Përmes Fjalës së Tij, Perëndia na siguron ne besimtarëve të vërtetat thelbësore që na nevojiten për fillimin, vazhdimin dhe përmbushjen e shpëtimit tonë. Megjithatë, duke shpresuar që të zbulojmë ide të reja, ne shpesh i harrojmë bazat. Alistair Begg-u i paralajmëron pastorët që t’i kujtojnë vetes dhe atyre që janë nën kujdesin e tyre, se Vetë Perëndia është burimi i vetëm i së vërtetës. Populli i Perëndisë nuk duhet të lodhet kurrë së dëgjuari premtimet e çmuara që ka bërë Ai.
Temat:
- Fjala e Perëndisë
- Shërbesa pastorale
- Pastorët
- Mjaftueshmëria e Biblës
Transkripti:
Kthimi sërish te bazat
2 e Pjetrit 1:1–21
Ju ftoj tani të merrni Biblat tuaja dhe të shkojmë së bashku te 2 e Pjetrit. Te Letra e Dytë e Pjetrit, dhe sipas fletës që më kanë dhënë, tani kemi arritur në pikën ku duhet të kemi një shtjellim të hapur. Prandaj do të provojmë ta bëjmë këtë me ndihmën e Perëndisë.
Më lejoni ta lexoj:
“Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit,
atyre që kanë marrë një besim të barasvlershëm me tonin, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht: hir dhe paqe ju shtoftë në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë. Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri përmes lavdisë dhe virtytit, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, pasi u arratisët nga prishja që është në botë për shkak të epshit; edhe për këtë arsye, duke treguar çdo zell, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe në virtyt njohurinë, dhe në njohuri përmbajtjen dhe në përmbajtje durimin, dhe në durim perëndishmërinë, dhe në perëndishmëri dashurinë vëllazërore dhe në dashurinë vëllazërore dashurinë. Sepse, nëse këto gjëra gjenden në ju dhe shtohen, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Sepse ai, që nuk i ka këto gjëra, është i verbër dhe dritëshkurtër, dhe ka harruar pastrimin nga mëkatet e tij të vjetra.
Prandaj, vëllezër, jini të zellshëm aq më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë. Sepse kështu do t’ju jepet të hyni begatisht në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
Prandaj nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj gjithnjë këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të forcuar në këtë të vërtetë. Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t’ju mbaj zgjuar duke jua sjellë këto gjëra ndër mend, duke ditur se, së shpejti do të lë këtë tendën time, sikurse edhe ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht. Por do të jem i zellshëm që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.
Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke ndjekur përralla të sajuara me mjeshtëri, por u bëmë dëshmitarë okularë të madhështisë së tij. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi një zë i tillë nga lavdia e madhërishme: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin unë gjeta pëlqim.’ Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
Ne e kemi edhe më të përforcuar fjalën profetike, së cilës bëni mirë t’i kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i mëngjesit të lindë në zemrat tuaja, duke ditur, së pari, këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i shtjellimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur ndonjëherë nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.”
Atë, ne lutemi që ndërsa mblidhemi në praninë tënde dhe me Biblat tona të hapura para teje, të kërkojmë që, nga bollëku i dashurisë sate të pamasë, duke qenë se ti kënaqesh kur u jep dhurata të mira fëmijëve të tu, të na japësh ndjesinë e mahnitjes me të vërtetën tënde, që të tërhiqemi sërish te Biri yt, në emrin e të cilit ne të lutemi. Amen.
