“Prandaj, të mos shqetësoheni duke thënë: ‘çfarë të hamë?’ apo ‘çfarë të pimë?’, apo ‘çfarë të veshim?’. Se të gjitha këto i kërkojnë kombet; se Ati juaj qiellor e di që keni nevojë për të gjitha këto. Por kërkoni së pari mbretërinë dhe drejtësinë e tij, dhe këto të gjitha do t’ju shtohen.” MATEU 6:31-33
Si krijesa në botën e Perëndisë, ne nuk jemi lënë në mëshirën e fatit apo të rastësisë. Nuk jemi hedhur andej-këndej nga forca të verbra dhe jopersonale, dhe as nuk ka pse të shqetësohemi në lidhje me horoskopin, lëvizjet e planetëve apo shpërqendrime të ngjashme.
Mirëpo, atyre që nuk e njohin Perëndinë dhe nuk i besojnë Atij si Atit të tyre qiellor, kështu u duket gjithësia. Prandaj, siç e bën të qartë edhe Shkrimi, “të gjitha këto i kërkojnë kombet” — domethënë, ata që nuk interesohen për Perëndinë. Individë të tillë nuk janë të sigurt që, në fakt, ka një Krijues — dhe ata mendojnë se, nëse do të kishte, Ai ka hequr dorë nga krijimi qëkurse e solli në ekzistencë. Në mendjet e tyre, çdo ngritje dhe rënie, çdo luhatje në historinë njerëzore, i dedikohet shansit dhe të gjithë ne jemi të kapur në kthetrat e një mekanizmi të pamasë dhe jopersonal.
Kjo është një tablo e zymtë. Fatmirësisht, Bibla na thotë diçka tjetër. Sipas Shkrimit, të gjitha gjërat u krijuan përmes Krishtit dhe për Krishtin, dhe Ai vazhdon të jetë personalisht i përfshirë në krijimin e Tij (Kolosianëve 1:16-17). Nën dritën e kësaj, te Mateu 6:26-33, Perëndia Bir në thelb thotë: Pse të shqetësoheni për ushqimin, veshjen dhe ndonjë gjë tjetër? Kombet shqetësohen. Pse të shqetësoheni ju? Ju thjesht mbajini sytë tek Unë dhe Unë do të kujdesem për ju. Nuk ka asnjë zog në qiell të cilin të mos e njoh. Vetë bari i fushës vishet me bukuri nga fuqia Ime e pushtetshme dhe Unë do të kujdesem edhe për ju.
Në fakt, Krishti premton se kujdesi i Tij dhe i Atit të Tij për ne është një e vërtetë që jehon mrekullueshëm te Romakëve 8:28, se “për ata që e duan Perëndinë, Perëndia i bën të bashkëveprojnë të gjitha për të mirë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij”. Nëse jemi në Krishtin, të gjitha ditët tona, dëshirat tona, shpresat tona, zmërthyerjet tona, frikërat tona dhe dështimet tona po shpalosen sipas vullnetit të mençur, të hirshëm dhe të dashur të Perëndisë.
Nëse sot je vetëm, ose e kalove vetëm mbrëmjen e djeshme, ose trembesh nga gjasat që mund të kalosh edhe një javë tjetër me marrëdhënie të thyera dhe të vështira, lejoje fjalën e Perëndisë të hyjë brenda, ta ngrohë dhe ta mbushë zemrën tënde me vetëdijen intime për dashurinë dhe praninë e Atit. Nëse je i ngarkuar nga shqetësimet financiare, lejoje Jezusin që të t’i qetësojë frikërat, duke të thënë se Ai do të sigurojë për ty atë për të cilën ke me të vërtetë nevojë. Nëse po përleshesh me probleme shëndetësore — qofshin ato fizike apo emocionale — të jesh i sigurt që Ai i di, Ai kujdeset dhe Ai do të të kalojë përmes tyre. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh apo sa e vështirë bëhet jeta, Vetë Perëndia do të të ruajë, pasi Ai kujdeset për ty.