Kudo ku ka jetë, ka nevojë për ndryshim—dhe kurdoherë që dikush sugjeron ndryshim, dikush tjetër do ta kundërshtojë atë në mënyrë të pashmangshme. Ndërsa sheh te Libri i Veprave dhe tek ai i Nehemias për të marrë udhëzime, Alistair Begg-u eksploron arsyet pse njerëzit i rezistojnë ndryshimit, si edhe hapat që udhëheqësit mund të hedhin për të sjellë ndryshim dhe për të trajtuar kundërshtimin.
Temat:
- Mendësia e krishterë
- Udhëheqja e kishës
- Shërbesa
- Krenaria
- Përparësitë
Transkripti:
Trajtimi i kundërshtimit ndaj ndryshimit
Veprat 6:1–4, 9:31; Nehemia 4:10–12
Nga Nehemia 4:10:
“Por ata të Judës thoshin: ‘Forcat e mbartësve të peshave vijnë duke u pakësuar dhe gërmadhat janë aq të shumta, sa nuk do të arrijmë të ndërtojmë muret!’
Përveç kësaj kundërshtarët tanë thoshin: ‘Ata nuk do të dinë dhe nuk do të shohin asgjë, derisa ne do të sulemi në mes tyre dhe do t’i vrasim; kështu do të bëjmë që të ndërpriten punimet.’
Por kur judenjtë që banonin pranë tyre erdhën, dhjetë herë rresht na thanë: ‘Ngado që të ktheheni, do të na sulen.’”
Pastaj te Veprat kapitulli 6, në atë pasazh të njohur ku, ndërsa numri i dishepujve po rritej, u bë gjithnjë e më e dukshme nevoja për planifikim strategjik:
“Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, u bë një murmuritje nga ana e helenistëve kundër hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbesën e përditshme. Atëherë të Dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ‘Nuk është mirë për ne të lëmë Fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilët do t’i vendosim në këtë detyrë. Kurse ne do të qëndrojmë duke iu kushtuar lutjes dhe shërbesës së fjalës.’ Ky propozim i pëlqeu gjithë shumicës.”
Kështu ata zgjodhën gjashtë burra për ta përmbushur këtë detyrë.
Pastaj, te Veprat 9:31 lexojmë:
“Kështu, në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.”
Atë, unë lutem që, teksa i kthehemi mundësisë së kësaj dite, të na japësh sërish qartësi në mendime dhe në të shprehur; të na mësosh në ndërveprimet tona me njëri-tjetrin, si tani ashtu edhe në sesionin me pyetje-përgjigje pas kësaj. Faleminderit për bashkëpunimin tonë në shërbesën e Ungjillit, si dhe për ndjesinë që kemi si nxënës së bashku, para atij që i di të gjitha përgjigjet. Ne të falënderojmë për Krishtin, Kreun e kishës dhe të lutemi që të na bekosh tani. Në emrin e Jezusit. Amen.
Së pari, dua të pranoj që po e trajtoj këtë temë më shumë nga dëshira për të ndihmuar veten time, sesa nga urtësia e madhe që mund të kem grumbulluar gjatë viteve, në mënyrë që kështu të jem në gjendje t’ju ndihmoj juve. Mendoj se, nëse vazhdoj të flas për këtë, mund të mësoj se si ta bëj. Nëse e bëj publikisht këtë gjë, ajo mund të më shpëtojë nga të menduarit që jam më i mirë nga sa jam në të vërtetë. E dini çfarë? Kur luan golf vetëm, është e mundur të bësh hile të mëdha dhe ta bindësh veten që, në fakt, je shumë afër të qenët lojtar i përsosur, kur, në të vërtetë, mezi i gjuan topat. Nëse ke dikë tjetër me vete, sigurisht që shpëton nga të gjitha këto vetëmashtrime. Prandaj, të folurit për gjëra të tilla në një grup kaq të madh, më shpëton nga të jetuarit në një botë imagjinare.