Kam zgjedhur që këto ditë të filloj në këtë pasazh për disa arsye. E para, për t’u treguar vërtet i sinqertë me ju, është ngaqë këto muajt e fundit më është dashur ta studioj 2 e Pjetrit, dhe më është dukur shumë e vështirë. Prandaj vendosa që t’i bëj edhe të tjerët të vuajnë bashkë me mua—ose të përfitojnë nga urtësia që Perëndia do të na japë. Një arsye tjetër është ngaqë njerëz të ndryshëm më bëjnë vazhdimisht pyetjen: “Çfarë do të ndodhë në konferencën e pastorëve?”. Në ato raste jam përgjigjur: “E po, do të trajtojmë disa nga bazat.” “Oh, mirë!”, thonë ata, “a nuk e bëmë këtë vitin e kaluar?” Unë u them: “E po, po, i bëmë bazat vitin e kaluar, prandaj do t’i bëjmë sërish bazat këtë vit.” Shumë prej tyre nuk i kushtojnë rëndësi dhe thonë: “E po, shpresoj të kalosh një kohë të mrekullueshme. Sigurisht që unë nuk do të vij, por faleminderit që më tregove”, kështu ata thjesht largohen. Edhe unë largohesha duke thënë me vete: “Mos vallë e kemi nisur keq?”. Dua të them, a është kaq e rëndësishme që të kthehemi te ky material bazë?
Prandaj mora Fjalorin Anglisht të Oksfordit (Oxford English Dictionary) dhe po shikoja fjalën “bazë”, për të zbuluar saktësisht se çfarë gjëje po i referoheshim kur po flisnim për bazat. Atje thuhet se fjala bazë, në thelb, është ajo që i përket apo formon një bazë, diçka themelore, një gjë thelbësore; ajo që përbën minimumin apo një shkallë standarde. Prandaj thashë: “Po, kjo është shumë e saktë. Mendoj se kjo është ajo që duam të bëjmë.” Kur shkova sërish te Shkrimet, për të parë mënyrën se si vetë apostujt përpiqen të sigurohen se ata të cilëve po u shkruajnë, të mbërthehen dhe të marrin përkujdesje nga e vërteta që ata u transmetojnë, nuk është e pazakontë—në fakt, është mjaft e shpeshtë—të zbulosh se ajo që ata po bëjnë, është që thjesht po i çojnë lexuesit e tyre sërish nëpër shtigje të sprovuara, në mënyrë që marrësit e letrave të tyre të mund të themelohen në të vërtetën thelbësore. Duke qenë se jemi të privilegjuar që kemi mundësinë e përpjekjes për t’i themeluar bashkësitë tona në të vërtetën e Biblës dhe në veprën e Krishtit, mendova se ndoshta do të ishte mirë që të kalonim pak më shumë kohë për t’u siguruar që ne vetë të mos dalim nga binarët. Dhe sigurisht, mënyra se si mund ta bëjmë këtë, është duke parë sërish atë që është themelore dhe thelbësore.
Kujtesa ka rëndësi
Për këtë arsye, dua të filloj me paragrafin që nis në vargun 12, ku Pjetri nuk ka fare turp t’u thotë lexuesve të tij që kujtesa ka rëndësi. Kujtesa ka rëndësi. Nëse dëshiron të kesh çelësin për ta kuptuar 2 e Pjetrit, jam i sigurt që ai është në këtë paragraf. Të kuptuarit e përmbajtjes dhe strukturës së letrës nuk ka dyshim që qartësohet në mënyrë edhe më të efektshme sapo të kemi kapur theksimin e Pjetrit në këto pak vargje.
Në vargun 12, ai thotë: “Prandaj nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj gjithnjë këto gjëra.” Në vargun 13 thotë: “...mendoj se është e drejtë… t’ju mbaj zgjuar duke jua sjellë këto gjëra ndër mend.” Prandaj, duke u përpjekur që t’i ruajë lexuesit e tij dhe pastaj t’i bëjë të jenë vigjilentë, apostulli po u kujton atyre të vërtetat, të cilat janë bazat e domosdoshme për qëndrueshmëri dhe pjekuri. Ai u thotë: “Nëse doni të jeni të qëndrueshëm dhe nëse doni të vazhdoni të piqeni, atëherë duhet t’i kushtoni vëmendje shumë të thellë informacionit të cilin, sinqerisht, e di që nuk është i panjohur për ju.” Do të vini re që ai nuk justifikohet fare që u shkroi për t’i kujtuar.
