Ju mund ta dëgjoni tek lind dielli. Mund ta ndieni në madhështinë e maleve. Mund ta gjeni në gurgullimën e vazhdueshme të përroit apo në përplasjen e ujërave në fund të ujëvarës.
Dhe në qoftë se keni veshë të mirë për të dëgjuar, ju mund ta kapni në britmat e të ligjve që kanë rënë në kurthin e ligësisë së tyre. Madje mund ta perceptoni në lavdet e të drejtëve, teksa ngazëllehen në Shpenguesin e tyre dhe në shpëtimin e Tij që ka ardhur fiks në kohën e duhur.
Është e qeshura e Perëndisë. Po, Ai qesh. Oh, sa shumë qesh Ai! “Ai që rri ulur në qiejt qesh…” (Psalmet 2:4, Bibla PRO). Perëndia i plotfuqishëm, i ulur lart në fronin qiellor, i sigurt në sovranitetin e Tij absolut, atëror në fuqinë e Tij, zemërbutë në dashurinë dhe dhembshurinë e Tij për familjen e Vet, qesh fort, që t’i bëjë fëmijët e Tij të ndihen rehat.
Një mënyrë për t’u kënaqur me buzëqeshjen e Atit tonë thellësisht të lumtur është që t’i bëjmë veshët katër, me qëllim që të dëgjojmë mrekullitë e së qeshurës së Tij.
Nga gëzimi i pashtershëm
Natyrisht, e qeshura e Perëndisë nuk është si e qeshura tallëse e një adoleshenti për një shaka pa vlerë. As nuk është si e qeshura ogurzezë e dikujt që kënaqet duke u shkaktuar të tjerëve dhimbje. As nuk është si e qeshura e sforcuar e një servili të trembur nga shefi i tij.
Kjo është e qeshura e Perëndisë të të gjithë hirit. Kjo është e qeshura e pasur, e thellë, e pjekur, ngjitëse dhe qetësuese e Atit tonë pafundësisht të lumtur, një e qeshur që është përherë e shenjtë, e drejtë dhe e mirë. E qeshura e një ati të mirë, që jehon në mbarë shtëpinë, është tingulli i sigurisë dhe gëzimit. Hareja e tij e zhurmshme paqëson frikërat e gjithë familjes.
Ku e ka burimin e qeshura e Perëndisë? Te lumturia e Tij e qëndrueshme dhe plot jetë. Te hareja e Tij hyjnore dhe e pamposhtur. Te lumturia e Tij e bekuar që mbush mbarë gjithësinë dhe që asgjë nuk mund ta tronditë.
Armiqtë e Tij mund të thurin intriga kundër Tij dhe të zdërhallen teksa e bëjnë këtë. Mirëpo qesh mirë kush qesh i fundit. Faktikisht, edhe kur ata thurin komplote kundër Tij, Perëndia qesh me marrëzinë e tyre të madhe: “Zoti do të qeshë me të [të pabesin], sepse e sheh që do të vijë dita e tij” (Psalmet 37:12–13, Bibla PRO). Ai qesh me ata që ngrihen kundër Të Vajosurit të Tij (Psalmet 59:8).
“E qeshura e Perëndisë na kujton që Ai nuk shqetësohet asnjëherë. Nuk ka asnjëherë frikë. Nuk është asnjëherë në rrezik.”
Kur Perëndia qesh me të ligjtë, të drejtët mësojnë të qeshin bashkë me Perëndinë e tyre. E qeshura e Tij na kujton që Ai nuk shqetësohet asnjëherë. Nuk ka asnjëherë frikë. Nuk është asnjëherë në rrezik. E qeshura e Tij ngjall besimin tonë dhe i mbush zemrat tona me admirim dhe guxim.
Kur Perëndia qesh, Ai e bën këtë për hirin tonë, për të komunikuar me të gjithë sa mund të dëgjojnë. Ai qesh për të njoftuar tmerret që do të bien mbi armiqtë e Tij dhe lavditë e ardhshme të miqve të Tij. Dhe nga gjithë të qeshurat që Ai na lë të dëgjojmë në fjalën e Tij, më e paharrueshmja është ajo që dëgjojmë te psalmi i dytë.
Kur Perëndia qesh
Sfondi i psalmit është bardh e zi, sepse armiqtë e Perëndisë qëndrojnë nga njëra anë, ndërsa miqtë e Tij dhe Ai vetë nga ana tjetër. “I Vajosuri” i Tij është sundimtari i përzgjedhur njerëzor i popullit të Tij, mbi të cilin është favori i Perëndisë (Psalmet 2:2, Bibla PRO). Në krah të Të Vajosurit të Perëndisë qëndrojnë nënshtetasit e Tij besnikë, fillimisht ishte populli i Izraelit, populli i besëlidhjes së parë; sot, kisha e Krishtit, populli i besëlidhjes së re.
Fillimisht i dëgjojmë armiqtë e Perëndisë teksa tërbohen. Duke qenë të mjerë dhe në kërkim të shoqërisë, ata këshillohen me njëri-tjetrin. Ata komplotojnë kundër Krishtit dhe kishës së Tij (Psalmet 2:1–2). Mirëpo çfarë ndodh pastaj, a mund ta dëgjoni? Shtjella e helmit të tyre komplotist mposhtet nga tingulli më i lumtur dhe më ngushëllues në botë, tingull që jehon nga vetë qielli: hareja e fuqishme e Perëndisë, e shprehur në të qeshurën e Tij të drejtë.
