Përderisa kisha nuk do të përparojë përtej përparimit frymëror të udhëheqësve të saj, caktimi i udhëheqësve është një punë shumë jetike, e cila kërkon një kuptim të qartë të doktrinës së krishterë. Si barinj të tufës, pleqtë punojnë bashkë, për t’u siguruar që Fjala e Perëndisë po jepet mësim, që Biri i Perëndisë po nderohet dhe që populli i Perëndisë po ndërtohet. Alistair Begg-u shpjegon që pleqësia biblike është pastorale, e përbashkët, frymërore dhe llogaridhënëse. Duke qenë të larmishëm në dhunti dhe funksion, pleqtë i japin llogari Perëndisë teksa ndajnë privilegjet dhe përgjegjësitë e udhëheqjes.
Temat:
- Udhëheqja e kishës
- Jeta e kishës
- Kisha lokale
- Shërbesa pastorale
Transkripti:
Udhëheqësit në kishën lokale
1 e Pjetrit 5:1–5; Eksodi 18:13–27
A mund ta hapim Biblën së bashku tek Eksodi 18? Eksodi 18, nga ku do t’ju lexoj prej vargut 13 e deri në fund të kapitullit. Në këtë kapitull, vjehrri i Moisiut i jep atij këshilla:
“Por ndodhi që, të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin; populli u mblodh rreth Moisiut që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kur vjehrri i Moisiut pa të gjitha ato që ky bënte për popullin, tha: ‘Ç’është kjo që bën ti me popullin? Pse ulesh vetëm dhe tërë populli të rri përqark nga mëngjesi deri në mbrëmje?’. Moisiu iu përgjigj vjehrrit të vet: ‘Sepse populli vjen tek unë për t’u këshilluar me Perëndinë. Kur ata kanë ndonjë problem, vijnë tek unë dhe unë gjykoj njërin dhe tjetrin, dhe u bëj të njohur kanunet e Perëndisë dhe ligjet e tij’. Por vjehrri i Moisiut i tha: ‘Ajo që bën ti nuk është mirë. Do të rraskapitesh në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm. Tani dëgjomë; unë do të të jap një këshillë dhe Perëndia qoftë me ty: përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre. Mësoju atyre statutet dhe ligjet, dhe tregoju rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që duhet të bëjnë. Por zgjidh në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë, që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe vendosi mbi popullin si krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetërave dhe krerë të dhjetërave. Dhe lejo që të jenë ata që do ta gjykojnë popullin në çdo kohë; ata do të të parashtrojnë çdo problem me rëndësi të madhe, ndërsa për probleme të vogla do të vendosin vetë. Kështu do të jetë më e lehtë për ty, dhe ata do ta mbajnë peshën bashkë me ty. Në qoftë se ti vepron kështu, dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh; dhe tërë ky popull do të arrijë faqebardhë në vendin e caktuar për të.’ Moisiu e dëgjoi zërin e vjehrrit të tij dhe bëri gjithçka që i kishte thënë. Kështu Moisiu zgjodhi në tërë Izraelin disa njerëz të aftë dhe i vuri si krerë të popullit: krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetërave dhe krerë të dhjetërave. Kështu ata e gjykonin popullin në çdo kohë; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut, por çdo problem të vogël e zgjidhnin vetë. Pastaj Moisiu u nda nga vjehrri i tij, i cili u kthye në vendin e vet.”
Amen.
Pasi lexuam nga Dhiata e Vjetër, ju ftoj tani të shkojmë në Dhiatën e Re, te 1 e Pjetrit kapitulli 5. Do t’ju lexoj 1 e Pjetrit 5:1-5:
“U bëj thirrje pleqve midis jush, unë bashkëplak dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit edhe pjesëmarrës i lavdisë që ka për t’u zbuluar: ruani tufën e Perëndisë midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me vullnet të lirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën. Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket. Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqve. Po, nënshtrojuni të gjithë njëri-tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton mendjemëdhenjtë, por u jep hir të përulurve.”