Ajo që Pjetri po siguron për lexuesit e tij, mund të themi që është një dozë e rëndësishme ilaçi frymëror. Dikush më tha dje se sasia e parave që shpenzohet për kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, të paktën vitin e kaluar, ishte 1.3 trilion dollarë. Për këtë arsye, shumë prej atyre që punojnë në industrinë e shëndetit, janë shumë të interesuar të zbulojnë nëse mund t’i kushtojnë më tepër vëmendje fazës së parandalimit, në vend që të merren me sëmundjet, pasi ato të jenë përhapur. Sigurisht që këtu ka një urtësi të madhe. E po, në të njëjtën mënyrë, ata që janë përgjegjës për kujdesin frymëror të shpirtrave të të tjerëve, mësojnë nga Pjetri, duke u përpjekur të sigurojnë ilaçe parandaluese për ata që janë nën kujdesin e tyre.
Sigurisht, shqetësimi i Pjetrit është që lexuesit të mos tërhiqen nga zërat shpërqendrues të herezisë shkatërrimtare në atmosferën përreth tyre. Nëse e keni Biblën të hapur, do ta vini re këtë gjë në vargun e parë të kapitullit 2: “profetët e rremë”, “mësuesit e rremë”, “do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë.” Ai thotë: “Për mua është e rëndësishme të sigurohem që ju jeni mbërthyer nga këto gjëra thelbësore dhe po i rrokni ato.”
Nuk duhet të na shpëtojë pika e qartë e zbatimit, për faktin që ai po jep një shembull për të gjithë ata, të cilëve u është besuar kujdesi për shpirtrat. Çfarëdolloj përgjegjësie tjetër që kemi, ne jemi burra të veçuar nga Perëndia për t’u kujdesur për shpirtrat e njerëzve. Kjo gjë duhet të na mbajë zgjuar natën. Kjo duhet të na bëjë të zgjohemi në mëngjes dhe të hidhemi në veprim—nga njëra anë, nuk duhet të largohemi nga kjo përgjegjësi e mahnitshme, dhe nga ana tjetër, duke qenë se jemi pajisur nga Perëndia, të mund të ecim përpara në këtë privilegj të jashtëzakonshëm. Pavarësisht gjithë trysnisë së tanishme, si në qarqet e arsimimit normal, ashtu edhe në sferën e edukimit biblik, Pjetri po thotë se është shumë e rëndësishme që të sigurohemi se nuk po i lëmë në baltë ata që janë nën kujdesin tonë, duke harruar që t’u kujtojmë gjërat thelbësore.
Dikush më dha një libër për tramvajet e Glasgow-t. Bashkia i nxori jashtë përdorimit tramvajet në Glasgow kur unë isha afërsisht gjashtë vjeç, pothuaj dyzet vjet më parë—e nxorën jashtë përdorimit rrjetin e tramvajit në zonën qendrore dhe në rrethinat e Glasgow-t. Tani, dikush—një gjeni—ka sugjeruar që mënyra se si duhen trajtuar problemet e trafikut në Glasgow, është duke e rikthyer sistemin e tramvajit, dhe me sa duket, po presin që të vdesin të gjithë ata të cilët punonin me sistemin e vjetër të tramvajit, që të mos turpërohen edhe aq shumë për sugjerimin e kësaj ideje. Gjithsesi, libri për tramvajet është një libër i vogël dhe shumë interesant. Personi që ma dha librin si dhuratë, kishte shkruar në të këtë dedikim: “Të të kujtoj që të mos harrosh kurrë.” “Të të kujtoj që të mos harrosh kurrë.” E kuptova se çfarë po më thoshte. “Është e rëndësishme”, po më thoshte ky person, “që të mos i harrosh rrënjët e tua, që të mos harrosh se nga erdhe, sepse nëse e humbet bazën tënde, atëherë do të jesh bezdi për ata që janë nën ndikimin tënd.”
