“…‘I lini fëmijët që të vijnë tek unë dhe mos i pengoni ata, sepse e të tillëve është Mbretëria e Perëndisë. Me të vërtetë po ju them: cilido që të mos e pranojë Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë fare në të.’ Dhe si i mori ata në krahë, nisi t’i bekonte…” MARKU 10:14-16

Në shekullin e 21-të, kur mendojmë për fëmijët, kemi prirjen për t’u fokusuar te cilësitë e tyre subjektive; ata janë të lezetshëm dhe të përqafueshëm, dhe me raste mendojmë gabimisht se ata janë të përsosur dhe qendra e gjithësisë. Pikëpamje të tilla bashkëkohore për fëmijët, në fakt, e pengojnë aftësinë tonë për ta përkapur atë që tha Jezusi: “I lini fëmijët që të vijnë tek unë.”

Në fakt, në thelb të ilustrimit të Jezusit qëndrojnë cilësitë objektive të fëmijëve. Fëmijët nuk votojnë. Ata nuk kanë patenta për makinë. Të rriturit nuk u kërkojnë shpesh që të marrin vendime në lidhje me ndodhi të rëndësishme në jetën e tyre ose në jetën e familjeve të tyre. Në vitet e tyre të foshnjërisë, ata janë tërësisht të varur te dikush tjetër. E thënë troç, fëmijët e mitur janë të vegjël dhe të pafuqishëm, pa kurrfarë të drejte apo merite të jashtme.

Prandaj, a nuk është e mahnitshme që fëmijët pranohen me kaq shumë ngrohtësi nga Jezusi? Megjithatë, edhe pse nuk ka dyshim që është e mrekullueshme, ne nuk duhet të habitemi kur mendojmë se sa shpesh i përdor Perëndia zemërbutët dhe të përulurit në mënyra të fuqishme. Nuk mund të shpresojmë se do të hyjmë në qiell për shkak të meritës ose të vlerës sonë. Përkundrazi, mbretëria e Perëndisë u përket njerëzve nevojtarë, të vetmuar dhe të pafuqishëm, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë ose meritë nga vetja e tyre — njerëz që u ngjajnë fëmijëve.

Ndërsa e kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh si një fëmijë, ne fillojmë të shohim se hyrja jonë në mbretëri mund të vijë vetëm pasi të kemi pranuar gjendjen tonë të pafuqishme të varësisë. Ne nuk vijmë te Krishti me duart plot me aftësitë dhe arritjet tona, por me duart bosh, gati për të marrë prej Tij. Është e mahnitshme që ungjilli na thotë se duhet të shohim drejt Vetë Perëndisë, i cili u bë njeri si një foshnjë e pafuqishme. Prandaj, sigurisht që është me vend që hyrja në mbretërinë e Tij të përjetohet nga ata që ndjekin shembullin e Tij të përulur.

Përqafimi i fëmijëve nga Jezusi në këto vargje e heq qafe krenarinë tonë dhe, gjithashtu, na ngre lart në dobësinë tonë. Ndoshta ti e sheh punën tënde si të lavdërueshme ose pozitën tënde si të denjë, dhe dallon dëshirën për të qenë bamirës në vend që të jesh përfitues. Ose ndoshta e di se të tjerët nuk mendojnë shumë lart për ty (ose edhe vetë nuk ke mendime të larta për veten), dhe çuditesh që Perëndia dëshiron të të japë ndonjë gjë, për të mos folur pastaj për faktin që Ai po pret ta kalojë përjetësinë me ty. Pavarësisht nga karakteri apo rrethanat e tua, eja te Jezusi çdo ditë me besimin e një fëmije dhe me vetëdijen për dobësinë dhe pafuqinë tënde. Kjo, dhe vetëm kjo, është udha për në mbretërinë e Tij dhe udha për ta shijuar bekimin e të qenët afër Tij.