Duke qenë se ne përpiqemi që, nën udhëheqjen e Perëndisë, të themelojmë një vizion dhe ta shohim atë të mbillet praktikisht në kohën tonë, ne dallojmë që ndryshimi është gjë shumë e vështirë për shumicën e njerëzve—sidomos për disa. Prandaj, në të shumtën e rasteve, kishat nuk janë mjaft të afta për të bërë ndryshime. Përderisa ata që i kundërshtojnë më tepër ndryshimet, janë shpesh më të ashpër në reagimet e tyre, shumë herë udhëheqja kënaqet me një jetë të lumtur—të paktën në njëfarë mase—dhe me përmbushje të menjëhershme, në vend të përmbushjes së mëvonshme, e cila vjen nga trajtimi i kundërshtimit ndaj ndryshimit dhe të këmbëngulurit për të arritur atë që besojmë se është gjëja e duhur për ne.
Duke qenë se vij nga Ishujt Britanikë, ne nuk njihemi për aftësinë tonë për të reaguar shpejt ndaj gjërave, si në botën e biznesit dhe sigurisht as në jetën e kishës. Nëse ka ndonjë zonë në botën e kishës në të cilën motoja “Siç ishte në fillim, është tani, dhe kështu do të jetë sa të jetë bota”, kjo mund të thuhej për punën e kishës, atëherë, sigurisht që diçka e tillë do të vlente për Britaninë. Kisha ku shërbeja në Skoci, mbrëmjen që u thashë lamtumirë, mbajti disa fjalime, disa prej të cilave ishin inkurajuese. Gjatë njërit prej atyre fjalimeve, një nga udhëheqësit kryesorë më përshkroi kështu: “Alistair erdhi te ne si një djalë i ri me nxitim, dhe po largohet nga ne si një djalë i ri me nxitim.” Përveç meje, u duk sikur të gjithë e kuptuan atë që donte të thoshte ai me këto fjalë. Edhe pas gjithë këtyre viteve, ende nuk e di nëse ky ishte një kompliment apo një fyerje. Nga mënyra se si i shoh unë gjërat, hamendësoj se ishte një fyerje. Ama e dalloj që në ato fjalë ka të vërtetë. E ardhmja vjen me shpejtësinë gjashtëdhjetë sekonda në minutë. Ka vende ku duhet të shkojmë dhe njerëz që duhet t’i takojmë. Në të vërtetë nuk ka kohë për të krijuar modele për kremtimin e së shkuarës, sepse e ardhmja na thërret—të paktën, kështu kam prirjen që të funksionoj unë.
Sigurisht që kudo ku ka jetë, ka gjithmonë ndryshim. Kur erdha këtu, fëmijët e mi ishin katër vjeç, dy e gjysmë dhe dhjetë muaj; tani ata janë tetëmbëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë vjeç. Ka pasur një ndryshim dramatik, sepse kjo është jeta. Pjesë e sfidës ka qenë trajtimi i atij ndryshimi, qeverisja e tij, frenimi i tij atje ku duhet frenuar dhe korrigjimi atje ku është i nevojshëm. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në jetën e kishës.
Nuk kam përjetuar shumë nga jeta e kishës, por e dalloj se gjatë viteve që kam qenë këtu në Shtetet e Bashkuara, kemi bërë disa gjëra të cilat realisht nuk duhen bërë. Tre vjet pas ardhjes sime, e shitëm ndërtesën në të cilën ju gjeta, gjë e cila nuk u pëlqeu shumë disa njerëzve që ishin lidhur fort me atë ndërtesë. Në fakt, kur e mendon, kjo është vërtet ide qesharake: pse të martohesh me një ndërtesë? Pastaj u zhvendosëm në një gjimnaz dhe menduam se kjo do të zgjaste për afërsisht një vit e gjysmë. Mirëpo, qëndruam aty për gjashtë vjet e gjysmë. Edhe kjo nuk u pëlqeu disa njerëzve. Gjatë këtij procesi e ndryshuam një herë statutin, pastaj e ndryshuam për herë të dytë dhe e ndryshuam për herë të tretë. Në fakt, tani jam gati për ta ndryshuar sërish, teksa jemi në pritje të takimit tonë të përvitshëm, i cili është aq i kotë, saqë është vërtet për të qeshur. Të gjitha këto gjëra duhen dërguar dhjetë ditë para së enjtes së dytë në muajin e pestë, të vitit të nëntë, të ciklit të njëzeteshtatë të hënës, dhe të kap paniku kur njerëzit që nuk i kushtojnë pikë vëmendjeje gjërave frymërore në kishë, janë ulur si skifterë, duke pritur të shohin nëse nuk do ta respektosh afatin për disa nga këto gjëra. Prandaj, gjatë muajve në vazhdim do të eci përpara me këtë punë dhe ta heq qafe pjesën më të madhe. Ne gjithashtu e ndryshuam emrin e kishës sonë, dhe kjo është gjithashtu diçka që nuk duhet bërë. Me pak fjalë, unë kam bërë shumë gjëra pa mend gjatë viteve, dhe për këtë arsye, kam nevojë të mësoj nga njerëzit se si ta trajtoj kundërshtimin ndaj ndryshimit, sepse kam pasur shumë.
