“Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: ‘Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva nga duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit. Gjithashtu bleva për grua Ruthin, moabiten, bashkëshorten e Mahlonit…” RUTHI 4:9-10
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes çdo ditë, kur përballemi me rrethana të ndryshme, është: “Cila është gjëja e duhur për t’u bërë?”.
Këtë mendoi Boazi kur vendosi të shkonte te porta e qytetit. Ai donte të martohej me Ruthin, të siguronte për të dhe ta mbronte atë si i afërmi i saj shpengues. Mirëpo ai e dinte se kishte një të afërm edhe më të ngushtë se ai për Ruthin, i cili mund të zgjidhte ta luante këtë rol. Boazi ishte një burrë me integritet. Ai nuk mund t’ia lejonte vetes që të rrëmbehej nga emocionet kur Ruthi i propozoi në lëmin e korrjeve. Vizioni i tij ishte i qartë: ta fitonte Ruthin në mënyrë të ligjshme.
Boazi i dha më shumë përparësi bërjes së gjësë së duhur sesa reputacionit të tij. Ai shkoi në vendin më publik — te porta e qytetit — për të kërkuar të drejtën që të martohej me një të huaj, gjë që mund t’ia prishte reputacionin dhe trashëgiminë e tij. I afërmi më i ngushtë nuk ishte i gatshëm për ta ndërmarrë këtë rrezik (Ruthi 4:6). Madje Shkrimi nuk na jep as emrin e këtij burri. Ky është një mësim për ne: nuk duhet të përpiqemi që të fitojmë dhe të ruajmë një emër për veten tonë. Le të jetë dikush tjetër që do të na bëjë të famshëm dhe do të na lavdërojë. Ne thjesht duhet të përpiqemi të bëjmë gjënë e duhur.
Fjalët e Boazit zbulojnë se një nga motivet e tij ishte “për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij” (Ruthi 4:10) — për ta ringjallur emrin e Elimelekut, burrit të vdekur të Naomit, duke e vazhduar familjen e tij. Kjo tregon vetëmohim. Kjo është e jashtëzakonshme. Nëse Boazi do të kishte qenë i interesuar vetëm për veten dhe për dëshirat e tij, ai mund ta kishte marrë menjëherë Ruthin për grua. Përkundrazi, ai e përmbushi përgjegjësinë e tij dhe publikisht e mori përsipër këtë situatë. Në atë kohë, kalimi i titullit të të afërmit shpengues bëhej duke shkëmbyer një sandale (v. 7). Ky shkëmbim simbolizonte diçka më të madhe — domethënë, përkushtimin, dashurinë dhe sakrificën personale për Ruthin. Në mënyrë të ngjashme, kryqi qëndron para syve të publikut dhe aty shohim përkushtimin, dashurinë dhe flijimin e Krishtit për llogarinë tonë. Boazit iu desh të paguante një çmim financiar për t’u martuar me Ruthin. Krishtit i kushtoi vetë jetën e Tij, që të na shpengonte dhe të na bënte nusen e Tij të dashur.
Të dyja këto sakrifica — ajo e Boazit dhe ajo e Krishtit — fituan shpërblime dhe trashëgimi të mëdha, siguruan një të ardhme dhe një shpresë: njëra për një moabite të re dhe për vjehrrën e saj, dhe tjetra për gjithë njerëzimin. Kërkimi i Boazit për të bërë gjënë e drejtë rezultoi në një martesë që luajti një rol të rëndësishëm në gjithë historinë, duke vazhduar një linjë familjare e cila më në fund çoi në lindjen e Shpëtimtarit tonë (Mateu 1:5). Për shkak të sakrificës së Krishtit, tani ne presim ditën kur do të qëndrojmë në lavdi, do të shohim fytyrën e Tij dhe do ta lavdërojmë emrin e Tij përgjithmonë. Dhëndri ynë erdhi dhe na fitoi me të drejtë, duke paguar një çmim shumë të lartë. Imagjinoni gëzimin e Ruthit kur dëgjoi se Boazi kishte dhënë sandalen e tij dhe e kishte ripohuar faktin që do të martohej me të. Një gëzim të ngjashëm duhet të përjetojmë edhe ne kur shohim kryqin dhe e dimë se jemi të Krishtit. Shembulli i Boazit duhet të jetë shembulli ynë ndërsa shohim vendimet dhe vështirësitë e çdo dite, dhe mësojmë që thjesht të pyesim: “Cila është gjëja e duhur për t’u bërë?”.