Shkurt 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi
Imitimi i Jezusit në botë
Jezusi na thërret për diçka shumë ndryshe nga tërheqja, izolimi apo dënimi i jobesimtarëve dhe kulturës sonë. Ai dëshiron që ne të jepemi pas të kuptuarit të kulturës rreth nesh; ai na nxit të mos e dënojmë botën dhe jobesimtarët; pasioni i tij për ne është që të dëgjojmë lutjen e tij për ne, që të mund të jemi në botë siç ishte ai; zelli i tij për ne është që të jemi si ai, dhe t’i përkushtohemi marrëdhënieve të afërta me jo-të krishterët. Ai do që ne t’i mësojmë fëmijët dhe anëtarët e kishës të bëjnë të njëjtën gjë — çfarëdo besimi apo stili jetese të kenë njerëzit rreth nesh.
Jezusi, biri i Perëndisë, na tregon si duhet jemi në botë. Unë jam thellësisht i bindur që ungjillëzimi ynë, si në teori ashtu dhe në praktikë, nuk duhet të formohet vetëm nga mësimi i përgjithshëm i Shkrimit, por edhe më shumë madje, nga imitimi i shembullit të Krishtit.
Nuk është gjë e kollajshme të thuash: “Imito Jezusin”. Jo të gjithë jemi thirrur nga Zoti të mbetemi beqarë si ai. As jemi thirrur për të qenë ungjillëzues nga një vend në tjetrin, as urdhërohet që çdo i krishterë prej Atit të shërojë çdo lloj sëmundjeje (sado që do të donim të mund ta bënim shpesh këtë, kur një i dashuri ynë është i sëmurë apo duke vdekur). Nuk na takon neve ta kthejmë ujin në verë në çdo festim dasme që marrim pjesë (sado që ta dëshirojmë këtë). As Zoti nuk thërret çdo besimtar të vdesë në moshë të hershme si dëshmor. Nuk jemi thirrur ta imitojmë Krishtin në çdo aspekt të jetës së tij — kaq gjë dihet. Por, në cilat mënyra duhet ta imitojmë atë?
Përsosmëria morale e Jezusit
Duhet të vëzhgojmë mënyrën se si përsosmëria morale e Perëndisë rrezaton prej tij. Ne shohim se si ai jeton një jetë njerëzore, krejtësisht në përputhje me shëmbëllimin e Perëndisë. E dëgjojmë atë si përkushtohet për të thënë vetëm fjalët që Ati do që ai të thotë, dhe ta flasë çdo fjalë në mënyrën që e gëzon zemrën e Atit. E shohim të zgjohet çdo mëngjes për të dëgjuar me zell zërin e Atit dhe për të bërë çfarëdo që e kënaq atë. Mësojmë që ai e bën gjithçka që i parashtrohet në fuqinë e Frymës.
Ndërsa vëzhgojmë këtë përsosmëri në jetën e tij dhe në fjalët e tij, ne mund të nxjerrim mësime etike për jetën e çdo besimtari. Mund të përftojmë edhe parime për të rregulluar praktikën tonë në çdo marrëdhënie me të tjerët, qofshin besimtarë apo jobesimtarë, dhe për çdo komunikim tonin të së vërtetës. Këto mësime që mund të nxjerrim nga shembulli i Jezusit do të jenë të vlefshme për të gjithë të krishterët — edhe për ata që janë posaçërisht të thirrur për të qenë mësues dhe ungjilltarë.
Lavdia e përjetshme e Jezusit
Çfarë gjërash besojmë ne për Jezusin? Të gjithë të krishterët e pranojnë që ai është Krijuesi i të gjitha gjërave, që e mban këtë gjithësi me Fjalën e fuqisë së tij. Është ai i cili përgjatë gjithë historisë e ka zbuluar lavdinë e tij me fjalët e pashkruara të krijimit. Ai është Fjala e përjetshme që sjell dritë tek ata që banojnë në errësirë. Ai është Perëndia i fuqishëm që lindi si foshnjë njerëzore për t’u bërë Shpëtimtari ynë. Ai është kryeprifti i madh që lutet për faljen e armiqve të tij. Është Ai i cili vdiq për jobesimtarët dhe u ringjall për t’i drejtësuar ata përpara Perëndisë. Është ai i cili do të vijë sërish për të mbretëruar me të gjithë ata që shpresojnë në të.