Megjithatë, tiparet shqetësuese nuk kanë qenë më të mëdha sesa ndjesia e domosdoshmërisë; nuk e kemi bërë këtë gjë në mënyrë të pandjeshme, kuturu dhe thjesht për hir të ndryshimit. E kemi bërë në mënyrë strategjike dhe të qëllimshme—dhe shpresoj që të ketë qenë edhe me mirësi. Pavarësisht kësaj, gjithmonë ka njerëz të cilët e kundërshtojnë ndryshimin me mish e me shpirt. Prandaj dua që të mendoj për pak se përse i rezistojnë njerëzit ndryshimit, dhe të them disa gjëra të cilat nuk është se i kam shpikur unë. Këto mësime i kam marrë nga gjithandej—kryesisht nga pastorët e të rinjve në kishë, të cilët gjithmonë mendojnë në mënyrë më strategjike sesa ata prej nesh që kanë lindur ca më herët. Ata më kanë ndihmuar shumë në lidhje me këtë.
Pse njerëzit i rezistojnë ndryshimit
Pse njerëzit i rezistojnë ndryshimit? Pse i rezistojmë ndryshimit kur jemi ne ata që duhet të ndryshojmë? E po, një nga arsyet pse i rezistojmë ndryshimit është sepse nuk e nisëm ne, dhe nuk e pranojmë. Duke qenë se nuk e menduam ne—apo për shkak se nuk e menduan ata—nuk u pëlqen ndryshimi. Ka disa njerëz që thjesht kështu janë gatuar. Nëse nuk ishte ideja e tyre, është ide e keqe. Prandaj, aftësia që duhet të kesh me ata lloj njerëzish, është që t’i bësh të ndihen sikur të gjitha idetë e mira janë idetë e tyre. Kjo kërkon shumë kohë dhe aftësi; nuk është se e kam zotëruar atë, por njerëzit më thonë se kjo është ajo që duhet bërë.
Së dyti, sinqerisht, njerëzit i rezistojnë ndryshimit, për shkak se ai e ndërpret rutinën e tyre të caktuar. Ndryshimi e ndërpret rutinën e tyre të caktuar. Ne jemi—apo kemi prirjen të jemi—krijesa të zakonit, dhe për pasojë, këdo që e ndërpret mënyrën se si u qasemi gjërave, e konsiderojmë si një kërcënim, dhe për pasojë, nëse na pëlqen rutina dhe ajo na tërheq më tepër sesa mundësia e ndryshimit, atëherë kemi prirjen që ta kundërshtojmë.
Siç e dini, sapo jam kthyer nga Irlanda, dhe sërish më bëri përshtypje fakti se sa mbrapa është Mbretëria e Bashkuar në lidhje me shumë prej këtyre gjërave. E them këtë gjë me dhimbje në shpirt. Nuk po flas si një kushëri i birësuar në Amerikë, i cili ndien se ka lirinë për t’i qortuar të dyja palët—pra, që kur shkoj atje, ju qortoj ju, kurse kur jam këtu, qortoj ata. Por fakti është që ata janë me të vërtetë shumë të ngathët për të qëlluar në shenjë për gjëra të caktuara. Teksa më treguan rreth ndërtesës e cila dukej qartë që kishte kufizime, ishte e habitshme se si dhoma të caktuara ishin vendosur në vende të caktuara. Kjo nuk kishte pikë kuptimi. Nuk kishte arsye pse kjo dhomë ishte në katin e sipërm dhe një tjetër ishte në katin e poshtëm. Në naivitetin tim u thashë: “E po, pse nuk i këmbeni dhomat? Pse punët që duhen bërë poshtë, t’i bëni në katin e sipërm dhe punët që duhen bërë lart t’i bëni në katin e poshtëm? Kjo duket që është mjaft e qartë.”