Prandaj, kjo është, më së pari, një thirrje për ne që kemi përgjegjësi pastorale, që të sigurohemi se jemi të stabilizuar dhe se po vazhdojmë të piqemi, në mënyrë që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë si Pjetri. Fakti që Pjetri tregon njëfarë urgjence, është i qartë për ne nga ajo që ai thotë në vargun 14: “duke ditur se, së shpejti do të lë këtë tendën time, sikurse edhe ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht.” Prandaj, ai po shfrytëzon çdo mundësi, që pas largimit të tij, njerëzit të jenë në gjendje të kujtojnë atë që ai u mësoi.
Të njëjtën gjë e dëgjoni edhe në fjalët e fundit të Palit te 2 e Timoteut, apo jo? Ai thotë të njëjtën gjë. “Koha e nisjes sime arriti”, “koha e largimit.” “Po shkoj në shtëpi”, thotë ai. “Prandaj, Timote, dua që ti të mbash mend.” Baza më thelbësore e asaj që Pali do që Timoteu të kujtojë, është te 2 e Timoteut 2:8, ku ai i thotë: “Kujto Jezu Krishtin.” A të duhet t’i shkruash një pastori dhe t’i thuash që të kujtojë Jezu Krishtin? Po! Sepse pastori mund të ketë dalë rreth lagjes, duke i kujtuar vetes programin e tij në internet, strategjitë e ungjillëzimit, përgjegjësitë e tij në natyrën e udhëheqjes, dhe, në fakt, krejt pa dashje mund të ketë filluar ta harrojë Jezusin. Prandaj, ju thoni: “E po, nëse Pali, apostulli i madh i dërgon një letër të fundit këtij udhëheqësi të ri dhe i thotë: ‘Kujto Jezu Krishtin’, atëherë, cili nga ne do të thotë sot: ‘E po, këtë e ke kapur. Kujtojua atyre këto gjëra.” Po ne? Po ne, a e kemi kapur? Dhe pastaj, në vargun 14 të të njëjtit kapitull, 2 e Timoteut 2, ai thotë: “Ua kujto atyre këto gjëra.” Së pari, kujto ti vetë, dhe pastaj kujtojua atyre. Rrjedhoja këtu është që, nëse pastori harron, bashkësia e ka humbur fare. Natyra e zbrazët e një pjese të madhe të paraqitjes biblike—dhe për këtë nuk ka nevojë të shohim përtej vetes—është e lidhur drejtpërdrejt me mundësinë e qartë që ne, si barinjtë e shpirtrave, kemi harruar se për çfarë po i nxitim të tjerët që të kujtojnë.
Peterson-i, në parafrazimin e tij të Biblës në versionin The Message, na e jep kuptimin e kësaj në një mënyrë shumë të dashur. Duke i parafrazuar fjalët e Pjetrit siç i gjejmë këtu, ai thotë: “Edhe pse e njihni shumë mirë këtë të vërtetë dhe madje e praktikoni fill e për pe, nuk do të rri rehat as për një çast që t’ju kujtoj t’i kushtoni vëmendje… e di që shumë shpejt do të vdes… prandaj jam shumë i zellshëm që t’i keni këto gjëra të shkruara të zezë mbi të bardhë, që pasi të kem vdekur, ta keni në duart tuaja.” Kjo është vërtet e mirë, apo jo? Do të doja që edhe unë të kisha mundësi të shkruaja një parafrazim si ky. Nuk e di për ju, por unë nuk do të mundesha, edhe po të më jepnit një pasdite të tërë.
E shihni që, të gjithë mësuesit i lënë pashmangshmërisht shenjat e tyre në foltore. Ju dhe unë po i lëmë shenjat tona te studentët tanë—për mirë apo për keq. Nëse e kemi kthyer mësimin tonë në një formë harrimi të Krishtit, mund të kemi përfunduar në një formë moralizmi, saqë jemi bërë krejt të pavëmendshëm ndaj vetes—që, në fakt, po i nxitim njerëzit tanë drejt një stili jete dhe drejt një modeli ekzistence, por ne vetë jemi të paankoruar, jemi të zgjidhur nga Krishti, i cili është “gjithçka dhe në të gjithë”. Prandaj, Pjetri thotë: “Nuk do t’ju kërkoj ndjesë për faktin që, edhe pse ju i kuptoni këto gjëra, unë sërish do t’jua kujtoj.”
