ishte ndihmësi i Lordit Horder, i cili ishte doktori i familjes mbretërore të Britanisë së Madhe. Ai e la atë pozitë, që të fillonte të jepte mësim Biblën në një kishë të vogël kalviniste-metodiste në Wales. Të gjithë thanë: “Ky duhet të jetë i çmendur. Kush do ta braktiste një pozitë të tillë kaq të lartë për të dhënë mësim Biblën—ai nuk ishte thjesht doktor, por ishte doktor në një pozitë kaq të lartë dhe me rëndësi? Çfarë mendon ai vallë?”. E kuptoni, ne duhet të mendojmë thellë për gjërat, apo jo?

Nga vjen ky rol i bariut-mësues? Kush e shpiku? Përgjigjja është kjo: Perëndia e bëri. Jezusi e bëri. Ai është caktuar si dhuratë për kishën, si dhuratë nga Krishti i lartësuar. Ai duhet ta pajisë kishën përmes ushqyerjes frymërore. Prandaj, shërbesa e Fjalës së Perëndisë është një dhuratë të cilën populli i Perëndisë e shpërfill në dëm të vetes.

Gjërat thelbësore të rolit të bariut-mësues

Ka disa gjëra thelbësore të cilat janë në themel të gjithçkaje që kemi bërë gjatë viteve në kishën “Parkside”, dhe meqë ne i shpallim ato rrallë, mendova që të mos ju rikujtoj çdo bindje thelbësore në lidhje me këtë çështje, por ndoshta vetëm tri prej tyre.

Së pari, të vëmë re që bariu-mësues është një nga pleqtë në kishë—që ne e kuptojmë modelin e udhëheqjes së Dhiatës së Re si parësi dhe pluralitet. Ja pse, kur Pali i shkruan Timoteut, ai i thotë: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen në fjalë e mësim.” Pra, me fjalë të tjera, ka një dallim mes disave që e udhëheqin kishën, dhe duke e bërë këtë, jo të gjithë janë të përfshirë në shërbesën publike të predikimit, e cila vjen me këtë rol.

Së dyti, brenda asaj udhëheqjeje të përbashkët, sikurse brenda çdo ekipi udhëheqjeje, duhet të ketë një udhëheqës mes udhëheqësve. Zgjedhja më me vend është që udhëheqësi të jetë ai që ka rolin parësor të mësimdhënies, në mënyrë që timoni që e drejton kishën “Parkside”, të jetë në thelb timoni i Shkrimit, dhe për pasojë, në mënyrë të pashmangshme, përgjegjësia për ushtrimin e atij roli udhëheqës bie mbi atë që ka epërsinë e mësimdhënies së Shkrimit.

Tani që e kemi thënë këtë, fokusi ynë në vazhdim do të jetë në qëllimin për të cilin Zoti ia dha kishës dhuntinë e bariut-mësues. Le të tregohemi të qartë: Kush e dha këtë dhuratë? Cili është burimi i saj? Krishti i lartësuar. Çfarë janë këto dhurata që ai i përmend? Ato janë të gjitha dhunti të Fjalës. Janë të gjitha dhunti të Fjalës. Kur apostujt shpallën Fjalën, thanë: “Këto janë gjëra që ne kemi parë, që kemi dëgjuar dhe që kemi prekur.” “Nuk erdhëm te ju”, thanë ata, “duke ju treguar përralla.” Në fakt, ne e kemi thënë shpesh, nuk do të kishim Dhiatë të Re pa ringjalljen e Jezu Krishtit. Nëse Jezusi nuk do të ishte ringjallur prej së vdekurish, nuk do të kishte asnjë mundësi që këto gjëra që kemi, të ishin shkruar ndonjëherë. Jo. Apostujt ishin në Fjalë, profetët ishin në Fjalë, ungjilltarët po e përhapnin Fjalën kudo që të ishte e mundur, dhe ndërsa kishat filluan të themeloheshin, Perëndia tha: “Tani, dua që të siguroheni që roli i bariut dhe mësuesit të themelohet mirë.” Arsyeja për këtë është deklaruar në vargun 12: “për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit”, që trupi i Krishtit të ndërtohet.

Kjo është pak ndryshim teme, por mendoj se thekson diçka të rëndësishme. Në versionin e autorizuar—përkthimin e Mbretit James, me të cilin u rrita, në atë version ka dhe një presje. Ju thoni: “Vërtet? Për atë do që të flasësh?”. Po, për atë dua të flas vetëm për pak çaste. Dua t’ju them se ku vjen presja. Vargu 12 në versionin e autorizuar thotë: “për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit.” Nuk ka ndonjë autoritet gjuhësor në lidhje me punën e presjeve—për çdo presje, kudo që të jetë. Në tekstin origjinal nuk kemi presje, dakord? Kjo, pra, është një përpjekje nga ana e përkthyesve për ta kuptuar tekstin. Në urtësinë e tyre, ata vendosën atje një presje.