Ai që rri ulur në qiejt qesh… (Psalmet 2:4, Bibla PRO)
Për popullin e Perëndisë, e qeshura e Tij ushton me ngushëllim të madh. Ai qesh me të madhe që të largojë frikërat tona. Ai qesh që të na kujtojë se asnjë nga planet e Tij nuk mund të pengohet. Ne, populli i Tij, nuk kemi pse të frikësohemi bashkë me popujt rebelë, sepse e kemi dëgjuar zërin e Tij thellësisht të lumtur. E kemi marrë premtimin e Tij. Edhe pse nuk e meritojmë aspak, mrekulli pas mrekullie, Ai na ka bërë të pëlqyer në Birin e Tij; dhe kush jemi ne që ta çnderojmë atë duke mos i marrë seriozisht premtimet e Fjalës së Tij?
Shumë shpejt do të ndodhë që edhe armiqtë tanë do ta dëgjojnë zërin e Tij siç e kemi dëgjuar edhe ne, por në vend që të ngushëllohen nga Ati, ata do të tmerrohen nga tërbimi hyjnor (Psalmet 2:5). Jo vetëm që do të mposhten, por edhe do t’i shërbejnë qëllimit të Tij, për t’i bërë të Tijtë më tepër sesa fitimtarë (Psalmet 2:8; Romakëve 8:37).
Puthni Birin
Atyre që i kundërvihen të zgjedhurit të Perëndisë, Birit të Tij, tingulli gjithnjë e më i afërt i së qeshurës hyjnore u flet për marrëzinë e tyre të tejskajshme. Ndeshja që po vjen, nuk do të jetë aspak e barabartë. Faktikisht, nuk do të jetë as ndeshje. Armiqtë e Perëndisë nuk kanë as edhe mundësinë më të vogël që t’i bëjnë ballë Sovranit të të gjitha gjërave. Të ngrihesh kundër Mbretit të vajosur të Perëndisë është një marrëzi qesharake.
Ai u ofron një rrugëdalje edhe armiqve që e parashijojnë fundin e tmerrshëm që i pret në të qeshurën e drejtë të Perëndisë. “…korrigjohuni”, thotë Ai që qesh. “Shërbejini Jahveh-ut me frikë dhe ngazëllohuni me dridhmë” (Psalmet 2:10–11, Bibla PRO).
Kështu që nuk është ende shumë vonë. Por shumë shpejt do të vijë çasti që do të jetë tepër vonë. Mirëpo ky çast nuk ka ardhur ende. “Puthni Birin…” (Psalmet 2:12, Bibla PRO), domethënë, përuluni përpara Tij, zërini besë Atij, kënaquni me Të, shpallini besnikëri nga thellësia e zemrës, pendohuni për rebelimin tuaj dhe ndryshoni anë, dhe vetëm atëherë do të çliroheni nga tmerri i së qeshurës së Tij dhe do të mirëpriteni në mrekullinë e gëzimit të Tij.
Hëpërhë, Perëndia që qesh, ende i mban krahët hapur, madje edhe teksa përqesh kotësinë e armiqve të Tij, duke qenë kjo një mëshirë e rreptë që i paralajmëron se rruga e tyre çon drejt një zjarri përpirës dhe se gjetja e mbrojtjes te Biri është një strehë e pafund lumturie.
Qeshim për kohën që do të vijë
Edhe për pak kohë armiqtë e Perëndisë mund të zgërdhihen me të qeshurën e mosbesimit. Injorantët përqeshën edhe Jezusin (Mateu 9:24). A nuk do ta përqeshin ata edhe kishën e Tij?
E megjithatë, edhe pse ata zgërdhihen, ne mësojmë të qeshim sipas ritmit të Zotit. Ashtu si gruaja shembullore e Fjalëve të Urta 31:25, ne qeshim “për ditët që do të vijnë”. Ashtu si kali i luftës, i cili “as zmbrapset përpara shpatës”, edhe ne mësojmë të qeshim me këto kërcënime dhe të mos tmerrohemi prej tyre (Jobi 39:22). Qeshim si Leviathani me shigjetat, hobetë, topuzët dhe shtizat e armikut (Jobi 41:28–29), jo për shkak se ato nuk na e shpojnë lëkurën, por se nuk mund të ngadhënjejnë mbi ne.
Në këtë epokë, e qeshura nuk është e vetmja gjë që bëjmë. Ka raste kur këtu e qeshura jonë kthehet në vajtim. “Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje” (Fjalët e Urta 14:13). Mirëpo në epokën që do të vijë, ne do të përjetojmë një gëzim të papenguar dhe të pafund. Jezusi tha: “Lum ju që tani qani, sepse do të qeshni!” (Luka 6:21).
Kur të vijë ajo ditë, ne do të qeshim. Do të qeshim bashkë me Perëndinë dhe do të qeshim si Perëndia ynë thellësisht i lumtur.
David Mathis (@davidcmathis) është redaktor ekzekutiv i shërbesës “Desiring God” dhe pastori i kishës “Cities Church”. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit “A Little Theology of Exercise: Enjoying Christ in Body and Soul” (2025). Lexoni më tepër rreth Davidit.