Tani, disa prej jush që më kanë dëgjuar të flas, e dinë që nuk mund ta kaloj dot këtë pjesë të vogël pa ju treguar për mësuesin tim të historisë në Yorkshire, Angli, kur unë isha gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë vjeç. Ai ishte një burrë shumë krenar nga Yorkshire, ishte krenar për qytetin nga vinte—domethënë, për Bradford-in. Ndërsa ai mundohej të na mësonte historinë e botës dhe sidomos historinë e hershme të Britanisë së Madhe, herë pas here ndalonte dhe thoshte: “Tani, dëgjoni këtu. Nuk ka rëndësi se çfarë harroni nga lënda ime, ama këtë mos e harroni kurrë: Mos e harroni kurrë që Bradford City fitoi kupën e futbollit në vitin 1911.” Kjo është njëlloj sikur mësuesi juaj i historisë t’ju thoshte se ekipi “Cleveland Indians” fitoi Kupën e Botës në bejsboll. Rezultati është që, pas tridhjetë e pesë vjetësh, e vetmja gjë që mbaj mend nga klasa e tij, është kjo që ju thashë. Nuk mbaj mend asgjë tjetër që më mësoi ai. Ama këtë nuk e kam harruar kurrë! Ai më tha që të mos e harroja, prandaj nuk e harrova! Nëse do të ma kishte shpjeguar këtë në lidhje me Betejën e Hastings-it, mund të kisha qenë një historian shumë inteligjent. Mirëpo, gjithë sa më ka mbetur është një fakt i vetëm nga gjithë historia angleze—pra, viti kur Bradford City fitoi kupën e futbollit.
Elementi që përsëritet në këtë pasazh—i cili duket shumë qartë, vargu 12, “nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj gjithnjë”—është i qëllimshëm. Pse do t’ju kujtoj gjithmonë? Pse kemi nevojë të kthehemi vazhdimisht te bazat? Për të njëjtën arsye që e bën edhe nëna me fëmijët e saj. A nuk është një nga deklaratat e mëdha të nënave: “Sa herë më duhet që të ta them? Nëse ta kam thënë një herë, ta kam thënë njëqind herë”? Dhe sigurisht që Jezusi bëri të njëjtën gjë: “Ka kaq kohë që kam qenë me ju, dhe ju ende nuk më kuptoni? Sa herë duhet t’jua them të njëjtën gjë, juve nxënës që nuk nxini? Duhet të shkoj në Jerusalem dhe të vuaj në duart e njerëzve mizorë, të vdes dhe të ringjallem”, dhe ata të gjithë vijnë rreth tij dhe thonë: “Oh, jo, jo, jo, jo, jo, nuk ka mundësi!”. Jezusi u thotë: “Më duhet t’jua them të njëjtën gjë vazhdimisht.”
Në fakt, kjo më jep shumë siguri. Sepse, nëse vetë Zotit të mishëruar të lavdisë, me gjithë fuqinë dhe aftësinë e tij, në ndërveprimin e tij të përditshëm me dymbëdhjetë burra, i duhet të thotë: “A duhet që t’u kthehem sërish bazave me ju?”, atëherë, a ju duket e habitshme që në shërbesën tonë pastorale, bëjmë mirë t’i kushtojmë vëmendje të veçantë, të sigurohemi që nuk po biem pre e idesë se ajo për të cilën kanë nevojë bashkësitë tona, është ndonjë udhëtim në botën e çudirave, apo jo? A thua se kemi nevojë për një udhëtim në ndonjë park argëtimi frymëror. A thua se kemi nevojë të njihemi me idenë më të re sekrete të trumbetuar nga mediet e krishtera bashkëkohore. Ai u tha: “Unë do t’jua kujtoj këto gjëra.”
