erik witsoe modxn7mozms unsplash

Qershor 2022


Pyetje: A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?

Përgjigje:
Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme në gjithë teologjinë e krishterë. Kjo pyetje është shkaktarja e Reformimit–ndarja ndërmjet kishës protestante dhe asaj katolike. Kjo pyetje është ndryshimi kryesor ndërmjet krishterimit biblik dhe shumicës prej kulteve “të krishtera”. A ka shpëtim vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave? E thënë ndryshe, a jam i shpëtuar vetëm duke besuar te Jezusi, apo përveç kësaj duhet që edhe të besoj te Jezusi, edhe të bëj disa gjëra të tjera?

Pyetja në lidhje me besimin dhe besimin plus veprat është bërë e vështirë nga disa pasazhe biblike, të cilat janë të vështira për “t’u përtypur”. Krahaso Romakëve 3:28; 5:1 dhe Galatasve 3:24 me Jakobi 2:24. Disa shohin një ndryshim ndërmjet Palit (shpëtimi sigurohet vetëm me anë të besimit) dhe Jakobit (shpëtimi sigurohet me anë të besimit dhe të veprave). Në të vërtetë, Pali dhe Jakobi nuk ishin fare duke e kundërshtuar njëri-tjetrin. E vetmja pikë diskutimi, thonë disa, është marrëdhënia ndërmjet besimit dhe veprave. Pali në mënyrë dogmatike thotë se shfajësimi bëhet vetëm me anë të besimit (Efesianëve 2:8, 9), ndërsa Jakobi thotë se shfajësimi bëhet me anë të besimit dhe të veprave. Ky problem, në dukje, mund të sqarohet duke shqyrtuar se për çfarë është duke folur Jakobi. Ai po e hedh poshtë idenë se një njeri mund të ketë besim pa prodhuar vepra të mira (Jakobi 2:17-18). Jakobi po nxjerr në pah faktin se besimi i vërtetë në Krishtin do të japë si rezultat një jetë të ndryshuar dhe vepra të mira (Jakobi 2:20-26). Ai nuk është duke thënë se shfajësimi vjen nëpërmjet besimit dhe veprave, por është duke thënë se nëse një person është shfajësuar me të vërtetë më anë të besimit, ai do të bëjë vepra të mira në jetë. Nëse një person thotë se është besimtar, por i mungojnë veprat e mira në jetën e tij, atëherë ka të ngjarë se ai njeri të mos ketë një besim të vërtetë në Krishtin (Jakobi 2:14; 17; 20; 26).

Pali thotë të njëjtë gjë në shkrimet e tij. Fryti i mirë që besimtarët duhet të kenë në jetën e tyre gjendet te Galatasve 5:22-23. Menjëherë pasi na ka thënë se ne jemi të shpëtuar ne anë të besimit dhe jo me anë të veprave (Efesianëve 2:8-9), Pali na informon se jemi krijuar për të bërë vepra të mira (Efesianëve 2:10). Ai pret një jetë po aq të ndryshuar sa edhe Jakobi: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 e Korintasve 5:17). Jakobi dhe Pali nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin në lidhje me doktrinën e shpëtimit, ata janë duke folur për të njëjtën gjë, por nga pikëpamje të ndryshme. Pali thjesht thekson se shfajësimi bëhet vetëm me anë të besimit, ndërsa Jakobi vendos theksin mbi faktin se besimi te Krishti jep si rezultat vepra të mira.



Botuar me leje:   https://www.gotquestions.org/salvation-faith-alone.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
Cili është kuptimi i jetës?