Mbi të gjitha, ne duhet t’i kërkojmë Zotit që të veprojë në zemrat e atyre të cilët duam t’i shohim të vijnë në besim.
Ungjilltari më i madh
Përveç këtyre të vërtetave të lavdishme, kur ne shohim jetën dhe shërbesën e Jezusit, shohim edhe se ai ishte ungjilltari më i madh. Në shërbesën e tij tokësore, ai ishte drita e botës, i cili gjithnjë jetoi në mënyrën që i pëlqente Atit të tij. Si rrjedhojë, ishte ai i cili e zbukuroi të vërtetën e Perëndisë dhe jetoi në këtë botë duke i tërhequr ata rreth tij tek Ati, më shumë se gjithë të tjerët. Ishte ai i cili çdo çast të tridhjetë e tre viteve që jetoi, foli plot me hir dhe të vërtetë.
Tani që ai u lartësua dhe u ngjit në të djathtë të Atit, vazhdon të kryejë ende veprën e tij shpëtuese. Edhe tani, ai po afron burra dhe gra te vetja e tij, saqë, kurdoherë që ne kërkojmë t’i bindemi thirrjes së tij dhe të marrim përsipër detyrën e ungjillëzimit, zbulojmë që ai tashmë e ka bërë punën e vështirë. Ne jemi thjesht bashkëpunëtorët e tij. Bindja se Jezusi është ai që bën veprën parësore të thirrjes së njerëzve për të besuar, është një e vërtetë që të gjithë të krishterët e pohojnë ndërsa reflektojnë për mënyrën se si njerëzit shpëtohen. Megjithatë, kjo gjë lihet pas dore shpeshherë kur predikuesit dalin para kishës dhe shpallin ungjillin. Është tepër e thjeshtë të nisim të mendojmë që aftësitë tona për të predikuar, apo shpallja e ungjillit nga ana jonë, janë mjetet kryesore të shpëtimit. Por nuk janë vetëm predikuesit që e harrojnë se Jezusi bën punën më kryesore në afrimin e njerëzve në besim. Prirja jonë është ta humbim kujtesën kur hyjmë në bisedë me familjarët, miqtë, fqinjët apo kolegët jobesimtarë. Ne nisim të mendojmë që e kemi të gjithën ne në dorë. Kur në të vërtetë, bashkë me përpjekjet tona, duhet mbi të gjitha t’i kërkojmë Zotit që të veprojë në zemrat e atyre të cilët duam t’i shohim të vijnë në besim.
Jezusi është ungjilltari më i madh! Ndërsa lexojmë katër ungjijtë, ne mësojmë se Jezusi është shembulli më i mirë se si duhet të ndërlidhemi me ata që takojmë, çfarëdo pikëpamjesh dhe stili jetese të kenë. Ai është shembulli më i mirë se si duhet të jetojmë para jobesimtarëve dhe si duhet t’i duam ata, t’u shërbejmë atyre dhe t’u flasim të vërtetën. Mund të themi edhe se apostujt, si përfaqësuesit e parë të tij që u dërguan në botë, mësuan t’i binden porosisë së tij duke shkuar te të gjitha kombet me ungjillin; dhe ata gjithashtu mësuan ta imitojnë shembullin që Jezusi dha në jetën e tij.
Ky artikull është përshtatur nga libri Learning Evangelism from Jesus i autorit Jerram Barrs.
Jerram Barrs (MDiv, seminari teologjik Covenant) është themelues dhe studiues rezident në institutin “Francis A. Schaeffer Institute” pranë seminarit teologjik Covenant, ku është profesor në studimet e krishtera dhe kulturën bashkëkohore. Ai dhe e shoqja shërbyen si staf pranë L’Abri Fellowship në Angli për tetëmbëdhjetë vjet. Jerram dhe e shoqja, Vicki, kanë tre bij dhe shtatë nipër e mbesa.
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-evangelism/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025