“Por jini të mirë dhe të përdëllyeshëm njëri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.” EFESIANËVE 4:32 (BIBLA ABS, 2009)

Falja e Perëndisë nuk është thjesht shprehje e zemrës së Tij (ndonëse sigurisht që është edhe e tillë), por është gjithashtu një premtim nga fjala e Tij. Prandaj, përjetimi ynë i faljes së Perëndisë është i lidhur drejtpërdrejt me gatishmërinë tonë për ta besuar fjalën e Tij.

Autori i Hebrenjve shpjegon se siguria jonë për faljen mbështetet vetëm mbi gjakun shlyes të Jezusit (Hebrenjve 10:19-22). Për më tepër, kur ne vijmë te Perëndia me pendim, Ai premton që të mos i kujtojë më mëkatet tona (v. 17). Perëndia është betuar që të mos i mbajë shënim paudhësitë tona (Isaia 43:25). Me fjalë të tjera, nëse përpiqemi të kthehemi te Perëndia me ato çështje të cilat Ai tashmë i ka trajtuar, do të shohim se, me pak fjalë, Ai do të na thotë: Fëmija im i dashur, nuk më kujtohet kjo gjë për të cilën po më flet. Të premtova se nuk do ta kujtoja më kurrë këtë — prandaj as ti nuk duhet ta kujtosh. Shembulli i Perëndisë ka për qëllim të jetë modeli për mënyrën se si i falim të tjerët. Falja e të tjerëve nuk ka të bëjë me një ndjenjë, por ka të bëjë me një premtim dhe me bindjen. Kur ju ose unë falim dikë, në thelb po bëjmë një betim me tri pika: së pari, që nuk do ta ngremë më kurrë këtë çështje me atë person; së dyti, që nuk do ta diskutojmë më kurrë me dikë tjetër; dhe së treti, që nuk do t’ia kujtojmë më kurrë as vetes sonë. Një shprehje e vërtetë faljeje thotë: “Unë dëshiroj të bëj për ty të njëjtën gjë që Perëndia ka bërë për mua në Krishtin.”

Kjo nuk do të thotë se falja është thjesht në mendjen tonë dhe vetëm një akt i vullnetit tonë. Duket qartë që ne duhet të falim me gjithë zemër (Mateu 18:35). Megjithatë, kjo rea­lisht do të thotë që shprehjet tona të faljes janë më të vërteta kur burojnë nga një vetëdije dhe nga një ndjesi e mirënjohjes për faljen tonë nga Krishti, gjë që shoqërohet nga bindja jonë ndaj urdhërimit të Perëndisë për të falur.

A ka ndonjë person të cilin ke nevojë që ta falësh? Sot mund të mos ndihesh sikur dëshiron që të falësh dikë tjetër — mirëpo çështja nuk janë ndjenjat. Si përfitues i faljes së Perëndisë në Krishtin, ti je thirrur që të falësh ashtu siç të ka falur Ai. Kjo nuk është e lehtë, mirëpo është e mundur. Fryma e Perëndisë mund të të aftësojë që ta bësh dhe ta mbash këtë premtim për të vepruar kështu. Kur ti fal duke bërë këtë betim të trefishtë në bindje ndaj urdhërimit të Perëndisë, Ai mundet ta bëjë këtë dhe do të të japë edhe ndjenjat e duhura.