Muzika gjendet kudo përreth nesh. Kënga jehon përmes krijimit, ushton në qiejt dhe buron nga zemrat e atyre që kënaqen me Perëndinë. Prej nga buron simfonia e tingullit? Në qoftë se do ta gjurmonim melodibërjen deri në pikënisjen e saj, ne do të zbulonim se muzika nuk është një shpikje njerëzore. Përkundrazi, burimi i këngës është vetë Perëndia. Ai është Nota Tingëlluese, Solisti dhe Dirigjenti Sovran.
Autori i këngës së krijimit
Perëndia ynë është autori i këngës së krijimit. Ai i dha jetë pëshpërimës së erës përmes gjetheve të pemëve dhe kompozoi ushtimën e dallgëve të oqeanit që përplasen në breg. E gjithë bota gëlon nga lavdet që i thuren Krijuesit të saj. Në agimin e krijimit, “yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi” (Jobi 38:7). Psalmisti thotë: “Qiejt po kumtojnë lavdinë e Perëndisë dhe veprën e duarve të tij po tregon kupa qiellore (Psalmet 19:1, Bibla PRO).
Nga laureshat mëngjesore e deri te gjinkallat mbrëmjesore, nga ujëvarat zhuzhuritëse dhe rrëketë pikuese, nga vetëtima gjëmuese te zjarri kërcëllitës, nga stuhia e furishme te flladi i butë, gjithë krijimi bashkohet në harmoninë e një himni madhështor lavdërimi. Herën tjetër që ju kap veshi njëfarë tingulli, bëni mirë të ndaleni e të përlëvdoni Hyjin që e kompozoi atë.
Tema e këngës së qiellit
Perëndia ynë është po ashtu tema e këngës së qiellit. Duke u ngritur mbi meloditë e tokës, qiejt po ashtu ushtojnë nga adhurimi. Në të gjithë Shkrimin e Shenjtë, ne i dëgjojmë qeniet engjëllore tek adhurojnë Perëndinë e tyre. Te vegimi i Isaias, serafinët thërrasin pareshtur: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është ZOTI i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij!” (Isaia 6:3). Kur lindi Krishti, një mori engjëjsh, pjesë e ushtrisë qiellore, e shpallën lindjen e Shpëtimtarit me këtë këngë: “Lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta dhe paqe mbi tokë ndër njerëzit që kanë pëlqimin e tij!” (Luka 2:14). Për një çast, le të kujtojmë se, kur këndojmë, asnjëherë nuk këndojmë vetëm. Përkundrazi, i bashkohemi korit të engjëjve mbi ne dhe shenjtorëve që kanë jetuar përpara nesh dhe që tashmë e përlëvdojmë Mbretin.
Qendra e këngës sonë
Megjithatë, populli i Perëndisë këndon në një mënyrë që ndryshon prej asaj të tokës këtu poshtë dhe qiellit atje lart, sepse ne këndojmë si një popull i dashur, i shpenguar e i zgjedhur. Zoti mund të na kishte krijuar vetëm për të folur, por Ai e dinte se vetëm fjalët nuk ishin të mjaftueshme. Ne u krijuam për të kënduar dhe Krijuesi ynë ka vendosur brenda nesh këngën e shpëtimit. Proza lartësohet në poezi dhe të folurit shndërrohet në melodi, për shkak të Perëndisë tonë të lavdishëm dhe plot hir. Ai dhe vetëm Ai duhet të jetë qendra e këngës sonë.
Gjatë gjithë historisë së shpengimit, populli i Perëndisë ka qenë një popull që këndon. Që nga Kënga e Moisiut (Eksodi 15:1–18) dhe deri te psalmet e Davidit, nga himnet kushtuar Krishtit në Besëlidhjen e Re dhe deri te këngët e shenjtorëve në ditët e sotme, ne vazhdojmë t’i këndojmë “Jahveh-ut një këngë të re” (Psalmet 96:1, Bibla PRO). Të shpenguarit e Zotit nuk mund të qëndrojnë gojëkyçur.
“Herën tjetër që ju kap veshi njëfarë tingulli, bëni mirë të ndaleni e të përlëvdoni Hyjin që e kompozoi atë.”