“Oh jo, jo, jo, jo, jo, jo! Këtë nuk ka mundësi se si ta bëjmë.”
“Pse jo?”
“E po…” Pastaj më dhanë shpjegimin se pse nuk mund ta bënin. Sepse njerëzit kanë krijuar një rutinë, dhe edhe pse është jashtëzakonisht qesharake të bëjnë atë që po bëjnë, rutina është e shenjtë, dhe për pasojë e kundërshtojnë çdo mundësi për t’i lëvizur karriget. Për karrige bëhet fjalë.
Një shembull klasik i kësaj, të cilin e dëgjova por nuk e pashë, kishte të bënte me një predikues amerikan në Wales. Ai ishte në zyrën ngjitur me kishën, bashkë me pastorin dhe dhjakët e kishës baptiste në Wales. Ndërsa pastori doli nga zyra, u gjend në një korridor të gjatë, i cili vinte menjëherë pas zonës së foltores. Kishte dy dyer të cilat të nxirrnin te foltorja, dhe pastori bëri me shenjë që të hapnin derën që ishte menjëherë para tij. Aty te dera, jo më shumë se dhjetë metra larg, ishte sekretari i kishës—një burrë i gjatë, i cili ishte pak a shumë kryetari i mbledhjes—i cili i tha: “Më falni, pastor, çfarë po bëni?”.
“E po”, ia ktheu pastori, “po shkoj për te zona e foltores. Jam me këtë mikun tonë, zotërinë nga Amerika.”
“Oh, jo”, i tha zotëria që qëndronte dhjetë metra më tutje derës. Ai tha: “Nuk hyjmë nga ajo derë.”
“E po”, ia ktheu pastori, “e po, kishte kuptim që të kaloja përmes asaj dere me mikun tim.”
“Oh, jo”, i tha zotëria, “ajo është dera e mbrëmjes. Kjo është dera e mëngjesit.”
Dhe pastori i tha: “E po, ne do të kalojmë nga kjo derë”, prandaj nxitoi, sepse ishte puna e tij ta hapte derën, dhe u ndje keq, ngaqë hapi derën “e gabuar”. Në vend që të shkonte te dera e duhur dhe të ndiqte programin, ai qëndroi atje dhe u grind kot, apo jo? Kur më në fund zbriti poshtë dhe njerëzit kaluan matanë, vizitori nga Amerika tha se, duke qenë i fundit në grup, djaloshi që po qëndronte atje—te dera që në mendjen e tij ishte dera “e gabuar”—thjesht e pa grupin që kaloi dhe tha: “Shumë e çuditshme.”
Së treti, njerëzit i rezistojnë ndryshimit për shkak të frikës nga e panjohura. Shumë e qartë. “E po, çfarë do të ndodhë nëse lëvizim? Çfarë do të ndodhë nëse e ndryshojmë këtë?”—e kështu me radhë. Në të njëjtën mënyrë, Nehemia po u paraqiste këtyre njerëzve gjëra të cilat përfshinin dimensione të së panjohurës; ata nuk ishin përballur kurrë me kundërshtime, sepse nuk po bënin ndonjë gjë e cila do të sillte kundërshtime. Në fakt, ata nuk po bënin asgjë. Menjëherë sapo dikush me një udhëheqje të qartë i udhëhoqi në një aktivitet trazues, ata u përballën me lloj-lloj sfidash, dhe frika e së panjohurës do të ishte faktori i rezistencës.
Së katërti, kemi edhe rrezikun e dështimit. Më mirë të mos provojmë asgjë, sesa të dështojmë. Prandaj, duke qenë se jemi tepër të tiranizuar nga mundësia e dështimit, ne thjesht nuk bëjmë asgjë. Ky mund të jetë faktor po aq paralizues në përjetimin e një udhëheqësi, sa mund të jetë edhe një faktor dobësues tek ata që po reagojnë ndaj udhëheqjes. Mundësia e sfidave të projektit të Jerusalemit, të cilit Nehemia i ishte kushtuar—mundësia për shpërbërje, ndërprerje dhe dështim—ishin të pranishme gjithandej. Ai kishte nevojë ta mposhtte çdo ndjesi të tillë në jetën e tij, dhe pastaj të ishte gjithashtu në gjendje t’i udhëhiqte njerëzit përpara, mbi bazën e asaj që Perëndia kishte vendosur në zemrën e tij.