Duke komentuar mbi këto fjalë, Christopher Green-i tha se “frika e Pjetrit nuk ishte që brezi [tjetër] do ta kthente në dogmë të vërtetën e fosilizuar, por që ata do të ishin aq të shkujdesur në lidhje me të vërtetën, saqë do ta harronin atë krejtësisht.” Zotërinj, nëse ky ishte shqetësimi i Pjetrit në shekullin e parë, a nuk është ky një shqetësim për ne në shekullin e njëzetë? Rreziku i madh nuk është dogmatizimi dhe fosilizimi i së vërtetës nga ana e bashkësive tona; rreziku i madh është që bashkësitë tona do të bëhen krejtësisht të shkëputura prej saj.
Pjetri ishte një jude i mirë dhe e kuptonte që Perëndia kishte dhënë tregues gjatë historisë, si shenja rikujtimi. Në festën e Pashkës, ai u thotë: “Dua që të më kujtoni mua. Dua që të kujtoni se ishit skllevër në Egjipt. Prandaj festoni Pashkën”, Ligji i Përtërirë 16, “me qëllim që ta kujtosh ditën që dole nga Egjipti tërë ditët e jetës sate.” Ligji i Përtërirë 5:15: “Mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit.” Përse shërbenin gurët që u ngritën në këmbë te Jozueu 4? Në shenjë kujtimi! Shpjegimi është dhënë: “Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’i pyesin etërit e tyre duke thënë: ‘Ç’janë këta gurë?’, ju do t’u bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: ‘Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë.’” “Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.” “Kujto Jezu Krishtin, prej farës së Davidit, të ngjallur prej së vdekurish.” “Bëni këtë në përkujtimin tim.”
Ma trego shpesh historinë,
Sepse shumë shpejt e harroj;
Se vesën e mëngjesit
Dielli i mesditës e largoi.
A po ua tregojmë historinë bashkësive tona? A po e predikojmë kryqin e Zotit Jezu Krisht? A po e mbajmë mend atë që është themelore për nxitjen e zemrave tona dhe ecjes sonë me Perëndinë? Kjo është sfidë shumë e madhe; kështu është për mua.
Sigurisht që populli jude është shumë i zoti në këtë pikë. Violinisti mbi çati (Fiddler on the Roof)—më pëlqen shumë filmi Violinisti mbi çati. Po juve? Ju thoni: “Ka kohë që nuk kemi luajtur mbi çati.” Jo, dhe ju sugjeroj që të mos e bëni. Mirëpo, sigurisht që violinisti mbi çati, bëri një melodi të vogël, që Tevja të mund të shpallte deklaratat e tij filozofike. Ndërsa ai këndon këngën “Tradita”, ndalon në intervale të caktuara dhe bën disa deklarata të përmbledhura, dhe në një pikë të caktuar, ai thotë: “Tradita, ajo na mëson se kush jemi dhe se çfarë pret Perëndia nga ne.” Rreziku mes popullit të Perëndisë është që ne e kemi harruar identitetin tonë në Krishtin, dhe për pasojë, e kemi harruar atë që Perëndia synon për ne, duke qenë se jemi vendosur në Krishtin. Pjetri e kupton këtë dhe prandaj thotë: “Ja pse dua të sigurohem që ju t’i mbani mend këto gjëra.”
Martyn Lloyd-Jones-i e trajton këtë gjë në një libër të vogël dhe të mrekullueshëm për 2 e Pjetrit, dhe thotë: “Puna e kishës dhe e predikimit nuk është që të na japë neve ide të reja dhe interesante, përkundrazi, ka për qëllim që të na kujtojë disa të vërteta themelore dhe të përjetshme.” Këtë nuk do t’jua them përsëri, prandaj dua që të mbani mend, si një pusullë në mendjen tuaj. Ju thoni: “Kësaj dua t’i kthehem sërish sot, ose në mbrëmje kur të jem duke i dhënë makinës, ose kur të jem duke menduar. Sepse dua t’i bëj vetes pyetjen: ‘A e besoj këtë?’”. “Puna e kishës dhe e predikimit nuk është që të na japë ide të reja dhe interesante, përkundrazi, ka për qëllim që të na kujtojë disa të vërteta themelore dhe të përjetshme.”