T’i këndosh Perëndisë dhe të këndosh për Perëndinë është një akt adhurimi, një mjet për të shprehur besimin tonë dhe për t’u rritur në të, si dhe një dëshmi që i shpallet botës. Kjo është arsyeja përse Pali e nxit kishën që t’i “[drejtohen] njëri-tjetrit me psalme dhe himne, dhe këngë frymërore; duke i kënduar e duke i psalur në zemrën tuaj Zotit” (Efesianëve 5:19). Miqve të mi të dashur Keith dhe Kristyn Getty-t u pëlqen të thonë se ne këndojmë për shkak se jemi krijuar për të kënduar, për shkak se jemi urdhëruar që të këndojmë dhe për shkak se jemi të shtyrë nga brenda që të këndojmë. Do të shtoja edhe se jemi ngarkuar me detyrën për të kënduar, teksa u shpallim fqinjëve tanë dhe kombeve lavdet e Perëndisë tonë (Mateu 28:18–20).
Perëndia i këngës së Vet
Një prej aspekteve më të lëna pas dore të të kënduarit është realiteti mahnitës se vetë Perëndia këndon, dhe këndon me qëllim që të shprehë dashurinë e Tij të besëlidhjes për popullin e Vet. Sofonia 3:17 shpall: “ZOTI, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do të qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi [ose teksa këndon me zë të lartë].” Ky premtim vjen pas një vargu akuzash kundër popullit të Perëndisë për shkak të mëkatit dhe rebelimit të tyre. E megjithatë, premtimi i ndritshëm i shpengimit shkëlqen edhe në mes të gjykimit, dhe ai shkëlqen e rrëzëllen përmes këngës.
Ky premtim e gjen përmbushjen e tij më sublime në Krishtin. Jezusi erdhi për të banuar mes nesh, për të na shpëtuar. Për shkak të gëzimit që gjendej përpara Tij, Ai përqafoi kryqin, përballoi turpin e tij dhe madje vdiq përpara se të lartësohej në ringjallje të lavdishme. Ai që këndoi një himn gjatë rrugës për në Kalvar (Mateu 26:30), tashmë e udhëheq popullin e Vet në këngë (Hebrenjve 2:12) dhe këndon mbi ne me gëzim.
Herën tjetër që e ngrini zërin për të kënduar, pavarësisht nëse po e bëni këtë vetëm, gjatë drejtimit të makinës suaj, së bashku me familjen në dhomën tuaj të ndenjjes apo së bashku me vëllezërit dhe motrat e kishës suaj lokale në Ditën e Zotit, kujtojini vetes këtë: se teksa këndoni, Perëndia juaj këndon bashkë me ju. Kënga e Tij është kënga e Atit që kënaqet me fëmijët e Vet, kënga e Dhëndrit që gëzohet për nusen e Tij.
Alfa dhe Omega i muzikës
Perëndia që bën muzikë, është Alfa dhe Omega i muzikëbërjes sonë. Mbarë dheu i thur lavde Krijuesit të vet, qiejt jehojnë me lavdërim, populli i Perëndisë ngazëllehet për shkak të mirësisë së Tij, si dhe vetë Perëndia këndon mbi ne me britma gëzimi. Çdo melodi dhe harmoni, çdo varg dhe notë e bukur e ka pikënisjen e vet tek Ai.
Do të vijë dita kur do të dëgjojmë këngën e pakufizuar të shpëtimit, teksa qielli dhe toka i bashkohen këngës së Qengjit. Apostulli Gjon e shpreh shumë bukur këtë koncept te Zbulesa 19:6, duke i mbushur zemrat tona me pritshmërinë e këngës që veç pret të këndohet:
Dhe dëgjova një si zë të një turme të madhe dhe një si zë ujërash të shumta, dhe një si zë bubullimash të forta, duke thënë:
“Haleluja!
Sepse mbretëroi Zoti, Perëndia ynë, i Gjithëpushtetshmi.”
Matt Boswell është autor këngësh të krishtera dhe pastori i kishës “The Trails Church” në Celina, Texas. Ai, po ashtu, shërben si profesor i Shërbesës së Adhurimit në Midwestern Baptist Theological Seminary, si dhe drejton Doxology & Theology, një shërbesë që ka në qendër adhurimin e përbashkët.