“Dhe ja, erdhi njëri pranë Jezusit dhe i tha: ‘Mësues, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?’… Jezusi i tha: ‘Nëse dëshiron që të jesh i përsosur, shko dhe shit ato që të përkasin dhe jepua të varfërve, dhe do të kesh një thesar në qiej; dhe eja e më ndiq’. Por i riu, kur dëgjoi këtë fjalë, u largua i trishtuar, sepse kishte prona të shumta.” MATEU 19:16, 21-22

Zbatimi i rregullave dhe ritualeve fetare, në përpjekje për të fituar pranimin në qiell, nuk prodhon një ndjesi paqeje dhe sigurie të faljes, dhe as nuk na bën që të fitojmë jetën e përjetshme.

Ishte mungesa e sigurisë së faljes ajo që e shtyu këtë djalosh të ri t’i afrohej Jezusit dhe t’ia bënte këtë pyetje me guxim. Ai ishte i pasur; Luka shton edhe hollësinë që ai ishte një nga krerët, me pushtet dhe ndikim (Luka 18:18) — ishte ai lloj personi të cilin bota e shikon me respekt dhe e konsideron të bekuar. Jo vetëm kaq, por ai ishte gjithashtu serioz në lidhje me zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë (Mateu 19:20). Ne duhet ta shohim atë dhe të mendojmë: “Nëse ka ndonjë njeri që do ta arrijë jetën e përjetshme, sigurisht që do të ishte ky burrë.”

Prandaj, ka të ngjarë që ky burrë po priste që Jezusi ta përgëzonte se sa mirë i kishte zbatuar rregullat dhe ta siguronte për shpërblimin e tij qiellor. Përkundrazi, Jezusi i vuri në dukje me butësi se ai nuk e kishte zbatuar ligjin e Perëndisë në mënyrë të përsosur. Në fakt, ky djalosh kishte shkelur vetë urdhërimin e parë: në vend që ta donte Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, forcën dhe mendjen e tij, ai kishte adhuruar pasurinë e tij, siç vërtetohet nga fakti që ai “u largua” nga Jezusi kur iu kërkua që të zgjidhte mes Zotërisë së tij dhe parasë së tij. Jezusi i tregoi këtij burri se urdhërimet e Perëndisë nuk janë një shkallë së cilës i ngjitemi për të arritur pranimin e Tij, por një pasqyrë që zbulon gjendjen tonë të vërtetë frymërore.

Në thelb, ky pasanik i ri kishte një problem të zemrës. Ky është edhe problemi ynë. Bibla thotë se ne kemi lindur në armiqësi me Perëndinë, dhe nuk jemi në gjendje për të hyrë vetë në marrëdhënien e duhur me Të. Ne nuk e kemi dashur Perëndinë me gjithë zemrën tonë, pasi kemi dashur gjëra të tjera më shumë se Atë.

Paaftësia e pasanikut të ri për t’iu bindur ligjit të Perëndisë dhe për ta dashur Perëndinë siç duhej ta kishte dashur, është edhe paaftësia jonë. Askush nuk e ka dashur, askush nuk mundet ta dojë dhe askush nuk do ta dojë ndonjëherë Perëndinë dhe t’i zbatojë urdhërimet e Tij në mënyrë të përsosur, me përjashtim të Vetë Jezusit. Mirëpo ky, në fakt, është lajm i mirë! Shpëtimi nuk varet nga ne dhe nga ajo që bëjmë. Përkundrazi, paqja, siguria, falja dhe pozita e drejtë para Perëndisë vijnë kur ne i dorëzohemi mëshirës së Tij: kur ne e pranojmë ofertën e Tij të shpëtimit si një dhuratë falas, e cila s’mund të fitohet dhe as të blihet, dhe kur biem përmbys me përulësi dhe mirënjohje para asaj që Jezusi arriti me vdekjen e Tij shlyese në kryq.

Ky burrë nuk kishte pse të largohej i trishtuar nga ky takim me Jezusin. Ai mund të kishte hequr dorë nga krenaria dhe vetëmjaftueshmëria e tij. Ai mund të kishte përjetuar gëzimin e vendosjes së Jezusit të parin, në vend të pikëllimit gërryes që vinte nga besimi në mirësinë e tij dhe nga mbështetja në pasurinë e tij. Mbështetja te vetja gjithmonë do të dalë e kotë dhe do ta shtojë shqetësimin, si për ne, ashtu edhe për atë. Mirëpo nëse shkojmë para Shpëtimtarit tonë me një besim dhe besë si prej fëmije, ne mund të përjetojmë paqen e vërtetë dhe sigurinë e jetës së përjetshme. Prandaj, kurorëzoje Jezusin në fronin e zemrës sate dhe ji gati për ta vendosur gjithçka që je dhe ke në shërbim të Tij. Eja te Jezusi me duart bosh dhe përjeto gëzimin e jetës që të jep Ai.