O Atë, ne lutemi dhe kërkojmë ndihmën tënde, ndihmën e Frymës së Shenjtë, ndërsa do të mendojmë për këto gjëra—ne vijmë para teje me dobësi dhe lutemi që të përjetojmë se ti je më se i mjaftueshëm për nevojat tona. Ne të lutemi në emrin e Jezusit. Amen.
Ju që jeni të vëmendshëm ndaj hollësive, do ta keni vënë re tashmë, që po bëjmë një pushim të shkurtër nga Efesianëve 6. Keni të drejtë. Ky nuk është një vendim arbitrar; në fakt, kjo është shumë e qëllimshme. Megjithatë, më lejoni të filloj kështu.
Një të diel, kohë më parë, kur arrita në Dublin dhe mora një makinë me qira, e kisha vendosur që doja të shkoja në kishë atje, doja të shkoja në një kishë të caktuar, të cilën më në fund e gjeta. Por nuk ishte e lehtë, sepse aftësia ime për t’u orientuar në qytet, u pengua fort nga një klerik tjetër—kleriku tjetër ishte vetë Papa, të cilin disa e konsiderojnë si “Zëvendësi i Krishtit” mbi tokë. Kjo gjë më bëri të mendoj ndërsa po i jepja makinës. Fillova të mendoja për faktin që atë të diel të caktuar, në përgatitje për takimin tonë për të dielën e ardhshme, kur do të caktonim pleqtë në kishë—duke qenë se i kisha të dyja këto gjëra në mendjen time, thashë me vete: “Si vallë mund të kalojnë njerëzit nga udhëzimi i qartë i Dhiatës së Re te një strukturë hierarkike si ajo e Kishës Katolike Romane, ku, në fund të fundit, pushteti rrjedh realisht nga autoriteti i një individi të vetëm?”. Kjo më bëri të mendoja se sa e lehtë është që, kur njerëzit e Perëndisë nisin të lartësojnë urtësinë njerëzore mbi Fjalën e Perëndisë, sa lehtë dhe sa shpejt mund të shkojnë keq gjërat.
John Murray—i cili tani ka shkuar në qiell—kur ishte profesor në Seminarin e Uestminsterit (Westminster Seminary), bëri një deklaratë shumë domethënëse në lidhje me këto gjëra, kur po fliste për mënyrën se si na mëson Bibla për rëndësinë e udhëheqjes së përbashkët në kishë dhe se pse ishte kaq e rëndësishme që kjo gjë të ruhej në kishë. Pastaj, ai tha: “Nuk është habi”, që kur njerëzit nuk ecin sipas udhëzimit të qartë të Shkrimit, atëherë “hapat logjikë” të çojnë “në atë që mund të konsiderohet si shtrembërimi më i madh në historinë e krishterimit, domethënë, në pretendimet dhe blasfeminë e [papatit.]”
Kjo është një deklaratë shumë e fortë. Por ju jeni njerëz me mend dhe shpresoj që keni një Bibël të hapur para jush. Prandaj, ju keni të drejtë t’i lexoni Shkrimet dhe të vlerësoni si kohërat dhe mënyrën se si është shpalosur historia. Kjo nuk është e lehtë, pasi është një përgjegjësi e veçantë në sferën e katolicizmit roman. Është fakt që, në një shkallë më të ulët, protestantizmi është po aq i prirur ndaj së njëjtës arrogance dhe tiranie që i lartëson individët në pozita në të cilat nuk duhet të jenë kurrë. Ju mund të keni qenë në kisha të tilla, dhe Zoti na ruajttë që të mos bëhemi kurrë një kishë e tillë, sepse ka njëfarë prirjeje në zemrën e njeriut për të arritur në atë përfundim!