Arsyeja pse them se bëjmë mirë që ta pyesim veten nëse e besojmë këtë, është sepse shumë nuk e besojnë! Pasi po ta besonin, do të bëhej e dukshme në predikimin dhe mësimdhënien e tyre. Në mundësitë e pakta që kam për të kaluar nga një seminar teologjik te tjetri, kam zbuluar që njerëzit në fakultetin e Biblës, kur më ftojnë zakonisht për ndonjë drekë, përpiqen të kuptojnë se çfarë mendoj unë—kjo zgjat afërsisht pesëmbëdhjetë sekonda, dhe pastaj flasim për gjëra të tjera—por kur hamë drekë bashkë, ka një pyetje të cilën ma bëjnë çdo herë. Nuk po tallem… ky është fakt. Në çdo rast, pa përjashtim më pyesin: “Pasi jemi munduar t’u mësojmë studentëve tanë të kenë një zotërim të mirë të teologjisë biblike, që t’u ushqejmë atyre një dashuri të vërtetë për Fjalën e Perëndisë dhe një bindje të vërtetë për mjaftueshmërinë e saj—si mund të sigurohemi që, gjashtë javë pas diplomimit të tyre, ata të mos vrapojnë pas çdo ideje të re? Si është e mundur që ata kapitullojnë kaq shpejt para frymës së epokës?”.
Kësaj mund t’i kthehemi; do ta lë në formën e një pyetjeje retorike. Ama, kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, apo jo? Një pjesë e përgjigjes vjen si rezultat i bindjeve që kanë djemtë e rinj; ata nuk kanë një bindje për vetë Fjalën e Perëndisë. Prandaj, nga dëshira për të qenë të suksesshëm, e cila lidhet direkt me rritjen numerike, ata shohin përreth vendit dhe zbulojnë se kush ka sukses nga ana numerike. Pastaj, në varësi të fuqisë së suksesit numerik, ata shkojnë dhe zbulojnë se mbi çfarë strategjie po funksionojnë, dhe kështu përpiqen ta bëjnë atë strategji të tyren dhe ta zbatojnë në kontekstin e tyre. Çfarëdo që mund të thoni për këtë, ajo që ndodh në njëfarë mase është që, autoriteti dhe mjaftueshmëria e Fjalës së Perëndisë po dobësohet. Mund të duhet një brez, që ky dobësim të bëhet i dukshëm, por ama do të bëhet i dukshëm.
Një besim i përbashkët
Do ishte një pasdite vërtet e gjatë nëse do të kaloja me hollësi përmes këtij kapitulli, por nuk do ta bëj. Mund ta bëja, por nuk mendoj se do të më falënderonit. Prandaj, ajo që dua të bëj, është që thjesht t’ju jap skicën time, dhe pastaj ju mund ta plotësoni vetë. Në fakt, kjo skicë mund të mos ju duket shumë e dobishme, dhe në këtë rast do t’ju nxisë që të bëni një skicë më të mirë për kapitullin 1 te 2 e Pjetrit.
Arsyeja pse fillova në mes të kapitullit është ngaqë mendoj se mesi është vendi ku duhet filluar—njësoj si në rastin kur lexoni një letër nga dikush; fillimi i letrës nuk është domosdoshmërisht pjesa ku trajtohet çështja kryesore; çelësi që ju ndihmon të kuptoni hyrjen dhe përfundimin, nuk është domosdoshmërisht në fillim të letrës. Këtë e kuptoni; e kuptojmë të gjithë.