Së pesti, njerëzit i rezistojnë ndryshimit, sepse në mendjen e tyre, shpërblimi që vjen nga ndryshimi, në fakt, nuk krahasohet me përpjekjen që kërkohet për ta bërë atë ndryshim. Me fjalë të tjera, ajo që ata marrin nga kjo përpjekje, nuk është mjaft në krahasim me atë që u duhet të investojnë.
“E po, ne duam që ta rikrijojmë mënyrën se si e praktikojmë kujdesin pastoral në kishë.”
“Çfarë do të thotë kjo?”
“E po, kjo do të thotë që nuk do të keni të njëjtin grup të vogël të njohur njerëzish, për të cilët keni ofruar kujdes pastoral këto dymbëdhjetë vitet e fundit, gjë që do të thotë se nuk do të jeni në gjendje të kaloni kohë me miqtë e ngushtë.”
“Ah!”
“Do të thotë gjithashtu që do t’ju duhet të takoheni dhe të përfshiheni me një grup krejt të ri njerëzish, të cilëve nuk u keni kushtuar asnjëherë vëmendje dhe të cilët do të duhet t’i njihni.”
“Ah! E po, mendoj se është më mirë që t’i lë gjërat siç kanë qenë, sepse mundësia e ndonjë të mire të ardhur nga kjo gjë, sigurisht që është më e vogël se sfida me të cilën duhet të përballem për ta bërë këtë ndryshim.”
Së gjashti—dhe kjo është pjesë e gjithë këtyre që po them—njerëzit e kundërshtojnë ndryshimin, sepse janë të kënaqur me mënyrën se si janë gjërat. Tani, nuk duhet që gjithmonë të krijojmë një ndjesi pakënaqësie për mënyrën si janë gjërat; shumë gjëra duhet të na japin arsye për kënaqësi. Duhet të jemi mirënjohës për një punë që bëhet mirë dhe për gjërat që funksionojnë si duhet. Ama atje ku duhet të ketë ndryshim, të qenët të kënaqur me atë që duhet ndryshuar dhe që duket qartë se nuk është dhe aq e mirë, nuk duhet të na pengojë që të udhëheqim me vizion.
Së shtati, njerëzit i rezistojnë ndryshimit, për shkak se u mungon respekti për udhëheqjen. Me këtë përballem gjithë kohën. Njerëzit vijnë tek unë dhe më thonë: “E po, ne nuk i respektojmë udhëheqësit, dhe ata duan të bëjnë këtë gjë”, ose “ata duan të bëjnë atë gjë.” Kjo sigurisht që ngre edhe çështje të tjera. Kjo ngre çështjet e karakterit—të mënyrës se si udhëheqim dhe se mbi cilat parime udhëheqim. Këto janë gjëra shumë të qarta.
Dhe së teti, njerëzit i rezistojnë ndryshimit, për shkak se e lavdërojnë traditën thjesht për hir të traditës. Sërish, këtë nuk e kam parë shumë në Amerikë—sigurisht që nuk e kam parë në kishën ku unë shërbej, sepse nuk kemi qenë në ekzistencë mjaft gjatë sa t’i themelonim ato tradita. Mirëpo, mund t’ju them se kur vendosëm që nuk do ta kishim korin çdo të diel, ky vendim kishte një potencial shumë të madh për të shkaktuar një revolucion. Warren Wirsbie tha se kur djalli u hodh poshtë nga qielli, ra te galeria e korit. Kam prirjen që ta besoj këtë. Njerëzit që janë pjesë e koreve, gjithmonë tensionohen kur e përmend këtë. Nuk kam për qëllim që t’ju tensionoj, por këto njëzet e dy vite të shërbesës pastorale kam parë më shumë gjasa për kryengritje nga njerëzit e veshur me rrobat e korit sesa nga çdokush tjetër. Nuk po e them thjesht për efekt; po e them si fakt. Ka diçka te muzikantët, që është disi e çuditshme. Duke qenë se muzikantët janë trajnuar të jenë performues, ata performojnë. Performimi nuk është e njëjta gjë si adhurimi. Nëse e ke kaluar jetën tënde duke besuar se je performues, dhe dikush e ka hequr kohën e performimit tënd, kjo mund të të duket si ofendim i madh. Megjithatë, nëse je adhurues, nuk do ta kesh problem të adhurosh nga fundi i sallës, apo nga anët, të jesh ulur, të jesh në këmbë, apo të jesh shtrirë me shpinë. Secili nga fëmijët e mi është muzikant, prandaj… Unë i bie pak kitarës. Mora mësime pianoje, derisa u mërzita. Prandaj dua të them që nuk po përpiqem të jem tip qesharak, por këtu ka diçka. Mendoj se e kam parë në çdo kishë ku kam qenë. Po, e kam parë. Po. Ka pasur një revolucion në galerinë e korit, sepse tradita vlerësohet për hir të vetë traditës.