Do ta trajtojmë këtë temë shkurtimisht dhe në mënyrë përzgjedhëse sot, nën dritën e asaj që na pret si kishë. Asnjë kishë nuk mund të hamendësojë se do ta bëjë me siguri kalimin nga një brez te tjetri, nëse nuk tregon kujdes të veçantë për t’u siguruar që ata të cilët veçohen për ato përgjegjësi, të dallohen jo vetëm nga karakteristikat e përshkruara në Dhiatën e Re, por edhe nga kuptimi që kanë për doktrinën e krishterë dhe për vendin që u është caktuar. Është kështu, sepse historia e kishës e bën të qartë që kisha e Jezu Krishtit nuk përparon dhe nuk do të përparojë përtej përparimit frymëror të udhëheqësve të saj. Kisha nuk do të përparojë përtej përparimit frymëror të udhëheqësve të saj. Ja pse Dhiata e Re i jep një vlerë shumë të lartë vetë udhëheqjes—për shembull, kur Pali i shkruan letrën e tij të parë Timoteut, përse i thotë: “Kjo fjalë është e besueshme: Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop”, ose të jetë një plak kishe, “punë të mirë dëshiron”? “Punë të mirë dëshiron.”
Kur e lexoni Biblën tuaj, ju kuptoni që historia e Dhiatës së Re është historia se si lajmi i mirë i ungjillit depërtoi në komunitetet e asaj kohe, si rezultat i predikimit të apostujve. Ndërsa apostujt predikuan, njerëzit u kthyen në besim; ata u bënë ndjekës të Jezusit. Duke qenë se u bënë ndjekës të Jezusit, ata u mblodhën në bashkësi me njëri-tjetrin. Dhe ndërsa u mblodhën në bashkësi me njëri-tjetrin dhe filluan të lexonin, si fillim Shkrimet e Dhiatës së Vjetër, dhe të pyesnin se si do të funksiononin në vazhdimësi, si përmes praktikës, ashtu edhe përmes udhëzimeve të tyre, apostujt e bënë shumë të qartë që udhëheqja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Prandaj, në librin e Veprave, ju lexoni herë pas here që Luka thotë: “Pali dhe Sila”, ose “Pali dhe Barnaba shkuan në këtë apo atë vend, dhe pasi predikuan ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen sërish aty për të caktuar pleq nëpër kisha.” Këta njerëz ishin nën autoritetin e Perëndisë dhe u ishte besuar privilegji dhe përgjegjësia që të siguroheshin se Fjala e Perëndisë po zbatohej, se Biri i Perëndisë po nderohej dhe se populli i Perëndisë po ndërtohej.
Kur lexojmë këtu, te 1 e Pjetrit 5, jemi në fund të letrës së tij, një letër të cilën ua kishte shkruar besimtarëve të shpërndarë të kohës së tij—ata të cilëve ai u referohet si “të zgjedhurve në diasporën e Pontit, të Galatisë, të Kapadokisë, të Azisë dhe të Bitinisë.” Ju edhe sot mund të gjeni një hartë apo një atlas, dhe t’i gjeni këto vende, edhe pse tani ato kanë emra të rinj dhe më të kohës. Ajo që kishte ndodhur, ishte që ata e kuptonin veten e tyre në një mënyrë krejtësisht të re. Ndërsa më parë ata e identifikonin veten sipas sfondit të tyre, sipas etnisë, sipas aftësive, sipas zanatit të tyre, e kështu me radhë—sepse kjo është mënyra se si njerëzit bëhen bashkë, apo jo? Në përgjithësi, njerëzve që u pëlqen të bëjnë palestër, shkojnë në palestër. Atyre që nuk u pëlqen, nuk shkojnë. Njerëzve që u pëlqen të vizitojnë libraritë dhe të rrinë aty deri pasdite vonë, duke menduar thellë, janë edhe ata një grup i veçantë.