Mirëpo, kur e lexoni me një presje në atë vend, kuptimi i tekstit ndryshon krejtësisht. Sepse çfarë bën presja? E vendos të gjithën këtë në duart dhe në përgjegjësinë e bariut-mësues, sepse shiko se si lexohet: atyre u dhanë barinj dhe mësues për ndreqjen e shenjtorëve, “për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit, për ndërtimin e trupit të Krishtit.” Me fjalë të tjera, e gjithë kjo bëhet përgjegjësia e vetme e atij shpirti të mjerë, të cilit i është besuar puna e bariut dhe mësuesit. Kjo është mënyra se si shumë bashkësi vazhdojnë të funksionojnë ende: “Hej, ne e morëm në punë, dhe këtë do të bëjë: ai do t’i përsosë dhe do t’i pajisë shenjtorët. Ai do ta bëjë punën e shërbesës. Ai do t’i hedhë plehërat. Ai do të bëjë atë që ne duam të bëjë! Dhe nëse ai nuk e bën, atëherë do të marrim dikë që do ta bëjë.” E po, ajo presje duhet hequr, jo vetëm për të mirën e bariut-mësues, por edhe për të mirën e bashkësisë, sepse gjithë zhvillimi i efektshëm i një bashkësie të ndërtuar kërkon që aty të mos ketë presje. Pastaj, vargu lexohet “për ndreqjen e shenjtorëve për veprën e shërbimit...” “Që trupi i Krishtit të mund të ndërtohet” (versioni NIV).

Krishti i lartësuar i jep një dhuratë kishës: rolin e bariut dhe mësuesit. Prandaj, ata barinj dhe mësues duhet ta pajisin popullin e Perëndisë për veprat e shërbimit, gjë të cilën ata e bëjnë që trupi i Krishtit të mund të arrijë realisht pjekurinë. Prandaj, ju e kuptoni që kur e anashkaloni këtë, përfundoni me një bashkësi e cila ka ngecur në njëfarë kuptimi.

Ka tri fjalë të cilat dua që t’i kuptojmë këtë mëngjes. Ato janë mjaft të thjeshta dhe dalin nga teksti. Në shënimet e mia kam shkruar inicialet “SHUM”—SHUM. Shërbim, unitet dhe maturi. Shërbim, unitet dhe maturi. Dakord?

Shërbim

“Për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit.” Fjala e përdorur këtu është diakonia. Është e njëjta fjalë e cila është rrënja e fjalëve dhjak ose dhjake. Në kishën “Parkside”, njerëzit na thonë: “Nuk keni dhjakë.” E po, kjo, në fakt, nuk është e vërtetë. Ne kemi qindra dhjakë. Ne kemi qindra njerëz të cilët po shërbejnë në përgjegjësi diakonie. Kjo kishë, në fakt, do të pushonte së ekzistuari nëse nuk do të ishte kështu. Megjithatë, ajo që njerëzit mendojnë zakonisht, është që ka një dhomë të vogël e cila ka tabelën “Dhoma e dhjakëve”, ku shkojnë të gjithë dhjakët dhe bëjnë atë që bëjnë. Mirëpo, në fakt, është e mundur të kesh një funksion prej dhjaku pa pasur një dhomë dhe një tabelë. Kjo do të thotë thjesht që të bësh veprat e shërbimit. Kjo është e njëjta fjalë të cilën e gjeni në tregimin e Martës dhe Marisë. Mbani mend: “Marta ishte e shpërqendruar, duke shërbyer fort.” “Duke shërbyer fort.” Pra, përgjegjësia e bariut-mësues është që t’i pajisë shenjtorët duke e dhënë mësim Biblën në mënyrë të tillë që, mekanizmat dhe veglat për shërbesë të vendosen në duart e tyre, dhe kështu ata ta bëjnë këtë punë me efektshmëri.

Në shkurt të vitit 1941, Winston Churchill-i dha një prej fjalimeve të tij më të paharrueshme në Londër. Ai e dinte që ky fjalim do të dëgjohej në Shtetet e Bashkuara, dhe e dinte me saktësi se çfarë po bënte. Me një pyetje retorike, ai tha në mes të fjalimit: “Nëse do të më pyesnit mua se çfarë do t’i thosha zotit Roosevelt, do t’i thosha këtë: ‘Na jepni mjetet dhe ne do ta mbarojmë punën.’” “Na jepni mjetet dhe ne do ta mbarojmë punën.” Sigurisht që Roosevelt-i dhe Shtetet e Bashkuara bënë pikërisht këtë gjë. Ata i pajisën forcat aleate për ta hequr qafe regjimin e Hitlerit. Mjetet ishin absolutisht të nevojshme. Ato janë absolutisht të nevojshme nëse duam që populli i Perëndisë të bëjë këtë lloj shërbese.