Si reagojnë njerëzit ndaj ndryshimit
Më lejoni të vazhdoj më tej. Herën e fundit kur isha në Çikago, këtë pjesë të mesazhit e kalova sa më shpejt që të mundja, dhe pastaj unë dhe Jim-i kaluam më shpejt te sesioni i pyetjeve dhe përgjigjeve. Kështu njerëzit reaguan me pyetje ndaj mesazhit.
Kur prezantohet propozimi për një ndryshim të konsiderueshëm, njerëzit bien në lloj-lloj kategorish në reagimet e tyre.
Afërsisht 2 përqind e njerëzve janë novatorë. Ata janë nismëtarë nga natyra, dhe mendojnë në terma vizionarë. Ata flasin rregullisht për kishën. Ata flasin rregullisht për të ardhmen e saj. Kur je me ta, ata mendojnë për mënyra se si t’i bëjnë gjërat. Ata mendojnë në mënyrë strategjike për mundësitë e të ecurit përpara. Ata janë njerëz tepër sfidues për t’i pasur afër, nëse kemi prirjen të jemi më tepër tradicionalë në perspektivën tonë, e megjithatë, prania e tyre është shumë e rëndësishme. Fatkeqësisht, ka shumë pak njerëz të tillë, të paktën me aq sa di unë. Pra, afërsisht 2 përqind e njerëzve janë novatorë, dhe kur ka ndryshim, ata janë njerëzit më të lumtur. Kjo është ajo që i nxit ata së tepërmi dhe ua ngre lart shpirtin.
Afërsisht 10 përqind e njerëzve tanë do të jenë ata lloj njerëzish që mund të përshtaten shpejt me gjërat e reja. Ata bëhen shpejt pjesë e ndryshimit. Ata e dallojnë një ide të mirë sapo e dëgjojnë; e dallojnë një strategji të mirë sapo e shohin, dhe kanë prirjen të thonë: “Këtë e kuptojmë, dhe ky është një plan i mrekullueshëm.” Kjo ka të bëjë me çfarëdolloj situate.
Për shembull—mund t’ju jap shembuj vetëm nga vendi ku kam qenë së fundi—sërish, të qenët në Irlandën e Veriut, ishte një rrethanë shumë interesante për mua. Në një moment të udhëtimit tim kisha bërë nja tetëdhjetë kilometra. Në një qytet dëgjova historinë e një çifti nga një vend tjetër, të cilët më thanë se kishin hapur një klub nate të krishterë. Ata thanë që kjo ishte një gjë shumë e keqe, dhe po flisnin për të në mënyrë shumë përçmuese. E pyeta personin: “A e ke vizituar ndonjëherë atë vend?”.
“Oh, jo”, tha ai, “jo, nuk e kam vizitur kurrë.”
“E po”, ia ktheva unë me shumë mirësjellje, “ndoshta duhet ta vizitosh para se të fillosh të flasësh për atë vend.”
Pra, ai nuk mendonte se kjo ishte një ide e mirë, por me kaq e lamë bisedën. Dakord? Kështu, ata kishin këtë ide për një klub nate të krishterë.