Mirëpo, në komunitetin e krishterë nuk po ndodhte kjo, sepse në atë komunitet, gjeni disa njerëz që u pëlqen libraria dhe disa që u pëlqen palestra. Si vallë u njohën me njëri-tjetrin? E po, kjo gjë nuk ndodh në librari dhe as në palestër. Ku ndodhi? Në fakt, ata u takuan rreth tryezës së Darkës së Zotit. “Oh, tryeza e Darkës së Zotit! E ke fjalën për atë lloj vendi ku komuniteti portretizohet me të vërtetë?” Po, e saktë. Ata u takuan me njëri-tjetrin. Ata po bënin diçka shumë të çuditshme. Të gjithë ishin ulur bashkë si një grup dhe po dëgjonin një fjalim. Por kjo zor se ndodh në ndonjë vend në botën perëndimore. Edhe kur presidenti përpiqet të mbajë një fjalim, ai fjalim ndërpritet gjithë kohën nga duartrokitjet. Kurse këtu nuk dëgjohen duartrokitje—dhe nëse e bën, bie në telashe. Prandaj, pse ta bësh?
Mendoni për grupin. Shikoni se kush është ulur këtu. Çfarë ka? E po, Pjetër, na thuaj! E para e Pjetrit 2:9 thotë: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia.” E dalloni? Ai po përdor gjithë këto tablo nga Dhiata e Vjetër në lidhje me popullin e Perëndisë. Në letrën e tij, Pjetri po bën atë që Pali bën diku tjetër: ai po e lartëson mrekullinë e faktit që, në Jezusin, Perëndia mori dy njerëz, nga të dy këta bëri një njeri të ri. Ata e gjejnë veten e tyre në këtë kontekst—qofshin nga grupi më i arsimuar, apo nga ai më pak i arsimuar, dhe pavarësisht nëse janë nga e njëjta prejardhje etnike—ata po këndojnë të njëjtat këngë, ata po këndojnë bashkë të njëjtat psalme, po i nënshtrohen së bashku Shkrimeve, dhe së bashku po shohin drejt Zotit.
Në atë kontekst dhe në atë komunitet zbatohen parimet e udhëheqjes së kishës. Kur ne bëjmë pyetjen—dhe e gjejmë përgjigjen në Bibël—“Si duhet të funksionojë kisha?”, atëherë nuk mund të kemi pikë dyshimi. Gjatë Veprave të Apostujve, modeli është që burrat dhe gratë ktheheshin në besim, kishat themeloheshin dhe caktoheshin pleq. Ja pse këtu te 1 e Pjetrit 5 lexojmë: “U bëj thirrje pleqve midis jush.” Ai thotë: “Unë jam plak bashkë me ju, dhe ja se çfarë duhet t’ju them.”
Në këtë pjesë, ai nuk po trajton kualifikimet e pleqve. Ai është duke u marrë me administrimin e pleqësisë së kishës. Kualifikimet mund t’i lexoni te 1 e Timoteut 3 dhe në vende të tjera. Mirëpo, këtë mëngjes nuk do të flas për këtë temë. Dua t’ju jap katër fjalë në lidhje me udhëheqjen. Ja ku i keni: duam të mendojmë për udhëheqjen, si pastorale, llogaridhënëse, e përbashkët dhe frymërore. Do ta kalojmë shpejt secilën prej tyre.
Udhëheqje pastorale
Më së pari, udhëheqja është një shërbesë e dukshme dhe e qartë pastorale. Do të vini re që, në vargjet e para të 1 e Pjetrit 5, nga sa mund t’ju tregoj bazuar mbi njohjen time të Dhiatës së Re në greqisht, është që, në terminologjinë e përdorur në këto vargje, Pjetri është duke i përdorur fjalët në mënyrë të ndërsjellë, për të sqaruar natyrën e kësaj udhëheqjeje pastorale. Për shembull, herën e parë që shihni fjalën “pleq” në ato vargje, që në greqisht është presbuteroi, nga e cila vjen fjala presbiter ose presbiterian. Kjo është një fjalë që shpreh më së shumti idenë e pjekurisë frymërore. Pjekuria frymërore mund të mos jetë domosdoshmërisht e lidhur me moshën e personit, sepse duket qartë se është e mundur që të kesh njerëz në moshë të madhe, të cilët të jenë ende relativisht të papjekur. Po kështu është e mundur që të jesh i ri dhe të kesh ecur shumë me Perëndinë. Kjo, pra, është çështja e pjekurisë.