Në fakt, fjala “ndreq” është një term mjekësor nga fusha e ortopedisë. Kjo fjalë përdorej për ndreqjen e një gjymtyre të thyer. Kjo është gjithashtu një fjalë të cilën e gjejmë tek Ungjijtë, kur thuhet që dishepujt po ndreqnin rrjetat e tyre; e njëta fjalë përdoret edhe në atë rast; ata po e pajisnin veten e tyre për lundrimin e radhës. Prandaj, ajo që ndodh, është që shërbesa e Fjalës së Perëndisë i ndikon jetët e popullit të Perëndisë me anë të fuqisë së Frymës së Perëndisë, që—nëse ju pëlqen, të qëndrojmë me tablonë e rrjetave të peshkimit—që tiparet e ngatërruara, me nyje apo të shkëputura të jetëve tona të mund të sillen në përputhje me planet dhe qëllimet e Perëndisë, që kur të vazhdojmë shtegtimin e jetës, të jemi pajisur të bëjmë atë për të cilën jemi aftësuar.

Kjo, pra, e ndryshon në mënyrë radikale idenë e dëgjimit dhe të mësimit të Fjalës së Perëndisë. Kjo e heq atë menjëherë nga ideja që thotë: “A ishte mirë? A ishte gjatë? A ishte shkurt? A më pëlqeu? A më preku? A më trazoi? A isha i lumtur? A u ndjeva mirë?”. Papritur, të gjitha këto nuk është se nuk kanë rëndësi, por këto i shërbejnë pyetjes: “A u ushqeva? A u pajisa? Kur shkoj në këtë vend, a ndihem se po përgatitem për udhëtimin e jetës? A po më ndihmon me martesën time, me familjen time, me biznesin tim? A po shfaqen praktikat e jetës së krishterë ndërsa Fjala e Perëndisë shpallet?”. Kjo po përshkruhet këtu. Ja pse mënyra se si e dëgjojmë Biblën është kaq e rëndësishme.

Ju kam thënë edhe më parë, ishte një burrë që predikonte në konferencën e Keswick-ut në Lake District të Anglisë, emri i të cilit ishte S. D. Gordon. Ai kishte një zë shumë të qetë dhe thoshte: “A po dëgjoni? A po dëgjoni me gjithë veshët e zemrës suaj?”. Kjo është një pyetje e mirë! Sepse, mbani mend, Jakobi thotë: “Nëse keni një mendje të ndyrë, nëse keni një zemër të zemëruar, pse ta dëgjoni Biblën? Ju keni nevojë të siguroheni që kur ta pranoni Fjalën”, thotë ai, “ta pranoni me butësi fjalën e mbjellë brenda jush, e cila është në gjendje ta shpëtojë shpirtin tuaj.” Prandaj, vendi i Fjalës së Perëndisë në sjelljen e dikujt te besimi në Perëndinë është absolutisht i domosdoshëm.

E di që ka njerëz të cilët kanë pyetje gjithë kohën për këto gjëra, dhe me të drejtë, i kuptoj. Kur Pali u shkruan thesalonikasve, duke i lavdëruar te 1 e Thesalonikasve 2, u thotë atyre: “Prandaj edhe ne e falënderojmë pa pushim Perëndinë, se kur e morët fjalën e Perëndisë, që dëgjuat nga ne, e pritët jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që edhe vepron në ju që besoni.” Njerëzit na pyesin gjithë kohën: “Pse ka kaq shumë rëndësi Fjala e Perëndisë? Pse na duhet Fjala e Perëndisë? Pse të mos dalësh dhe të bësh diçka në komunitet? Pse t’i japim këtë theks?”. Ju e kuptoni që këtë bëjnë të krishterët: ata e pranojnë autoritetin e Fjalës së Perëndisë. Kjo është pjesë e të qenët i krishterë.

Dikush mund të thotë: “E po, çfarë mund të themi për problemet që vijnë bashkë me këtë?”. E po, gjithçka vjen me problemet e saj. Si i krishterë e pranon që Perëndia është dashuri, apo jo? Kjo ngre menjëherë një problem. Problemi është ky: “Çfarë i ndodhi fëmijës tim kur vdiq si foshnjë?”. Kjo gjë ngre menjëherë pyetjen e problemeve të vuajtjes përreth botës. Çfarë bëni? Ju bëni atë që bëni. Ju nuk e braktisni dashurinë e Perëndisë, për shkak se përballeni me probleme: ju i hetoni problemet nën dritën e dashurisë së Perëndisë. Çfarë bëni në lidhje me Biblën kur hasni probleme? Ju nuk e braktisni atë për shkak të problemeve; ju e besoni Biblën dhe përlesheni me problemet.

Materiale Burimore

Transkript: 03. Barinj dhe mësues (Pjesa 1)

Udhëzues Studimi vol.1

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}