Kur shkova tek ai vend, tetëdhjetë kilometra më larg, zbulova se ajo që kishin hapur, në fakt, ishte një qendër për të rinj, ku kishte ekrane televizorësh, shkallë spirale, biçikleta të vjetra nëpër mure, një banak në katin e parë dhe një në katin e sipërm ku shërbenin Coca-Cola, patate të skuqura dhe dy apo tre artikuj të tjerë. Kjo shërbesë synon të arrijë të rinjtë e moshës pesëmbëdhjetë deri njëzet e pesë vjeç, sepse në këtë kohë—sidomos në Irlandë—ka një rënie të konsiderueshme të aftësisë së kishës për t’i mbajtur adoleshentët. Fuqia tërheqëse e pijetoreve, bareve dhe diskotekave është shumë e fortë. Oferta normale e një kishe për të rinjtë është thuajse minimale. (Këtu m’u desh të ushtroja shumë vetëkontroll dhe këtë dua ta pranoj. Po mendoja të thosha diçka më kritike, por le ta lëmë me minimale. Dakord?)
Ja ku ishte një biznesmen dhe gruaja e tij, të cilët kishin pasion për të rinjtë dhe kishin investuar shumë para për të arritur një pjesë të konsiderueshme të komunitetit të tyre, në të cilin ka një përqindje të lartë abuzimi me drogën dhe alkoolin. Tetëdhjetë kilometra më tej banon z. X, i cili, edhe pse nuk e kishte vizituar kurrë, mbante një qëndrim krejt kundërshtues. Pse? Sepse kjo sfidon në mënyrë dramatike atë që po ndodh apo që nuk po ndodh në vendin e tij. Individë të tillë nuk janë të parët që i përqafojnë gjërat. Ata sigurisht që nuk janë as novatorë. Ata kanë prirjen të rrinë majë gardhit. Domethënë, në fund të fundit, ata reagojnë ndaj opinioneve të të tjerëve. Sapo të jetë bërë i qartë dallimi mes status quo-së dhe ndryshimit—sapo ta marrin vesh se nga po fryn era, pra, nga duket se po shkon shumica—atëherë, individë të tillë kanë prirjen që të shkojnë me ta.
Arsyeja pse po e përmend këtë është për shkak se të gjithë këta njerëz ndryshojnë në personalitetet e tyre, dhe kanë prirjen të jenë të pranishëm në udhëheqjen me të cilën punon shumica nga ne. Duket se paketa e aftësive për të cilën kemi nevojë, është që ta vëmë në veprim novatorin; me raste t’ua ulim disi entuziazmin atyre që e përqafojnë herët ndryshimin, dhe t’i nxitim ata që janë me dy mendje. Kjo sepse afërsisht 60 përqind e njerëzve janë të pavendosur. Dy përqind janë novatorë, 10 përqind e përqafojnë herët ndryshimin, 60 përqind janë të pavendosur, dhe pastaj 20 përqind—pak a shumë grupi i fundit që përqafon diçka në ndryshim e sipër, grupi i fundit që e mbështet idenë—ata gjithmonë shohin rreziqe, ata gjithmonë shohin probleme, ata gjithmonë të thonë pse nuk është bërë kurrë kjo gjë. Ata gjithmonë të thonë se “znj. Filanka, nëse ajo do të kishte qenë këtu, do të ishte mërzitur shumë për këtë gjë”, e kështu me radhë. Gjëra të tilla vazhdojnë të ndodhin me ta.
Pastaj kemi edhe 8 përqindëshin e fundit. Këta janë ata që mbeten mbrapa ose që mezi lëvizin. Idetë e reja përqafohen rrallë, për të mos thënë që nuk përqafohen fare nga ky grup. Jam i sigurt që një grup i tillë lëviz nga njëra kishë te tjetra. Sa herë që ata sfidohen përtej nivelit të tyre të rehatisë, përderisa s’mund të ndryshojnë, u duhet të shkojnë në një vend tjetër, që duket sikur po e ruan traditën e tyre të caktuar dhe status quo-në. Tani nuk po flas fare në lidhje me doktrinën; mendoj se këtë e kuptoni. Nuk po flas për shmangien frymërore. Nuk po flas për herezinë. Po e marr për të mirëqenë një nivel përkushtimi ndaj Shkrimeve, bashkë me mirëqenien e kishës dhe gjëra të tilla si këto.
Comments are closed.