Pastaj, Pjetri i nxit me fjalët “ruani tufën e Perëndisë”. Folja që përdoret atje është një folje e zakonshme për gjithë atë ide. Në fakt, kjo flet për përgjegjësinë e veçantë të asaj që po ndodh. E thënë ndryshe, nëse përdor atë fjalë “bari” ose “pastor”, ajo e heq menjëherë çështjen thjesht nga sfera e administrimit apo nga të qenët në gjendje për të përdorur disa dhunti të caktuara, të cilat mund të jenë pjesë e jetës së përditshme të një individi. Me të apo pa të, roli është të ruajnë tufën.
Dhe së treti, për të treguar mbikëqyrje, siç do ta shihni: “duke e mbikëqyrur”. Fjala që përdoret këtu, është episcopoi, që siç mund ta dalloni dhe vetë, na jep fjalën episkopal. Prandaj, kur ne i përdorim këto fjalë, në fakt, jemi duke folur për ushtrimin e të njëjtit ofiq. Atë që e gjeni te 1 e Pjetrit, e gjeni gjithashtu edhe te Letra e Hebrenjve. Te Hebrenjve 13 thuhet: “Kujtoni udhëheqësit tuaj”, dhe pastaj thotë se ajo që ata bënë, ishte që “ju thanë fjalën e Perëndisë”. Çfarë bëjnë pleqtë? Ata ju flasin Fjalën e Perëndisë. “Oh, jo, a nuk e bën pastori këtë?” E po, pastori është thjesht njëri nga pleqtë. Të gjithë pleqtë duhet të jenë në gjendje t’jua flasin Fjalën e Perëndisë. Kjo nuk do të thotë që ata e flasin atë nga këtu. Por do të thotë që, nëse u drejtohesh atyre, ata do të jenë në gjendje të shkojnë te Shkrimet bashkë me ju dhe do të jenë “të aftë të japin mësim”. Ata ju folën Fjalën e Perëndisë, ata ju udhëhoqën. Prandaj, ja si qëndron puna: ata duhet t’ju ushqejnë dhe t’ju udhëheqin. Më poshtë në këtë pasazh, ai thotë: “Duhet të jeni të vetëdijshëm për faktin që ata vigjëlojnë mbi shpirtrat tuaj.” Pra, udhëheqësit ekzistojnë për t’ju ushqyer dhe për t’ju udhëhequr, për t’ju mbikëqyrur dhe për t’ju paralajmëruar. Këtë duhet të bëjnë udhëheqësit: “të rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj”.
Sikurse ka thënë edhe Pjetri këtu, mënyra se si duhet të ndodhë kjo, është njëkohësisht sfiduese dhe e dobishme. Ata duhet të mbikëqyrin. Vini re tre jo dhe pastaj një por: “jo me detyrim, por me vullnet të lirë”; “jo për përfitim të pandershëm, por me vullnet të mirë”; “jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën”. Kjo është shumë e rëndësishme, apo jo? Duke qenë se ai tashmë ka thënë se kushdo që dëshiron të bëhet peshkop—të paktën Pali e ka thënë—“punë të mirë dëshiron.” Por pastaj duhet të thoni: “E po, pse të më pëlqejë të jem një plak kishe? Pse të përgatitem për ta lejuar dikë që të ma besojë këtë privilegj? Kam nevojë që, të paktën, ta kontrolloj veten në këto zona. Mos është vallë për shkak se dëshiroj të zotëroj? Mos mendoj se ka një mënyrë se si ta përdor këtë gjë si një mekanizëm për fitim? A jam me të vërtetë i gatshëm ta bëj këtë?
Comments are closed.