Mirëpo, në vargun 1 dhe 2, Pjetri flet për këtë besim të çmuar. Ai dëshiron t’u kujtojë lexuesve të letrës së tij faktin se ajo që i bashkon ata, nuk është një interesim i përbashkët për problemet e botës, nuk është një interesim i përbashkët për përndjekjen e asaj kohe, nuk është një kundërshtim i përbashkët ndaj gënjeshtrës që ishte kudo rreth tyre—gjë të cilën ai do ta trajtojë në kapitullin 2—por ajo që i bashkon, është një besim i përbashkët. Një besim i përbashkët. Këta individë “atyre që kanë marrë një besim të barasvlershëm me tonin, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.”
Meqë ra fjala, a nuk është vërtet e mrekullueshme që Simon Pjetri, i cili pa dyshim që ishte një tip shumë impulsiv, tani e paraqet veten, së pari, si shërbëtor dhe pastaj si apostull? Ai mund të kishte thënë “apostull” dhe pastaj “shërbëtor”: “Përshëndetje, unë jam Pjetri. Unë po ju shkruaj, unë apostulli i fuqishëm po ju shkruaj juve.” Në fakt, ai thotë: “Unë jam Pjetri. Unë jam një shërbëtor. Unë jam një doulos, unë jam një skllav, unë jam një shërbëtor i Jezu Krishtit. Unë gjithashtu kam edhe privilegjin të jem një apostull.” Me fjalë të tjera, më së pari, ai paraqet marrëdhënien e tij para se të flasë për pozitën e tij. Një nga arsyet pse disa prej nesh rrëzohen aq keq, është ngaqë kërkojnë pozitën dhe nuk ia dalin kurrë të themelojnë ndonjë marrëdhënie domethënëse. Po flas, më së pari, për veten.
Ai thotë: “Burra dhe gra, gjëja e mrekullueshme është që hiri i Perëndisë na ka dhënë një drejtësi.” Kur e studioni këtë fjalë, do t’ju duhet të përlesheni me pyetjen nëse fraza e përdorur prej tij, “drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit tonë”, është një referencë për paanësinë e Perëndisë—me fjalë të tjera, të vepruarit në mënyrën e duhur, duke mos qenë diskriminues në shpërndarjen e hirit të tij—apo nëse ajo që ai po trajton këtu, është ideja e drejtësisë së Krishtit që na llogaritet neve, e cila sigurisht që është domosdoshmëria themelore, që ne të vendosemi në një pozitë të drejtë me Perëndinë. Sa më shumë që e kam studiuar këtë pjesë, aq më të vështirë e kam pasur që të dal në një përfundim. Prandaj vendosa që ndoshta Pjetri dëshironte që ne t’i kishim të dyja këto mendime në mendje; që Perëndia, me anë të drejtësisë së tij, ka vepruar me paanshmëri, dhe se mbi bazën e drejtësisë së Krishtit, e cila na llogaritet neve, ne jemi sjellë në këtë besim të çmuar dhe të përbashkët.
Për këtë arsye, ai u ofron atyre “hir dhe paqe”, sepse kjo është ajo për të cilën ata kanë me të vërtetë nevojë. Hiri i pari, dhe pastaj paqja. Ndoshta ky është shkaku dhe pasoja; nuk e di. Sigurisht që, të drejtësuar me anë të besimit, ne kemi paqe me Perëndinë. Ai u thotë: “Dua që të njihni hir dhe paqe.” Këto gjëra nuk do të shijohen në boshllëk; kjo vjen me anë të njohjes së Zotit Jezus: “në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.” Fjala që përdoret këtu, është epignosis, njohja e Perëndisë, gjë e cila është dhuratë e hirit të tij falas, me anë të së cilës, burrat dhe gratë dallohen si besimtarë të vërtetë. Ai e bën të qartë këtë pikë themelore, sepse përmes kësaj njohurie që na jepet, ne duhet të vazhdojmë dhe t’ia shtojmë këtë njohje përvojës sonë, përmes studimit të zellshëm dhe zbatimit të kujdesshëm.
Comments are closed.