“Atëherë gratë i thanë Naomit: ‘Bekuar qoftë ZOTI, që sot nuk të la pa një shpengues. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael! Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate…’ Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e tij.” RUTHI 4:14-15, 16
Paraqitja e një foshnje të re para gjyshërve të lumtur nuk është një skenë e pazakontë. Mirëpo historia e Naomit dhe e ardhmja e kësaj familjeje të vogël e bën këtë skenë edhe më të jashtëzakonshme.
Naomi ishte kthyer në Bethlehem duarbosh dhe e pikëlluar, pasi kishte varrosur burrin dhe djemtë e saj. Por tani jeta dhe prehri i saj ishin sërish plot me gëzim dhe me shpresë. Tani kishte një brez të ardhshëm për familjen e saj, për t’i sjellë jetë dhe për ta mbajtur gjallë në pleqërinë e saj. Në këtë kuptim, foshnja i solli asaj liri – shpengim. Mirëpo ndërsa e hedhim vështrimin pas te kjo skenë e zakonshme, ne që jetojmë pas mishërimit të Jezu Krishtit, e dimë gjithashtu se këtu po shpallet një lajm i jashtëzakonshëm: për shkak të kujdesit të hirshëm të Perëndisë për dy vejusha të pambrojtura, i gjithë Izraeli — në fakt, i gjithë njerëzimi — u ndihmua. Përmes Ruthit, Perëndia vazhdoi një linjë familjare që më vonë do të na çojë te Mbreti David dhe pastaj te Vetë Jezu Krishti.
Edhe Jezusi, ky Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve, u gjend mes gjërave të zakonshme të jetës. Edhe ai qëndroi në prehrin e dikujt. Ai kishte prindër të zakonshëm tokësorë. Ai lindi në një stallë kafshësh dhe jo në një pallat madhështor. Fitorja e Tij erdhi përmes kryqit të një krimineli dhe jo përmes një froni ngadhënjyes. Kjo nuk është ajo që do të prisnin shumica e njerëzve nga mishërimi i Perëndisë të Gjithëpushtetshëm — megjithatë, ashtu siç e kërkuan magët Jezusin, së pari, në pallat (Mateu 2:1-3), po kështu edhe ne shpesh fillojmë ta kërkojmë Atë në vendet e gabuara. Kur e bëjmë këtë, ne rrezikojmë të përfundojmë si një “Mara” dhe jo si një “Naomi” (Ruthi 1:20), duke u ndier të hidhëruar, në vend që të gëzojmë kënaqësi.
Plani i përjetshëm i Perëndisë shpaloset në mes të gjërave të zakonshme — njerëz të zakonshëm në vende të zakonshme, të cilët po bëjnë gjëra të zakonshme. Nëse jeton një jetë të zakonshme, kjo gjë duhet të të inkurajojë! Shumë pak prej nesh do të përmenden në ndonjë poshtëshënim në historinë njerëzore. Pavarësisht nëse je një nënë e zakonshme që po rrit fëmijë të zakonshëm, duke bërë gjëra të zakonshme ditë pas dite, pavarësisht nëse je një gjysh apo një gjyshe e zakonshme që tregon të njëjtat histori, ose një student i zakonshëm që po kalon përmes rutinave të zakonshme të veprimtarive dhe të detyrave të shtëpisë — çfarëdolloj njeriu i zakonshëm që të jesh — lavdia e Perëndisë mund të gjendet kudo rreth teje. Besnikëria jote në mes të gjërave të zakonshme, me anë të hirit të Tij, mund të bëhet mjeti i një ndikimi të jashtëzakonshëm për hir të ungjillit.
Kur tundohesh të ndihesh sikur nuk po bën shumë — kur tundohesh të besosh gënjeshtrën e djallit se nuk mund të sjellësh dot një ndryshim apo se nuk je i përfshirë në qëllimet e Perëndisë — kujto këtë: shumë kohë pasi arritjet, fjalët dhe urtësia njerëzore të kenë humbur, do të bëhet e qartë që besnikëria, mirësia, integriteti, dashuria dhe butësia që Perëndia tregon në ty dhe përmes teje, kanë pasur një ndikim edhe më dramatik në jetët e burrave dhe të grave sesa mund ta kishe imagjinuar. Kjo është mrekullia e historisë së Naomit dhe mrekullia e gjithë historisë — që lavdia e jashtëzakonshme e Perëndisë është duke vepruar në të zakonshmen. Kjo e vërtetë mund ta ndryshojë mënyrën se si ndihesh dhe e jeton ditën tënde.