“Pastaj Naomi… i tha: ‘Bija ime, a nuk do të kërkoj unë një vend paqeje për ty, që ti të jesh e lumtur? Boazi, me shërbëtoret e të cilit ti ke qenë, a nuk është vallë fisi ynë? Ja, sonte ai duhet të shohë elbin në lëmë. Prandaj lahu, lyhu me vaj, vish rrobat më të mira që ke dhe zbrit në lëmë…’” RUTHI 3:1-3

Perëndia është sovran, prandaj ne mund të bëjmë zgjedhje të guximshme. Ashtu siç do të bënte çdo nënë tjetër, Naomi donte që Ruthi, nusja e saj e ve, të kishte një familje dhe kujdes për gjithë jetën e saj. Prandaj, ajo e nxiti Ruthin që të shkonte te Boazi dhe t’i kërkonte që ai të luante rolin e siguruesit duke u martuar me të.

Sigurisht që duhet të kemi kujdes që të mos lexojmë shumë ide bashkëkohore në këtë histori të Besëlidhjes së Vjetër, përderisa ajo epokë kishte zakonet e veta. Megjithatë, ne, gjithashtu, duhet të kujtojmë që kjo ishte jeta reale e njerëzve realë në një fshat real të Lindjes së Mesme, të cilët takohen me një Perëndi real dhe ia kushtojnë Atij jetën e tyre pa rezerva. Si e tillë, në këtë histori ka të vërteta të përjetshme të cilat duhet t’i mësojmë. Së pari, ne mund të mësojmë që, edhe pse provania e Perëndisë sundon mbi jetën tonë, ajo nuk e kufizon lirinë tonë në marrjen e vendimeve. Sovraniteti mbisundues i Perëndisë nuk e pengoi arsyetimin e Naomit ose reagimin e Ruthit. Zoti ishte sovran mbi të gjitha këto, por jo duke i kufizuar zgjedhjet e tyre.

Historia e Ruthit është gjithashtu një kujtesë se, edhe kur gabimet e ndryshojnë jetën tonë, Perëndia i shpengon ato për të mirën tonë të përjetshme dhe për lavdinë e Tij. Bashkëshorti i Naomit nuk duhej ta kishte zhvendosur familjen e tij nga Toka e Premtuar në tokën e Moabit, në vendin e armiqve të popullit të Perëndisë; djemtë e saj nuk duhej të ishin martuar me gra moabite, përderisa ligji i Perëndisë nuk e lejonte që të martoheshin me gra nga fe të tjera. Megjith­atë, këto zgjedhje të gabuara e sollën Ruthin te Naomi, te Perëndia, madje edhe në linjën e historisë së shpengimit si paraardhëse të Jezusit (Mateu 1:1-6). Një shpengim i tillë nuk është justifikim për rebelimin tonë të qëllimshëm, mirëpo shërben si një siguri e vazhdueshme që nuk ka pse të dëshpërohemi për shkak të gabimeve tona në të shkuarën.

Sovraniteti i Perëndisë që po thurte gjithashtu planin e Tij të shpëtimit, së pari, duke sjellë Birin e Tij në botë dhe pastaj duke i thirrur njerëzit e Tij në besim në Krishtin, është një siguri e vazhdueshme ndërsa përballemi me vendime dhe peshojmë këtë apo atë shteg veprimi. Ne i besojmë Perëndisë përmes veprimit plot besim. Naomi nuk qëndroi ulur në shtëpi duke pritur që Perëndia të vepronte, duke thënë: Do të bëhet ajo që ka vendosur Perëndia. Jo, ajo veproi duke e inkurajuar Ruthin që të hidhte hapin tjetër në atë që dukej se po shpalosej.

Të besosh në provaninë e Perëndisë, nuk do të thotë të ulemi dhe të presim që plani të shpaloset, ndërsa ne këndojmë Que será, será — ajo që do të ndodhë, do të ndodhë — pasi “nuk na takon neve që ta shohim të ardhmen”1. Përkundrazi, ne duhet të citojmë fjalët e Jezusit: “…Megjithatë, mos të bëhet vullneti im, por yti” (Luka 22:42). Pasi Jezusi e bëri këtë lutje, Ai vazhdoi ta jetonte me bindje të përsosur, madje deri në pikën e vdekjes.

Shtegu i jetës mund të ketë shumë kthesa dhe ndryshime, mirëpo fjala e Perëndisë na premton se “për ata që e duan Perëndinë, Perëndia i bën të bashkëveprojnë të gjitha për të mirë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Merr zemër nga ky premtim. A gjendesh përballë një vendimi? A po vret mendjen se cilin shteg të ndjekësh? Perëndia është sovran dhe Ai shpëton. Çfarëdo që të vendosësh, jeto me guxim dhe me liri në ngushëllimin e provanisë së Perëndisë.

  1. Ray Evans, “Que Será, Será” (1956). ↩︎